REXHEP HOXHA, AUTRO I VARGJEVE TË LËMUETA

Kujtesa poetike e Rexhep Hoxhës ishte një produkt interesant që duhet studiuar për specifikën e saj

Xhahid BUSHATI

Rexhep Hoxha, shkrimtari nga Kosova, ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare (1929 – 12.07.2019). Ai ishte shkrimtari më i moshuar i Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj.Po t’i kërkojmë rrënjët dhe fillesat e tij letrare, do të thonim se Hoxha i takon brezit të parë të shkrimtarëve shqiptarë në Kosovë, me një herë pas Luftës së Dytë Botërore.

Shkrimtari Rexhep Hoxha e botoi librin e parë me vjersha “Gjethet e reja”, 70-vjet më parë. Në librat që shkroi më pas, si edhe tek poemat, si edhe tek fabulat; solli përherë “gjelbërim” poetik në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj. Erdhi me një profil të veçantë. Shquhej për një gëzim të brendshëm krijimi i tij, të cilin e ruajti kurdoherë të tillë në të gjitha botimet e mëvonshme. Në udhëtimin e këtij gëzimi dhe këngëzimi, rrezet e diellit të poetëve të Rilindjes ia shndritnin here pashere vjershat, por pa i cenuar personalitetin artistik. Me kohën lidhi një pakt që, gjithashtu nuk e ndryshoi. Ai ishte: Rrëfimi i natyrshëm, pa sforco e i dinjitetshëm i lirizmit poetik. Po ashtu edhe hapësirat e Atdheut gjetën rrëfimin e poetit, ku folën trimat,  plagët, dhimbjet, dashuritë, ëndrrat, amanetet,… Këto tematika mbeten piketat kryesore, pa të cilat nuk mund të kuptohet poetika e tij. Ndaj, kujtesa poetike e Rexhep Hoxhës ishte një produkt interesant që duhet studiuar për specifikën e saj.

Njohu për së mbari botën e psikologjinë e fëmijës dhe elementet edukative të kësaj moshe. Jo më kot, vjershat në palcët e tyre kanë: kureshti, lojë, humor, fjalë pafund onomatopeike, lirizëm, gurrë folklori, etj. Përdorimi i atyre emërtesave që po i përmend, që nuk janë gjë tjetër veçse kodet e përkëdhelive të botës fëmijërore dhe domethëniet e zemrës së poetit, si: Picimuli, Mbi krahët e fluturës, Pika vese, Lulëzo vendi im, Micimiri, Piperku, Zogu i qiellit, etj. Në lidhje me veçoritë e krijimtarisë poetike të Hoxhës, paraqesin interes edhe dy shqyrtime, nga ana e studiuesit Ramazan Çadri dhe e shkrimtarit Anton Pashku. Ramazan Çadri shprehet: “… vjershat e R. Hoxhës fitojnë gjallërinë dhe freskinë e nevojshme poetike në sajë të konkretësisë së rrëfimit e përshkrimit të dukurisë a ngjarjes në frymën e këngëve popullore, tek të cilat ai u mbështet për të marrë më shumë sesa motivet, thjeshtësinë e të shprehurit, mënyrën gazmore të të rrëfyerit, karakterin lodrues të veprimit si dhe muzikalitetin e ritmit të tyre.” Kurse Anton Pashku e cilëson magjinë e poetit në këtë mënyrë: “Kudo nëpër poezitë e tij gjejmë vargje të lëmueta, tinguj që kumbojnë freskët, vjersha që në vetvete kanë ritëm të mrekullueshëm e humor jashtëzakonisht të qëlluar.”

Prozatori Rexhep Hoxha është autor edhe i romaneve “Lugjet e Verdha” (1959), “Verorja” (1984), “Ermali” (2000).Këto tre romane, më shumë i pari dhe i dyti, më pak i treti, kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe krijuesve, të cilët here pashere në kohë kanë dhënë mendimet e tyre. Mendoj që marrëdhënie e tyre (studiuesve) lidhur me sagën romaneske të Rexhep Hoxhës, duhet grupuar në këtë mënyrë: – autorë që janë ndalur tek përmbajtja (subjekti) e librit dhe e kanë rrëfyer atë shpesh imtësisht., – autorë që tentuan të hynin në tipologjinë e romaneve të autorit., – autorë, – dhe kjo me vlerë, – që këndvështruan statusin e romaneve të Hoxhës, si veçori bindëse.

Me botimet e tij letrare, shkrimtari i talentuar Rexhep Hoxha i dha vertikalitet Letërsisëshqipe për fëmijë e të rinj. Romani i tij “Lugjet e Verdha” ishte një befasim për kohën, kur u shkrua. Vlerat që mbarte vepra kapërcyen kohën e botimit. Edhe sot mbetet një vepër e frymëzuar dhe e shkruar nga një dorë mjeshtri. “Lugjet e Verdha” zgjoi dhe interesin e studiuesve dhe kritikëve, të cilët e bënë objekt shqyrtimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.