(Analizë e librit “Hapësirë e akullt” të Xhemë Karadakut, botoi URA, Prishtinë, 2024)
Lumnie Thaçi-HALILI
Letërsia është pasqyrë e realitetit social dhe shpirtëror shpesh gjen mënyra të ndryshme për të trajtuar dilemën njerëzore, duke zhbiruar thellë në shtresat e errëta dhe komplekse të ndërgjegjes, shoqërisë dhe moralit. Tregimet e analizuara këtu përmes simbolikës, ironive dhe karakterizimeve të hollësishme, i ofrojnë lexuesit një shteg për të kuptuar absurditetin e disa prej fenomeneve bashkëkohore, marrëdhëniet komplekse mes individit dhe shoqërisë, dhe dilemën morale për të ruajtur integritetin përballë sfidave të përditshme. Kështu që edhe libri i botuar së fundmi nga Botimet URA (tregime të përzgjedhura) me tititull “Hapësirë e akullt” të autorit Xhemë Karadaku, edhepse janë shkruar në kohë të ndryshme, lidhen ndër vete me një bazament të fortë, ecjen nëpër mundimet të asaj që quhet jetë, si realitet, por edhe si krijim i bazuar në fantazinë krijuese, pra bazuar në “realitetin e ri” letrar. Autori trajton tema nga kaluara e largët apo e afërt, apo edhe tema aktuale, ku ngjarjet brenda tregimeve, japin një pamje të dhembshme dhe tragjikomike, me atë që ka ndodhur, me atë që ndodh tash ose pritet të ndodhë në të ardhmen.
Tregimet, sikur krijojnë postulate pak a shumë ironizuese të vetë asaj jete “lakuriqe”, për t’u mbindërtuar në diçka që s’do mend, është edhe vetë kërkesë e asaj që quhet pretendim artistik. Ndërmjet këtyre “vrojtimeve”, autori skicon jetën me të mirat dhe të këqiat e saj, me të bukurat dhe të shëmtuarat e saj, duke bërë letërsi. Leximi i librit me tregime “Hapësirë e akullt”, të lë një mbresë se je duke lexuar, fletë ditari të jetës, apo je duke shfletuar një bllok skicimesh, pasazhesh apo copa fragmentesh të asaj që quhet jetë reale ose asaj të fantazuar. Apo, thënë më mirë, gjatë leximit, je duke parë një film dokumentar, për ato që (s’)kanë ndodhur, e të cilat në njëfarë dore i ke parë, e mënyra se si i ke parë, nuk janë film dokumentar, por një omnibus rrëfimesh, që fillojnë me shpalosjen e identiteteve të personazheve, nga tregimi “Pellgorja ndryshe”, deri te tregimi “Ëndërr me ëndrra”.
Gjatë leximit të tregimeve, lexuesi e krijon portretin e njeriut të këtij nënqielli, të mbushur me vuajtje, dhembje, sakrifica, halle etj. Pra, gjashtëmbëdhjetë tregimet te “Hapësirë e akullt” janë pasqyrim i një kohe, e cila ka lënë vragë tek autori, e do të lënë gjurmë edhe në mbamendjen e lexuesit të tyre. Tregimi i parë është “Pellgorja ndryshe” që gërsheton elemente të realitetit dhe fantazisë, duke krijuar një strukturë narrative që kap ndjesitë e jetës rurale, të mbështjella me një shtresë të pasur të imagjinatës. Në njërën anë, përshkrimi i peizazhit, jetës së fshatit dhe përditshmërisë së kullotjes së deleve krijon një atmosferë reale dhe autentike, duke pasqyruar një botë rurale të gjallë e të gjeneruar me kujdes. Në anën tjetër, figura e Hazir Pusit merr përmasa mistike, duke i dhënë tregimit një dimension të fshehur dhe të paqartë. Ai paraqitet si një figurë enigmatike, me elemente fantastike që burimet e rrëfimit i thurin nëpërmjet përshkrimeve të bimëve misterioze, ritualeve të natës dhe perceptimit të tij si njeri “i mbrapshtë” nga bashkëfshatarët. Përplasja mes realitetit të përditshëm dhe kësaj fantazie krijuese ndihmon në ndërtimin e një hapësire ku lexuesi ftohet të imagjinojë përtej të zakonshmes. E kaluara e afërt dhe e largët si fletë ditari te ky tregim shfaqet si një kronikë e jetës në fshat, duke evokuar një ndjesi nostalgjie për kohët e shkuara. Emërtimet si “Arat e Pusit,” “Vorri i Hazir Pusit” dhe “Kroi i Pusit” bëhen pika referimi që lidhen me kujtime kolektive dhe personale, duke rikujtuar një të kaluar që për lexuesin e ka humbur përjetimin e drejtpërdrejtë. Këto vende bartin histori, të cilat protagonistët përpiqen t’i mbartin në një të tashme ku peizazhi dhe shoqëria kanë ndryshuar. Tregimi pasqyron dhimbjen dhe tragjedinë e jetës së Hazir Pusit, por e ndërthur atë me një dozë humori të errët, duke e bërë lexuesin të ndjejë një përzierje emocionesh.
