QËLLIMI FISNIK I REMBRANDIT

Nuk është e arsyeshme që të rrosh dhe, të mos pëlqesh. Ashtu sikur, nuk është e arsyeshme, të kesh qëllim dhe të mos përpiqesh . Ashtu sikur, nuk është normale, të kesh ideal, e të mos kesh idhuj. Ndryshe, gjithçka shkon me ritmin e së zakonshmes.

Ilir LEVONJA

Sipas Gledis Shmid, biografes më në zë të Rembrandit, piktorit i madh holandez thoshte shpesh: “O, bëhem një Mikelanxhelo i ri, o një gomar”. Kjo është tepër argëtuese vërtetë, sepse i ke shpallur luftë pa kompromis vetvetes. As qe bëhet fjalë fare, për pak prehje. Rembrandi, e nisi kështu betejën dhe armët e tija ishin talenti dhe frymëzimi. Bota ne sytë e tij ishte krejt ndryshe nga sytë e të tjerëve. Ndoshta, nga ky vështrim i veçantë lindën dhe veprat e mëdha, nga ky vështrim i vëmendshëm, që ka mundësuar krijimin e një qëllimi te vetëm e fisnik, kthimin e së bukurës në një vepër të dobishme. Ky qëllim, e afron punën e krijuesit me atë të zotit.

Kur parapëlqejmë dhe përpiqemi të rritemi, duke i ngjarë atij që na frymëzon, kjo do të thotë se rritemi me qëllimin e lart, te vetmin, me etjen për të qenë të shenjtë për të bërë punë të bukura. Askush nuk do ta kuptoj atë që, për krijuesin, respekti me i madh, është ta lësh atë të lirë. ”Marrëzitë” e tija, asnjëherë nuk kanë për ta çuar njerëzimin drejt fatalizmit.

Qëllimin e tij, Rembrandi e arriti duke mbushur vetveten me dashurinë për Mikelanxhelon. Ai preferonte dhe rritej, duke ëndërruar dikë, që ishte dikushi, dikë që ishte gjeni, dikë të ndëshkuar prej gjenisë së vetë. Kjo është më se e natyrshme dhe s’kemi përse të trembemi. Gjithkush ka ndjekur gjurmët e pararendësve për të arritur majën.

Nuk mund te arrihej deri këtu, ku ndodhemi sot, pa kaluar nëpër duar veglat e epokave të mëparshme, punën e njerëzve paraardhës. Eshtë pikërisht kjo etje, kjo përpjekje, që na bën të ndërgjegjshëm për misionin fisnik të krijimit. Kjo e nderon qëllimin tonë.

Gjithmonë e keqja jonë e madhe ka qenë interpretimi. Nga ky këndvështrim, shpesh here ndodh që, shqetësimet t’i marrin për pretendime. Unë këmbëngul se të shqetësohesh nuk do te thotë aspak se pretendon. Të shqetësohesh është krejt e natyrshme, deri sa je në kërkim të kryeveprës, ose thjesht një vepre të dobishme. Duhet maturi dhe urtësi dhe në, këtë sjellje të lartë duhet ta kërkojmë edhe te tjetri. Kur nuk e gjejmë, shqetësohemi, e pikërisht këtu lind kontradikta, sepse shqetësimin e treguar, të tjerët e interpretojnë për pretendim. I vetmi qe na vjen në ndihmë, është ai që rron brenda nesh, këshilltari…., ose vetvetja, ai me të cilin bisedojmë shpesh.

