ROMANET E HAN KANG

Jeni kurioz për laureaten e letërsisë së vitit 2024, Han Kang, por nuk jeni të sigurt se cilin nga librat e saj të merrni më parë, Steve Sem-Sandberg nga Akademia Suedeze jep rekomandimet e tij…

VEGJETARIANIA: është romani i cili fitoi çmimin “International Booker Prize” në vitin 2016. Është historia e një gruaje koreane e moshës së mesme, e cila një natë befas vendos të mos hajë më mish. Vetë vegjetariana hesht në roman. Historia e saj tregohet në tre rrëfime të ndryshme nga i shoqi, kunati dhe motra e saj e madhe (në atë radhë). Reagimet e tyre të ndryshme, nga neveria te magjepsja seksuale dhe zilia helmuese, janë në kontrast të thellë me refuzimin memec të vetë gruas për t’u tërhequr ose për të pranuar ndonjë faj për turpin që i ka sjellë familjes së saj. Nëpërmjet këtyre përgjigjeve ne marrim një portret të mprehtë të një shoqërie patriarkale, të fiksuar nga karrierizmi dhe normat e konventat shoqërore të ngurta ndonjëherë dhe tiranike.

MËSIMET GREKE: ky roman i shkurtër, por intensiv dhe depërtues psikologjikisht, është një portret intim i dy individëve që kanë humbur, ose janë në proces të humbjes se hallkave më vitale që i lidh me botën e jashtme. Pasi ka vuajtur nga abuzimi në familje, protagonistja femër është tërhequr në heshtje, ndërsa protagonisti mashkull dalëngadalë humb shikimin për shkak të një sëmundjeje trashëgimore. Për të rifituar aftësinë e komunikimit, gruaja ndjek kurse në greqishten e vjetër – pasi një gjuhë që nuk flitet më nuk mund ta lëndojë atë – ndërsa burri që humb shikimin është mësuesi i saj i greqishtes. Një lloj historie delikate dashurie. Romani gjurmon përpjekjen e tyre për ta kapërcyer nëse jo kështu, të paktën të përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët në humbjen e tyre të përbashkët. Është gjithashtu një libër për gjuhën, se si fjalët mund të na ndihmojnë t’i japim formë dhe kuptim botës sonë të jashtme dhe të brendshme, por edhe të shkëpusin dhe shkatërrojnë atë që është më delikate te të gjithë ne: identitetin tonë.

VEPRAT NJERËZORE: Ashtu si në romanin e saj të fundit, “Ne nuk ndahemi”, i planifikuar për botim në anglisht në janar 2025, “Veprat njerëzore” hedh një vështrim të zhdrejtë, por të frikshëm dhe plotësisht bindës në të kaluarën jo aq të largët të vendit të saj. Nëpërmjet shumë këndvështrimeve të ndryshme gjithnjë e në ndryshim, të cilat krijojnë një pezullim tregimtar pothuajse të padurueshëm, romani tregon jetën e shumë njerëzve ose duke marrë pjesë, ose si viktima të kapur pafajësisht në një kryengritje studentore në maj 1980 në qytetin e Gwangju, ku autorja kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme, një kryengritje që u shtyp brutalisht nga junta ushtarake e atëhershme në pushtet. Ashtu si në shumë vepra të tjera të saj, kufiri midis dhunuesit dhe viktimës, trupit dhe shpirtit, apo edhe midis të gjallëve dhe të vdekurve, është i luhatshëm, gjë që pasqyrohet në një gjuhë sa të drejtpërdrejtë dhe delikate. Han i jep në këtë dhe në disa romane të tjerë një kuptim të ri shprehjes “të jetosh me të kaluarën”, e konsideruar si mbetje e një realiteti që as nuk mund t’i shmangesh dhe as t’i rezistosh. Nëpërmjet veprave të saj letrare të ndershme dhe vërtet mahnitëse, ne jetojmë dhe rijetojmë vazhdimisht të kaluarën tonë. (www.nobelprize.org)

Përgatiti: Fitim Nuhiu

Leave a Reply

Your email address will not be published.