RECETË PËR TË SHPËTUAR NJË JETË

Tregim

Besa KALAJA

Erdhi me një recetë në duar, nuk e kuptova për çfarë ishte. Këto ilaçe duhet t’i blesh më tha dhe recetën e lëshoi në një komodinë afër pa denjuar të ma japë në dorë. Nuk e di a u neverit nga unë a çfarë ndodhi, pasi kisha disa ditë që nuk isha larë e këtë më së shumti e tregonin flokët që më ishin bërë shumë të yndyrshëm. Çfarë janë këto, çfarë të blej? -u mata ta pyes, por nuk pata guxim, pasi fytyra e saj ishte bërë e kuqërremtë nga inati.
E mora recetën, kurrë s’kisha qenë në spital dhe nuk merrja vesh fare nga shëndetësia, apo ndoshta kisha qenë nja dy herë dhe atë vetëm për pak minuta sa për t’i parë disa të afërm. Kështu është jeta, të dërgon drejt e në spital.
E mora recetën dhe po vrapoja shkallëve për t’i marrë sa më shpejt, por kisha një dyshim të thellë. Poqe se  i gjej a duhet t’ia jep apo jo? Nëse nuk do t’i gjej, a do të ishte ky shpëtimi i tij dhe i imi njëkohësisht? Këtë nuk mund ta dija në atë çast.
Po më vështirësohej frymëmarrja dhe temperatura po shënonte gati 34 gradë celsius. Kalova rrugën me ngut, në anën tjetër ishte barnatorja. I lëshova recetën në dorë farmacistes, ajo po e shikonte atë me shumë kujdes.
Ngriti kokën dhe më pa në fytyrë. Prej çfarë sëmundjeje vuani?- më pyeti.
-Nuk kam sëmundje specifike i thashë por herë pas here harroj se kush jam. Qesha dhe i tregova që barnat nuk ishin për mua, por për një të afërm që prej disa ditësh ishte i shtrirë në spital.
-Mirë, më tha, po a nuk të kanë treguar në spital se barna të tilla nuk ka jo vetëm tek ne po askund në botë?
E pashë në sy dhe i thashë se saktësisht para 5 minutave e 34 sekondave, pra në orën 10 e 15 minuta mjekja e repartit erdhi drejt meje dhe ma lëshoi këtë recetë në duar.
-Zonjë dukeni e lodhur, ma bëri tërë kujdes, mund të ketë pasur ndonjë keqkuptim, mos vuani nga pagjumësia ose ndonjë gjë tjetër të kësaj natyre. E kuptova që nuk donte të më pyeste drejtpërdrejt se mos vuaja nga ndonjë sëmundje mendore, po sytë nuk m’i largonte asnjëherë nga flokët, të cilat veç sa nuk po më pikonin yndyrë.
-Jo, i thashë pak e nervozuar unë, nuk vuaj prej asnjë gjëje, kam ardhur këtu me këtë recetë, e cila para pak çastesh mu la mbi komodinë nga një mjeke me flokë të verdhë. Këto duhet t’i blesh më tha, dhe unë u nisa me vrap për këtu, sepse nga sytë e saj e kuptova që duhej të ngutesha sa nuk ishte bërë vonë. Të lutem, sa rri e humb kohën me supozimet se prej çfarë sëmundje mund të vuaj unë, me ndihmo ta shpëtoj një njëri që po pret ndihmë nga unë.
Më tha se duhej të kujdesesha për veten dhe për t’më siguruar që barna të tilla nuk ekzistojnë, hyri në një kthinë dhe prej atje doli më një burrë.
-Unë jam farmacisti kryesor- më tha- dhe më zgjati dorën.
Ia dhashë jo për gjë tjetër, por kishte kohë që askush nuk më kishte ofruar dorën. Ma shtrëngoi miqësisht dhe më ftoi të ulesha. E pyeti vajzën nëse më kishte lutur për kafe, por ajo i tha që nuk e kishte bërë një gjë të tillë, pasi unë po ngutesha. Vetëm në atë çast e pashë që kisha shtrënguar shumë recetën a thua se prej saj varej jeta e një njeriu dhe atë jetë e kisha unë në dorë.
-Doni kafe ma bëri ai, si për të dashur të më largojë nga mendimet dhe frika që kisha në ato çaste.
-Jo i thashë, por një gotë ujë do ta pija me kënaqësi se bën shumë vapë. Fillova t’i tregoj se vapa e kësaj vere më kishte prishur shumë plane. U bë se i vinte keq dhe më tërhoqi vëmendjen që pasi nuk kisha shumë kohë mund të flisnim për barnat që më duheshin. Ia afrova recetën. Nga djersa kishte filluar të fshihej, ai mori syzet se ashtu tha se ishte e vështirë të kuptohej e thirri në ndihmë edhe vajzën për t’i treguar se cila ishte shkronja e mesit që ishte fshirë. Ajo u mendua një copë herë dhe i tha se shkronja ishte a. Kjo e vuri më shumë në mendime farmacistin i cili e thirri dikë në telefon.
