RRETH FAUSTIT TË GËTES

Eleganca me të cilën Gëteja i bënë bashkë njerëzit e djajtë, perënditë dhe orakujt, astrologët e shkencëtarët, të fortit e të dobëtit, femrat e meshkujt, pleqtë e të rinjtë… të të gjitha kohërave, është një mrekulli më vete

Arbër SHALA

Megjithatë hoqa dorë nga leximi i mëtejmë i veprës “Dablinët” të Xhejms Xhojs-it, ndoshta për faktin që të kalosh nga Fausti te kjo vepër me shume rrëfime të shkurtra nuk është edhe aq e lehtë!

Vetëm shkurtimisht do të shkruaj për mbresat e mia rreth Faustit. Mendoj që është vepra më e mire që e kam lexuar deri më tani, edhe pse Uliksi i Xhojsit duhet të jetë me përmasa përafërsisht të njëjta. Natyrisht që unë e kam shijuar këtë vepër nga këndi analitik, sepse nga këndvështrimi letrar nuk më përket ta analizoj. Është tepër madhështore që në një libër prej 500 faqesh të përfshi het gjithçka që i takon natyrës dhe përvojës njerëzore. Për mendimin tim, eleganca me të cilën Gëteja i bënë bashkë njerëzit e djajtë, perënditë dhe orakujt, astrologët e shkencëtarët, të fortit e të dobëtit, femrat e meshkujt, pleqtë e të rinjtë… të të gjitha kohërave, është një mrekulli më vete. Për të koha është një dimension që nuk merr ndonjë rëndësi të posaçme. Mesazhi që përcjellë Gëte, nuk ngërthen vetëm rebelimin intelektual, por edhe ironinë, cinizmin, drejtësinë, më pak butësinë, të bukurën, të shëmtuarën, lulet dhe kafshët, an droidët dhe hermafroditët, të bardhën e grinë, skëterrën, prapë skëterrën, skepticizmin, forcën, urtësinë….dhe dinakërinë.

* * *

Jemi mësuar që njerëzit përçmojnë

atë që nuk e kuptojnë.

Këto vargje të Gëtes ndoshta i përgjigjen më së shumti natyrës njerëzore, për këtë arsye përshtypja ime është që Mefistofeli më përpara reflekton imazhin e një njeriu se sa te djallit! Ai na prezantohet si djall tek Fausti, por po ta lexojmë me vëmendje çdo fjalë e mendim të Mefistofelit, do ta vërejmë se ai është vetëm një foto e deformuar e njeriut, pa marrë parasysh formën e jashtme. Për të mos e përulur shumë racën njerëzore, Gëte e merr si kryepersonazh Faustin, apo Doktor Faustin, i cili ngadhënjeu mbi djallëzoren, megjithëse gjatë tërë kohës ka një qasje të dyzuar ndaj Mefistofelit, urdhrat e të cilit fillimisht i zbaton me përpikëri. Dëshirat, frustrimet, sfidat, tundimi i Faustit para situatave të ndryshme, bëjnë që ai të kërkojë ndihmën apo këshillat e Mefistofelit, për të cilat pastaj shumë shpejt pendohet. Në fund Fausti arrin të vetëdijesohet se në vete mbartë po aq djallëzi sa edhe Mefistofeli, vetëm se një ndërgjegje fillimisht e dobët në lidhje me Gretën (vajzën e bukur me duar te ashpra) që e braktisë, tek më vonë me përvojën e një urtaku ja arrin të ngrihet përmbi kënaqësinë (Pas skenës me Helenën e bukur) para se të vdes.

Akti i vetëdijesimit të Faustit shfaqet më vonë, sepse deri kah gjysma e rrëfimit ai për çdo gjë fajëson Mefistofelin, tek më vonë demonstron urtësi dhe i bëhet pasqyrë vetes.

* * *

Ti beje balle kësaj bishe

përdore benë katërfishe.

Beja katërfishe i referohet katër elementeve masoniste: Zjarrit, ujit, ajrit dhe tokës. C. G. Jung në interpretimin e ëndrrës së një vajze 11 vjeçare në testamentin e tij “Ese mbi gjurmimin e pavetëdijes” tregon bindshëm që gjarpërinjtë që vajza i sheh nga te katër anët dhe të cilën e sulmojnë, dëshmon për rrënjët tona paganiste, që në thelb fshihen te çdo njeri, dhe në fund kjo është reduktuar në trininë e njohur të krishterë: Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të shenjtë. Mbase thellë në natyrën tonë kemi nevojë për shumë perëndi njëkohësisht. Në logjikën e varfër njerëzore Një i vetëm nuk mund t’ia dalë me tërë këtë gjithësi, e që unë jam i bindur që ky mashtrim rrjedh pikërisht nga instinkti afiliativ ose i kopesë, që mbartim në vete ne njerëzit, e të cilin pastaj ia përshkruajmë edhe Krijuesit tonë. Pra, sikur që ne njerëzit kemi nevojë për shoqërim ( këtë e dëshmon fakti që një nga ndëshkimet më të rënda për njeriun është burgu dhe qelia) ashtu edhe na nevojiten shumë perëndi. Janë dy arsye pse shfaqet nevoja për besim në shumë perëndi: E para për të ekuilibruar dhe rivalizuar në mënyrë të pandërgjegjshme me Krijuesin tonë dhe e dyta, diku më keq e diku më mirë, për të kaluar më lehtë në botën e amshueshme. Poli tjetër i kësaj logjike janë ekzistencialistët dhe gnostikët (eufemizëm për ateistët), të cilët imazhin e idealizuar prindëror, nuk arrijnë ta integrojnë asnjëherë në përjetimet e tyre emotive dhe psikologjike, prandaj mohojnë ekzistencën e Krijuesit….sipas tyre gjithçka fillon e mbaron nga një ide njerëzore!

