ROBERT MUSIL PËR ALEKSANDËR MOISIUN

Ai nuk luan një Hamlet që e vret mendjen shumë, as një udhëzues të metafizikës, as edhe një ‘Unë’ të përçarë, apo jo? Por thjesht një njeri fisnik, që do të bëhej hero, nëse fati që i ka rënë mbi shpinë nuk do të qe tepër i rëndë për rininë e tij.

Zimo KRUTAJ

Ai e do mëmën e duhet ta përbuzë, ai ndjen neveri për njerkun, por për këtë nuk mund ta vrasë menjëherë! Skena e fantazmës natyrshëm bëhet si një zë i brendshëm. Te takimi me shokët e tij të studimit bëhet për një çast më i ri. E gjithë kjo ka shkëlqimin e një temperamenti të madh e të errët që vihet re tek ky Hamlet. Ai nuk përpiqet (të jetë), ai është… Ekzistenca e aktorit të madh është: të ngjitet nëpërmjet shembujve… prandaj arti aktorial zbrazet kaq lehtë, imitim pas imitimesh, pashpirt, dinamik, armik ndaj artit. Ai duhet të gjallërohet nga aktorë si Moisiu, të cilët dinë  të lexojnë partiturën.

Krijimtaria  e Aleksandër Moisiut është e përmasave të tilla që, padyshim, do të shërbejë si pikë referimi për kritikët e studiuesit e artit në kohë të ndryshme.  Dimensionet evropiane e botërore të artit të tij aktorial, gjenia e tij krijuese, personaliteti artistik, dhuntitë e rralla e teknika e përkryer e interpretimit, mahnitën e ngjallën admirimin e bashkëkohësve e vijojnë të jenë edhe  sot e gjithë ditën, objekt studimi.

Në këtë fushë, për të njohur e për të kuptuar më mirë thelbin e cilësitë e pashoqe interpretative të këtij mjeshtri të skenës, është përherë e dobishme e me interes  të shihen, të studiohen e të sillen për artdashësit shqiptarë, mendimet, gjykimet e vlerësimet e njerëzve të shquar të kohës për aktorin e madh… e të nxirren përfundime prej tyre. Janë vërtet, jo vetëm të shumtë, por edhe nga më të njohurit e më të afirmuarit, personalitetet e artit e kulturës botërore që kanë shkruar për Moisiun. Mes tyre spikatin kulturologë, shkrimtarë, dramaturgë, regjisorë, kritikë teatri e aktorë. Mjafton të veçojmë emrat e Stefan Cvajgut, Tomas Manit, Maks Brodit, Rainhardit, Stainslavskit, Hauptmanit, Pirandelos, Basermanit apo Viktor Eftimiut e Shaljapinit. Krahas tyre do të renditet edhe emri i shkrimtarit të shquar austriak Robert Musil, mjaft i njohur në Evropë e në botë. Vepra e tij për nga idetë, problematika e niveli artistik përqaset me krijimtarinë e Xhojsit, Prustit e Kafkës. Vetëm kjo do të mjaftonte që ky shkrimtar të mbetej i panjohur e i ndaluar për lexuesin shqiptar për dekada me radhë. Së fundmi, edhe në shqip, janë botuar libra me tregime e novela të këtij prozatori të shquar. 

Robert Musil: shkrimtari dhe romani i tij

Robert Musil u lind më 6 nëntor 1880 në Klagenfurt – Corinzia, Austri. Pas një fëmijërie të vetmuar, studioi në një kolegj ushtarak, më tej ndoqi inxhinierinë mekanike e më vonë kurset e filozofisë e të psikologjisë në Berlin, ku edhe u diplomua. I apasionuar pas letërsisë e filozofisë, u formua si shkrimtar i ardhshëm nën ndikimin e Niçes, Emersonit, Meterlinkut, D’Anuncios, Jakobsenit, Dostojevskit e Oskar Uajlldit. Përpara viteve ‘20-të, nis krijimtarinë, shkruan edhe sprova që e bënë të njohur, për t’iu kushtuar më pas, tërësisht letërsisë. Me ardhjen e Hitlerit në fuqi ikën nga Berlini, kthehet në Vjenë e, pas pushtimit gjerman, shkon në Zvicër, ku qëndron deri në fund të jetës. Më 15 prill 1942 Robert Musil vdes papritur nga hemorragjia cerebrale, teksa gjendej në tryezën e punës.

