RAPORTET E INSTITUCIONEVE NACIONALE ME LIBRIN

“Të vësh një libër në duart e një injoranti, është po aq e rrezikshme sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije” (Shën Anselmi)

Nga Avni HALIMI

Cili është qëndrimi aktual i institucioneve kombëtare mbi librin? A duhet ta lëmë librin në duart e “injorantëve”? Jo, pyetja duhet të jetë: a duhet që “injorantët” të përkujdesen për librin, apo thënë më butë: meqë libri është “frymë e shejtë”, a duhet të kemi një qasje ekskluzivisht kulturore kundrejt librit, apo, duhet të jemi nonshalantë dhe të mos brengosemi fort, sepse, ka kush të kujdeset për librin! Kush?bInstitucionet tona të pushtetit kanë zhvilluar (dhe akoma zhvillojnë) politikë me institucionet nacionale por edhe me botues të librit dhe, kësisoj, ky konstelacion ka mundësuar që në treg të kemi libra me bollëk. Megjithatë, kjo “politikë” nuk shkon përtej lavdërimeve që zakonisht përdoren përgjatë fushatave parazgjedhore: “ne kemi bërë për librin…”! Kemi bërë shumë për librin si mall tregu nga i cili përfitojnë ekskluzivisht botuesit! Pra, librin e kemi zbritur deri në “prodhim ushqimor” që siguron ekzistencën e bakallxhiut dhe të familjes së tij!

A është aktivitet kulturor botimi i librit

A paraqet kulturë vetëm botimi i librit dhe i nxjerrjes së tij në vitrina librarish? A është politikë kulturore nacionale subvencionimi i botimit të librit? Pa dyshim, botuesit e librave duhet të interesohen që të gjejnë mundësi për ta botuar me sa më pak vështirësi librin! Është e drejtë e çdo qytetari që të merret me botim të librit, të regjistrojë shtëpi botuese, të hap librari! Nuk është kurrfarë mëkati sigurimi i ekzistencës nga botimi dhe shitja e librit!

Por, “rojtarët” e librit, institucionet shtetërore, ministritë për kulturë, a duhet të ekzistojnë vetëm për ta ndihmuar botimin e librit, apo për ta nxjerrë në pah madhërimin institucional e kombëtar përpara librit, i cili ka qenë, është dhe do të jetë majaja e identitetit kulturor për çdo komb. Përfundimisht, nuk është kulturë vetëm botimi i librit! Botimi i librit mund të jetë vetëm rrugë e një “ndërmarrësi” për të siguruar ekzistencën e vet. Bazuar në programin vjetor nacional, mund të konstatohet se në Maqedoninë e Veriut, bie fjala, funksionojnë qindra shtëpi botuese dhe këtë veprimtari mund ta kryejnë të gjithë qytetarët e vendit, sepse mund të jenë përfitues potencial i një buxheti prej minimalisht 3000 – 4000 – 10000 euro, prej të cilave mund të shpenzojnë për botim nja 3000-4000 euro dhe t’i ngelin rreth 6000 euro! Epo kush e ka buxhetin vjetor, kush e ka në këtë shtet rrogën vjetore prej 6000 euro? Mëse 80 për qind e të punësuarve në Maqedoninë e Veriut nuk kanë të ardhura vjetore më shumë se katër-pesë mijë euro!

Ministritë për kulturë, apo institucionet tona nacionale të themeluara për librin, duhet që ta shtojnë fondin, të kenë buxhet më të konsiderueshëm, fonde të respektueshme dedikuar librit! Përfitues të këtij buxheti, të këtyre fondeve duhet të jenë vetëm ata botues, vetëm ata subjekte që do të ofronin, krahas titujve që duan t’i botojnë, edhe aktivitete të bujshme kulturore që do të organizohen me rastin e botimeve veç e veç. Plani vjetor botues duhet të shoqërohet edhe me planin aksional të aktiviteteve dhe manifestimeve kulturore që do t’u dedikohen librave të botuara. Respektivisht, duhet të subvencionohen vetëm aktivitetet kulturore që do të ndërmerren me rastin e botimit të librave dhe jo vetë botimi i librit. Nga libri i botuar, me një reklamë të mirë, me pano e afishe, me recensione e emisione radio-televizive, libri do të shitej më shpejtë dhe, me këtë, do t’i nxjerrin paratë e investuara, madje edhe do të fitonin mjaft mirë botuesit! Një politikë e tillë do t’i detyronte botuesit që “të punësonin” edhe recensentë për librat që i botojnë, edhe ekspertë të marketingut, edhe gazetarë, edhe organizatorë të promovimeve dhe eventeve të ndryshme kulturore që duhet ta shoqërojnë një libër të botuar. Botimi i librit duhet të gjenerojë aktivitete kulturore dhe jo vetëm mirëqenie për botuesin! Kështu ndodh te popujt e civilizuar, te ata që kanë përkushtim religjioz ndaj librit.

