RILINDJET E POETIT FENIKS

(Ese me rastin e festimit të 65 vjetorit të lindjes së poetit Agim Bajrami)

Nga Fatmir Minguli

I lindur në vitin 1959 në fshatin elbasanas Valas në një familje emigrantësh çamë dhe i rritur në një kohë të mundimshme në qytetin e Cërrikut, ai gjeti ashtu i vetëm hapësirat poetike të cilat vinin si akustika dhimbjesh transcendente nga kodrat e përzhitura të Koskës së Filatit që ende dëgjoheshin klithmat e viktimave.

Kur hapësirat u zmadhuan dhe ndriçimi i poezisë shpirtërore kish marrë hove të reja, i riu poet Agim gjente forca të kapërcente pengesat e mundshme dhe të shqyente “gëmushat” demoniake të kohës e duke kaluar nëpër monopatet ireale iu afrua klubit të shkrimtarëve dhe artistëve të Elbasanit. Me shoqërinë e shpirt ndriturit Milianov Kallupi, në atë kohë një nga mecenatët më të njohur të artit dhe letërsisë, ai u bë shumë shpejt një poet që dallohej tej e për tej hapësirave shqiptare me magjinë e të shprehurit. Kjo ishte rilindje!

Kur poeti Agim Bajrami diku nga fundi i viteve’80 u sistemua familjarisht në Durrës, ai tashmë ishte feniksi i jugut shqiptar i rilindur e i veshur me tisin blu të ballkonit adriatikas. Ishte ky feniks që u bë pjesë konstruktive e rikrijimit të Klubit të Shkrimtarëve dhe artistëve durrsakë dhe që me eksperiencën e madhe të Shpend Topollajt, Piro Mingulit, Gjergj Vlashit etj si dhe asaj të klubit të Elbasanit u bë promotor i rikrjimit.

Poeti festoi një ditëlindje rilindjeje sepse ai tani është drejtues i Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit. Kjo rilindje që nuk ka numër rendor vjen e shoqëruar me një autodiplomë poetike që u botua nga shtëpia botuese 2M dhe që ka titullin “Balada të pambaruara”.

Poezitë e Agim Bajramit në këtë libër jubilar janë bota e re e poezisë moderne mes për mes një transformizmi të pakufi, larg hermetizmit “të mallkuar”. Poezia e tij shëtit në mendjet e shqiptarëve duke hequr kufijtë politikë të trojeve kombëtarë. Janë shpërthime të një poezie moderne që ka sjellë në letrat shqipe spektre të dualizmit, që pak trajtohet sot nga autorë shqiptarë.

Agim Bajrami është sot poet i sferave intelekte ku realja herë bëhet ireale dhe imagjinata tejkalon caqet e qiellit duke lundruar në thellësi të oqeaneve të realizmit magjik duke depërtuar kështu në shtresa të panjohura të vullkaneve ku flenë figura të papara artistike që kanë vetëm një emër gjenetik “Agim Bajrami”.

Poezitë e librit “Balada të pambaruara” janë balada të një shpirti poeti që përjeton jetën e popullit të tij, që ndjen si ajrin e Adriatikut dëshirën e bashkimit të njerëzve. Ai luan me lojën e pambarimit, prandaj baladat edhe pse mbajnë në barkun e tyre historitë e hershme vazhdojnë të jenë preja e Agim Bajramit dhe baladat vazhdojnë…ato vazhdojnë ashtu sikurse herë pas here zbulohen legjenda dhe mite nga bota e madhe e një populli artist siç është bota çame.

Poezia ëndërr është poezia e Agimit dhe ai e di mirë fare se ëndrra dhe realja shpesh takohen jo vetëm në një botë të “çmendur”. Por dualiteti origjinal i poezisë së tij e zgjidh bukur këtë dilemë që është në fund të fundit jetësore jo vetëm e ditëve tona. As një skicë poetike apo ese nuk do ta jepte mesazhin kaq artistikisht se sa poezia ëndërr e feniksit!

Vetëtima është gjithashtu metafora e poezisë për Agim Bajramin. Dhe ajo zgjidh dilemën dualiste jo vetëm në botëkuptimin filozofik por dhe në botën natyrore tokë – det – qiell dhe vetëtima poetike i pajton me një zhdërvjelltësi shoqëruar me subjekte historie të hershme!

Të tilla pohime mund të sjellim për poezitë “Ode dashurie për lumin e vendlindjes” – që është Shkumbin, “Baladë e munguar për Janinën”, një poezi nga më të realizuarat për këtë qytet zulmëmadh, “Paris” dhe “Vetmi peme”. Ato regëtijnë duke sjellë legjendat dhe mitet e jugut të magjishëm dhe krijojnë amalgama me botën jo vetëm durrsake. Kështu poezitë e librit emblematik “Balada të pambaruara” vinë si balada të hershme e të reja jo vetëm në këtë libër por në dymbëdhjetë librat poetikë të tij, botuar rilindje pas rilindje. Dua të shtoj se shtëpia botuese 2M është botuese e disa prej librave më cilësorë të poetit Agim Bajrami.

Ato vazhdojnë ashtu si në këtë libër që nuk është gjë tjetër veçse gjerdani i artë i një jete 65 – vjeçare të shqetësuar të poetit tonë Agim Bajrami.

Leave a Reply

Your email address will not be published.