Fakti që njerëzit e perceptojnë atë si njeri të rrezikshëm dhe misterioz, ndërkohë që në realitet ai përballet me një dhimbje të thellë personale, krijon një kontrast emocional të fuqishëm që e ndan lexuesin midis keqardhjes dhe një humori të hidhur. Tregimi ngre pyetje të rëndësishme mbi bukurinë dhe shëmtinë, mbi normat dhe përjashtimet sociale. “Pellgorja ndryshe” përçon një mesazh të fuqishëm mbi ndërlikimet e jetës njerëzore, përplasjen mes së kaluarës dhe të tashmes, dhe kompleksitetin e perceptimeve tona mbi të tjerët. Tregimi ndërtohet mbi kontraste të forta-midis të bukurës dhe të shëmtuarës, të kaluarës dhe të tashmes, të jashtmes dhe të brendshmes. Për shembull, drunjtë e lartë dhe të drejtë të Pellgores kontrastojnë me kujtimet për therrat dhe gardhet e dëmshëm të së shkuarës. Haziri, nga njëra anë, shihet si një person i frikshëm dhe i mbrapshtë, ndërsa, nga ana tjetër, na zbulohen aspektet e tij njerëzore dhe tragjike;Elementet natyrore, si Pellgorja, drunjtë dhe jehona, personifikohen për t’i dhënë peizazhit një rol të gjallë dhe aktiv në narrativë. Metaforat përdoren për të përshkruar ndjesinë e izolimit dhe ndryshimit. Veçojmë edhe elementet nostalgjikë, si përmendja e emrave të vendeve dhe kujtimet për fëmijërinë që krijojnë një ndjenjë melankolie dhe lidhje të fortë emocionale me të kaluarën. Autori përdor një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme dhe të rrjedhshme, duke i dhënë tregimit një ndjesi natyrale të përditshmërisë rurale. Gjuha e tregimit përshkohet nga elemente të gjuhës së përditshme të fshatit-dialektizmi, të cilat i japin autenticitet dhe besueshmëri. Në shumë momente, tregimi përdor një ton ironik, veçanërisht në përshkrimin e Hazirit dhe marrëdhënieve të tij me të tjerët. Ky ton shpesh ndërthuret me një ndjenjë tragjike, duke nxjerrë në pah dhimbjen dhe vuajtjen që fshihet pas historisë së tij.