Ky shkrimtar ka bërë emër në letërsinë botërore me kryeveprën e tij “Njeriu pa vlera” (ose “Njeriu pa cilësi”) roman epope me dy vëllime e katërmbëdhjetë kapituj postumë, e cila, si shumë kryevepra të disa shkrimtarëve të mëdhenj, mbeti e pambaruar. Robert Musil, si shkrimtar progresist trajton dhe shpalos në veprën e tij, me një origjinalitet të spikatur, krizën shoqërore dhe shpirtërore të njeriut dhe të epokës së shekullit XX. Ndër veprat e tjera më të rëndësishme të tij përmenden novelat “Joshja e Veronikës së heshtur” e “Tri gra”, drama “Fanatikët” e komedia “Vincenci dhe mikesha e njerëzve të rëndësishëm”. Sipas shumë studiuesve e historianëve të letërsisë, Robert Musil është padyshim shkrimtari më i rëndësishëm austriak i shekullit të njëzetë. Veçanërisht me romanin e sipërpërmendur, ai diti të shprehë kuptimin më intim e më të thellë të epokës e të shpirtit që e frymëzonte.    

Shënojmë se në Austrinë e fillimshekullit të kaluar, zhvilluan krijimtarinë e veprimtarinë e tyre përfaqësues të mëdhenj të kulturës evropiane e botërore. Aty jetuan, punuan e krijuan Hofmanstal, Karl Kraus, Zigmund Frojd, Stefan Cvajg, Oskar Kokoshka, Gustav Mahler, Arnold Shënberg etj, etj. Emri e vepra e Robert Musilit, qëndron denjësisht pranë tyre dhe është e lidhur ngushtë me Vjenën, kryeqendrën evropiane  të kulturës e artit. Vjena është dhe skena ku zhvillohen ngjarjet e romanit të tij të famshëm.

Musili dhe Moisiu

Shkrimet kritike të Robert Musilit për Moisiun janë rizbulime të viteve të fundit me rastin e botimit të plotë të veprave të këtij shkrimtari. Në qershor dhe në tetor të vitit 1921, Aleksandër Moisiu ka dhënë një cikël shfaqjesh në Folksteatër (Teatri Popullor), i dyti për nga rëndësia pas Burgteatrit në Vjenë. Ky teatër është drejtuar nga një prej regjisorëve më të mëdhenj të teatrit të shekullit të njëzetë, Maks Rajnhard dhe shfaqjet ishin po të repertorit të Rajnhardit. Në atë kohë, Berlini dhe Vjena ishin dy kryeqendrat e skenave ku interpretonte Moisiu.

Për këtë cikël shfaqjesh, Robert Musil, bën një seri shkrimesh kritike në titullin e përbashkët “Moisi-Epilog” dhe si nëntitull “Shfaqja turne e Moisiut në Teatrin Popullor”. Këto shkrime kanë për objekt studimi dhe analize interpretimin e Moisiut në rolet e Hamletit, Otellos e Romeos në tragjeditë homonime të Shekspirit, rolin e Carincenit te “Dhe drita ndriçon në errësirë” e Tolstoit, si dhe figurën e Dantonit te “Vdekja  e Dantonit” e Byhnerit.

Artikujt kritikë të Musilit për Moisiun janë shembuj të një analize të mprehtë, të gjykimit racional, të njohjes së thellë, të koncentrimit të mendimit e sintezës përgjithësuese, të dhëna me gjuhë artistike të denjë për penën e  një shkrimtari të madh. Nga ana tjetër, ato dëshmojnë për epërsinë e padiskutueshme të artit të Moisiut, që tashmë kishte pushtuar skenat e Evropës dhe ishte bërë një fenomen artistik. Pikërisht të tillë, si një fenomen artistik e trajton Moisiun, Robert Musili. Veçanërisht në përfundimet që nxjerr e vlerësimet që bën lidhur me rolet shekspiriane të luajtura nga artisti i madh.

