QËNDRIMET E POLITIKAVE NDAJ KULTURËS

Nëse identitetin kulturor nuk e kanë si prioritet të gjitha ministritë e një qeverie, kjo do të thotë se strategjia nacionale për të zhvilluar komb e për të ndërtuar shtet të qëndrueshëm është një ide pa ideal

Nga Avni HALIMI

Subjektet tona politike, sidomos ato që janë bartëse apo pjesë e qeverive, peshën e vet politike e demonstrojnë përmes numrit të dikastereve qeveritare që do t’i menaxhojnë derisa do të jenë në pushtet! Po aq të rëndësishëm do të ndjehen edhe për nga sasia e buxhetit që do ta kenë dikasteret. Natyrisht, ndër më të “pasurat” janë: financat, mbrojtja, diplomacia dhe sigurimi i brendshëm. Pastaj vinë edhe shëndetësia, arsimi, socialja e kështu me radhë. Nga ana tjetër, ndonëse kultura është segmenti më i rëndësishëm qeveritar, qëndrimi i politikave tona është pothuajse mospërfillës! Ministri për kulturë është në mënyrë të përhershëm në një situatë për t’u përgjigjur për çdo politikë jo të shëndetshme për identitetin kulturor, ndërsa në kabinetin qeveritar i nënshtrohet rolit që nuk ka kurrfarë ndikimi dhe as peshe politike! Nisur nga ky fakt që flet për qëndrimet mospërfillëse të politikave tona në raport me kulturën, pushtetet shqiptare, apo participientët shqiptarë nëpër pushtete të ndryshme, edhe më tej vazhdojnë ta trajtojnë kulturën si një pemë, frutet e së cilës më lehtë mblidhen duke ia thyer degët!

Kultura si “grazhd” për militantët partiakë

Nëse identitetin kulturor nuk e kanë si prioritet të gjitha ministritë e një qeverie, kjo do të thotë se strategjia nacionale për të zhvilluar komb e për të ndërtuar shtet të qëndrueshëm, është një ide pa ideal! Situatë edhe më e trishtë na paraqitet qasja ndaj kulturës e subjekteve tona që pranojnë të participojnë nëpër pushtete pa këmbëngulur që strategjitë nacionale për kulturë të jenë me rrotacion: angazhimin shtetëror për identitet kulturor ta ndjejnë çdo bashkësi etnike, duke i eliminuar të gjitha monopolet kulturore të njërës shumicë apo të tjetrës! Fatkeqësisht, subjektet tona participientë në qeveritë e ndryshme, kulturën e kanë llogaritur si një grazhd ku mund të hanë taxhi militantët partiakë, apo si një mundësi për pasurim të buxhetit partiak! Kjo logjikë ka ndikuar që nëpër ministri të kulturës të kemi “partizanë” lojalistë të dyfishtë: ndaj pushtetit që imponon politika për kulturë shtetërore dhe ndaj partisë që nuk i njeh dhe nuk i ka të qarta politikat që i bëjnë mirë identitetit kulturor. Vetëm kur partitë tona do ta kuptojnë rolin jetik të kulturës në ngjeshjen e identitetit kombëtar, vetëm atëherë do të kemi parti kreative, dinamike dhe të besueshme; do të kemi parti me një duzinë togjesh kulturore që duhet të menaxhojnë me këto vlera, të cilat, fatkeqësisht, sot partitë tona nuk i kanë! Ndaj dhe, për rrjedhojë, për “prijës kulture” na vënë turlifarë tutkuni që nuk ia vlen të përdoren as për hunj gardhiqesh.