Fiku telefonin dhe po endej sa andej- këndej. Ne derë hynë dy policë të cilët iu afruan kryefarmacistit. Ai po bënte me dorë nga unë, po unë nuk e prisha terezinë, e pyeta farmacisten se a i kishin gjetur barnat dhe mos e gjithë kjo vonesë ishte tregues se ato ishin gjetur? Ajo më tërhoqi vërejtjen, ma përkujtoi se ato nuk mund të gjendeshin askund në botë. U mundova t’i them edhe njëherë që recetën ma dha mjekja, po nuk arrita ta përfundoj fjalinë, pasi njëri prej policëve po vinte drejt meje. Ia shtriva dorën. Për një kohë dora më mbeti në ajër.
-Zonjë, më tha ai, sapo u njoftova se barnat që ju po kërkoni nuk ekzistojnë, kush ju tha se mund t’i merrni ato?
I thashë që ishte doktoresha e cila nuk më do mua, por nga unë kërkon që të shpëtoj një jetë njeriu. Më pyeti nëse do kisha mirësinë që së bashku të shkonim ta takonim mjeken. I thashë që veç njëherë e kisha takuar dhe nuk e di çfarë fytyre kishte. U mundova ta ndihmoj me faktin se e dija që flokët i kishte të verdhë.
-Nuk ka barna të tilla, po i thoshte farmacisti.
-Nuk je ti autoriteti për të treguar a ka apo nuk ka barna të tilla, i tha polici. Ia përkujtoi se në dorë kishte një recetë të nënshkruar dhe me vulë. Ne kemi një provë në dorë i tha kolegut të tij, ndërsa mua më tha se mund të shkoja me ta në stacion të policisë. Ju tregova se nuk mund ta bëja një gjë të tillë, pasi kisha një jetë njeriu për të shpëtuar. Njëri prej tyre më pyeti se kush ishte personi të cilin duhet të shpëtoja, në cilin spital ishte, cili ishte numri i dhomës, reparti, nga cila sëmundje vuante dhe plot pyetje të tjera.
I pyeta nëse isha nën hetime, pasi pyetje të tilla po më frikësonin.
-Nuk jeni nën hetime zonjë, më tha polici, veç bëhej fjalë për diçka për të cilën ata duhet të gjenin përgjigje. Pastaj, tha ai ju sapo më thatë që keni në dorë jetën e një njeriu.
Ia thashë emrin e spitalit, numrin 24 të dhomës, katin e tretë, emrin e pacientit, që ishte 52 vjeç, dhe i tregova që mbi komodinë kishte fotografinë e të birit.
Panë njëri- tjetrin në sy dhe të dy më morën përdore dhe më thanë që së bashku duhet të shkonim në spital.
-Ne mund të shkojmë, ju thashë por tani nuk është që po më kujtohet se në cilin spital është. E di që numrin e dhomës e ka 23, kati i katërt dhe që është 60 vjeç.
Polici më tha që pak më parë i kisha dhënë të dhëna të tjera për të sëmurin.
Shkuan në kthinë dhe po bisedonin diçka me farmacistin. Ai nuk u thoshte gjë vetëm ngrinte krahët. Vajza u tha se po të qëndroja edhe pak aty do t’më binte të fikët.
– A e shihni u tha atyre si e bardha e syve i është bërë e verdhë?.
Kjo e frikësoi farmacistin tjetër, i cili në vend që të kthehej nga unë e t’më shikonte sytë i tha asaj që kjo nuk është normale dhe se duhej t’më shihte edhe njëherë se mos më ishin skuqur sytë.
-Jo, i tha ajo, sytë i ka të verdhë.
Farmacisti i luti dy policët që t’më largojnë nga aty, po ata thanë që në kushte të tilla duhet ta thërrasin ambulancën.
Ju lutem, ju thashë, nëse veç pak e keni parasysh gjendjen e personit më gjeni barnat dhe unë do të iki vetë nga këtu. Sytë e mi nuk tregojnë shenja sëmundjeje, mos u frikësoni, vetëm duhet t’mi gjeni barnat.
Hapa telefonin, zilja po më bënte prej disa sekondash. Unë jam ende këtu, i thashë personit me të cilin po flisja. Po i tregoja se ilaçet nuk i kisha gjetur dhe se m’i kishin prerë edhe shpresat që ato mund të gjendeshin ndokund. I thashë që ju kisha bërë edhe presion, po nuk kishte asgjë prej asaj pune. Njëri nga policët po më rrinte te koka. Sapo mbylla telefonin më pyeti se me kë fola. I thashë se ishin nga spitali dhe po më kërkonin ilaçet. Policit iu duk se kjo punë po merrte të mbarën, tani mund të shkonim në spital e të bisedonim me autoritetet atje.
Unë i thashë se ende nuk po më kujtohej se cili spital ishte.
U çova në këmbë, sytë po më rrotulloheshin, i ndjeva kërdhokullat e syve si më bënin naze, sa andej-këtej. Rashë në tokë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.