REFLEKSIONE PËR NJË HERO TË HARRUAR

(Rreth librit monografik “Kosova, ëndrra e jetës sime” të autorit Bajram Halil Gashi)

Agim BAJRAMI

Është një shtëpi në fshatin Shënvlash të rrethit të Durrësit, para të cilës shumë njerëz ndalin hapat vetvetiu, pa mundur ta fshehin një ndjenjë të thellë adhurimi. Vitet kanë bëre të tyren mbi muret e saj, por ajo mbahet ende në këmbë, si për të na treguar se në vitet e largëta 30 -40, në të jetoi dhe krijoi personalitetin e tij intelektuali dhe atdhetari i njohur Bajram Sali Gashi. Edhe pse historia zyrtare vazhdon të heshtë paturpësisht për veprimtarinë dhe punën e pashembullt të tij, kujtesa e popullit nuk harron. Duhet të kalonin dekada që një tjetër bir i denjë Kosove, edhe ky mësues në profesion dhe historian i nderuar, Bajram Halil Gashi, të rrëmonte me ngulm nëpër arkiva dhe kujtesën e bashkëkohësve për ta nxjerrë emrin e tij  nga kjo harresë cinike. Veprimtaria e Bajram Sali Gashit në lëmin e arsimit shqiptar si mësues dhe drejtues i saj, ndërthurur me atë të luftëtarit të lirisë kombëtare, është pohimi më i mirë se heroi Bajram Sali Gashi nuk ishte vetëm bir i Uçës së Podgurit, zonës që e lindi dhe e rriti, por edhe i mbarë shqiptarisë.

Kur u nis për të shkruar monografinë kushtuar kësaj figurë, që diti t’i përdorë me të njëjtën zotësi librin dhe pushkën, autorit i është dashur të rrëmojë gjatë nëpër arkivat e kohës, por edhe të shfletonte me durim kujtimet e atyre pak bashkëkohësve të tij të mbetur gjallë. Përveç kësaj, atij i është dashur të ndërmarrë udhëtime të shumta këtej dhe andej kufirit me idenë për të prekur dhe përjetuar edhe vetë impresionet që kishte përjetuar heroi dekada të shkuara, një gjë kjo kaq e domosdoshme për një studiues. Mbledhja e këtij materiali kaq voluminoz për jetën e heroit, i ka dhënë atij dorë jo vetëm për ndërtimin sa më të saktë të figurës, por edhe vendosjen e saj  përballë kohës dhe ndërgjegjes së saj historike. Besnik i faktit dhe jo i emocionit, partizan i thellësisë dhe jo i sipërfaqes, libri i këtij studiuesi të bën për vete sa për këndvështrimet e gjetura, aq dhe për aftësinë analitike të tij. Gjuha e historianit me fakte dhe dokumente ndërthurur me  gjuhën e pasur narrative të studiuesit, të fusin natyrshëm në rrjedhat dhe situatat historike, në të cilat veproi heroi dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tij në vite.

Bajram Sali Gashi u lind në Uçë të Podgurit,  u shkollua në Has dhe Shkodër, por veprimtarinë e tij si mësues e zhvilloi ne Rrashbull të qarkut të Durrësit në kohët kur arsimi shqip sapo kishte nisur të reformohej. Ndonëse ish larguar në moshë të vogël nga vendlindja, atë do ta shoqëronin çdo çast imazhet dhe impresionet e vendlindjes, kulla e gurtë me shikim nga bjeshkët dhe zërat e bashkëmoshatarëve të tij (shoqërizimi me imazhet e vendlindjes është mjaft domethënës në ardhmërinë e çdo heroi). Fill mbas mbarimit të shkollës normale në Shkodër, ai emërohet si mësimdhënës në shkollën fillore të Rrashbullit ose Rrashtit të bullit (siç do ta shpjegonte këtë   toponim interesant Kadareja), ku u dallua si një prej mësuesve më të zot dhe më të apasionuar  në zonë. Gjatë gjithë periudhës që ushtroi detyrën e tij, ai u udhëhoq nga idealizmi dhe fryma iluministe e rilindësve tanë. “Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë”. Në kujtimet e tyre kolegët dhe nxënësit e tij të shumtë, e përshkruajnë atë si një njeri të dashur dhe bashkëpunues, strikt me programin arsimor dhe aspak tolerant kur ishte fjala për respektimin e disiplinës në shkollë. Me fillimin e Luftës si Dytë Botërore, veprimtaria e tij u përqendrua në Pejë në mbrojtje të kufijve të  Shqipërisë etnike kundër forcave çetnike, ku në përleshje fyta fyt me ta, gjeti dhe vdekjen. Janë momente kruciale këto, për pasqyrimin e të cilave autori ka përdorur një arsenal të pasur narrativ dhe historik. Duke shfrytëzuar përvojën e tij të mëparshme, me monografitë për shkollën shqipe të Shënavlashit dhe atë për këngëtarin e shquar Dervish Shaqa, stli i tij i zhdërvjellët dhe i drejtpërdrejtë e bën më të këndshëm leximin e veprës. Pesha e rëndë e fakteve historike dhe harmonizimi i tyre me ato jetësore me gjithë dritëhijet e saj, e ka shpëtuar veprën nga fetishizimi dhe glorifikimi, siç vihet re rëndom në kohën tonë. Vitet 30 -40 në të cilat shpërfaq madhështinë e vet Bajram Sali Gashi, sëbashku me Haki Takën dhe shumë burra të tjerë, ishin vite kruciale për historinë kombëtare dhe atë të Kosovës në veçanti.

