REMARKU, HUMANISTI DHE USTAI I FJALËS

Opusi krijues i tij është mjaft i pasur me disa romane kult të revoltës, të ngritjes kundër padrejtësive sociale e politikave regresive

Bujar MEHOLLI

Erih Maria Remark është njëri ndër shkrimtarët kryesorë të shekullit të kaluar. Veprimtaria e tij prozaike, e gjerë, përfshin tematika nga lufta kundër nazizmit gjerman me Adolf Hitlerin në krye. Kemi të bëjmë pra, me një intelektual të angazhuar politikisht, i cili shfrytëzon mjetet artistike për t’ju kundërvënë një regjimi totalitar që po bënte kërdi në kontinentin e vjetër, në Evropë, me kampet e përqendrimit, kufizimet, urrejtjen, spiunët, policinë sekrete Gestapo… Remarku është vetëm njëri nga autorët e aradhës së shkrimtarëve që u ngritën kundër regjimit hitlerian duke dashur të promovojnë humanizmin, lidhjen e kombeve, lirinë e demokracinë, e mbi të gjitha dashurinë, ndjenjën më fine të qenies njerëzore që, në vitet e regjimit, ndrydhej diku në skutat e thella të shpirtit duke u përzierë me vuajtjen, frikën, torturën psikike. Për fatin e mirë të lexuesve shqiptarë, Remarkun e sollën në gjuhën shqipe emra të mirënjohur të fushës së përkthimeve letrare, nga të cilët po përmend Robert Shvarcin, Aristidh Ristanin e Fatmir Dibrën, të cilët u përpoqën t’ia transmetojnë lexuesve shqiptarë stilin karakteristik të prozës remarkiane, depërtimin në psikologjinë e personazheve, përshkrimet pikante të ambienteve dhe dialogët e gjallë që e veçojnë Remarkun si shkrimtar realist kritik.

***

Opusi krijues i tij është mjaft i pasur me disa romane kult të revoltës, të ngritjes kundër padrejtësive sociale e politikave regresive. Disa nga romanet e famshme të Remarkut janë: “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”, “Tre shokë”, “Shkëndija e jetës”, “Një natë në Lisbonë”, “Harku i Triumfit” e të tjerë. Ky i fundit, “Harku i Triumfit”, konsiderohet ndër krijimet më të arrira të shkrimtarit gjerman; në shqip e përktheu Robert Shvarci me parathënie nga Ismail Kadare. “Harku i Triumfit” i shkruar dhe botuar në vitet ‘40, u bë shpejt popullor dhe njëri ndër romanet më të lexuara të shekullit XX. Parisi! Vendi i lirisë, “toka e premtuar” e artistëve, shpirtrave të lirë që e urrejnë dhunën, e duan jetën dhe e adhurojnë të bukurën. Përshkrimi i Parisit të asaj kohe nga penda e Remarkut është tipik, duke ngritur një paralele paradoksale, ku nga njëra anë gëlon arti dhe jeta e gjallë bulevardeve e kafeneve, kurse nga ana tjetër lufta është afruar çdoherë e më shumë dhe qiejt e zymtë paralajmërojnë shkatërrimin, tmerrin, rrënimin e çdo vlere njerëzore. Këtë situatë të nderë, Remarku, na e shfaq përmes personazhit kryesor Ravik, emri i tij i rremë, një kirurg, refugjat, i ikur nga kthetrat e Gestapos që në roman përfaqëson fatin e qindra-mijërave njerëzve të persekutuar nga regjimi hitlerian. Raviku është heroi tipik i letërsisë së realizmit; ai fiton lehtë simpatinë e lexuesve ngase shfaqet thellësisht human, delikat, njeri që dëshiron liri për vete dhe për bashkëkohësit e tij – megjithëse Raviku vret Hakenë, njeriun që pati torturuar qindra njerëz në bodrumet e errëta, me teknikat e “marrjes në pyetje” që i bënin nazistët. Po ata qenë përgjegjës për vetëvrasjen e Sibilas, dashnores së Ravikut, e cila ra viktimë e Gestapos. Raviku thur një plan për ta vrarë nazistin e Gestapos. Përmes këtyre rreshtave mund të ndihet forca me të cilën Remarku ngret grushtin e urrejtjes ndaj regjimit çnjerëzor.

***

Parisi jepet në roman me tërë shkëlqimin e tij prej metropoli dhe “atdheu” artistësh. Kafenetë, baret, pijet e panumërta, rrugët e rrugicat e zhurmshme, kioskat e gazetave, hotelet, bordellot, përbëjnë itinerarin e “Harkut të Triumfit” dhe refugjati gjerman Raviku i dalldisur nga kjo atmosferë has që në fillim të romanit një grua të brishtë, Xhoanën, e cila s’do t’i ndahet gjer në përfundimin e saj. Romanca e tyre është mjaft komplekse; kemi të bëjmë me ngjizjen e ndjenjave të dashurisë dhe urrejtjes; këta dy dashnorë që gjallojnë në një epokë të vështirë – rrethohen nga ëndrra të bukura, vizione e vegime, por është realiteti i rëndë, i zymtë, që i pllakos dhe i përcakton fatet e tyre. Ky çift është padyshim ndër çiftet më interesante të literaturës së shekullit XX; ata bredhin rrugëve, kafeneve, qëndrojnë në hotel me “kalvadosin” e tyre, dashurohen me afsh, por edhe përbuzen. Dashuria e Xhoanës, fjala vjen, për Ravikun nganjëherë duket ireale, me një lidhje të çuditshme që ajo ka me Ravikun. Meqë Raviku zihet nga policia dhe për një kohë largohet nga Parisi, Xhoana nis aventura të reja romantike si këngëtare dhe më vonë aktore; me t’u kthyer Raviku relacioni i tyre s’është stabil, qëndron mes zymtësisë, pasionit, dashurisë dhe urrejtjes. Raviku megjithatë do t’i qëndrojë te koka në grahmat e fundit, pasi që është qëlluar me armë nga njëri prej dashnorëve të saj. Kështu ngjizet një roman drithërues, me refugjatë, artistë, pacifist, në një atmosferë të zymtë nga lufta e terrori, por me mesazhet se njerëzimi është më i fortë se çdo gjë tjetër, dhe se regjimi do të rrënohet e njeriu do të jetë i lirë të mendojë, të dashurojë e ta përcaktojë veten.

Leave a Reply

Your email address will not be published.