Refleksione

KUR POEZIA DHE AUTORI BËHEN ZËDHËNËS TË DITËS

(Mbi librin” Zanore me zë zane” të Marin Kelmendit)

Agim L. BAJRAMI

Me Marinin njihem nëpërmjet poezive të tij, të cilat ai i publikon herë pas here në mediat e shkruara. Është një poezi që nuk njeh kufij dhe qenësohet si e tillë në dekorin e shqetësuar të përditshmërive shqiptare, sa me nervin e theksuar social, aq edhe me vargun elegant dhe të figurshëm. Duket se poezia te individë të tillë si Marini, lind si nevojë shprehimore, që e bashkëngjitur me natyrën e tij të ndjeshme, fiton një gjymtyrë më te-për. Mjafton të lexosh pesë-gjashtë poezitë e para dhe të bindesh se ky autor nuk ka hyrë në poezi vetëm për të pikturuar realitetet e absurdeve shqiptare, por edhe të shpallë kredon dhe idetë e tij të ndryshimit.

Në këtë kontekst, autori vë në përdorim armën e tij alegorike, të cilën duket se e ka një dhunti të lindur, si dhe fantazinë. Por, edhe përkundër kësaj, vargjet e këtij poeti, në të shumtën e herëve janë edhe një ftesë e sinqertë për të udhëtuar së bashku me të në vise ëndërrimesh dhe trillesh rinore, të bëhesh pjesë e gëzimeve dhe e shqetësimeve të moshës së tij. Parë në këtë këndvështrim, lexuesi ka mundësinë të prekë me sytë e mendjes peizazhe dhe motive interesante, të përjetojë ngjarje dhe momente që lidhen, sa me autorin, aq edhe me historinë e kombit që i përket.

Autori jeton në qytetin e bukur të Pejës, qytet me rrënjë të lashta historike dhe me një traditë kaq të pasur kulturore, që të impresionon, që në kontaktin e parë. Është e natyrshme që edhe te Marini qyteti ka bërë të veten. Në shumë nga krijimet e veta, autori e shpall me forcë dhe krenari këtë gjë dhe ndihet mirë. Herë në formë të dukshme, herë jo. Në vetëdijen e poezisë së tij jehojnë zëra epiciteti dhe imazhe heronjsh të panumërt, që nga Gjergji Elez Alia, Gjeto Basho Muji, Halili etj, me të cilat autori ka një lidhje të fortë organike. Struktura e vargut të tij ka ditur t’u bëjë vend me bujari gjithë këtij rrezatimi epik dhe t’i veshë ata me një aureolë hyjnore.

I veçantë në narracion dhe i pasur në shprehje figurative, vargu i tij di të ndryshojë formën dhe theksin tonik, në varësi të situatave dhe rrethanave konkrete që ndodhet. Aq sa i butë dhe drithërues, kur i këndon dashurisë dhe magjisë së natyrës, aq i trazuar dhe rebel bëhet kur trajton dukuritë sociale dhe ngjarjet tragjike të ditës dhe të historisë, herë i drejtpërdrejtë dhe herë i sofistikuar. Ai ka në ADN të aftësinë replikuese me dyfytyrësinë dhe hipokrizinë e kohës, vizatues gjer në detajet më të imëta të përditshmërive dhe të progonistëve të saj dhe një vëzhgues i hollë. Syrit të tij zor i shpëton gjë.

Ajo që të bie në sy në poezinë e këtij autori, është konciziteti i vargut dhe shumësia e figurave letrare dhe simboleve. Autori di t’i përdorë me suksese dhe të operojë me to. Simboli i diellit, i gurit dhe xhubletës, p.sh., janë nga më të prekshmet dhe më numeriket në këtë vëllim. Është një trini që lëviz pa zhurmë në çdo mjedis dhe i përshtatet natyrshëm lojës së tij artistike. Edhe pse një simbolikë e tillë është përdorur tradicionalisht nga shumë poetë të njohur të kësaj trevë, që nga Mekuli, Podrimja, Shkreli dhe të tjerë, te Kelmendi ajo funksionalizohet dhe merr jetë në trajtën e kundërvënies. Në poezi, dielli p.sh. ky element arrin madhështinë e tij në luftën me hijet, që pengojnë fijet e barit të rriten, ose me gjethet e verdha që i qëndrojnë përballe si sfidë. Dritëhijet e fuqishme që krijohen mes tyre, i shërbejnë autorit për të proceduar dhe për të shprehur vetveten. Të tillë simbolika gjejmë si në poezinë interesante “Kaçakët e paqes dhe kaçakët e luftës”. Pëllumbat që shikohen me Syrin e Kaltër dhe futen më pas në zgavrën e shkëmbit, shikohen nga autori si antipode të kaçakëve të dikurshëm të lirisë dhe i nënshtrohen stigmës:

Në vend të këngëve kreshnike,

Ju nuk merrni vesh për dashurinë

Për ajkunat dhe zanat e malit.

