RUAJTJA E NJERIUT TE VETJA

(Shënime për tregimin e Dino Buxatit “Te mjeku”)

Yzedin HIMA

Tregimi i Dino Buxatit “Te mjeku” është një tekst me të gjitha shenjat e estetikës së realizmit magjik, drejtim letrar ky i praktikuar nga shkrimtarët e Amerikës së Jugut si Miguel Anhel Asturias apo novelisti Gabriel Garsia Markes. Në tregimet e tjerë të Dino Buxatit estetika e realizmi magjik si metodë letrare është më e pranishme se sa te ky tekst. Pikërisht, përvoja e gjatë si gazetar e Buxatit ka bërë që te ky tregim të kemi një lloj hibridizimi të tekstit. Nga fundi i tij të ndeshim kalimin nga një tekst me funksion estetik, në një tekst eseistik. Me gojën e personazhit të doktorit, Buxati artikulon disa mesazhe në mënyrë të drejtpërdrejt.Rrëfimi është në vetën e parë. Kjo formë rrëfimi e bën tekstin më tërheqës dhe siguron vëmendjen maksimale të lexuesit. Emri i rrëfyesit shfaqet disi vonë, në fund të tregimit. Ai quhet Enriko.

Teksti nis në formën e një bisede të thjeshtë: “Shkova te mjeku për vizitën e kontrollit semestral, zakon që e ndjek që kur mbusha dyzet vjeç. Mjeku është një mik i vjetër imi, KarloTratori.”

Enriko ndihet shumë mirë me shëndet, por e përgatit lexuesin për enigmën që fshihet me përshkrimin e pasdites kur ndodh ngjarja: “është një pasdite e pabesë, e mjegullt vjeshte, pas pak duhet të zbresë mbrëmja.”

Në pamje të parë, rrëfyesi e vesh me një tis mjegulle enigmën që do të zbulojë: “ Sapo futem, Tratori më vështron në një fare mënyre dhe buzëqesh: -Ti qenke për mrekulli. Për pak nuk të njoha, e të mendosh sa i hequr ishe pak kohë më parë.

“Është e vërtetë. Nuk mbaj mend të kem qenë ndonjëherë më mirë se tani.”

Enriko rrëfen më poshtë se te mjeku shkohet zakonisht kur ke shqetësime, ndërsa ai sot ka shkuar pikërisht se ndihet shkëlqyeshëm, në një farë mënyre për ta sfiduar doktorin. Mjeshtri Buxati e ndërton tekstin me një shkallëzim ngjitës në pamje të parë, për ta përmbysur në fund. Enriko ka një fare triumfi ndaj mjekut, para të cilit çdo pacient ndihet inferior. Ai e përshkruan gjendjen e tij shpirtërore me fjalitë: “Ndihem shkëlqyeshëm, ndjej një ngazëllim të ri, thuajse hakmarrës përpara Tratorit.”

Po pse ndihet pak hakmarrës Enriko?!

Sepse qe paraqitur “i zhveshur” para mjekut, të cilit kurrsesi nuk mund t’i fshehim dobësitë tona fizike apo shpirtërore. Mjeku e kishte njohur personazhin tonë, sikurse ai rrëfen, “…gjithmonë si një nevrotik, të trembur, të kapur nga ankthet kryesore të shekullit…Nuk më përsëriten më synime vetëvrasëse, gjatë zgjimit në mëngjes, teksa filtron përmes grilave të tendës drita funebre e zgjimit metropolitan.”

Dialogu midis doktorit dhe Enrikos nis i thjeshtë për të marrë më vonë ngjyra shekspiriane:

“A ka nevojë të të vizitoj? – më pyet Tratori. Kësaj here do paguhem pa e merituar, vetë e kërkove.” Pastaj Enriko tregon me imtësi diagnostikimin e kujdesshëm të doktor Tratorit, matjen e tensionit, dëgjimin e zemrës dhe mushkërive. Doktori e pyet për fiksimet e mëparshme, ankthet, manitë, përjashtimin dhe izolimin nga të tjerët, alienimin e tij të famshëm, bezdinë për të vozitur me makinë, ndjekjen e Tv. Doktori ka një shqetësim të dukshëm në fytyrë, teksa merr përgjigjen se pacienti i tij ka ndryshuar krejtësisht, është bërë më i hapur dhe më i përfshirë me shoqërinë, është çliruar nga të gjithë makthet, pasiguritë, fiksimet. “Sikur të jem tjetër njeri”-shprehet Enriko. Pas një sërë pyetjesh, Enriko fillon të shqetësohet. “Mos vallë doktori ka zbuluar ndonjë sëmundje të fshehtë vdekjeprurëse?!” Doktor Tratori sa vinte e bëhej më enigmatik.

“Je më i lumtur tani se më parë?” – vazhdon serine e pyetjeve doktori.

“Po, sigurisht që jam shumë më i qetë tani” – përgjigjet Enriko i shqetësuar.

– Por, a s’më tregon “përse-në” e gjithë këtyre pyetjeve?”

– Do të dish se ç’të ka ndodhur?