Moisiu si …Hamlet, Romeo, Otello

Për interpretimin e Hamletit nga Moisiu, Musili shkruan: “Ai nuk luan një Hamlet që e vret mendjen shumë, as një udhëzues të metafizikës, as edhe një ‘Unë’ të përçarë, apo jo? Por, thjesht një njeri fisnik, që do të bëhej hero, nëse fati që i ka rënë mbi shpinë nuk do të qe tepër i rëndë për rininë e tij. Ai e do mëmën e duhet ta përbuzë, ai ndjen neveri për njerkun, por për këtë nuk mund ta vrasë menjëherë! Skena e fantazmës natyrshëm bëhet si një zë i brendshëm. Te takimi me shokët e tij të studimit bëhet për një çast më i ri. E gjithë kjo ka shkëlqimin e një temperamenti të madh e të errët që vihet re tek ky Hamlet. Ai nuk përpiqet (të jetë), ai është… Ekzistenca e aktorit të madh është: të ngjitet nëpërmjet shembujve… prandaj arti aktorial zbrazet kaq lehtë, imitim pas imitimesh, pashpirt, dinamik, armik ndaj artit. Ai duhet të gjallërohet nga aktorë si Moisiu, të cilët dinë  të lexojnë partiturën.”

Komenti ynë mbi këtë pjesë do të qe i tepërt. Po nënvizojmë vetëm theksimin e temperamentit të veçantë të aktorit, që edhe nga kritikë të tjerë bashkëkohës është vënë re te Moisiu. Interes të veçantë paraqet përqasja e këtyre vlerësimeve me gjykimin e mësipërm: Maks Brodi shënon efektin e mrekullueshëm të artit magjepsës të Moisiut dhe thekson: “Hamleti është shkruar për Moisiun dhe Moisiu ka lindur që të interpretojë Hamletin dhe vetëm ai të interpretojë Hamletin!”. Feliks Salteni e quan rolin e Hamletit “shkallën më të lartë që ka dhënë përsosja artistike e Moisiut…” dhe se “ai rroku menjëherë konceptin gjenial dhe krejt njerëzor të kësaj figure të pavdekshme”.

Në kohën kur Robert Musil bën vlerësimet e tij, Mosiu ishte formuar plotësisht si artist i madh i teatrit shekspirian. Falë forcës së tij gjeniale e talentit të tij të rrallë,  përvojës dhe pjekurisë artistike, ai mund t’i lejonte vetes ta kapërcente Shekspirin. Besojmë se këtu e ka fjalën Musili ku shkruan për Moisiun në rolin e Romeos: “Moisiu… e mposht figurën. Ai luan një vëlla jugor të Hamletit të tij, një riosh të rrëmbyer, më shumë të vetësigurt, erotik, që gjithsesi, atij i ishte stamposur në fytyrë. Ngjashmëria nuk qëndronte në shpirt, por në mish, në zë, në të pavullnetshmen, në rrethin e dukjes… Por një (Romeo) të tillë, të sendërtuar me penel modern, Shekspiri nuk do të kishte të lehtë ta përshkruante”.

Në galerinë e roleve shekspiriane, të realizuara nga Aleksandër Moisiu, është dhe roli i Otellos. Për interpretimin e Moisiut në këtë rol, nga kritikë të kohës, janë bërë vlerësime të ndryshme, jo gjithnjë pozitive. Në kundërshtim me këto të fundit, për Robert Musilin, Otello i Moisiut është ”një qenie e veçantë, një qenie magjike arti, një kafshë përralle, (që) kishte gjetur një gur të çmuar, një copë xham vezullues, e mbante atë në grusht dhe e shikonte gjithnjë e më shpesh, ashtu si gjithë të çmendurit e botës. Dhe kjo ishte Desdemona.”

