QENDRAT KULTURORE, SI NJË NEVOJË IMANENTE

Sot kemi nevojë për disa qendra kulturore shqiptare, me një fushëveprim më të gjerë që do të ishte e përditshme, sepse sfidat e asimilimit dhe humbjes së gjuhës tashmë janë reale.

Neviana SHEHI/ ITALI

Shumica e të rinjve tanë, të lindur jashtë Atdheut të prindërve të tyre, tashmë me sukses janë integruar në shtetet ku veprojnë e jetojnë. Natyrisht, ata nuk e mohojnë prejardhjen e prindërve të tyre dhe janë krenarë me kulturën, gjuhën dhe historinë shqiptare, e cila histori na ka mësuar se shqiptarët edhe në të kaluarën, kudo që kanë qenë në një shumicë të konsiderueshme, janë organizuar dhe kanë vepruar si komunitet, duke dhënë një kontribut të veçantë në ruajtjen e identiteti kombëtar.

Por, sot, me ndryshimin e rrethanave, sidomos të dinamikës bashkëkohore të të jetuarit, organizimi i shqiptarëve jashtë atdheut të tyre, realizohet në forma tjera, kryesisht përmes qendrave kulturore apo shoqatave kulturore, të cilat funksionojnë dhe janë të shpërndara gjithandej në shtetet e Europës Perëndimore dhe përtej Atlantikut.

Këto qendra apo shoqata organizojnë aktivitete kulturore dhe artistike, si koncerte, ekspozita, promovime, mbështesin shkollat shqipe për të rinjtë, të cilat zhvillojnë aktivitete një herë në javë (të shtunave). Kuptohet, nuk mungojnë as organizimet për festat kombëtare dhe promovimi i traditës shqiptare. Këto qendra mund të konsiderohen edhe si ura lidhëse midis diasporës shqiptare dhe Atdheut, duke ndihmuar, pavarësisht nga rrethanat, në ruajtjen e identitetit shqiptar dhe duke forcuar lidhjet mes brezave të ndryshëm.

Organizimi në baza vullnetare, duam apo nuk duam ta pranojmë, bie në nivelin e organizimit amator. E kundërta e kësaj është organizimi profesional, pra duhet të ndjehet dora e Atdheut. Sot kemi nevojë për disa qendra kulturore shqiptare, me një fushëveprim më të gjerë që do të ishte e përditshme, sepse sfidat e asimilimit dhe humbjes së gjuhës tashmë janë reale. Qendrat kulturore shqiptare janë thelbësore për ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve etnike. Ato do të duhet të jenë të furnizuara me gjithçka që është shqiptare, që ka vlerë dhe e dalë nga shpirti shqiptar. Në funksionimin e tyre patjetër se do të duhet të përfshihen edhe ambasadat dhe konsullatat tona. Është e qartë se kjo kushton shumë, por rëndësia e tyre megjithatë nuk ka çmim.

Një organizim i mirëfilltë i një koncerti, ekspozite, konference apo edhe i aktiviteteve tjera do të kontribuonte edhe në prezantimin e kulturës shqiptare te komunitetet e huaja, kurse kjo gjithsesi do të ndihmojë edhe në ndryshimin e perceptimeve të gabuara dhe në krijimin e një imazhi pozitiv për shqiptarët në vendet ku ata jetojnë. Pajisja e këtyre qendrave me botime të ndryshme artistike, historike, informative, turistike, por edhe më ornamente tjera që identifikojnë kulturën dhe traditën shqiptare, do të jepte efektet pozitive. Mbase kjo do të pasqyronte edhe seriozitetin e veprimit të shteteve tona për të qenë prezent aty ku është më se e domosdoshme. Në funksionimin e këtyre qendrave do të mund të përfshiheshin edhe shumë institucione shqiptare që merren me kulturën, gjuhën dhe historinë.

Qendrat kulturore shqiptare nuk janë dhe nuk duhet të jenë thjesht vende për aktivitete kulturore, por si institucione që ruajnë, promovojnë dhe zhvillojnë kulturën, gjuhën, historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar, që organizojnë ngjarje kulturore për prezantimin e kulturës shqiptare në skenën ndërkombëtare, për mbështetjen e artistëve shqiptarë, për krijimin e lidhjeve të ndryshme që promovojnë kulturën dhe historinë shqiptare, që ofrojnë hapësira për promovime të ndryshme, që organizojnë panele e konferenca mbi tema të rëndësishme, që nxisin projekte të përbashkëta mes komunitetit të madh të shqiptarëve në perëndim me institucionet shqiptare në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Mal të Zi e Luginë të Preshevës, që nxisin turizmin kulturor e kështu me radhë.

Qendra kulturore me veprimtari të përhershme do të mundësonin ruajtjen e gjuhës shqipe, promovimin e artit dhe kulturës, forcimin e lidhjeve midis komuniteteve, edukimin e brezave të rinj, por edhe zhvillimin e diplomacisë kulturore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.