Tregimi i dytë titullohet “As ombrellë, as hije…” është një pasqyrë e mprehtë e jetës reale të individëve dhe shoqërisë pas luftës së fundit dhe tranzicionit në Kosovë, por e përshkuar nga një dozë fantazie krijuese që i jep një shtresë simbolike rrëfimit. Pjesa realiste përshkruan jetën e një personi të lidhur me botën e punës, ekonomisë dhe shpresës së mbështetur te politika. Përshkrimi i shtypshkronjës NEM si një hapësirë e lodhshme dhe me plot probleme praktike, përforcon realitetin e ashpër të jetës së pasluftës. Megjithatë, tregimi kalon përtej këtij realiteti me figurën e Kushës, e cila shndërrohet në një simbol të humbjes së shpresave dhe ëndrrave për një jetë më të mirë në një kontekst shoqëror të trazuar. Hija e tij, e përshkruar në fillim si një siluetë e trishtë me ombrellë në shi, krijon një atmosferë fantazie dhe fshehtësie që mbulon një realitet të errët dhe të dhimbshëm. Kjo hije nuk është vetëm një individ, por një metaforë për gjithë ata që kanë humbur iluzionet e tyre në tranzicionin shoqëror.E shkuara afërt dhe e largët, funksionon si një kronikë brenda tregimit, duke u rikthyer në kujtime të një kohe kur gjithçka dukej e mundur. Rrëfimtari na kthen në një periudhë kur entuziazmi pas lufte kishte mbushur zemrat e njerëzve dhe ëndrrat për sukses e rindërtim ishin të gjalla. Përmes përshkrimit të shtypshkronjës, që në një kohë shihej si një hap i madh përpara, por gradualisht u shndërrua në një burim zhgënjimi, tregimi trajton temën e iluzioneve që thyhen nga realiteti i ashpër. Kusha, dikur një figurë e respektuar dhe e fuqishme, përfaqëson një ideal të shkuar që është shembur nën presionin e korrupsionit, politikës dhe dështimeve personale. Kujtimet e rrëfimtarit për periudhën e entuziazmit të pasluftës dhe përkushtimin ndaj punës përplasen me realitetin e ftohtë të zhgënjimit, duke e bërë të kaluarën një fletë ditari të përditshme.Tregimi është një shembull i shkëlqyer i tragjikomikes-kombinimit të dhimbjes dhe humorit që krijon një efekt të veçantë emocional te lexuesi. Kusha, është një figurë tragjike që na bën të reflektojmë mbi rënien e dikujt që dikur ishte i suksesshëm dhe i respektuar. Fjalët e tij: Unë do të jem Qeveri në hije (f. 20), pasqyrojnë jo vetëm ambicien, por edhe ironinë e fatit të tij, që përfundon si një hije e vetvetes.
Tregimi është i mbushur me postulate ironizuese që pasqyrojnë një jetë “lakuriqe,” ku e bukura dhe e shëmtuara bashkëjetojnë në mënyrë të çuditshme. Ironia është një element që përshkon të gjitha aspektet e rrëfimit: që nga përshkrimi i shtypshkronjës si një simbol i ambicieve të mëdha, por që përfundon e mbytur në probleme teknike dhe menaxheriale, deri te kontrasti mes ëndrrave politike të Kushës dhe realitetit të tij të dhimbshëm.“As ombrellë, as hije…” është i mprehtë dhe satirik në ton. Kjo është pasojë e tematikës urbane dhe fokusit te politika, dështimi social dhe zhgënjimet personale. Atmosfera është cinike dhe ironike, duke ekspozuar iluzionet politike dhe sociale përmes një stili më urban dhe të ngarkuar me dinamizëm, zhvillohet në një kontekst urban dhe përmban një ritëm më të vrullshëm dhe më dinamik, duke përfshirë përshkrime të jetës së qytetit, problemeve teknike dhe marrëdhënieve sociale që ndërthuren me një tension të brendshëm. Ka një gjuhë pragmatike, me elemente të gjuhës urbane dhe të folur, duke përfshirë dialogë të gjallë dhe detaje teknike për shtypshkronjën, makineritë dhe sfidat e përditshme. Ndërtimi i një atmosfere folklorike dhe legjendare jepet përmes tregimit “Kali i drunjtë”, i cili mbështetet fuqimisht në një atmosferë që gërsheton elemente folklorike dhe legjendare. Vin Jaka dhe kali i tij, Gjoku, shndërrohen në figura mitike brenda tregimit. Përshkrimi i Vin Jakës, një burrë me plis të bardhë, pallto të gjatë dhe pushkë në krah, krijon një karakter që të kujton një hero epik, një figurë që ecën në vijën ndarëse mes realitetit dhe mitit. Ndërsa kali, si simbol i lirisë dhe lidhjes shpirtërore, merr përmasa të jashtëzakonshme. Ai është më shumë sesa një kafshë, ai është një figurë mitologjike, duke u krahasuar me Pegasin nga mitologjia greke dhe Kalin e Trojës.Vin Jaka mishëron një botë të vjetër dhe konservative, ku zakonet, burrëria dhe lidhja me natyrën janë thelbësore. Ai dhe Gjoku janë përfaqësues të një brezi që jetonte sipas kodeve tradicionale. Kjo kundërshtohet me figurën e Ban Sukës, i cili përfaqëson një qasje më pragmatike dhe tregtare ndaj jetës, duke i trajtuar kuajt si një burim tregtie, jo si shoqërues shpirtërorë. Shihet një simbiozë mes njeriut dhe kafshës, ngase marrëdhënia mes Vin Jakës dhe Gjokut është zemra emocionale e tregimit. Ajo pasqyron një lidhje simbiotike, ku kali bëhet pjesë e personalitetit të Vin Jakës dhe një zgjatje e qenies së tij. Vdekja e Vin Jakës është e ndërlidhur simbolikisht me Gjokun, duke lënë përshtypjen se ata nuk mund të ekzistojnë njëri pa tjetrin.