Pse botohen librat!

Nuk shtrohet problemi këtu për librat shkollorë, që ofrojnë njohuri dhe që shtojnë dituritë përgjatë arsimimit. Pyetja shtrohet: pse botohen librat si njësi të letërsisë së përgjithshme! Në tokat shqiptare, sot kemi aq shumë shtëpi botuese sa lirisht mund të konstatojmë se në ditë botohen nga 3-4 tituj të rinj, si nga autorë shqiptarë po ashtu edhe nga letërsia botërore. Po pse botohen të gjitha këto? Te shqiptarët, sipas të gjitha gjasave, librat botohen sa për të qenë në hap me veprimtarinë botuese që e kultivojnë popujt e tjerë, te të cilët mund të gjesh edhe dyqane gjigante të librave.

Bazuar në statistikat referuese ndërkombëtare mbi librin, libraritë nëpër disa metropole të shteteve perëndimore në ditë shesin mesatarisht nga 50-70, madje deri në 100 tituj. Pra, ky trend i shitjes së librit mund të vërehet në më shumë librari dhe jo vetë në një! Kryeqyteti i Polonisë, Varshava, ka me dhjetëra dyqane grandioze të librit dhe, as që mund të vije në pikëpyetje falimentimi i dyqaneve për shkak të mos-shitjes së librit! Sa librari ka Tirana, sa ka Prishtina, sa Shkupi!  Libri letrar botohet dhe blihet si ushqim i shpirtit, si materie që vajos mekanizmin e të shprehurit, që ruan dhe kultivon gjuhën kombëtare, që mundëson ligjërimin, rrjedhjen e mendimit, pa dërdëllitje!

Por, sa lexohet libri te ne! Tirazhi i botimeve ka rënë në 200-300 ekzemplarë! Letërsia për fëmijë është “kontingjent librash” që më së paku shiten! Fëmija nuk shpërblehet dhe nuk gëzohet me një libër, fëmijës i blihet një celular dhe me këtë i kërkohet që të jetë sa më i mirë në raport me orarin e pushimit ditor të prindërve. Pra, urtësia, mençuria, vlera e fëmijës matet me respektimin e orës së pushimit të prindërve, kohë kjo që fëmija e kalo në celular! Në shkolla është “ligj” mosmbajtja e celularëve me vete, por nuk është “ligj” leximi i një libri në javë! Kualiteti dhe kombëtarizimi i shkollave tona sot matet me atë se sa klasë i ka të pajisur me aparate laboratorike e me kompjuterë dhe as që bëhet fjalë që të merret për bazë vlerësimi bibliotekat shkollore me fond solid të librit shqip! Askush nuk brengoset për forma e mënyra për ta nxitur leximin, asnjë konkurs, asnjë testim, asnjë shpërblim për ta motivuar lexueshmërinë te fëmijët, të rinjtë!