Në poezinë “Pasqyrë aritmetike me katër numra 2023” në fillim kemi një simetri numerike, dy numra që bëjnë një mot:

Dy dysha, një më shumë se njishi

Kurse një më pak se i gjori treshi

Kanë rrethuar zeron e vetme në mes.

Kjo lloj simetrie fillon të prishet gradualisht, kur receptorët ndjesorë të autorit nuhatin gjëmat dhe tragjeditë e vitit që sapo shkoi, luftërat, agresionet dhe viktimat e shumta të të zotëve të luftës:

fuqishmit s’duan botën ta kenë mike

Dhe ty vit në dhjetor të mbarojnë orët

Sido që të jemi, thonë një vit bërë

Por trupit tonë i ka rënë një gjëmë.

Metafora revoltuese që krijohet në këtë rast, i jep krijimit një notë kryengritëse dhe të ngarkon edhe ty me energji reaguese. Po kështu ngjet edhe me poezinë tjetër interesante “Vetëtimat janë shoqe me zanoret e mia”, ku nëpërmjet inversit dhe theksimit të vargut të pare, autori mban qëndrim dhe emeton idenë e qëndresës, duke zbërthyer ndër-kohë edhe pjesë të kredos së tij jetësore:

I dua vetëtimat, kur kthehen në vargje,

Po aq i dua vargjet, kur kthehen në vetëtima.

Të tilla krijime, ku autori dhe vargu plotësojnë njëri – tjetrin me frymë dhe me ide janë të mjaftueshme të mbushin me ngarkesa drite dhe me frymë të re çdo lexues të këtyre poezive. Janë krijime që nuk e njohin shtirjen dhe pajtimin me të zakonshmen e rëndomtë, por, në të kundërt, i kundërshtojnë ato, duke shpalosur në vend të tyre koncepte dhe ide të reja bashkëkohore. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe. Duke pasur parasysh natyrën dhe moshën e re të autorit, qëndrimet e tilla ideo-emocionale zënë në këtë vëllime pjesën e luanit. Duke e kundruar nga kënde të ndryshme, vërejmë se poezia e tij e ka të pamundur të sillet ndryshe. Si i tillë, ajo është gjithmonë në kërkim të hapësirave dhe të peizazheve të reja, të pandotura nga ideologjia dhe propaganda gënjeshtare e klasave tona politike. Nga vargu në varg, lexuesi ndihet si i shoqëruar nga hapat e së nesërmes, që pritet të vijë, por edhe prej një frymë të ndjerë optimizmi. Poeti ndjen se qenia e tij, më tepër se hapësirë më vete, është një ishull idealizmi, ku heroi dhe vargu i tij i çojnë vazhdimisht ftesa për duel absurdit meskin:

Tutje globit rrotullon gjëmën zari i fatit,

Po tërë bota të varroset pa lutjen e fratit.

Marin Kelmendi shkruan për të çliruar vetveten nga morali fals i kohës dhe për t’u ndjerë i lirë. Për këtë shkak, poezia e tij nuk ka stacione fiks dhe autorë të adhuruar. Ai pëlqen të jetë vetvetja dhe kjo është pozitive. Pasi ke lexuar gjer në fund poezitë e këtij vëllimi dhe pasi ke ndeshur edhe nënshkrimin përmbyllës të tij, të vjen inat kur dëgjon vend e pa vend shprehjet skeptike të disa të ashtuquajturve ustallarë të vargut, se gjoja tek ne poezia është në krizë, se nuk po dalin më autorë të talentuar etj., etj. Në të kundërt, Marin Kelmendi është një emër që i kundërshton në heshtje këto zëra me librin e tij të arrirë, që meriton të lexohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.