Kultura si Panteon i “elitistëve” partiakë

Në RMV janë publikuar dhjetëra shkrim gazetareske prej autorëve shqiptarë të këtushëm, të cilët kanë trajtuar “probleme kulturore” shqiptare. Në fakt, shumica dërmuese e shkrimeve janë marrë me funksionarët-menaxhuesit e kulturës (!) dhe jo me kulturën; askush nuk merret me aktivitete kulturore shqiptare, sepse ato mungojnë, por merren me funksionarët, të cilët postin e vet e trajtojnë dhe e shesin si “sukses kulturor”! Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë “përparuar” mjaft shumë në kulturë, sepse tashmë kanë zëvendës ministër të kulturës, kanë sekretar shtetëror të kulturës, kanë zëvendës udhëheqës në sektorin e muzikës etj! Kjo është logjika e “elitistëve” të dështuar partiakë! Funksionarët shqiptarë në Ministri të Kulturës nuk marrin as më të voglin mund për të kuptuar se aty nuk janë për ta drejtuar administratën kulturore, por janë për të zhvilluar politika kulturore kombëtare, janë aty për ta zhvilluar dhe avancuar kulturën shqiptare! Funksionarët shqiptarë nuk duhet të mendojnë se janë aty si shpërblim partiak për angazhimin e palodhshëm që e japin në terrenin partiak, porse janë në pozicione prej nga duhet të angazhohen ekskluzivisht për kulturën shqiptare. Funksionarët shqiptarë duhet të detektojnë probleme kulturore, duhet të motivojnë reagime e debate dhe madje t’u prijnë atyre, sepse vetëm kësisoj do të sensibilizohen faktorë të ndryshëm për nevojat kulturore të shqiptarëve. Aktiviteti i tyre në shpalosjen e problemeve kulturore do ta ndihmonte komunitetin kulturor, do ta ndihmojë partinë dhe në fund, edhe qeverinë! Do të nënvizohen prioritetet kulturore kombëtare, ndërsa kjo do të ndihmojë në hartimin e programeve si dhe të strategjive nacionale më gjithëpërfshirëse. Lëvizjet kulturore, qoftë si protestë apo “reagim estetik”, në ballë të të cilave duhet të qëndrojnë funksionarët shqiptarë të dikasterit të kulturës, nuk duhet të frikësojnë askënd se ato janë nacionaliste dhe kundër kulturave të tjera, por, thjesht, duhet të shprehin nevojat jetike të shqiptarëve të këtushëm për aktivitete institucionale kulturore. Pra, të shtohet dhe të përforcohet ai diversitet kulturor për të cilën angazhohet tërë Evropa dhe më gjerë! Vetëm ata që janë brenda administratës kulturore e dinë se ku jemi dhe çfarë na duhet në rrafshin kulturor që të jemi një degë balancuese e trungut të diversitetit kulturor në RMV! Natyrisht, problemet kulturore nuk mund të detektohen nga militantët partiakë, qofshin këta edhe në pozita më të larta të ministrisë për Kulturë! Synimi partiak nuk duhet të jetë kujdestaria e funksionarëve tanë në realizimin e “planit 25 për qind” përmes kapjes së projekteve gjatë hartimit të programit vjetor për kulturë. Strategji kombëtare duhet të jetë tejkalimi i 25 për qindëshit në themelimin e institucioneve kombëtare kulturore si dhe në ndërtimin e infrastrukturës adekuate për kulturë në çdo komunë e vendbanim më të madh shqiptar në RMV. A mund të jetë Hamami i Tetovës infrastrukturë ideale për Institucionin nacional “Galeria e Arteve”-Tetovë?! Ishim dëshmitarë kur një rrebesh shiu në Tetovë, “e fundosi” Hamamin-Galerinë! Aty kanë mundur të jenë kryeveprat shqiptare! U përmbyt hapësira dhe asnjërit në shtet ky fakt nuk i bëri përshtypje, madje as komunitetit të artistëve shqiptarë të artit pamor! Prandaj në Maqedoninë e Veriut shqiptarët nuk flasin për kulturën, por flitet vetëm për ata që “e menaxhojnë” kulturën shqiptare, për ata që kulturën e llogarisin si bregore të Panteonit “të elitave” të dështuara partiake”!