Qëllimin tonë të mirë askush nuk e respekton, megjithëse në konferenca shtypi, shtetarët shpesh argumentojnë platformat me ndihmën e veprave tona. Kjo është tragjike, për vetë faktin se midis konceptit dhe realitetit ekziston një distancë të cilën e mbajnë pezull keqinterpretimet. Po kjo nuk do të thotë aspak se edhe nëse ekziston ai, këshilltari brenda teje, të mos ndodhi i njëjti keqkuptim. Ai vetëm se do të ta lehtësojë brengen, është njësoj si të thuash, që ke se me cilin bisedon e aq më tepër, kur ti ke nevojë të zbrazesh. Makiaveli, për shembull, ishte një nga këshilltarët më të shkëlqyer që ka njohur historia, ose u bë i tillë pasi publikoi ”Princin”, sikur vepra t’i kish pararendur kohës, kombi italian nuk do të rronte i ndare. Besoj të ketë qenë kjo arsyeja që, Ali Pashë Tepelena, në muzgjet e ëmbëlta të Janinës, diku buzë liqenit, të dëgjonte shërbyesit e tij të t’i lexonin pjesë nga Makiaveli. Megjithëse, sipas të dhënave dhe aq sa e njohim Ali Pashain, të krijohet përshtypja se ai Makiaveli, shpesh i dukej sikur s’thoshte ndonjë gjë të re, por sidoqoftë e argëtonte.

Nga kapitulli i fundit i librit të tij, “Princi”, ia vlen te shkëpusim disa radhë për të kuptuar mirë peshën e fjalës se këshilltarit, njeriut që rron brenda teje, atij që shpesh na bën të dukemi sikur po flasim me veten… Ja një paragraf: “Duke, medituar mbi gjithçka të parashikuar më sipër, (e ka fjalën për atë që nuk zhbëhet më), duke analizuar se sot Italia, kur kohërat janë të tilla që t’i japin mundësi një princi të ri, të bëhet i shquar, mund të gjejë rastin dhe mjetin për t’i dhënë këtij vendi një formë të re, që këto shërbime ta mbulojnë me lavdi princin dhe banorët e vendit me pasuri. Me duket se rrethanat që shkojnë në favor të një plani të tillë janë të shumta, aq sa s’mund të them se nuk ka pasur kurrë një kohë të përshtatshme sa koha që jetojmë për ndryshime të mëdha. Në rast se për të njohur virtytet e Moisiut, popullit të Izraelit u desh të ishte skllav i egjiptianeve, nëse për të shpërthyer me krejt shkëlqimin e vet madhështia e shpirtit te Siriusit, u desh që persët të shtypeshin prej medëve. Dhe së fundi, për të vlerësuar trimëritë e Tezeut duhej që athinasit të ishin të përçarë, po ashtu edhe në ditët tona, që dikush të shquhet, duhej që Italia të katandisej aty ku e shohim sot; më e shtypur se hebrenjtë, më e skllavëruar se persët, më e përçarë se athinasit, pa drejtues, pa institucione, e rrahur, e çjerrë, e pushtuar, e sakatosur prej te gjitha mynxyrave. Deri më sot, duket sikur disa vegime të herë-pas-hershme, kanë dashur të paralajmërojnë ardhjen e një njeriu te zgjedhur prej perëndisë për çlirimin e saj. Po, nuk do të vononte që ky njeri të ndahej prej fatit në mes të karrierës së të tij të ndritur, ndaj ende sot, thuajse duke dhënë shpirt, ajo është në pritje të atij që do t’i mbyllë plagët, të atij që do t’i japë fund plaçkitjeve dhe grabitjeve prej të cilave vuan sot Lombardia, t’i jap fund kusarive qe po shkatërrojnë mbretërinë e Napolit dhe Toskanën, e së fundi, të shërojë ato plagë të thella që tashmë janë bërë fistuloze”.

Nga teksti i mësipërm, nuk është e vështirë të kuptohet se qëllimi i Makiavelit, është t’i kujtojë njerëzimit, kryesisht politikanëve, mundësinë që ata të bëhen ”princa” të reformave. Sajimi në mënyrë të përkryer i një princi, duket sikur qetëson shpirtin e lodhur të Makiavelit, ndërsa na jep edhe neve shansin që në fronte të ndryshme, të paktën t’i afrohemi këtij konvencioni.