Rrëfimi i Ban Sukës se si Gjoku ishte një mëz i braktisur që e kishte gjetur dhe më vonë e kishte humbur, përforcon idenë e përkohshmërisë dhe misterit të lidhjes njerëzore me natyrën dhe kafshët. Zë vend një tension i dukshëm në këtë tregim midis besimit dhe realitetit. Andaj, një nga pikat më të spikatura të tregimit është tensioni midis narrativave mitike dhe të vërtetës së zbuluar. Ky tension ekspozon nevojën njerëzore për të ndërtuar legjenda për të përballuar realitetin e zakonshëm. Tregimi pasues në libër titullohet “Daja Rrem, he legjendë!” me personazhin kryesor: Rrem Ahishta (Daja Rrem). Pra,Rrem Ahishta është zemra dhe fryma e këtij tregimi, një personazh që shfaqet si një përzierje midis një antiheroi komik dhe një legjende të gjallë të shoqërisë. Ai është një figurë shumëdimensionale që përmban elemente tragjikomike, ironike dhe një dozë të theksuar të zgjuarsisë popullore. Ai është i formuar nga shumë tipare, ja disa nga më kryesoret: Antiheroi komik dhe ironia e fatit-Daja Rrem është portretizuar si një njeri i cili, përmes zgjuarsisë dhe aftësisë së tij për manipulim, sfidon normat shoqërore dhe ligjet e kohës. Ai shpall veten të paaftë mendërisht, por ironia është se ky “i paaftë” arrin të mashtrojë mjekët, policinë dhe gjithë sistemin për të përfituar materialisht. Kjo ironi e fatit e bën atë një antihero komik: një njeri që sfidon absurditetin e sistemit përmes një absurditeti të vetëkrijuar; Humori dhe tragjikomedia në karakterin e tij-edhe pse Daja Rrem shpesh është qendra e komedisë në tregim, ai gjithashtu përmban elemente të një tragjikomike të heshtur. Ai është një simbol i një shoqërie që lufton për të gjetur një vend në një botë të padrejtë. Përmes kësaj figure, nënkuptohet që jo rrallë në përditshmëri, ndodh të bëhet edhe mitizimi i zakonshmërisë.Daja Rrem shndërrohet në një figurë mitike përmes tregimeve dhe bëmave të tij, duke u bërë një personazh që tejkalon realitetin dhe futet në botën e legjendave popullore.