Libri shqip nuk lexohet ndaj dhe, për pasojë, jemi dëshmitarë të bastardimit të përditshëm të gjuhës shqipe. Nga mediat na shpërthen një e folur, me theks e me diksion, me logjikë e sintaksë jashtë çdo standardi të gjuhës shqipe. Kjo tolerohet, sepse edhe vetë redaktorët dhe drejtuesit e mediave janë “antilexues”, u mjafton  ajo “shqipe” që ua përcjellin punëtorët e tyre. Ray Bradbury thoshte: “Ka krim edh më të rëndë se djegia e librave! Ky krim është mos leximi i tij”. Shtetet tona, por dhe populli ynë përfaqësohet nga politikanë që ia dalin të “drejtojnë” popull e shtet pa lexuar kurrfarë libri! Politikanët tanë, “ajka e popullit”, blejnë libra eventualisht nëse autori është ndonjë mik i tyre politikan, sa për respekt të mikut dhe jo të librit! Intelektualët tanë, me qindra, shumë intelektualë na dalin para kamerave, ndërsa në sfond u shihet biblioteka shtëpiake! Kurrë nuk i sheh nëpër librari, kurrë nuk i sheh në panaire, kurrë nuk i sheh nëpër biblioteka kombëtare apo të institucioneve ku veprojnë! Librat i kanë si fasadë e injorancës së tyre! Sa prej intelektualëve dhe politikanëve tanë janë anëtarë të bibliotekave kombëtare? Sa prej politikanëve tanë janë anëtarë dhe frekuentojnë rregullisht bibliotekat e institucioneve të larta shtetërore (nëse i kanë!)?

Një statistikë ndërkombëtare e lexueshmërisë së librit nëpër bibliotekat e institucioneve që bëjnë dhe që zbatojnë politika shtetërore ofron disa të dhëna të cilat, për “intelektualin” dhe politikanin shqiptar janë të pakuptueshme dhe të pashpjegueshme. Për shembull, në bibliotekën e parlamentit gjerman çdo deputet tërheq mesatarisht 9-10 libra në vit për t’i lexuar, në Suedi e Norvegji nga 12-14 libra në vit, në Itali e Francë 8-9, në Poloni e Hungari 6-7, në Rumani 5 etj? Nga Kuvendi i Kosovës ka “rrjedhur” informacioni se brenda vitit 2019 biblioteka e Kuvendit u frekuentua nga dhjetë deputetë, të cilët kryesisht e kanë kërkuar Fjalorin e Gjuhës Shqipe! Nga Maqedonia e Veriut na vjen informacioni se në hapësirën e librave në Kuvend nuk është parë të jetë futur ndonjë deputet shqiptar! Bibliotekën e Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2021 e kanë frekuentuar 7 deputetë. Deputetët tanë kanë libra shumë nëpër shtëpi, por ku ta gjejnë kohën për t’i lexuar! Prandaj dhe institucionet tona shtetërore nuk kanë më të voglën brengë në raport me (mos)leximin. Mosleximi, fatkeqësisht, po na bëhet handikap, ndërsa ne po shndërrohemi në “popull me aftësi të kufizuar”! Shumë keq e turp!

Shtëpia e librit

Bibliotekat si institucione nacionale përveç që mbledhin dhe e ruajnë librin, kanë edhe detyrimin që ta shpërndajnë edhe atje ku mungon, nëpër institucione të ndryshme shoqërore. Natyrisht, bibliotekat e këtij lloji tubojnë të paktën nga pesë ekzemplarë (dhe më shumë) të çdo libri që botohet, të cilët pastaj distribuohen edhe nëpër disa biblioteka simotra, për çështje sigurie! Shtëpia ku strehohet libri nuk ndryshon, nuk modernizohet, vlerat i shtohen në vjetërsinë e saj, ajo mund të pajiset me mjete që garantojnë siguri nga vjedhja, nga zjarri, që sigurojnë ajër, thatësi, ngrohtësi, freski! Në botë sot ka biblioteka me mijëra vite të vjetra! Nga ana tjetër, moderniteti në jetën e njeriut të sotëm ia ka dalë që të ketë ndikim edhe në qasjen ndaj librit si mjet fizik. Dikur, në periudhën komunist, libri lexohej më shumë, ishte një lloj trendi që librat të kishin këndin e vet pothuajse në çdo shtëpi. Biblioteka shtëpiake e trashëguar nga gjyshi e babai ia shtonin vlerën shtëpisë, familjes pedigrenë!

