ROMAN I VETMISË, NGUJIMIT DHE I BURGIMIT

Teki Dërvishi: PIRGU

Ne vitin 1972 Teki Dërvishi do të shkruante romanin Pirgu i Lartë. Nëntë vite para romanit Herezia e Dërvish Mallutës dhe 21 vite para romanit Palimsest Dush Kusarit. Pra shumë përpara herezisë së tij dhe Palimpsestit, figurativisht mund të themi se u rrënua Pirgu më i lartë i ndjenjës së autorit Teki Dërvishi. Pirgu i lartë është romani i parë i tij, në rendin e krijimtarisë së tij prozaike

Adriatik ZEQIRI

Ahmarrje është fjala kyçe e romanit e cila mëton të përcaktojë një rrafsh tematik, që është ai i gjakmarrjes, një nga temat e mëdha të letërsisë shqipe (temë e cila ishte e pranishme në letërsinë e Kosovës të kohës, kujtojmë këtu romanet e Adem Demaçit e Nazmi Rrahmanit). Ahmarrja është në vijimësi të gjithë tekstit, herë si revoltë e herë si frikë. Herë si shpërfaqje etnopsikologjike e herë si kundërshti ndaj sistemit. Kjo do të ishte përzgjedhja për të vendosur pastaj situata të ndryshme në atë shtresimin e vazhdueshëm që prodhon ide dhe mesazhe të tjera të cilat do të tentojmë t’i identifikojmë në vrojtimin tonë.

Po themi frikë dhe revoltë ngase Teki Dërvishin e shohim si autorin që letërsinë e sheh si shpërfaqje në këto dy rrafshe, një frike të vazhdueshme për ekzistimin e qenies së veçantë dhe një njeri që në vazhdimësi duke përdorur mjetet e veçanta që të lejon gjuha e fiksionit, të sjellë situata të kundërshtimit të sistemit nga i cili pësoi edhe personalisht në moshën e re, duke përjetuar burgun. Andaj burgu na del ne të tri romanet e lartë-cekura. Është i pashmangshëm. Siç është e pashmangshme ndjenja e vetmisë, dëshira për të ikur prej saj dhe jeta brenda saj.

“Sëmundje. Kob. Diçka e ftohtë dhe diçka e shkuar, si hije, e bënte të qëndrojë akoma, e bënte të rrijë aty, më shumë të dëshmojë se çdo gjë e ka fundin e vet, asgjësimin, se kalbja dhe prishja nuk është diçka që ndodh, por është diçka që i takon asaj dhe njeriut – si fati i zi, prej të cilit është i gjykuar dhe prej të cilit nuk mund të ikë. Nuk di prej nga e shikoja: nga brenda prej divanhanes, apo së brendshmi lëkurës sime. Diçka jashtë meje dhe jashtë kësaj ngushtësie, pamëdyshje – shkatërrohej, humbiste. Kërcitnin trarët e zi në tavan, diçka si shpirt i zgjuar kaluronte, terri aty e gjente strehën e vet, e ftohtësia e krijonte krejt vetveten e saj. Njeriu i dënuar.

Njeriu i dënuar dhe ky përshkrim kaq poetik po të shikohen kështu të shkëputur të japin tablonë komplete të burgut dhe asgjë më shumë, pra hija e burgut e të burgosurit, terri sëmundja dhe kobi që sjell një diçka e tillë, por që duke qenë se ishte i sulmuar nga censura e kohës kjo duhej mbuluar si pamje, megjithëse dëshmia është aty si figurë që pret për t’ u dekoduar e deshifruar.

Por, kjo gjithashtu ndodhte edhe në ngujimet e famshme të gjakmarrjes, ku burrat sapo kalonin në moshën madhore duhet të respektonin një kod të pashkruar të transmetuar verbalisht, herë si kod burrash herë si Kanun e shumë forma të tjera, për të qëndruar brenda një konvence që mbante mbyllur njerëzit me vite brenda shtëpive të tyre derisa gjenin vdekjen nga dora e hasmit, për një vrasje të ndodhur ndonjëherë dhe gjithashtu prisnin radhën të shndërroheshin në vrasës për të marrë gjakun.