* * *

Thonë pleqëria na bënë foshnja, jo

Na gjene akoma foshnja,ashtu siç qemë.

Në këto dy vargje shfaqet sensi analitik i Gëtes. Në kulturat e ndryshme gjerësisht është e pranuar se ekzistojnë dy fëmijëri në jetën tonë, një në fillim të jetës, fëmijëria e vërtetë dhe një në pleqëri. Në fakt një dozë fëmijërie na përcjellë tërë kohën pa marrë parasysh nivelin tonë intelektual dhe pjekurinë tonë. Disa ditë para se të ndërrojë jetë Tamara Shtajner (Mësuesja ime brilante) e kishte pyetur rabinin (Meqë ishte Izraelite): a ka jetë pas vdekjes?! Ishte 64 vjeçare, me një karrierë shkencore shumë të pasur, inteligjencë dhe intuitë të përkryer, me memorie te shkëlqyer…plot energji dhe prapë, prej një pozicioni krejtësisht infantil ka dashur të dijë diçka për t’u prehur ndoshta prapë në jetën e pastajme eventualisht në prehrin e nënës apo të babait!

Po a nuk ishte Niçeja një asket, me një kokëfortësi infantile që hoqi dorë nga kënaqësitë e jetës, a nuk vuajti nga anhedonizmi, a nuk përfundoi në çmendi,si një protestë infantile ndaj botës së ndyrë?! Ka shumë e shumë raste ku gjigantët janë sjellë si infantil, Gëteja këtë e ka thënë në mënyrë eksplicite. A nuk janë vargjet e fundit të këngës së incizuar të Freddie Mercury – it: Mama please let me back inside!

* * *

Vërtetë në shpirte nuk kemi turp as ne

Porse të moçmit shfaqen tepër sheshit.

Aluzioni në këto vargje është i qartë: Njeriu modern ka formuar një kulturë, ka ngritur konventa…por të gjitha këto i ka bërë në kur riz të instinkteve tona. Frojdi thotë: Nuk ka qenie tjetër që ka hequr më shumë dorë nga instinktet se sa njeriu! Mbi bazën e ndërtimit të një Super Egoje shumë rigjide ne vetëm sa ndrydhim instinktet tona, duke i prerë rrugën sensit inovativ dhe kreativ që posedojmë. Ndërtimi i normave, bontoni, e gjera të tilla konformiste dhe konvencionale janë duke e dërguar njeriun drejte sterilizimit emocional e instiktiv dhe krejt kjo, për t’i dhënë hapësirë arsyes, “racionales’, pozitivitetit dhe shtrëngimeve të tilla të ngjashme. Edhe pse vërehet se diku thellë, përbrenda shpirtit tonë ne nuk kemi turp, te njerëzit parahistorik kjo ishte më e shprehur, ata ishin më spontan, më të relaksuar, më të afruar, më solidar e më ndihmues ndaj njeri-tjetrit. Prandaj, Gëteja ironizon me njeriun modern, më shumë se sa i thumbon paraardhësit tanë, e kjo shihet në nëntekst.

Tek po mbaja një seance me një nga klientët e mi, diskutonim për lojalitetin, me një zë kumbues mu drejtua: Doktor njeriu duhet te jete luajal, brenda kufijve të caktuar….dhe këtu ishte pika ku kuptova se ai njeri intelektual, me magjistraturë në Austri, mjaft inteligjent, filloi të tërhiqet gradualisht nga analiza, për shkak të pamundësisë për t’u ballafaquar me: Turpet në shpirtin e tij.

* * *

Mallkuar qofshin ç’na shtiren në ëndërr

Gënjeshtër e famës dhe e lavdisë.

Gëteja ka ndërruar jetë përafërsisht 33 vjet para se të lind Frojdi. Me intuitën e një intelektuali e ka nuhatur se ëndrrat janë vetëm një plotësim i rremë i dëshirave, e që i ka përmbledhur këtu në famë dhe lavdi. Të gjithë njerëzit vrapojnë pas famës e lavdisë, kjo nënkupton edhe dëshirat më bizare që na shfaqen në ëndërr…po a ka gjë më të “shpifur” se sa të vraposh pas famës e lavdisë… po por edhe kjo është njerëzore. Tek një klient i imi që është që, përafërsisht, nëntë muaj në analizë kam izoluar ëndrra ku në mënyrë të qartë manifestohen tre perversitete: pedofilia, homoseksualizmi dhe zoofilia. E dimë që perversitetet janë negativ i neurozave. Plotësimi i dëshirave të tilla është më se evident në ëndrrat e tij.

(Nga libri “Rruga drejt një qëllimi”)

Leave a Reply

Your email address will not be published.