Shkrimtari austriak, me gjykimin e një njohësi e kritiku shijehollë, nënvizon në artin e madh realist të Moisiut – Otello, një figurë të ndërtuar me zgjuarsi, thekson aftësinë në zbërthimin e trajtimin e veçantë të karakterit, forcën e talentit që shpesh arrin përmasa të tilla, për të cilat ai është i mendimit se  “ne duhet t’i njohim edhe kur nuk i kuptojmë.”

Mjeshtri i penës për Mjeshtrin e skenës…

Vëmë re se, përveç analizës koncize, por të mjaftueshme, pa hyrë në detaje të hollësishme, me penelata të shpejta, Musili bën vlerësime për dhunti, karakteristika e cilësi të qenësishme të artit të Moisiut. Pa u ndalur te gjuha e vlerat e larta shprehëse e profesionale të shkrimeve të një mjeshtri të penës – për një  mjeshtër të skenës, këtu po citojmë, shkurt, disa shembuj nga të cilët mund të nxirren lehtësisht përfundime. Për madhështinë  e interpretimit: “Moisiu është në mënyrë të paimagjinueshme i bukur. Këtu natyra ka vendosur një kufi, të cilin mendja njerëzore e kapërcen vetëm indirekt ose nuk e kapërcen fare. Por, mendja dhe interpretimi i Moisiut duket sikur e kapërcen këtë kufi:”(në rolin e Romeos). Për zërin e aktorit, Musili shkruan: “Vetë muzika magjike e zërit të tij është një muzikë e bukurisë së copëtuar”. Për plastikën: “ Gjestet e tij kanë diçka gjysmë të rritur, gjysmë të endur…, ato flakërijnë me gjallëri, gjarpërohen atje tej, thurin flamuj të zjarrtë, pastaj fundosen përsëri në ëndrrën e lëmuar,” ( në rolin e Hamletit). Për përkushtimin: “Moisiu luan me patos fund e krye” (në rolin e Dantonit) etj.

Më tej, në shkrimet për turneun e shfaqjeve të Moisiut në Volkstheatër, Musili vlerëson arritjet e suksesin e këtij aktori të pakrahasueshëm në rolin mjaft të vështirë të Dantonit në pjesën “Vdekja e Dantonit” e G. Byhnerit dhe në rolin e Carincenit në pjesën “ Dhe vdekja ndriçon në errësirë” e L. Tolstoit. Përmbajtja e këtyre shkrimeve na duket me interes, jo vetëm për vlerat njohëse e këndvështrimin origjinal, por edhe për ndihmesën që sjellin në zbulimin e rivlerësimin e cilësive dhe aftësive interpretative skenike të artistit të shquar.

Në mbyllje….

Besojmë se shkrimet e shkrimtarit të shquar austriak Robert Musil për Moisiun nuk janë të vetmet që nuk njihen ndër ne. Me gjithë punën e bërë nga studiuesit tanë, në bibliotekat dhe arkivat e teatrove të qyteteve (Vjenë, Berlin, Pragë, Shën Petërsburg, etj.) ku luajti e krijoi Aleksandër Moisiu gjendet një pjesë e pazbuluar e trashëgimisë së shkruar për jetën e veprën e këtij gjeniu të skenës. Rrahja e gjoksit e krenaria jonë  për origjinën e tij shqiptare na vë domosdoshmërisht përpara një detyrimi të madh. Kërkimi, zbulimi, studimi i thelluar e sistemimi me kritere shkencore i kësaj trashëgimie, është në nderin dhe detyrën e institucioneve tona të shkencës, kulturës e artit si dhe të studiuesve të artit të aktorit.

Në këtë kahe, një punë të vlershme bën “Fondacioni Aleksandër Moisiu”, arkivat e të cilit u shfrytëzuan për këtë punim që nuk është gjë tjetër, veçse një qasje modeste ndaj vlerësimeve të një shkrimtari të mirënjohur si Robert Musil për bashkëkohësin e tij të madh, aktorin Aleksandër Moisiu.

Leave a Reply

Your email address will not be published.