Në këtë këndvështrim vështirësitë me të cilat do të përballej heroi, do të ishin të mëdha dhe të shumëllojshme. Shto këtu edhe analfabetizmin dhe injorancën mesjetare që sundonte ngado. Armikun sllav dhe nazist mund ta qëllosh me plumba dhe ta vrasësh, thoshte një prej kolosëve tanë të letrave, kurse injorancën jo. Por, kohërat e vështira dinë të mprehin karaktere dhe t’i kalisin  njerëz të tillë, si Bajrami. Ëndrra e lirisë dhe dashuria për atdheun i veshën Bajram Gashit  vizionin e intelektualit dhe misionarit model. Nëse në rrafshin intelektual heroi iu përkushtua mësimdhënies për të përgatitur një brez të mësuar, i bindur se obskurantizmi shekullor nuk mund të luftohej me injorantë dhe njerëz me formim gjysmak, ne rrafshin patriotik dalja në mal dhe lufta e tij me armë në duar kundër armikut shekullor, duhet kuptuar si vazhdimësi dhe plotësim i misionit të parë. Akti i tij i flijimit më shumë se kaq, është vetëdije dhe ndjenjë përgjegjësie kombëtare.  Gjatë jetëshkrimit të kësaj figure, autori i monografisë  Bajram Halil, i cili i mëshon faktit se e shkroi këtë monografi i nxitur nga madhështia e kësaj figure.   Qëllimi i monografive nuk është fabrikimi i  heronjve, por evidentimi i idealeve dhe rrethanave historike që i përgatitin ata. Është kjo arsyeja që gjatë gjithë aktit të leximit, vëmendja e lexuesit te jetë vazhdimisht e tendosur dhe në një shkallë të lartë përqendrimi.

Bajram Halil Gashi i Uçës dhe vepra e tij jetësore, është edhe pohim i investimeve të mëdha që fiset e njohura të Kosovës kanë dhënë tradicionalisht për lirinë e atdheut. Duke lexuar shënimet monografike të studiuesit, Fazli Ferizi, mësojmë se fisi i Gashëve, pinjoll i të cilit ishte Bajrami, ishte një fis dominant dhe shume i dëgjuar për trimëri dhe patriotizëm në zonën e dëgjuar Podgurit dhe me tej. Kullat e Kosovës me shumë se me gurë, themelet e tyre i ngritën me ide qëndrese dhe heroizmash. Për konceptet intelektuale të heroit, rruga drejt lirisë me gjithë vështirësitë dhe privimet, do të ishin  ABC-ja e shumë gjërave të tjera që do të mësonte dhe zbatonte gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër. Mësues, mendimtar dhe atdhetar. E ç’duhet më tepër për një njeri të shkrirë ngushtësisht me hallet dhe problematikat e atdheut të tij të shenjtë? Edhe pse në pamje të parë portreti i tij të linte përshtypjen e një njeriu të qetë dhe të menduar, në të vërtetë gjithë qenia e tij ishte një vullkan i ndezur. Në punën e tij evidentuese, autori i monografisë është rrekur t’i mëshojë sa të mundë kësaj veçorie dhe ta vendosë portretin e tij brenda kuadrit kohor dhe moral që ekzistonte.

Duke evidentuar veprimtarinë e pasur të heroit si drejtor i shkollës në atë zonë, autori përfiton nga rasti për të na dhënë gjithashtu edhe një pasqyrë të gjendjes në të cilën ndodhej arsimi shqip në atë kohë me gjithë problematikat dhe vështirësitë që e shoqëronin. Pjesa e daljes në mal të autorit, shoqëruar nga deklarata e njohur “Erdha se më thirri Kosova”, duhet konceptuar jo vetëm si  treguesi i angazhimit të tij në çështjen kombëtare, por edhe kodi bazik me anë të të cilit mund të zbërthehen më së miri psikologjitë e njerëzve të rrallë si ai.

Nëse jeta fizike e një njeriu nis me ardhjen e tij në jetë, me heronjtë është krejt ndryshe. Ata nisin të jetojnë në momentin kur bëhen të vetëdijshëm për rolin e tyre në jetë dhe flijohen “si me le” për të mirën e atdheut dhe kombit të tyre. Në rastin konkret, në ndërgjegjen e Bajram Sali Gashit, kthesa nisi në kohën kur Kosova iu shkëput padrejtësisht trungut të atdheut mëmë, për të rënë nën kthetrat e okupatorëve serbo –kroato-sllovenë dhe kur ai sëbashku me familjen 15 anëtarëshe trokasin një natë të ftohtë dimri te shtëpia e Bajram Sejdisë në Kasaj të Tropojës. Ngjarjet e mëvonshme që ndodhën në jetën e tij duhen konsideruar thjeshtë si rrjedhoja prej këtij momenti tragjik me përmasa kombëtare. Edhe përkundër kthesave te ndryshme që mori jeta e tij, portreti i Bajram Sali Gashit mbetet një portret impresionues dhe i adhurueshëm, sepse është portreti i njeriut që nuk kërkoi të imitonte modele të njohur  heronjsh, por të ishte vetvetja gjer në fund. Bajram Sali Gashi kishte lindur me idealin e madh të shkollimit të fëmijëve të atdheut të tij dhe nuk ishte i vetëm. Në këtë kontekst libri “Kosova, ëndrra e jetës sime” merr një vlerë përgjithësuese për gjithë plejadën e shkëlqyer të mësuesve  dhe heronjve të heshtur të arsimit shqip të asaj kohe. Duke ndjekur rrjedhën e vrullshme të  jetës së tyre, më vjen në mënd ndërkaq sentenca e njohur e Gai Kavasakit: “Nëse doni të krijoni statuja për njerëzit e rëndësishëm të çdo kohe, ngrini statuja  për mësuesit. Ata janë heronjtë e vërtetë të shoqërisë sonë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.