RRUGA MË E SHKURTËR MIDIS DY PIKAVE TË NDRYSHME

Nada DOSTI

Kuş Uçuşu (As the crow flies/Siç fluturojnë sorrat) vjen nga një shprehje frazeologjike që përdoret për të matur rrugën më të shkurtër midis dy pikave të ndryshme. Me fjalë të tjera, simbolizon katapultimin drejt “suksesit” pa kaluar shkallët e karrierës, eksperiencës apo profesionalizmit.

I ngjashëm është edhe filmi “Swimming with the sharks” (Të notosh me peshkaqenët). Edhe pse ky i fundit nuk e ka dhe aq në fokus obsesionin për karrierë dhe sukses sa ka nevojën për të marrë merita, nevojën për përkatësi, dashuri, dhe për një prehër amësor.

Filmat në fjalë, që janë pak a shumë të ngjashëm, flasin për shumëçka: Një luftë gjeneratash, njëra tradicionale që dëshiron të ruajë parimet dhe vepron sipas praktikave tradicionale, një tjetër e padurueshme, e nxituar, që vepron sipas risisë, ritmit të kohës dhe shkel mbi të gjitha parimet për të arritur dëshirat dhe nevojat deri në obsesion.

Personazhet kryesore janë antiheroinat, praktikantet Aslë Tuna dhe simotra e saj, Lou Simms (spoiler: që pastaj del se quhej April Mace), të cilat simbolizojnë brezin e ri të atyre vajzave që adhurojnë famën, ose nevojën për përkatësi, për t’iu njohur meritat (edhe pse merita nuk kanë aspak, përveçse në trurin e tyre). Të vetmet talente dhe aftësi që kanë janë intrigat, kreativiteti në thurje planesh dhe manipulimi i të tjerëve.

Nga ana tjetër, Lale Këran (në As the crow flies), dhe simotra e saj Joyce Holt (në Swimming with the sharks) janë simboli i gruas së suksesshme në karrierë, grua profesioniste, e fuqizuar, e aftë, e zonja, e shkathët, e cila ka dhënë maksimumin dhe ka përfituar nga çdo mundësi që i është dhënë. Si e tillë, akuzohen shpesh si “me fat”, por në çdo episod tregojnë se mbi fatin qëndron edhe puna e palodhshme, eksperienca traumatike lufte, të nisurit nga hiçi, si dhe sakrifica të ndryshme në sfera të ndryshme të jetës, por mbi të gjitha lënia pas dore e familjes.

Në librin Outliers, Malcolm Gladwell sqaron se suksesi, ndër të tjera, nuk është vetëm rezultat i talentit dhe punës së vazhdueshme, por edhe i rrethanave dhe kushteve të favorshme, si dhe shfrytëzimi i këtyre kushteve. Pra, ajo që ne quajmë fat! Fati i të lindurit në një kohë të caktuar, në një vend të caktuar, pasja e njohjeve dhe e mbështetjes së duhur. Andaj, jo të gjithë mund të jemi të suksesshëm, edhe pse kemi talent dhe punojmë fuqishëm për ta arritur këtë sukses. Është e vërtetë se ky “fat” është i rëndësishëm në sukses, në të njëjtin proporcion sa janë edhe talenti dhe puna e palodhshme. Por, gratë, si gazetarja Lale Këran, janë gra të cilat kanë ditur ta shfrytëzojnë këtë fat, dhe kanë punuar çdo ditë të jetës tyre, duke derdhur djersë dhe lot, por mbi të gjitha duke u kapur fort pas parimeve, siç janë, për shembull, “kurrë nuk bëhet pakt me lajmet e rreme, sado që rrethanat të vërtetojnë se ka pakëz vërtetësi në to.”Lale nuk pranon kurrë të mbajë një emision bazuar mbi lajme të paverifikuara, madje dhe në kurriz të humbjes së audiencës, edhe nën presionin e vazhdueshëm të sulmeve nga rrjetet sociale dhe ndjekësit, të cilët kërkojnë me çdo kusht që të flasë për ngjarje që janë trend, gjë e cila në fund do t’i dhurojë respekt të paimagjinueshëm nga njerëz të thjeshtë, të cilët shfaqin dashuri dhe admirim rrëqethës në momentin kur ajo shpall tërheqjen nga bota e medias.

Në të kundërtën, stazhierja, Aslë, nuk njeh parime. Ajo është e gatshme të heqë qafe këdo që i del përpara vetëm për të arritur qëllimin e saj për t’u bërë e famshme, duke përfunduar e nënçmuar dhe e papërfillur. Këtë e ndjejmë më së shumti në fund, kur pas shumë intrigash arrin të zërë vendin e Lales, ndërsa në sfond përsëriten mantra e llojit: “respekti fitohet dhe nuk imponohet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.