RADIOGRAFIA E SHPIRTIT

(Shënime kritike mbi librin “Filozofia si fjalë dhe fjalët filozofike” të shkrimtarit Agron Çalliku, botim i 2M, Durrës, 2022 )

Fatmir MINGULI

Që në fillim të këtyre radhëve po citoj thënien e kineastit Ylli Pepo për veprat e Agron Çallikut: “Në këtë kuptim, ai është filozof i konvertuar në shkrimtar”. Dhe ja që nga “Misteri”, libri i parë i botuar nga Agroni, një libër me poezi, sot ai vjen me dy libra të rinj, këtë që po marr në analizë dhe libri me poezi. Misteri duket se po gjen zgjidhje. Libri “Filozofia si fjalë dhe fjalët filozofike”, edhe pse i ndarë në dy pjesë, njëra me aforizma dhe tjetra me shkrime eseistike, në fakt, të dyja pjesët janë komplementare të njëra tjetrës dhe vetë talenti i autorit ngrihet mbi to si një obelisk i dijeve dhe mendimeve të tij të fuqishme për jetën dhe vetëm për jetën.

S’ kishte si të ndodhte ndryshe. Një poet, një prozator, një piktor dhe një koleksionist brenda trupit dhe mendjes së një autori i japin forma të lëvizshme librit duke e kthyer në një film mozaikale, ku çdo gur është vendosur me shumë mundim për të sjellë reflektimin e caktuar nga autori.

Vetë Agron Çalliku shkruan se “Koleksioni është pasion, poezia është frymë, piktura është ndjenjë” dhe të sjella këto në prozën e librit “Filozofia si fjalë dhe fjalët filozofike” ndriçojnë pikërisht obeliskun mendimtar të tij. Ky libër është një pamflet gjigant kundër padrejtësisë  të të gjitha kategorive, që nga ato personalet, të familjes, deri te ato të shtetit. Por, nuk është thjeshtë një shumë pamfletesh, ky libër është një vepër arti ku shpërthen një narracion i kulluar artistik ku ka vetëm një stil, stilin e Agron Çallikut, stil i pa ndikuar nga asnjë lloj stili apo subjekti sado pak të ngjashëm.

Por, më lejohet të them se duke qenë origjinal në këto aforizma dhe ese, ai paraqitet me shumë sinqeritet dhe modesti përpara botës ku, duke skanuar proceset e vuajtjeve të tij, na jep një letërsi të veçantë. Shkrimet e Agron Çallikut janë në rezonancë me ato të Dostojevskit dhe të Edgar Allan Poes.

Me këtë libër evidentohet një pasqyrim i radiografisë së shpirtit njerëzor ku motoja është “Në jetë o ecet, o zvarritesh!”. Dhe ai, autori bashkërrëfehet ndaj Zotit:

“Në  mbrëmje i drejtohem Zotit që të më japë jetë në ditën e nesërme, i lutem të më lejojë ta jetoj atë, Zoti vazhdon të më dëgjojë!” Kjo është mos heshtja e shkrimtarit edhe kur jeta e tij është e trazuar dhe ai shkruan poezi, shkruan prozë dhe në këtë libër shkruan një lloj aksiome sa interesante aq dhe të stampës “Agron Çalliku”:

“Çdo hap që hedh, për mua ka brenda poezinë, çdo udhë që marr ka në brendi romanin”. Në esenë emblematike “Kërkoj të shpëtoj shpirtrat e mi”, përmblidhet esenca e botës shpirtërore të këtij autori që, siç thonë latinët, “Fragar, not flectar”- Thyhem, por nuk përkulem”, një integritet moral fisnik që tregon se nuk i dorëzohet askujt.

Për librin me aforizma dhe me ese mund të flasësh shumë, por disa përcaktime duhen përmendur siç është strukturalizmi i këtij libri, kërkesa dhe qëllimi që autori ka për të ndriçuar perspektivën e jetës, duke sjellë galerinë retrospektive të portreteve te njerëzve dhe skenave të ngjarjeve dhe kështu lind pyetja: mos vallë kemi të bëjmë me një bisk romani!? 

Dashuria në këtë libër merr trajta të madhështores. Ajo për autorin është si një kristal i ruajtur me kujdes nga ndotjet e ambienteve të njohura dhe të panjohura, ku herë bie në krahët e metaforës e herë kërkon fluturimin në lartësitë qiellore. Duhet theksuar se Agron Çalliku është mjeshtër i metaforës jetësore, larg sofizmave të teorive boshe. Vetë ditari poetiko- filozofik i Agron Çallikut është një pamflet i formës goditëse të  drejtë për drejtë dhe ky ditar i shoqëruar me esetë e shumta të këtij libri është një klithmë qytetare kundrejt politikave shkombëtarizuese dhe që nuk janë vetëm për humbjet personale në jetën e autorit.

“Të duash nuk do të thotë që ke pranuar humbjen “ – shkruan Agroni në librin e tij. Skenat me prokurorë e gjykatës janë jo vetëm artistikisht të goditura, por ato japin mesazhe që vetëm një shkrimtar dhe poet mund t’i japë. E ai prapë thotë: “unë vazhdoj të mbetem në protestë të përjetshme kundra kujtdo të ligu dhe armiku të vendit tim.”

Nëse e përmenda më lart rezonimin me Dostojevskin, kam ndërmend librin e tij pak të njohur “Letra nga nëntoka” dhe ku unë gjej edhe paralele të një filozofie të njëjtë vuajtjesh dhe njëkohësisht aroma të një optimizmi madhor. Vlen këtu të reflektoj edhe për qëndrimin e autorit Agron Çalliku ndaj besimit në Zot. Ai shkruan: “kur fillova të plakem, fillova t’i afrohem Zotit.”

Me këtë libër Agroni na ka sjellë një udhëzues jetësor mbi jetesën dhe mbijetesën. Nuk është libër me aforizma sloganesh dhe të huazuara nga autorë të tjerë, janë fjalë të dala nga shpirti dhe shpirti këtë fjalë ia transmeton mendjes.

Magjishëm ai e titulloi librin e tij të parë me titullin “Mister”. Përse vallë! Shpresonte për një hulumtim psiko-analitik mbi misteret e jetës!? Nuk e dimë me ekzaktësi. Por, dimë se me librin e gjashtë dhe të shtatë të botuara në vigjilje të gjashtëdhjetëvjetorit të lindjes së tij, ai shkon duke kërkuar përmes rrugëve labirinte të jetës së tij, portat e shpresës. Nuk mund të them se lidhjet e tij me besimin në përgjithësi janë të pranishme në jetën dhe në veprën e tij, por di të them se ai në esenë e mrekullueshme “Mesazh poeti” e vlefshme për antologji, na i jep elementët filozofikë si kategoritë e logjikës njerëzore dhe ku konceptet për fenë janë tejet pozitiviste.

“Ne kurrë nuk morëm besimin e zotit, që të kishim në drejtim njerëz engjëj” – shkruan ky autor hapur, pastër e pa sekuenca pendimi. Se esetë dhe aforizmat e tij janë me këmbë në tokë që fillojnë nga e thjeshta e deri te më e koklavitura e jetës sonë shqiptare nën trysninë e tranzicionit artificial tre dekadash.

“Por, më duhet të jetoj akoma” – thotë Agroni tek eseja “Nuk mundem të hesht” dhe së shpejti ai përgatitet për të botuar një roman të ri, një roman që do t’i shërbejë kënaqësisë personale të botimit si autor, por që më tepër do të jetë  një Vademekum jetësor për lexuesit shqiptarë të ditëve tona.

Leave a Reply

Your email address will not be published.