REVOLUCIONI I MENDIMIT

Liria humbë domethënien e vet në momentin kur kostumin e identitetit kulturor ta “qepin” militantët partiakë! Platformën e zhvillimit të këtij identiteti ta shtrojnë dibiduzët të cilët janë në gjendje “ta vrasin” me oratorinë e tyre “revolucionariste” çdo kulturolog, çdo intelektual që mund të jetë edhe nderi i kombit

Nga Avni HALIMI

Artistët, përmes artit të vet, gjithnjë e kanë synuar më të mirën e botës! Deri te kjo e mirë artistët kanë hapëruar në dy kahe: në njërin kah artistët janë angazhuar për të qenë sa më të denjë në përfaqësimin e botës (reprezentativ), ndërsa në kahun tjetër kanë qenë artistët ithtarë të transformimit të botës kah më e mira, më e bukura, më dinjitozja! Artistët që e kanë mëtuar dhe që në njëfarë forme e kanë arritur këtë synim, janë quajtur avangardë. Artistët reprezentativë janë llogaritur ajo avangardë artistësh që në art kanë sjellë stile dhe teknikë (kubizmi, ekspresionizmi, ekspresionizmi abstrakt)! Në periudhën e post-avangardizmit (në shoqëritë që gjakonin një jetë liberale) si dhe në avangardën post-socialiste, do të kemi edhe stile dhe teknika të tjera të cilat hollësisht i trajton historia e artit. Kjo avangardë e artistëve reprezentativë mendojnë se përfaqësojnë “artin e pastër” – prandaj njihen si tipa idealistë! Këta mendojnë se duke i afruar shoqërisë kryevepra, duke u mësuar shoqëria në shijimin e së bukurës së tyre – kësisoj do të arrihet transformim i botës!

Në anën tjetër, kemi avangardën e cila mëton që përmes artit të vet të dikojë në jetë dhe, me këtë, ta ndryshojë botën. Për shkak të koncepteve të tyre mbi reformimin e botës, ata herë do të quhen si “ekstremistë” e herë si “radikalistë”, herë si “revolucionaristë’, herë si “politiko-poetikë, e herë si “politiko-estetikë”. Këto emërtime me përmbajtje politike, ndikuan në tipizimin e tyre si lëvizje avangarde “estetike” dhe do të shfaqen pothuajse në çdo shoqëri!

Nevoja për kulturimin e popullit politik

A i kemi ndër ne (ndër artistët shqiptarët) këta lloje avangardistë? Të kuptohemi “avan-gard”-istët gjithnjë duhet të jenë para kohës dhe duhet të dinë saktësish se kah po shkon shoqëria e tyre! Rilindësit tanë e dinin, pa dyshim! Por, nëse i kemi sot këta avangardë, a mund të na thonë se në ç’drejtim (jo-politik) po hapëron shoqëria shqiptare? Janë disa konstatime që mundohen të vërtetojnë se populli shqiptar është populli më politik në rajon! Edhe fëmijët në djep merren me politikë! Para një shekulli e gjysmë, poeti, dramaturgu dhe historiani gjerman, Fridrih Shiler, ngriti teorinë se zgjidhjet politike pa një qasje estetike gjithnjë janë gjysmake dhe, thjesht, të paqëndrueshme. Ai thoshte: “Nëse njeriu dëshiron që përfundimisht t’i zgjidhë problemet politike, ai këtë do të mund ta arrijë vetëm përmes problemit estetik, sepse, njeriu vetëm përmes të Bukurës mund të vije deri te Liria”! Porosi gati të ngjashme si kjo përcjell edhe proverbi popullor irlandez i cili thotë se “Një popull që e ka të kultivuar lirikën ai e do Lirinë”! ‘Ky lloj i avangardistëve reformimin e botës e shikon vetëm përmes “revolucionit estetik”!

Ky është shpjegimi mbi atë se si Shtetësia e Kosovës po del të jetë kaq shumë “rrëfim i suksesshëm”! Sepse, të paktën nja tri dekada para luftës çlirimtare, “revolucioni estetik” është ndjerë pothuajse në çdo vit! Plot një dekade para luftës Lëvizjen Popullore brenda Kosovës e drejtuan “ekstremistët”, “radikalistët”, “gandistët”, “poetët politik”, “estetët politik”, “krijuesit nacionalistë”, pra, një avangardë që po drejtonte në “paqe të okupuar” një “revolucion estetik” deri në dalje në sipërfaqe të “planit B” – të çlirimtarëve të ushqyer edhe me frutat e këtij “revolucioni”! Dhe, ky duhet të jetë shpjegimi edhe i “rrëfimit dëshpërues” të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut! Në njërën anë, angazhimi politiko-luftarak i subjekteve shqiptare dhe, në anën tjetër, këmbëngulja për prezencë reprezentative të elementit misionarist të “ekstremistëve fetarë”, e refuzuan nevojën e “revolucionit estetik” duke e llogaritur si “luks përtej kohës”, apo edhe si “mëkat i madh”! Prandaj te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “plani B” nuk ishte as “revolucion”, as “luftë” por thjesht, protestë “e armatosur” për të “drejta reprezentative” (të drejtat e shqiptarëve) dhe për përfaqësim adekuat të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike! I vetmi “transformim estetik” i cili mund t’i karakterizojë sot shqiptarët e Maqedonisë së veriut, është mjerisht “pedantëria” prej të qenët “protestues partiakë” si dhe “bukuria e mjekërzimit” të misionarëve që shkon përtej identitetit kombëtar!