(…)

Rrëfimi vendoset në veten e parë, gjithçka dëshmohet nga sytë vëzhgues të një fëmije, nga një rrëfimtar simbol. Dialogu bëhet mes rrëfimtarit dhe Xha Lazrit, një person i afërt i familjes që kishte barrën morale të mbikëqyrjes së fëmijës dhe në fund edhe me Palokën që është vëllau i madh. Babai është i vrarë nga hasmi dhe kjo kuptohet në fillim. Pra, situata e paraqitur duket shumë më e thjeshtë në strukturën e parë të rrëfimit. Përshkrimi i një familjeje në hasmëri për shkak të një vrasjeje të ndodhur, situatë aq e pranishme në etnokulturën shqiptare dhe me pasoja kombëtare në periudha të caktuara.

Gjithçka fillon me tregimin për mungesën e Xhixhës, nënës së vdekur dhe me shpirtin e dikujt që sillej në shtëpi për ta mbajtur peng, e ajo ishte hija e babait të vrarë. “ Me një copë dërrase të vogël e patën çuar, dhe me një bucë dheu e patën mbuluar.” I vetëm në shtëpinë e braktisur nga dy vëllezërit (Paloka i burgosur dhe Moni i ikur në kurbet), me babanë e vrarë dhe nënën e vdekur dhe larguar nga shoqëria, i vetmi bashkëbisedues është Xha Lazri, një personazh simbol që del tipik nga rrëfimi etnokulturor shqiptar për të krijuar edhe një referencë tjetër kulturore. Bashkëbisedimi është në funksion të njohjes dhe zbulimit të misterit, ndërsa rrëfimi është në funksion të shpërfaqjes së urrejtjes, trishtimit dhe krijimit të diskursit tragjik.

“- Nuk do ta mbysin – më pat thënë Xha Lazri, – sepse asgjë nuk ka folur, asgjë nuk ka thënë.

– Po çka ka bërë?

– Ka vjedhur.

– A ka vjedhur edhe babai?

– Jo ai ka folur, u ka treguar njerëzve për çdo gjë që ata dinë dhe për të cilën nuk duhet të bisedosh…”

Të tregosh për atë që njerëzit dinë, por për të cilën nuk duhet të bisedosh, do të thotë që të mos i bindesh censurës, do të thotë që të biesh ndesh me sistemin që do të mbajë në kontroll, sistem shtypës tipik si ai monist i Jugosllavisë së viteve kur po shkruhej romani. Kjo mund të jetë shpërfaqje e një niveli personal të rrëfimit, ku Teki Dërvishi na jep një dromcë nga përndjekja e tij që i kishte ndodhur në jetën personale.

Këtu fillon shumështresimi tematik, nga një gjuhë me elemente alegorike të shprehjes, ku momentet e caktuara mbartin ngarkesë semantike të ndryshme. Pra qysh në romanin e parë të tij Teki Dërvishi provon që të i kundërvihet së pari stilit të krijimit të kohës po se po, por edhe të dërgojë shenja të dallueshme të përshkrimit dhe të denoncimit të një sistemi dhe një shoqërie.

“ Skam mundur të fluturoj e ta shkoj një jetë prej ëndrre. E kam lëshuar vetën në ndryshkjen e saj duke qenë i bindur në drejtësinë, askund të pashkruar: isha gjykuar të mbes aty, me krimbat dhe insektet që përtëriheshin.

Me mendje, njeriu s’ka mundur ta çlirojë veten prej fatkeqësisë as prej kobit, as prej asgjësimit, as prej kalbjes. Bashkëqytetarët mendonin se ndryshe nuk shkohet jeta, prandaj aty, mes gërmadhave, ku futeshin me minj, kanë lindur, janë sëmurë dhe kanë vdekur.”