Hakmarrja si fuqi natyrore dhe morale mbizotëron thelbin e tregimit të radhës “Legjenda për Sukën”, që trajton një nga temat më të fuqishme të letërsisë dhe jetës njerëzore: hakmarrjen. Kjo hakmarrje, në tregim, nuk është thjesht një veprim i ndërmarrë nga njerëzit, por një forcë më e madhe që mbin nga vetë natyra, duke nxjerrë në pah një drejtësi transcendentale (epërsi-mbi-fizike) dhe të pandalshme. Përmes ngjarjeve të zhvilluara, tregimi artikulon një kuptim të thellë të konceptit të hakmarrjes, jo si diçka të nxitur nga pasioni njerëzor, por si një energji që lind nga dhimbja dhe padrejtësia. Hakmarrja si drejtësi e natyrës dhe e fatit me Sukën si simbol i lidhjes njerëz-natyrë. Suka përfaqëson jo vetëm një mal të pasur me jetë, por edhe një subjekt a qenie të gjallë, që ndien dhimbje dhe padrejtësi. Pasi digjet nga fushorët, Suka përfaqësohet si një forcë e heshtur që kërkon drejtësi dhe hakmarrje. Ajo shndërrohet në një “hakmarrëse” të natyrës, duke përdorur elementet e saj-drunjtë, lulet, therrat dhe kafshët, për të rivendosur një ekuilibër të humbur. Këtu përmes natyrës, hakmarrja përfaqëson një akt moral, një reagim të pashmangshëm ndaj padrejtësisë së bërë. Kjo drejtësi nuk kërkon ndërhyrjen e njeriut, pasi është vetë natyra që vendos baraspeshën. Kjo shihet në momentet, kur secili nga fushorët, që kanë bërë be (betim) të rreme, përballet me vdekjen në mënyra të pazakonta, duke përforcuar idenë se askush nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë së natyrës. Ata, prafushorët në tregim, përfaqësojnë padrejtësinë dhe ligësinë, janë përshkruar si figura të ligësisë dhe manipulimit. Ata përpiqen të përfitojnë nga bujaria e Kodrasve (dhënia e krojeve) dhe shkojnë aq larg sa të zhvendosin kufijtë natën dhe të kallin Sukën, duke ia vënë fajin Avdiut. Këto veprime jo vetëm që tregojnë një mungesë morali, por edhe përforcojnë idenë e tradhtisë dhe pabesisë.
Betimet e rreme përfaqësojnë kulmin e ligësisë dhe të përpjekjes për t’i shpëtuar drejtësisë njerëzore. Megjithatë, natyra dhe fati ndërhyjnë për të sjellë një drejtësi të pashmangshme. Kjo ndëshkon jo vetëm pabesinë e tyre, por edhe shërben si një paralajmërim për të gjithë ata që i shkelin normat morale. Sidoqoftë, nuk vonon hakmarrja, ajo vjen e bie në mënyra të pazakonta, të mistershme dhe simbolike si “hak i Sukës”.Nuk nuk vjen si një akt i shpejtë, por si një proces i natyrshëm që ndodh kur ekuilibri moral i shoqërisë është prishur. Një koncept filozofik i lëvizjes dhe kohës, prezantohet në titullin e tregimit të radhës”Lavjerrësi i kohës”, i cili bart në vetvete një simbolikë të thellë filozofike. Një lavjerrës është një objekt që lëviz herë andej e herë këndej, duke ndjekur një trajektore të përcaktuar nga forcat e natyrës, dhe përfaqëson ciklikën, përsëritjen dhe kalimin e kohës. Lavjerrësi nuk është vetëm një mjet matës i kohës, por edhe një metaforë për iluzionet, pasiguritë dhe pritjet e njerëzve që shpesh varen në mënyrë të pavetëdijshme nga forca përtej tyre. Të lidhur me kohën, lavjerrësi bëhet një simbol i humbjes dhe shpërdorimit të kohës në kërkime që, shpeshherë, nuk kanë përfundim të qartë. Kjo lidhje filozofike aludon për natyrën njerëzore, që shpesh kërkon shpëtim të lehtë, por përfundon duke shpërdoruar kohën dhe energjinë.Në filozofi, ky koncept mund të lidhet me moralin e Sokratit, që thotë se njerëzit shpesh ndjekin gjëra që nuk kanë vlerë reale, por që duken tërheqëse për shkak të paraqitjes. Lavjerrësi është një simbol i pavetëdijes kolektive që e lidh masën njerëzore me instinktin për të ndjekur gjëra të paqarta, të cilat në fund nuk sjellin asnjë rezultat konkret. Koha, në tregim, paraqitet si një element thelbësor apo qendror i ekzistencës. Titulli “Lavjerrësi i kohës” sugjeron një mekanizëm që e mat dhe njëkohësisht e shpërdoron kohën. Kjo metaforë filozofike ngre pyetje të mëdha për mënyrën se si njerëzit e kalojnë jetën e tyre: duke ndjekur dëshira dhe iluzione të kota, apo duke jetuar një jetë të vërtetë dhe autentike. Kështu që, të ndikuar nga lavjerrësi, njerëzit harrojnë qëllimet dhe përmbajtjet e rëndësishme të jetës së tyre, duke humbur një pjesë të madhe të kohës në ndjekje të diçkaje që nuk ekziston. Ky iluzion lidhet edhe me filozofinë e Martin Heidegger-it, që fokusohet në konceptin e “të qenit në kohë” dhe “autenticitetit”- Kohëshmëria është përvoja e kohës nga perspektiva e ekzistencës njerëzore (Qenia dhe koha – Sein und Zeit). Lavjerrësi përfaqëson humbjen e autenticitetit njerëzor, duke i drejtuar individët larg nga vetvetja dhe realiteti.Në qendër të tregimit rri simboli i absurditetit njerëzor, pikërisht në vendin ku ndodh ngjarja, “Fusha e përrallave,” është një simbol tjetër filozofik, që përfaqëson një hapësirë ku realiteti dhe imagjinata përzihen, duke krijuar një ambient që është njëkohësisht joshës dhe absurd. Fusha e përrallave ngjan me një “fushë eksperimentale” ku njeriu përballet me dobësitë dhe iluzionet e tij, duke ilustruar në mënyrë të qartë edhe konceptet e absurditetit.
