(Disa fjalë për ribotimin e vëllimit poetik“Katërmbëdhjetë autorë”, botoi Klubit Letrar “De Rada” në Ferizaj)
Kemajl ALIU
Në vitin 1985, këtu e 39 vite më parë, teksa poetët e rinj, e prisnin me padurim daljen në dritë të librit ”Katërmbëdhjetë autorë” të Klubit Letrar “De Rada” në Ferizaj ( libër ky, në të cilin ishte bërë prezantimi më i plotë i tyre i deriatëhershëm), ndodhi ajo më e paparashikueshmja: libri përpos që nuk u hodh në qarkullim, ndaj tij u organizua proces kompleks penal gjyqësor, në të cilin iu shqiptua dënimi: asgjësim me DJEGIE.
Akt i tillë ishte një shembull aq obskur, sa që ngjashmërinë për nga brutaliteti mund t’ia gjeje vetëm në Gjermaninë naziste të viteve 40-ta.
***
Libri “Katërmbëdhjetë autorë”, i përgatitur për botim nga poeti dhe studiuesi R. Tuda, prezantonte një gjeneratë poetësh të një moshe fare të re (19-30 vjet), si; A. Demiri, B. Frangu, I. Aliu, Xh. Rexhepi, K. Aliu, B. Mehmeti, G. Bytyçi, S. Vranovci, M. Leka, F. Tuda, etj, të cilët atëbotë po bënin hapat e parë krijues, duke publikuar shkrimet e tyre në periodikun letrar të kohës, si: “Bota e re” “Zëri i Rinisë”, “Rilindja”, etj. Por, pushteti jugosllav i asaj kohe kishte vendosur që ndalesën e këtyre poetëve ta bënte me zjarr, moment ky, i cili për pasojë pati pastaj ndjekjen dhe persekutimin e këtyre autorëve në mënyra nga më të ndryshmet për afro pesë vite rresht.
Shkrimtarët shqiptarë në regjimin politik të ish-Jugosllavisë, në vazhdimësi ishin përballur me ndjekje, persekutime dhe dënime, për shkak të fjalës së tyre të lirë artistike: A. Demaçit i ishte ndaluar romani “Gjarpinjtë e gjakut”, T. Dervishi kishte vuajtur dënime absurde në burgun famëkeq të “Goli Otok-ut”, E. Mekuli, me dekada të tëra ishte përballur me përcjelljen, censurën, ndërsa A.Podrimja, për shkak vetëm të një vargu… vargut epik lapidar “Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet”, ishte kërcënuar, ndjekur dhe përndjekur në bankat shkollore si gjimnazist.
Një numër i madh i shkrimtarëve shqiptarë nuk mund të botonin veprat e tyre. Ata ishin të ndaluar. Por, këto ndalesa në aspektin formal nuk bëheshin me shkrim, për shkak të një pasqyre të rreme që Jugosllavia kishte arritur ta plasonte në Evropën e atëhershme për sistemin e saj politik. Mirëpo, ndalesa e tyre bazohej në vendime të pashkruara fund e krye arbitrare, kontrollimin dhe përmbarimin e të cilave e bënte kryesisht UDB-a jugosllave.
Për nga natyra shkrimtarët përgjithësisht janë problemor për sistemet politike. Janë më problemor për regjimet pushtuese, dhe ekskluzivisht janë problemor për regjimet diktatoriale. Prandaj akti i djegies së librit ”Katërmbëdhjetë autorë” ishte i pangjashëm dhe nuk kishte asnjë rast analog me ndonjë rast tjetër. Nëse ky libër, për nga censurimi dhe ndalimi kishte mjaft shembuj analog, rasti i ndalimit të tij për nga brutaliteti (vënia e flakës librit) i kalonte të gjitha përmasat, ishte një akt inkuizitor mesjetar, ishte një sui generis për kohën.