Gjenerata e sotshme në raport me shtëpinë kërkon hapësirë, jo mbingarkesa, kërkon ndriçim e bardhësi, mure të zhveshur e të stolisur eventualisht me ndonjë pikturë! Në raport me librin, gjeneratat e sotme përkujdesen për “marrëdhënie” të digjitalizuar; bibliotekën e shtëpisë e paketojnë në USB apo në CD! Si rrjedhojë, ka filluar edhe një “modë” e re: heqja nga shtëpia e bibliotekave klasike shtëpiake, fondi shtëpiak prej mijëra tituj të trashëguar, që mund t’i mungojnë edhe bibliotekave nacionale; largohen nga shtëpia, sepse po e mykin murin, librat po thithin e po lëshojnë pluhur, po grisen e po shkarraviten nga bebet, thjesht, po zënë shumë vend! Kjo pasuri e paçmueshme e trashëguar nga babë e gjysh, po u falet bibliotekave nacionale.

Në Bibliotekën Nacionale dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, gjatë një viti shtrohen me dhjetëra kërkesa që t’i pranojnë librat nga bibliotekat e trashëguara shtëpiake. Më përpara ky gjest i mjerë i qytetarëve i gëzonte bibliotekat, i pranonin të gjitha, pa e bërë fjalën dysh. Sot, meqë Biblioteka gjendet para një “invazioni të frikshëm”, ka hartuar një rregullore, sipas të cilës qytetarët që e dorëzojnë bibliotekën vetanake, së par duhet të ofrojnë listën me të gjitha titujt që do t’i donojnë, pastaj nëpunësit e sektorit përkatës të bibliotekës të kontrollojnë se cili nga titujt nuk gjendet fare në Bibliotekë, t’ua kërkojnë të njëjtat, ndërsa librat që janë në Bibliotekë, nuk ua pranojnë. Mund t’ua japin listën e bibliotekave shkollore, të burgjeve e të enteve të ndryshme që kërkojnë libra dhe u sugjerojnë që vetë ata t’i shpërndajnë nëpër ato ente e institucione! Edhe qel, edhe fodull! Në këtë rast, mjerisht, libri gjendet në pozitën e topit ping- pong! Dhe, në rast se njeriu që ka një fond prej mijëra librash nuk ia del t’i shpërndajë librat sipas sugjerimit të bibliotekës popullore, nuk ka mjet transporti – librat do të hidhen në kosh plehrash, apo në stogje dhe do të ndizen si gjethet e thata të vjeshtës! A nuk flet ky gjest për një bashkëpjesëmarrje të bibliotekës popullore në krim! Pse mos të pranohen të gjitha titujt, të seleksionohen dhe, sipas listave të hartuara paraprakisht, të shpërndahen atje ku është nevoja. Kjo punë nuk do më shumë se 4-5 ditë kohë! Por, ja që pasiviteti i tërësishëm i nëpunësve të bibliotekave, sjellja nonshalante e institucioneve shtetërore e publike ndaj librit, mosnxitja e leximit, gjitha këto ndikojnë që edhe trashëgimtarët e bibliotekave të sillen njësoj si institucionet shtetërore. Në parantezë shtrohet pyetja: ç’do të bëhej sikur burgjet të deklaroheshin se për shkak të mbingarkesës me të burgosur, kanë sjellë rregullore që mos të pranojnë më asnjë kriminel!

Trendi i donimit të bibliotekave shtëpiake në bibliotekat popullore e universitare do të jetë gjithnjë e më shumë në rritje. Shtëpitë po ngelin me nga dy-tre libra si dekor muri. Bibliotekat duhet të ndërgjegjësohen për këtë rrjedhë të librit drejt tyre, prandaj duhet t’ia mendojnë themelimit të sektorëve të veçantë si dhe të kërkojnë hapësira enks për bibliotekat shtëpiake që po sillen, madje falas, në institucionet nacionale.

Bibliotekat nuk janë për refuzimin e librit, por për sistemimin e librit. Të gjitha ato biblioteka që kanë rregullore të atilla për të pranuar vetëm tituj që u mungojnë bibliotekave popullore e universitare, kurse të tjerët të refuzohen, duhet të kuptojnë se po përfshihen në shkaktimin e një fatkeqësie të madhe për librin. Bibliotekat duhet të kenë edhe mjetet transportuese si dhe buxhetin vjetor të posaçëm dedikuar shpërndarjes së titujve që i kanë në më shumë ekzemplarë, në çdo bibliotekë të institucioneve e enteve që kanë nevojë për libra! Kur libri shpërndahet dhe dhurohet nga institucioni i librit, merr tjetër peshë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.