Tregimi me titulli “Të hëngërt macja” mbart një ironi të rëndë tragjike që e përshkon të tërin. Fillimisht, kjo shprehje përdoret si një lojë dashurie, një përkëdhelje që reflekton pafajësinë dhe dashurinë e pakushtëzuar për Zogën, foshnjën e vogël, buzëqeshja e së cilës ndriçon një botë të përplasur nga vuajtjet dhe brutaliteti. Megjithatë, kjo shprehje e ëmbël, e lidhur me jetën dhe gëzimin, kthehet në një mallkim tragjik. Titulli ngërthen kontrastin e ashpër mes dashurisë së pastër dhe pafajësisë njerëzore dhe fatit të pamëshirshëm që godet në mënyrë të papritur. Ai sinjalizon një paradoks të jetës: ajo që fillon si një shaka dashurie përfundon si një simbol i dhimbjes së pashlyeshme. Thellësia e këtij tregimi na e mban të gjallë kujtesën për të mos harruar të kaluarën! Pra,një thirrje për të mos harruar vuajtjet dhe sakrificat e brezave të mëparshëm. Përmes rrëfimit të plakut, brezat e rinj mësojnë të vërtetën historike për vuajtjet e popullit shqiptar gjatë përndjekjeve dhe spastrimet etnike të regjimit serb, se mbi gjithçka,të mos harrosh të kaluarën është një detyrim moral dhe një formë mbijetese shpirtërore!Fshati Bilur është këtu simbol i atdheut të braktisur që mbetet i shkretuar dhe i braktisur, përfaqëson atdheun e humbur, një plagë të përhershme për të gjithë ata që u dëbuan.
Tregimi “Letra” eksploron në mënyrë të ndjeshme temën e vetmisë, ndarjes, dhe marrëdhënies së njeriut me fatin dhe vdekjen. Përmes një narrative të thurur me elegancë dhe simbolikë, ai trajton dilemat ekzistenciale të individit që, në pleqëri dhe izolim, kërkon lidhje me të tjerët dhe shpresë për një komunikim përtej kufirit të jetës dhe vdekjes. Letra bëhet simboli i përjetësisë së ndjenjave njerëzore dhe e përballjes me brishtësinë e jetës. Më konkretisht, letra e dërguar nga Lam Qyteti paraqet një përpjekje për të kapërcyer kufirin fizik dhe emocional të vetmisë. Përmes marrëdhënies së dy miqve, Lam Qytetit dhe Mal Bjeshkës, tregimi përshkruan nevojën njerëzore për lidhje dhe kuptim. Megjithatë, përmes letrës së fundit, autori na lë të kuptojmë se kujtimet dhe krijimet njerëzore kanë aftësinë të mbijetojnë kohën dhe hapësirën, duke i dhënë kuptim ekzistencës edhe përtej vdekjes.
