ROBI

(Manual tregues mbi gjendjen e errët të racës shqiptare )

Fehmi AJVAZI

Të gjithë njerëzit lindin të lirë në natyrë. Liria natyrore, ligjet natyrore dhe gjithçka tjetër, qenien njerëzore e formaton si unike, të papërsëritshme. E mandej, fati i çdo qenie varet nga ambienti që i takon, raca, gjinia, kombi etj. Përcaktuesi i tij, natyra, vendos për te. Natyra na i jep të gjitha atributet, ende pa lindur dhe disa të tjera! Por, nuk janë të gjitha. Këto “të tjerat” përcaktohen nga kushtet dhe rrethanat shoqërore, si dhe ato juridike e shtetërore. Mes ligjeve natyrore dhe atyre shoqërore, derivati njerëzorë, e përcakton fatin e tij. Në fakt,“unë, ti, ai tjetri, ata etj.”, varet se çfarë ideuan, si u zhvilluan, sa u zhvilluan dhe sa sakrifikuan për vetën e tyre, dhe çka lanë trashëgim.

Kështu disi, mbi ligjet natyrore erdhën duke dominuar ligjet shoqërore. Soji i dominimit, në fillim qenë sjelljet e formuara, rregullat, normat, zakonet etj., të cilat, pas vitit 1648, kur zuri fill shteti modern, gradualisht ua lëshuan vendin ligjeve shtetërore.Fatkeqësisht, në shekuj e mëhershëm, mbase para erës sonë, u klasifikuan disa kategori shoqërore, që domethënë disa klasa shoqërore. Kështu, zhvillimi shoqërorë nga domosdoshmëria dhe presioni i zhvillimit, pranoi “ndarjet” si mundësi ekzistenciale, dhe si nevojë e konkurrencës zhvilluese. Lindja e tipeve të para të organizuara, qytet – shtetet, dhe pastaj mbretëritë,perandoritë etj., idhanë kuptim filozofisë jetësore të njeriut. Lindja e religjionit, hapi etapë të re zhvilluese. Dhe kështu, me kalimin e kohës, përfundimisht, normat natyrore erdhën duke e humbur kuptimin, mes normave praktike-shoqërore, dhe atyre hyjnore.

Demonstrimi i lirisë, hyri në faza të reja. Iluminimi si mënyrë jetese, konkurrenca, luftërat etj., u dhanë shtysëkategorizimeve shoqërore. Prandaj, pa vazhduar më tej në histori, këndej klasës më të lartë, asaj aristokrate, dy qenë klasat e fundme: shërbëtorët (skllevërit) dhe robërit (të izoluarit, të kapurit në luftë, të detyruarit, të pushtuarit etj.)

Fatkeqësisht, duke qenë se zhvillimi njerëzorë mori me kohë formatin e “piramidës”, këto dy klasa pa statut dhe me statut shoqërorë, ishin gjithmonë shumicë shoqërore. Pra, nëçdo formacion shoqërorë. Mund ta merrni me mend zhvillimin e tyre: qoftë nga pikëpamje mendore dhe edukative, dhe qoftë nga pikëpamja e veprimit dhe e zhvillimit! Dinamika e mëtejme, “koha dhe hapësira” për këto kategori, pothuajse nuk ka ekzistuar. Do t’i përkufizoj ose do t’i fus të gjitha këto kategori shoqërore në një “thes” dhe do t’i quaj ose etiketoj sipas mendimit-shprehjes-fjalës” “rob”! Ç’kuptojmë me këtë fjalë ?

Fjala “rob” vjen nga periudha e skllavopronarisë, koha kur pronarët dhe skllevërit njiheshin si dy kategori: të parët sundues, pronarë, dhe të dytët shërbyes, kategori pa asnjë të drejtë, skllevër…! NezirMyrta, një publicist, thotë se “fjala rob, rop shpreh vuajtje, ropje lëkure nga puna e vështirë, ropje e deri tek –rob – zoti, rob – shpije, rob- ushtrie, rob – lufte etj”Pra, bëhet fjalë për qeni njerëzore, kategori shoqërore pa të drejta, pa liri, i dirigjuar, i komanduar, i shfrytëzuar etj. Për t’i rënë më shkurt çështjes, derivimi i dikurshëm natyrorë, nuk ka pasur “fat” të mirë kur është në pyetje qenia njerëzore: padyshim, shumica e saj. Ndryshe nga periudha e vrazhdët historike e skllavopronarisë, etapat e ardhshme derivuan në shtresime të tjera, si rezultat i krijimit të “forcës” si mjet në arritjen e qëllimeve. Luftërat e dominuan tërësinë njerëzore dhe mileniumi i dytë pati si prolog e epilog të përgjithshëm “Zotin e luftës”!

Mileniumi, nënkupton një 1000 vjeçar. Mes tij, e gjejmë racën tonëiliro-shqiptare: të ndrydhur deri në mbijetesë! Nuk na shkon tjetër gjë, pos fjalës “i robëruar”, “robëri”, “rob”…! Kot themi ndryshe, pavarësisht se kemi të drejtë kur i referohemi mileniumit të parë, ose kohës para Krishtit! Ama, pse të shkojmë aq larg? Bile, do doja të nisesha nga vitit “1648”. Por qe do: ne duhet ta shprehim fatkeqësinë kolektive me fakte: viti “1054”, përbënë fatkeqësinë më të madhe dhe teposhtëzen pa kthim!