Bashkëqytetari i tij ishte mësuar dhe pajtuar me fatin e tij tragjik, dhe endej ne qerthullin e disa konvencave të padrejta të imponuara nga sistemi dhe përbrenda tyre shtypej e i shkatërrohej jeta e tij duke mos bërë pothuajse as tentimin më të vogël për të ndryshuar atë gjendje të mjerueshme. Vetë shpërfaqja e kësaj mbart në vete përbrenda diskursit ne mënyrë të pashmangshme ironike revoltën e brendshme për një gjendje të tillë, për një apati shoqërore që pranonte të shpërfytyrohej nga të qenët njeri me dinjitet. Bashkëqytetari nuk është shqiptari, si në krijimet e autorëve të tjerë, ai i tillë mund të identifikohet vetëm brenda disa kodeve ligjërimore që kanë ngarkesë kulturore. Temat e bëjnë të tillë ose më saktë të ngjashëm.

Gjakmarrja, kurbeti, familja, burgu e vetmia, këto do të identifikoja si tema përbrenda një diskursi tragjik. Gjithçka do të mbyllet me vrasjen e Palokës për hakmarrje. Një vrasje e padrejtë. Ai nuk e kishte vrarë hasmin, ai vetëm kishte shtirë mbi atë, pa dëshirën për vrasje, kishte shtirë për të kthyer dinjitetin përpara njerëzve, për të fituar një status social tjetër. Por kjo e ka futur në atë që e njohim si faj tragjik për të mos arritur që t’ i ikë fatit të tij mizor.

“Monit i shkruan telegram: “Eja vdiq”, kurse ai do ta dijë se e kanë vrarë, se kanë shtënë në të. Dora gjakësore, dora e huaj e vëllaut tim, ka shtënë.”

Pra vrasja ndodhte brenda sojit, por dora e huaj është struktura tjetër e rrëfimit që për ata që janë të njohur me kulturën shqiptare fare lehtë do ta identifikonin si gjendje. Pretendimet se deri te gjakmarrja arrihej për arsye të nxitjes nga jashtë në mënyrë që të shkatërrohej qenësia shqiptare, sidomos në kohën e Jugosllavisë, kanë qenë të shumta. Pra, hasmi në vetvete nuk ishte ai që vriste, po një dorë e huaj që vriste për të.

“Kanosje kobi. Sikur do ta hamë veten. Kjo me asgjë nuk mund të shpaguhet. Mirë the – megjithatë vrasim. Por ne nuk e vrasim të huajin. Kurrnjëherë, që kur ekziston kjo tokë dhe ky qiell, nuk e kemi bërë këtë. Ne po e vrasim vetveten. Ne s’ jemi vrasës. Po kobi. Diçka e zezë si kurorë mbi kokat tona. Diçka – futë. Mordje. Tmerr.”

Megjithatë, këtë interpretim të tillë do ta bënim me anë të vetëm një reference e që ka të bëjë me biografinë e autorit të tekstit, përndryshe teksti i përmbahet rreptësishtë kodit rrëfimtar të papërcaktueshmërisë së vendit dhe kohës historike duke iu përmbajtur një kohe të caktuar të rrëfimit. Pra, gjithçka që dimë është një qytezë që ka një Pirg të lartë që disa mendonin që u ndërtua për t’ i bërë hije luleve.

Personazhi rrëfimtar që është djali i vogël, Xha Lazri në pjesën e parë të romanit si tregim për të kaluarën dhe Paloka në pjesën e dytë si dëshmi e së tashmes, e fatit tragjik, në funksion të një katarse të mundshme. Kjo është struktura e rrëfimit dhe formale e romanit të parë të Teki Dërvishit që do ta kanalizojë prozën e tij në një prozë të alegorisë e ironisë në krijimet e mëpastajme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.