ROMANTIZMI NË KUFIJTË E TË PËRLIGJSHMES

Mënyra e rrëfimit lirik të përrallës, poetika e saj, i dhanë shkas autorit të dallohej në këtë plejadë shkrimtarësh, në të cilën hyri dhe u radhit. Gjyli krijoi pa vonesë individualitetin e tij krijues, që do ta thellonte nga njëri vëllim me përralla në tjetrin

Xhahid BUSHATI

Krijimtaria për fëmijë e shkrimtarit Teufik Gjyli ka si zanafillë dhe shtysë të mëtejshme që nuk iu shkëput, realitetin e të parëve të tij, që lindën në Ulqin. Ai zë i hershëm, i përhershëm dhe i paplakur, thirrës brenda vetes dhe gjallërues në vetëdijen e tij, është pjesë e biografisë jetësore dhe artistike të shkrimtarit, ku “… menjëherë emri lidhet me vepra letrare, madje me forma të veçanta, duke pretenduar një njësim të autorit me veprën.” Është kjo arsyeja, që në kujtimet e tij të çmueshme dhe të patjetërsueshme që lidhen me rrënjët prindërore, në mes të tjerave thotë:”unë provova për të shkruar bukuritë e një qyteti të vogël bregdetar të Kolkasve të vjetër, meqë nga ai qytet ishin prindërit e mi, edhe nëna, edhe baba. Edhe unë vetë, vegjëlinë për disa vite, e kisha kaluar në kalanë e atij qyteti e, gjithkund, bregut që prej gjeranave e deri në Lima. Kuptohet se ky qytet është Ulqini”.

Kjo bukuri mahnitëse bregdetare me hiret e misteret e saj, të cilat fshehën së thelli në kohë edhe elementë mitologjikë, gojëdhënarë, fantastikë, legjendarë, mrekullitarë, etj., elemente që në procesin krijues të shkrimtarit Teufik Gjylit gjetën pasqyrim më të gjerë e të dukshëm në gjininë e përrallës. E lëvroi me sukses, i dha asaj tipare të mëvetësishme, veçanti e origjinalitet. I përfaqësuar kryesisht me këtë gjini, ku dhe ka arritjet më të mira, (më vonë dhe me tregimin) dha një kontribut të rëndësishëm në krijimin, formimin dhe pasurimin e mozaikut të traditës së re të letërsisë për fëmijë e të rinj, traditë që “… u krijua… me përpjekjet dhe pasionin e nisiatorëve të parë të kësaj krijimtarie, … Q. Guranjakut, Z. Sakos, H. Stërmillit, T. Gjyli, S. Çomorës, D. Siliqit e të tjerëve.”

Mënyra e rrëfimit lirik të përrallës, poetika e saj, i dhanë shkas autorit të dallohej në këtë plejadë shkrimtarësh, në të cilën hyri dhe u radhit. Krijoi pa vonesë individualitetin e tij krijues, që do ta thellonte nga njëri vëllim me përralla në tjetrin. Përmendëm këtë gjini jo vetëm se ishte më e spikatura e autorit, porse ai pa se: “Tek përralla, … del veçanësia e letërsisë për fëmijë me mundësitë e saj të shumta, … “Këto mundësi Teufik Gjyli i shfrytëzoi dhe realizoi në subjektet interesante e magjiplote të përrallave që krijoi. E jetoi përrallën dhe e bëri të jetojë përrallën përmes rrëfimit të tij.