Tregimi “Ara e Mirë” është një përsiatje filozofike mbi përpjekjet njerëzore, rëndësinë e punës, përkushtimin dhe transformimin, por edhe mbi kalueshmërinë dhe ciklin e jetës. Përmes historisë së një familjeje dhe një therrishte të kthyer në arë të mirë. E rëndësishme në këtë tregim është toponimia dhe simbolika, sikurse “Therrishta”, “Zabeli i Rrallë”. “Ara e Mirë”etj. Tregimi “Vdekja duke qeshur shqip” është një krijim i veçantë, i cili shquhet për stilin filozofik, sarkazmin e hollë dhe thellësinë simbolike. Kjo vepër trajton temën e jetës, vdekjes dhe absurditetit njerëzor në mënyrë unike, duke i dhënë një dimension universal një ngjarjeje që përndryshe do të dukej lokale. Me një frymë ironike dhe një mesazh të fuqishëm nëntekstual, tregimi na fton të reflektojmë mbi shoqërinë, ekzistencën dhe kuptimin e vdekjes në raport me botën ku jetojmë. Titulli “Vdekja duke qeshur shqip” është shumëdimensional. Fjalët “Duke qeshur shqip” theksojnë origjinalitetin e tjetërllojshëm të këtij akti. Në një kontekst shqiptar, ku tragjedia dhe humori shpesh ndërthuren, ky titull përfaqëson një formë të veçantë të ballafaqimit me vdekjen. Ajo tregon se, edhe përballë fatkeqësive dhe absurditetit, qeshja mbetet një akt që ruan dinjitetin dhe lirinë. Tregimi përcjell disa mesazhe të ndërthurura, ndër të cilat spikat si më kryesorja, protesta ekzistenciale dhe sociale nga vendimi i personazhit kryesor për të vdekur duke qeshur, e cila është një formë proteste kundër absurditetit të botës moderne. E qeshura, në këtë rast, bëhet simbol i refuzimit të një realiteti të mbushur me padrejtësi, rrena dhe hipokrizi. Duke zgjedhur të vdesë në këtë mënyrë, ai sfidon rregullat e pashkruara të shoqërisë dhe vetë konceptin tradicional të vdekjes.
Tregimi “Hapësirë e akullt”, nga i cili emërtohet dhe libri, përmban një dimension të thellë ekzistencial dhe filozofik, duke u ndalur në pasojat e jetës së një njeriu të pashpirt, të larguar nga vlerat dhe ndërgjegjja, i cili në fund përballet me boshllëkun dhe akullin që ka krijuar brenda vetes. Hapësira e akullt është një simbol i fuqishëm i izolimit, pendesës dhe ndëshkimit të brendshëm, një pasqyrim metaforik i shpirtit të ngrirë nga mungesa e ndjeshmërisë, dashurisë dhe humanitetit. Vjen natyrshëm ndëshkimi i ndërgjegjes, duke treguar gjendjen shpirtërore të personazhit, i cili vuan si rezultat i veprimeve të tij të shkuara dhe mungesës së empatisë për botën përreth. Ky është një ndëshkim i vetëshkaktuar: ai është viktimë e veprimeve të veta dhe i botës së brendshme që ka krijuar përmes gabimeve dhe egoizmit. Akulli që ndjen nuk është fizik, por një gjendje e vetmisë ekzistenciale dhe ndëshkimit moral, ku ndjenja e fajit dhe ndërgjegjja e ngurtë e kanë larguar nga çdo ngrohtësi njerëzore. Hapësira e akullt si metaforë e izolimit dhe shkëputjes nuk është vetëm një mjedis fizik, por një realitet shpirtëror. Personazhi ka humbur lidhjen me botën dhe me të tjerët, duke mbetur një figurë që endet në një ekzistencë të ngrirë, të ftohtë egoiste. “Hapësirë e akullt” është një tregim i thellë filozofik dhe ekzistencial, që përshkruan ndëshkimin moral dhe shpirtëror të një individi të larguar nga vlerat humane. Ky tregim na paralajmëron për rëndësinë e ndërtimit të një jete të pasur me dashuri, mirësi dhe ndërgjegje, në mënyrë që të shmangim një fund të akullt, të ftohtë dhe të vetmuar. Hapësira e akullt është një metaforë universale për alienimin, vetminë dhe pasojat e largimit nga thelbi njerëzor.