Censurimi, ndalimi, përcjellja, ndjekja dhe përndjekja si dhe vrasja është fat historik i shkrimtarëve në vende dhe sisteme të ndryshme politike. Por, më të përndjekurit, gjegjësisht më të censuruarit, më të persekutuarit dhe më të ndaluarit ka ngjarë ATA të jenë në diktaturat socialiste për faktin e një problemi esencial që kanë sistemet e tilla me lirinë e shprehjes (edhe Jugosllavia ishte diktaturë socialiste). Në parim pushtetet diktatoriale socialiste shpallin të përfunduar misionin e lirisë, nuk e pranojnë lirinë si kërkim dhe vazhdimësi, por si një problem të zgjidhur. Prandaj se çfarë do të jenë raportet e diktaturës me shkrimtarin, këtë më së miri e ka sqaruar shkrimtari ynë i madh, I. Kadare, i cili në një rast, duke folur për racën e shkrimtarëve thotë: “…Shkrimtarët janë mbi Lirinë”. Dhe, përderisa shkrimtarët besojnë në këtë kushtimisht, diktatura socialiste e mohon apriori atë.
Shkrimtarët janë problemor edhe për demokracitë. Janë problemor për demokracitë nga më të hershmet e duke mos i përjashtuar gjithsesi edhe ato më të zhvilluarat: Kujtoni, në këtë rast, romanin “Vuajtjet e Verterit të ri” të shkrimtarit gjerman J.W. Goethe, në shekullin e XVIII, (shteti danez). Rastin e Jean Paull Sartre, shekulli i XX (shteti francez), apo edhe rastin më të ri, kur shkrimtari, mallkimi, ndjekja, liria dhe siguria e tij bëhet problem i disa kontinenteve “Salman Rushdi, me veprën e tij “Vargjet satanike”.
Shkrimtari francez Albert Camus, në veprën e tij “Miti i Sizifit” thoshte: “Unë nuk mund ta di se çfarë mund të jetë një liri, që do të ma jepte një qenie më e lartë. Nuk e kam idenë e hierarkisë”. Andaj, pak a shumë, edhe “Katërmbëdhjetë autorët” sikur udhëhiqen nga kjo premisë … dhe përkundër disa paralajmërimeve se libri nuk mund të botohej, se do të ndalohej, e botuan atë.
***
Fatin e hidhur të ndalesës së librit në ata sistem politik e kishte përjetuar kohë më parë para librit “Katërmbëdhjetë autorët”edhe antologjia poetike “Lulet në ballkon”, e cila doli në edicionin e “Zërit të Rinisë” më 1982, (pa dyshim ndër antologjitë poetike më të mira për gjysmë shekulli). Aty përfshiheshin poetët të rinj të asaj kohe, si; E. Basha, S. Hamiti, A. Mala, I. Berisha, F. Brovina, F. Selimi, R. Musliu, T. Desku, M. Xhemaili, A. Konushevci etj. Libri u ndalua duke u hequr nga qarkullimi për shkak të biografisë politike të M. Xhemailit.
Mirëpo, në vitin 1985, kishin ndërruar metodat. Regjimi politik i Jugosllavisë kishte vendosur që akteve kulturore të shqiptarëve t’u përgjigjej me zjarr. Aty ku digjen librat.. do të digjen njerëzit. Dhe vërtetë, 7 vite më vonë filloi lufta në ish- Jugosllavi.
***
Fjala artistike nuk digjet…Ajo mund të shihet duke u djegur nën flakët e zjarrit, por nuk ndodhë ashtu, mos i besoni asaj që shihni… Ajo do të rishfaqet përsëri, sepse ka diçka prej Feniksi.
Kështu ndodhi edhe me librin “Katërmbëdhjetë autorë”, të cilin në vitin 2020, e ribotoi Klubi Letrar “De Rada” në Ferizaj. Kështu, ata e morën atë nga dora e “gjyqtarit” të asaj kohe ”… për t’ia dorëzuar në dorë, në këtë rast një gjyqtari tjetër, Lexuesit, për të cilin, N.V. Gogol do të thoshte: “Ai është i vetmi gjyqtar Suprem…”