Krijimtaria për fëmijë e shkrimtarit Teufik Gjyli ka edhe një zanafillë tjetër, një tjetër realitet, dhe ky i përket Shkodrës. Në këtë qytet me emër edhe në fushën e letërsisë për fëmijë, autori jetoi, punoi, shkroi e ëndërroi…, deri sa një ditë u nda nga kjo jetë. Këto dy realitete, nga mënyra se si janë krijuar e pasqyruar, nuk janë ishuj në vete, të ndarë me kufij e në largësi. Ata kanë një shkrirje harmonike, marrin e japin me njëri-tjetrin në kohë dhe hapësirë, përmes tekstit, nëntekstit dhe intertekstualitetit të tij. Në këtë marrëdhënie “lëvizin” e fokusohen problematika të caktuara, që lindën në një realitet dhe vazhdojnë “jetën” në realitetin tjetër. Sido që të jetë realiteti, nga vjen dhe ku shkon, magjia buron sa nga  Vendlindja e të parëve aq edhe nga Vendlindja e autorit. Kjo magji që kthehet në “realitet” përrallor merr “jetë”, shfaqet e lulëzon: te subjekti, fabula, përshkrimi i natyrës, te cilësitë dhe veçoritë e personazheve, mjediset dhe ngjyrat që bashkëshoqërojnë personazhet në ecurinë e misionit, aventurës, peripecive, situatave të jashtëzakonshme, përpjekjeve dhe fatit të tyre, etj., etj. Të gjitha këta elementë lëvizin nëpër hapësira të njohura e të panjohura, të dashura, të shtrenjta, romantike, të përmalluara, përmes mallit dhe kujtimeve të shtrenjta, si gjithnjë, për autorin. Janë pjesë të vetvetes, vetvetja si identitet e mënyrë rrëfimi, të vetëdijes njerëzore e artistike, ku s’pushojnë së lëvizuri subjektet si dëshmitarë të patjetërsueshëm artistikë. Te këto subjekte përrallore gjenden: “Forcimi i elementëve lirikë si dhe poetizimi i ngjarjeve dhe i figurave të personazheve (që) është një nga veçoritë e krijimtarisë letrare të këtij shkrimtari.” Ndaj, dhe “Trëndafilin e artë” të përrallave të shkrimtarit Teufik Gjyli,  duhet ta kërkojmë dhe doemos e gjejmë, së pari, në marrëdhëniet e tij me Vendlindjen e të parëve, që ishte një trevë e pasur me histori të moçme, mite, gojëdhëna, përralla, rrëfenja e legjenda. Ky thesar e ushqeu shkrimtarin me fabula e subjekte të shumta, me larminë e formave të gatshme e të përpunuara të përrallave popullore të krijuara gjatë shekujve, etj. Në këtë rrugëtim të gjatë autori njohu edhe përvoja dhe ndikime letrare, të cilat i pasuroi, i zgjeroi si nga pikëpamja tematike ashtu edhe estetike. Dhe ky rrugëtim shtrihet për dyzet e pesë vjet me radhë veprimtari letrare, e shpërndarë ndër tridhjetë organe të ndryshme, në vitet 1923-1968.

“Kacimicrri” qe novela e parë, e gjatë për fëmijë, që u botua në vendin tonë. Ajo e popullarizoi emrin e Teufik Gjylit. Libri i dytë është “Trëndafili i artë”. U botua më 1957. Përmban 18 përralla, legjenda dhe tregime për të vegjël. Disa nga pjesët e përfshira në vëllim janë nga krijimet më të para të Teufik Gjylit, botuar më parë edhe në shtypin periodik.Në vitin 1966, Teufik Gjyli botoi vëllimin “Tregime të zgjedhura” për moshën e mesme shkollore. Në këtë libër gjenden disa copa të zgjedhura nga proza e tij tregimtare. Ato nuk janë renditur sipas viteve të botimit, por sipas llojit letrar, duke filluar me përrallën dhe duke mbaruar me tregimet rreth jetës së sotme të vendit. Kështu, nga “Dhelpra e argjantë” (1961) është ribotuar “Përrallë”, përpunim sipas tregimit që i bën populli i krahinave të Veriut. Nga “Jani dhe Piku” (1962-1965) janë zgjedhur disa ngjarje fantastike. Nga “Trëndafili i artë” (1957) është riprodhuar përralla e bukur “Sheboja”. Nga “Kacimicrri” (1954) është dhënë kapitulli XI, ai i parafundit, me titull: “Fshatari plak çlirohet nga vargojt”. Në vëllim janë përfshirë gjithashtu pjesë nga libri me tregime “Piciruku” dhe pjesa teatrale “Pranë kufirit”. Kohët e fundit kemi rënë në gjurmë të melodramës: “I verbti e Jetimja”.

