SHKRIMTARI I NDËRGJEGJSHËM

Cili është roli i shkrimtarit dhe lexuesit të ndërgjegjshëm në shoqëri? Ne, si shoqëri, a kemi shkrimtarë dhe lexues të ndërgjegjshëm. Po, kemi! Kjo duhet të jetë përgjigja që vije me automatizëm. Sepse, shkrimtari po nuk qe i ndërgjegjshëm, atëherë kemi të bëjmë me një entuziast amator, i cili ka qejf të shkruajë, pavarësisht nëse di të shkruaj apo jo! Cili është roli i ndërgjegjes në procesin krijues?

Pra, shkrimtari i ndërgjegjshëm është ai që e përdor talentin dhe aftësitë e tij jo vetëm për të sjellë risi apo për të argëtuar, por edhe për të reflektuar mbi ndikimin e krijimeve të tij në shoqëri dhe mjedis. Së këndejmi, aspekt kyç i ndërgjegjes në krijimtari është aftësia për të kuptuar dhe reflektuar mbi fuqinë e shkrimit si krijim. Çdo ide e hedhur në letër duhet të mbart me vete një potencial të jashtëzakonshëm për të ndikuar shoqërinë dhe botën. Shkrimtari apo krijuesi i ndërgjegjshëm është i vetëdijshëm për këtë potencial dhe i përkushtuar për të përdorur fuqinë e tij krijuese me qëllim që të arrihet një e mirë e përbashkët.

Shkrimtari i ndërgjegjshëm nuk e shikon krijimin e vet si një akt të izoluar, por si një përgjigje ndaj sfidave dhe mundësive që i ofrohen nga konteksti historik, social dhe politik në të cilin vepron. Megjithatë, të jesh shkrimtar i ndërgjegjshëm kërkon jo vetëm vetëdije, por edhe guxim. Personi që i thotë vetes shkrimtar duhet të jetë i gatshëm të përballet me dilema etike dhe të marrë vendime të vështira, shpesh në kundërshtim me interesat meskine të tij, të familjes, të rrethit apo shoqërisë. Ky angazhim moral nuk është gjithmonë i lehtë, por është i domosdoshëm për të siguruar që krijimet e tij të kontribuojnë në një botë më të drejtë dhe më humane.

Në fund, shkrimtari i ndërgjegjshëm është një model për shoqërinë. Shkrimtari i ndërgjegjshëm duke e njohur fuqinë e vet, zgjedh ta përdorë atë për të ndërtuar një botë më të mirë, duke i dhënë krijimeve të tij një kuptim të thellë dhe të përhershëm. Kësisoj, ndërgjegjja dhe krijimtaria bashkohen për të prodhuar jo vetëm vepra të reja, por edhe për të nxitur një evolucion shoqëror që reflekton më të mirën e natyrës njerëzore.

Ky është roli i shkrimtarit të ndërgjegjshëm. E kundërta e këtij, kemi “shkrimtarin” e kotë, i cili këtë zeje e ushtron ngjashëm si gjuetari amator që ngrit kurthe primitive, për të kapur, qoftë edhe një krimb! Sepse, nëpër “evente” që i organizojnë këta gjuetarë brenda kruzhoqeve të veta, duhet të kenë se për çfarë të bisedojnë dhe, nëse nuk kanë kurrfarë afiniteti krijues, të paktën, të kënaqen me krimbat e kërmit të kapur në kurthin primitiv. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.