Më kujtohet se pas rënies së diktaturës komuniste, kur unë jetoja në Lushnje në vitet 90-të, u shfaqen grupe te rinjsh me origjine italiane, të cilët predikonin Baha’ i -in. Ata shpesh thoshin se, “synojmë një botë pa kufij”. Kjo ishte një thirrje që ngjalli interes tek ne dhe njerëzit në përgjithësi, sepse ne ishin te lodhur nga hermetizmi i telave me gjemba, nga retorika e parimeve te socializmit. Kjo, thirrje, na bëri të tregoheshin të vëmendshëm ndaj Baha’u’llahut, sidoqoftë mangësive mbi konceptimin e fesë, për shkak të ateizmit shtetar të ish diktaturës se proletariatit. Megjithatë, aty u pa qartë, etja e njerëzve për të qenë qytetarë të një bote të tillë, pa kufij.

Në këtë këndvështrim, kam pasur rastin që, pikërisht pas këtyre viteve, sidomos në kohë fushatash elektorale, miq të mi, apo të njohur…., të cilët hepuar nga entuziazmi dhe ekstaza bënin premtime faraonike. Pavarësisht intimitetit, privilegj ky që ta jep miqësia, nën një kujdes të akullt unë pyesja vetveten: ”A ekziston brenda këtij njeriu, qëllimi fisnik i Rembrandit, apo princi i ëndërruar i Makiavelit?”.

Për të shuar kureshtjen, sërish fal privilegjit që të jep shoqëria, pyetjen time e sendërtova, pra e bëra të gjallë, të vërtetë.

-A rron brenda teje, qëllimi fisnik i Rembrantit, apo princi i ëndërruar i Makiavelit, miku im dhe kryetari i ardhshëm?

-O çun, zgjou, shikoje jetën në sy se librat të vënë në gjumë, – tha ai…, kryetari i ardhshëm. Duke gjykuar se, edhe populli im e ka përtërirë shpresën e besimit, shumë shpejt ai (populli, jo kryetari) do te ndjehet i përfshirë në ethet e këtij…, qëllimi fisnik për të prodhuar vetëm progres. Përpara është një demokraci e re, që domethënë se, popullit i është dhënë mundësia. Në kësi raste, ai është njësoj si krijuesi. Duhet te mos pezmatohet nën kushtet e një përpjekje, për të arritur përsosmërinë dhe tokën e premtuar. Sepse, rënie të tilla karakterizohen nga katastrofa të pa shembullta, si luftë civile, përndjekje, vrasje, anarki. Nuk është e vështire për të kuptuar, se gjithçka që më rrokin sytë, gjithçka të kësaj mbrëmje që jam duke shijuar, te mos ekzistoje me. Për shembull, ndërthurja e mendimeve dhe e hamendësimeve, puhiza nëpër gjethet e gështenjave ndan bulevardit, njerëzit që shkëmbehen e bisedojnë, dritat e semaforit, fishkëllima e një bilbili, boritë e një karvani makinash që shoqërojnë një çift të porsamartuarish etj. (Një shembull të tillë e bënë, viti 1997.) Ne gjithmonë duhet të bëjmë përpara, vetëm nëpërmjet vullneteve të lira, ne duhet të inspirojmë vullnete të tilla për të kuptuar realitetin krijues, të drejtat e ndërsjella dhe funksionin e partneritetit, elemente jetike këto për një shoqëri demokratike. Pra, shoqërisë këtu i duhet të jetë kreative, t’i ngjasoj krijuesit, të marri një mision në përditshmërinë saj, aq sa, në të njëjtën kohë, ajo t’i japë mundësinë dhe individit të kapi përmasat e reformatorit, të prodhojë pikërisht atë princ që e ëndërronte Makiaveli. Kjo na bën të mendojmë se natyra biologjike e shoqërisë dhe krijuesit, janë si dy shpirtra binjakë, të cilët duhet medoemos të mbartin në vetvete një qëllim fisnik…, sigurisht, kryeveprën

Leave a Reply

Your email address will not be published.