Teufik Gjyli u mbështet dhe “përvetësoi” imazhin e përrallës popullore, duke i dhënë asaj një konfiguracion të dallueshëm dhe origjinal. Do të thoshim i një lloj idealizmi të pranuar me vetveten dhe i një romantizmi në kufijtë e të përligjshmes. Kështu, autori duke qenë njohës i hollë i kësaj pasurie lëndore, autoktone, jetese e mbijetese e njohjeje të Vendlindjes së prindërve (prej nga vinin rrënjët), ka ditur ta shfrytëzojë atë dhe ta mbartë në krijimet e veta me shumë finesë, ngrohtësi e drithërima-meditative poetike.

Teufik Gjyli, si krijues, lëvroi disa gjini e zhanre letrare, si: fabulën në vargje, apologun, tregimin e shkurtër, kallëzimin apo rrëfenjën, novelën e gjatë, skeçin, dramën, melodramën, skicën, vizatimin letrar, reportazhin, artikullin; por talenti i tij u shqua, shkëlqeu dhe shëtiti në universin e përrallës, ku dhe mbeti përrallëtar. Te kjo gjini shfaqen e përftohen dukuri e cilësi të personalitetit të tij krijues, të cilat na ofrojnë mendimin se Teufik Gjyli e njeh mirë botën e përrallave dhe në veçanti përrallën popullore, hapësirën, domethënien, ngjyrat, karakteristikat, idetë universale dhe kodet e saj. Është i drejtë pohimi për këtë shkrimtar, kur thuhet se: “Teufik Gjyli është bërë i njohur, përveç të tjerave, si autori i dy prej personazheve më të njohur, më popullorë e më të realizuar në krijimtarinë e tij, por edhe në letërsinë tonë për fëmijë, siç janë Kacimicrri dhe Piciruku, dy figura tërheqëse dhe mjaft simpatike për lexuesit e vegjël, i pari trajtuar te përrallat dhe i dyti tek tregimet e tij.”

Të mos harrojmë se, shkrimtari Teufik Gjyli na dha një model përralle. Ndikimi i përrallës popullore shfaqet në to, në dy drejtime: a) “ndihet në mënyrën e trajtimit të fabulës dhe subjektit, (si dhe) në rrjedhën kompozicionale, …, veçanërisht në tipin e figuracionit dhe detajet poetike, në qartësinë dhe forcën komunikuese të mjeteve shprehëse.” dhe b) në “një brendi realiste, (në) një shpirt të dukshëm popullor… “. E gjitha kjo i përgjigjet një momenti të rëndësishëm të letërsisë sonë për fëmijë dhe të rinj, letërsi edhe pse kanë kaluar dy dekada të një realiteti të ri historik demokratik, nga librat që botohen, gjenden ende me shumicë krijime që nuk i kanë shkëputur lidhjet me letërsinë e soc-realizmit, të cilat përkojnë si në: konceptim, në atmosferë, në zgjidhje të konfliktit, etj. Duke parë këtë gjendje që realisht nuk është dhe aq entuziaste, studiuesi dhe kritiku i njohur Ramadan Musliu shprehet me të drejtë: “Fryma e krizës së letërsisë së realizmit socialist, sikundër edhe modelit letrar të mbështetur mbi figurën, është më i fuqishëm se ndikimi i këtij perceptimi ekzistent në këtë kohë, por jo aktiv. Që të krijohet prioriteti i ekspresionit të ri estetik duhet që edhe lexuesi të lirohet nga bagazhi ideologjik i veprës letrare, që të krijojë vetëdijen mbi vlerën e traditës dhe që përmes përvojave të reja të arrijë të komunikojë me ide dhe koncepte të reja që mund të ofrojë letërsia e periudhës së fundit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.