Shkrimtari dhe historiani hungarez, Miklosh Sabolçi, ndante mendimin se “revolucioni pa avangardë (në art) në fakt është pseudorevolucion”! Përtej këtij realiteti demoralizues, shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut u mbetet vetëm edhe një përpjekje vetëmohuese – revolucioni kulturor, i cili do të dinte t’i çmonte frytet e “protestës luftarake” kombëtare (2001), duke i transformuar nga “vlera personale” në vlera estetike me forcën e përjetësisë. Me nocionin “Revolucion Kulturor” në rastin konkret, nuk mendohet në formën e Revolucionit Kinez, apo të Revolucionit Francez, nuk mendohet as në çlirim e në pavarësim, por thjesht mendohet në përkushtimin kombëtar të subjekteve politike që “popullin politik” ta kulturojnë!

Liria e uzurpuar nga “revolucionaristët”

Kur një popull ka nevojë për “revolucion mendimi” (problem i shtruar në një intervistë për HEJZËN nga Sulejman Rushiti, regjisor)? Kur mund të jetë ajo kohë për një konstatim të tillë! Koha e sotshme? Pa dyshim, kur shprehja e mendimi rrjedh nga një “gyp partiak”, kur mendimi është i disiplinuar dhe uniform me mendimin e liderit politik, kur ngulfatet mendimi i “fakirit”, kur ndrydhet nevoja për shprehje të mendimit alternativ, kur bllokohet fjala e intelektualit, kur shantazhohet intelektuali, kur blihet intelektuali me një post, me një projekt, me një detyrë – ky është ai moment për “revolucion mendimi”. Revolucionet shpërthejnë vetëm kur liria është në zgrip të asfiksisë momentale (liria nuk vdes kurrë!) kur jeta humb kuptimin e vet, kur hyjnizohet pushteti politik deri në religjion “që i bën mirë shpirtit”!

Në momente të tilla shpërthen revolucioni dhe me të drejtë pushteti duhet t’u takojë revolucionaristëve. Por, kjo e drejtë humbet në çastin kur revolucionaristët uzurpojnë lirinë! Liria humbë domethënien e vet në momentin kur kostumin e identitetit kulturor ta “qepin” militantët partiakë, ata që në jetën e vet nuk kanë lexuan më shumë se tre tituj librash (pra, jo gjithë librin)! Platformën e zhvillimit të këtij identiteti ta shtrojnë dibiduzët të cilët janë në gjendje “ta vrasin” me oratorinë e tyre “revolucionariste” çdo kulturolog, çdo intelektual që mund të jetë edhe nderi i kombit. Nëse injoranca është masë tumorale në trup të identitetit kulturor, mediokriteti është kancer i këtij identiteti! Kur të shtrihet përtokë mendimi intelektual atëherë në sipërfaqe ngritën arrivistët, mediokret, pseudomendimtarët, shitësit e dushkut për gogla! Për fat të keq, ky është realiteti anekënd viseve tona etnike, realitet që pasqyron rikthimin tonë në kohën fishtiane, me një përjashtim esencial: nëse atëbotë të tjerët e shfrytëzonin injorancën tonë për t’u tallur me ne, sot ne e shfrytëzojë injorancën për t’u tallur me vetveten.

Në  Shqipëri “revolucionaristët” (PS) mposhtën “injorantët” (PD) që “kostumin kulturor” të na e presin anonimusët! Intelektualët kombëtarë duhet të heshtin, sepse, ata duhet ta dinë që, buxheti shtetëror nuk është në duart e tyre! Në Kosovë “revolucionaristët” çliruan Kosovën dhe pavetëdije vazhduan avazin e mihjes në themel të identitetit kulturor. Këta u mposhtën nga “neo- revolucionaristët” (LVV) sa për t’i pensionuar të parët në mihje të këtij identiteti. Në Maqedoninë e Veriut e gjetiu nëpër viset tona etnike, “revolucionaristët” (BDI) kanë gjetur metodën e bërjes së “kulturës” – duke i heshtur intelektualët! Të gjitha partitë e tjera, të gjithë “intelektualët” e tubuar nëpër subjekte të tjerë, me t’u dhënë shansi për pjesëmarrje në qeveri, sakaq, bëhen palë edhe të degradimi të identitetit kulturor. Koha është për politikë e jo për kulturë! Për kusht në përfshirje në qeveri nuk shtrojnë zhvillimin e identitetit kulturor por, postet ministrore e drejtoritë e ndryshme! Prandaj, regjisori nga Maqedonia e Veriu, Sulejman Rushiti, në një intervistë në “Hejza” klithë përvajshëm: “Ne kemi nevojë për revolucion mendimi”!

Leave a Reply

Your email address will not be published.