QENI QË DONTE TË BËHEJ NJERI

Tregim

Augusto MONTERROSO

Ka ca kohë që në shtëpinë e një tregtari të pasur në Meksiko, e pajisur dhe e stolisur me të gjitha orenditë dhe aparaturat më të fundit, jetonte një Qen. Papritur e pa kujtuar, këtij Qeni të uruar ia shkrepi në tru të bëhej njeri dhe, për ta realizuar këtë ëndërr, iu fut punës derrçe.

Në krye të disa viteve, pas një këmbënguljeje prej mushke, arriti t’ia dalë mbanë. Pra, gjithë përpjekjet e tij të mundimshme u kurorëzuan me sukses: me lehtësinë më të madhe filloi të ecte vetëm mbi dy këmbë. Kështu që e ndjeu veten se ishte tamam një qenie e vërtetë humane.

Tani, as për të kafshuar nuk kafshonte më si qen, vetëm se: sa herë që takohej me ndonjë të njohur, sidomos me ata që i hidhnin diçka për të ngrënë, bishtin e tundte fort; sa herë që do të shtrihej për gjumë, do t’i bënte nja dy-tri rrokullisje në kurriz; sa herë që do të dëgjonte kambanat e kishës, do të gërnjapsej e do të jargavitej; dhe natën, sa herë do të shikonte hënën e plotë, do të hipte mbi ndonjë gur a mur e do të kuiste përvajshëm.

(Në shqip: Bajram Karabolli)

Leave a Reply

Your email address will not be published.