Praktikat e së kaluarës të papërshtatshme për zhvillimin e kulturës sot

Edhe pas tridhjetë vite komunizëm, populli shqiptar edhe më tej duket i çorientuar. Akoma nuk e ka të qartë e pse nuk po ia del që t’i arrijë popujt evropianë. Pra, si të bëhemi me tamam evropianë? Për dyzet vite komunizëm populli shqiptar paska “arritur” mjaftueshëm, madje tepër shumë në krahasim me këto tridhjetë vite mendim e shprehje të lirë, vlera këto kulmore të sistemit demokratik. Fatkeqësisht, ne si shqiptarë, edhe më tej veprojmë, edhe më tej mendojmë, edhe më tej organizohemi duke u bazuar në filozofinë dhe mentalitetin që e kemi ndërtuar dhe trashëguar nga sistemi komunist! Sepse këtë sistem e patëm si më të organizuarin pas robërimit që e jetuam shekuj me radhë! Ne, në aparencë, paraqitemi demokratë, por edhe më tej rezonojmë dhe veprojmë si komunistë! Ne akoma nuk kemi kuptuar se na ka ikur koha kur është dashur të fillojmë me dekonstruimin e mentalitetit komunist dhe të nisim t’i mësojmë praktikat dhe vlerat perëndimore. Në politikë ne mendojmë siç mendon i pari dhe lideri, për shtetin kujdesemi po aq sa kujdesemi për partinë! Për shoqërinë kujdesemi aq sa ajo na bëhet elektorat, përtej këtij perceptimi ne kemi vetëm armiq që nuk ia do të mirën partisë shtet, apo edhe shtetit parti! Ne edhe më tej presim që të mirat të na vinë nga partia si dhe nga shteti. Shteti dhe partia duhet të përkujdeset për popullin dhe jo populli për shtetin dhe për vlerat kombëtare! Tashmë është dëshmuar se ish-sistemi politik për shqiptarët ishte katastrofal, ndërsa ne assesi të lirohemi nga ai mentalitet! Le të ndalemi në rrafshin kulturor dhe le ta faktojmë këtë konstatim, fatkeqësisht, të vërtetë! Ne nuk dëshirojmë të kuptojmë, apo thjesht, është përtej kapaciteteve tona mendore të kuptuarit se kultura tashmë është industri më vete! Përveçse në trashëgiminë kulturore ku ndjehet dora dhe fuqia e shtetit, në sferat e tjera të krijimtarisë dhe të kulturës, gjithçka është në dorë të produksioneve, shtëpive botuese, galerive! Vetëm shqiptarët ankohen se shteti, apo ministria e kulturës, nuk po na jep mjaftueshëm para për një film! Vetëm shqiptarët hartojnë repertor duke u bazuar në “mirësinë” e shtetit që vjen nga buxheti qendror! Vetëm shtëpitë tona botuese ankohen se shteti dhe ministria e kulturës ka humbur ndjeshmërinë për librin, nuk subvencionojnë për botime! A nuk është ky një mentalitet i trashëguar nga praktikat e ish-sistemit?

Në botën perëndimore shtëpitë botuese kujdesen për librin, për lexueshmërinë e librit si dhe për shtimin e numrit të blerësve! Tashmë shtëpitë botuese e kanë publikun lexues të vetin! Vetë lexuesit ua kërkojnë librin e ri, duke ndikuar në politikat botuese të çdo produksioni! Pothuajse të gjithë shtëpitë botuese e dinë saktësish se me cilin tirazh duhet të dalin gjatë botimit të titullit të ri! E gjithë kjo është arritur pasi që shtëpitë botuese janë lënë “në baltë”, pa ndihmën e institucioneve shtetërore, dhe me këtë janë ndërgjegjësuar, duke u profilizuar në profesionin e tyre si botues! Investimi në libër nuk është vetëm me para për botim! Që të jetë një libër i suksesshëm në treg, kërkon impenjim më të gjerë nga produksioni: angazhim në reklamim, cytje të opinionit për të vrapuar pas librit, shtimin e besimit te opinioni si një botues serioz, aktivitete kulturore rreth librit, promovime të tij!

Nevoja për servise kulturore

Kohë më parë u publikua një informacion plotë entuziazëm që thoshte se ja, pas tridhjetë viteve, Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve do të organizojë turne me koncerte në viset etnike shqiptare! Ku është stafi menaxhues-propagandistik i këtij Ansambli? A doli dikush nëpër qendra më të mëdha për të informuar se cili është qëllimi i këtij aktiviteti të planifikuar, me çfarë risish në repertor do të gëzohen shqiptarët, si t’i organizojmë koncertet që të jenë sa më madhështore, sepse një Ansambël shtetëror duhet ta gëzojë maksimalisht respektin e popullit të vet apo, thjesht, na mjafton të shëtisim pak nëpër disa vende etnike dhe le të jenë koncertet edhe në sallat me 200-300 vetë! Shëtitjen na e paguan shteti! Në Maqedoninë e Veriut ka kënduar edhe një prej sopranove më të mëdha në botë, Ermonela Jaho! Në vend se ky event të marrë formën e një ngjarje që do të shënohej si festë kombëtare, ajo erdhi, këndoi në një sallë të mbushur gjysmë shqiptarë e gjysmë maqedonas dhe iku! Madje, as që u regjistrua si ngjarje kulturore! Bota, këto probleme i ka tejkaluar përmes formimit të serviseve profesionale që merren me organizim të ngjarjeve kulturore dhe pastaj prej tyre janë mësuar produksionet e ndryshme kulturore. Për momentin jemi në fazën e hapjes së “serviseve” që na organizojnë dasmat dhe eventet familjare! Sepse, janë më pak të kushtueshme dhe sjellin përfitime të mëdha! Këto “servise” nuk kanë nevojë për investime në reklamë dhe në organizim të eventeve promovuese dhe propagandistike, siç do të kërkonte një servis, për shembull, për botimin e librave, për organizim të ekspozitave etj. E aq shume kemi nevojë për servise kulturore!

Leave a Reply

Your email address will not be published.