Të përkushtuarit mbi të kaluarën, mbi sakrificat, fenomenet, historisë etj., i dinë këto data dhe të tjerat në mes, ndërsa qëperiudha e gjatë e rrënimit, nënkuptohet vetëm me shprehjen – fjalën “rob“, sepse s’ka tjetër mënyrë për t’u kuptuar e kaluara. Pra, ne ishim “robër” të një mileniumi, pavarësisht trashëgimisë së madhe nëçdo kuptim! Robëria zgjati shumë, aq shumë sa e solli nëzgrip të ekzistencës qenien tonë. Është alogjike të themi apo konstatojmë, por ne mbijetuam falë kthimit dhe ndërtimit të lidhjeve me të natyrshmen: pra, me “botën e natyrshme” – me ligjet e saj. Të tjerat gjëra, si sjelljet, rregullat, traditat, zakonet, ishin të gjitha derivate tëlirisë natyrore. Pse? Kjo ishte e vetmja mundësi, kundrejt sakrificave në terren për mbijetesë dhe ne e humbëm hapin, pa vullnetin tonë me zhvillimet shoqërore, me ligjet shoqërore, më format organizative të karakterit shoqërorë, me ligjet shoqërore, me praktikat shoqërore etj.    

Si mendojmë ne sot, si shprehmi, si sillemi, si vendosim, si veprojmë…?

Nuk është e turpshme të konstatojmë se mezi qëndrojmë nëkëmbë, rrëzohemi përditë, nuk mendojmë lirshëm dhe kthjellët, nuk sillemi si të ekuilibruar, nuk vendosim me konsistencë dhe drejtë, nuk veprojmë qysh duhet: mbarë, fuqishëm, me gjykim të qartë etj. Vetëmohimi për t’iu kthyer tëkaluarës, sot nuk kërkohet sepse edhe është i pamundshëm, por “vetëmohimi” për korrigjime dhe redaktime shoqërore e kombëtare, do t’ishte gjëja më sublime. Nuk është e turpshme kujtesa, pendimi, e vërteta, por të turpshme janë aktrimet, improvizimet, mashtrimet etj. S’i mund të zbresim në “panteon” ose si mund të kthehemi atje?

Nuk është mizore dhe as antishoqërore, aq më pak antikombëtare ta përdorim logjikën e “shqiponjës”, atë “momentumin” e saj kur ajo, në moshën “40 vjeçare”, e bënë me fuqi e trimëri “reinkarnimin e dhimbshëm fizik” të trupit të saj! Çfarë dua të them? Se, duke mos e jetuar më tej “manualin” e robit, atëherë na duhet “sakrifica e shqiponjës”!

E kemi shumë më lehtë, absolutishtshumë më lehtë se shqiponja!Qysh e kemi më lehtë? Bie fjala, të mos sillemi si robi: me logjikën dhe filozofinë e tij. E para, të krijojmë ‘sjellje dhe rregulla’ brenda nesh që janë kompatibile me shoqëritë e tjera, ato të përparuarat. Dhe kjo fillon nga dhomat e shtëpisë, aty ku jetojmë, pastaj nga oborri i shtëpisë, banesa, rruga, kafeneja etj. E dyta, pse të fillojmë nga këto celula jetese? Sepse, robi ka problem se si të sillet në shtëpi, në familje, në rrugë, në kafene etj. Pse robi ka probleme të këtilla? Sepse, ai e ngatërron konceptin e lirisë, i ngatërron ligjet natyrore me ato shoqërore, ligjet shoqërore me ato hyjnore etj. Qysh sillet njeriu si rob, ta zëmë në këtë kohë kur ka filluar mileniumi i tretë? Sillet edhe mirë, madje bash si një rob: sepse ka problem t’i kuptojë normat dhe ligjet shoqërore, ato juridike, shtetërore. E para, nuk i paguan taksat, sepse ai kujton se ende jeton në kohën e skllavopronarisë dhe, këtë punë ia lë shtetit, ose ankohet te shteti! E dyta, s’kupton nga politika, sepse ende kujton se është në periudhën para shtetërore! E treta, kërkon gjithçka nga tjetri, nga shteti, ankohet, aktron, përbaltë, mashtron etj., dhe të gjitha këto manare e huqe i ka në mendje dhe instinkte, sepse s’ka pasur kurrë shtet të vetin! E katërta, në fund të ditës “të gjitha mëkatet e bëra dhe të pabëra”, gjykon t’ia lë si barrë perëndisë – zotit, kuptohet duke u përpjekur ta gënjejë e mashtrojë edhe hyjin! E pesta, robi nuk e do artin, kulturën, të bukuren, të madhërishmen,sepse ai si ka poseduar ato, si ka shijuar, si pa pasur pronë të tij kurrë! E gjashta, robi nuk lexon, e keqja më e madhe e tij, dhe ai gjykon se i mjafton një libër: e ai libër, është njëri prej librave të shenjtë! Pra, robi nuk e vlerëson librin, mendimi dhe sjellja e tij më e shëmtuara e mundshme dhe kështu, ai nuk ka bibliotekë në shtëpi. E shtata, robi nuk i çmon të arriturat, institucionet, vlerat, cilësitë etj. Robi mjaftohet me bukën e përditshme, dhe me ditën që vjen nesër! E teta, robi beson se bota u krijua për shtatë ditë, dhe se në ditën e tetë, bota mund të shkatërrohet që nesër, prandaj ai mjaftohet me botën e përtejme…

E robi, në këtë rast raca jonë, ka probleme të mëdha të këtilla: qoftë nga trashëgimia e madhe e jetës nën robëri, dhe qoftë nga pasojat e mëdha të robërisë. Të dyja bashkë e përkufizojnë aktualitetin dhe kjo, më në fund, nuk është e turpshme të thuhet saktë. Robi nuk e pranon këtë “manual” dhe kërcen si zorra në prush, në kundërshtim të tij, por gjendja jonë e tregon të kundërtën…!

Leave a Reply

Your email address will not be published.