Tregimi “Sëmundja bashkëkohore” është një satirë sociale e mprehtë dhe plot humor, që vë në pah një fenomen të përhapur në shoqëri: korrupsionin moral dhe shpirtëror që shoqëron pushtetin dhe pozitën e lartë. Tregimi “Dashamirë, ju faleminderit!” përcjell një porosi të fuqishme mbi natyrën njerëzore dhe realitetin e marrëdhënieve shoqërore. Përmes ironisë dhe situatave që ndjekin protagonistin, autori sjell në pah zhgënjimin që shpesh ndodh kur pritet mbështetje nga të afërmit dhe miqtë në momente të rëndësishme. Prandaj, shpeshherë, zhgënjimi nga të tjerët na mëson se duhet të mbështetemi kryesisht tek vetvetja! Tregimi “Ëndërr me ëndrra” është një rrëfim alegorik dhe satirik, që në thelbin e tij trajton temën e udhëheqjes, realitetit politik dhe iluzioneve të mëdha të individëve të përfshirë në skena publike e politike. Përmes ironisë, paradoksit dhe figurës groteske të gomarit, autori flet për realitetin e hidhur të politikës, ambicieve njerëzore dhe ëndrrave të rrejshme që shpeshherë shndërrohen në zhgënjime.
Autori përçon një kritikë të thellë ndaj shoqërisë dhe klasës politike, duke përdorur metafora dhe simbole të forta për të zbuluar hipokrizinë, dështimet dhe mënyrën se si individët e përfshirë në pushtet shpesh harrojnë realitetin e popullit që përfaqësojnë. Njëkohësisht, autori thekson mënyrën se si politikanët janë të prirur të krijojnë iluzione dhe ëndrra boshe, të cilat, në fund, rezultojnë të pakuptimta. Udhëtimi i protagonistit me gomar përfaqëson mënyrën “e ngadaltë” dhe të pashmangshme të trajtimit të çështjeve të mëdha politike, ku zvarritja dhe premtimet pa fund zëvendësojnë veprimin real. Më pas ronia dhe satiraqëndron te përpjekjet e protagonistit për të përfaqësuar popullin dhe për të trajtuar çështje madhore, ndërkohë që realiteti i udhëtimit me gomar dhe dështimi për të arritur rezultate konkrete ekspozon absurditetin e kësaj përpjekjeje. Apo pritja me ovacione në sheshe dhe pritjet e mëdha në Shtëpinë e Bardhë, ironizojnë mënyrën se si njerëzit dhe liderët shpesh fokusohen te detajet e parëndësishme.
Tregimi “Intelektual i pavarur” është një kambanë kritike ndaj sistemit politik. Shkurt e shqip, përmes përvojës së Emilit, autori kritikon realitetin e polarizuar politik. Në një shoqëri ku grupet politike janë shpesh të interesuara vetëm për pushtet dhe përfitime, të mbetesh “intelektual i pavarur” është një akt rezistence dhe dinjiteti. Përmes tregimit të tij, autori rishqyrton mbi rëndësinë e ruajtjes së vlerave personale në një mjedis të politizuar dhe të polarizuar. Si epilog finalizues, tregimet e librit “Hapësirë e akullt”, ngjallin larmi emocionesh, situatash dhe refleksionesh që tejkalojnë përditshmërinë, duke u ndalur në ato momente kyçe kur njeriu përballet me vetveten dhe realitetin përreth. Përmes një ndërthurjeje mjeshtërore mes ironisë, dramës dhe simbolikës, autori i jep lexuesit një pasqyrë të fuqishme të sfidave ekzistenciale, shpirtërore dhe sociale. Tregimet e Karadakut janë më shumë se rrëfime, ato janë thirrje për ndërgjegjësim dhe reflektim, duke e shtyrë lexuesin të shqyrtojë vlerat, marrëdhëniet dhe rolin e tij në një botë ku shpeshherë njerëzorja vihet në sprovë. Me një stil të veçantë dhe një botëkuptim të thellë, këto rrëfime,në fund, na kujtojnë se edhe në hapësirat më të akullta të shpirtit, gjithmonë ekziston mundësia për të kuptuar, ndryshuar dhe gjetur kuptimin e vërtetë të jetës.