– Atë që më ka ndodhur? Më ke gjetur diçka që s’shkon?

– Një gjë të thjeshtë fare. Ke vdekur.

Dialogu ka arritur nivelin surealist. Enigma sa vjen dhe zbulohet. Pikërisht pas konstatimit të vdekjes, rrëfyesi shfaqet me emrin e tij. Ai e di mirë se doktor Tratori nuk është njeri i shakave, sidomos në studion e tij mjekësore. Dialogu sa vjen e bëhet më absurd:

– Kam vdekur? – belbëzoj unë. Si kam vdekur? Një sëmundje e pashërueshme?

– Po çfarë sëmundje thua. Nuk të thashë që ti duhet të vdesësh. Thashë vetëm që ti ke vdekur.

– Pa kuptim kjo! Po ti vetë më the më parë që jam portreti më i mire i shëndetit?

– I shëndetshëm, po. Plotësisht i shëndoshë. Por i vdekur. Je përshtatur tashmë, je bërë pjesë, je homogjenizuar, je njësuar me trup e shpirt në rrethin shoqëror, ke gjetur ekuilibër, qetësi, siguri. Dhe kjo të bën kufomë.

– Ah, falë Zotit! E gjitha kjo një metaforë, një kuptim figurativ. Për pak më pushoi zemra nga frika.

– Jo dhe aq figurativ kuptimi. Vdekja fizike është një fenomen i përhershëm, e tek e fundit, në thelb jashtëzakonisht banal. Por ka një tjetër vdekje, që ndonjëherë është akoma më e keqe. Anulimi i personalitetit, varësia imituese, kapitullimi ndaj mjedisit, heqja dorë nga vetvetja… Hidh një sy rreth e përqark. Bisedo me njerëzit. A nuk e vë re që janë të vdekur gjashtëdhjetëpërqind e tyre? Dhe nga viti në vit numri shtohet. Të shuar, të zbehtë, të bindur. Të gjithë dëshirojnë të njëjtat gjëra, bëjnë të njëjtat diskutime, të gjithë thurin të njëjtat mendime. I pështirë ky qytetërim masiv.

Është një dialog tipik ekzistencialist. Autori, nëpërmjet zëdhënësit të tij, doktor Tratorit, shfaqet si humanist i pashembullt.

Nëse kemi parasysh esenë e njohur të Zhan Pol Sartrit “Ekzistencializmi është humanizëm”, doktor Tratori (autori), me përfundimet e tij shpreh një ndijesi të thellë keqardhjeje për njeriun, për njerëzit, të cilët po humbasin vetveten për shkak të dhunës që vjen nga shoqëria dhe modifikon çdo individ sipas shijeve të saj, duke e zhveshur nga të gjitha tiparet individuale. Pikërisht, ky modelim i njeriut është përçudnimi i tij, çnjerëzimi i individit dhe formimi i turmës me njerëz parafabirikatë apo njerëz tulla, që stigmatizon artistikisht kënga e famshme e Pink Floyd “Anotherbrick in the wall” (Një tjetër tullë në mur).

Doktor Tratori nuk kujdeset vetëm për shëndetin fizik të pacientëve, por edhe për shëndetin shpirtëror dhe atë të personalitetit të tyre.

Enrikoja është artist, skulptor. Për të hedhur poshtë përcaktimin e doktorit, Enrikoja sjell këtë argument: “ Po, atëherë, nëse kam vdekur, si e shpjegon që nuk kam shitur asnjëherë më shumë sesa këtë vit skulpturat e mia? Po të isha i squllur siç thua ti…”

Doktori e ka gati përgjigjen e tij: “ Jo i squllur. I vdekur. … Dhe në lidhje me skulpturat e tua, është pikërisht suksesi që ke sot, që dikur nuk e kishe, që tregon se je i vdekur. Je njëtrajtësuar, ke marrë përmasa të njëjta, je përditësuar duke ndjekur hapin e turmës, i preve gjembat, i ule flamujt, hoqe dorë nga çmenduria, nga rebelimi, nga iluzioni. Dhe prandaj tani i pëlqen publikut të madh, publikut të madh të të vdekurve.”

Doktor Tratori, veç ekspertizës si mjek, si sociolog, na shfaqet edhe si estet. Në këtë pjesëz të tregimit kemi hibridizimin e tij, përzierjen e tekstit letrar me tekstin eseistik. Në të njëjtin tekst të tregimit shfaqet shkrimtari dhe gazetari. Dino Buxati, në një rast është shprehur se për mendimin e tij gazetaria nga shkrimtaria nuk ka kufij të qartë.Argumentimi i tij për vdekjen e Enrikos si njeri dhe si artist është mjaft interesant. Vdekja e njeriut ka sjellë si rrjedhojë edhe vdekjen e artistit. Modelimi i tij nga shoqëria, duke i rrafshuar individualitetin, ka sjellë një sinkron të shijeve të tija artistike me shijet e turmës. Skulpturat e tij prodhohen si nevojë e turmës për një lloj arti që ajo shijon. Nëse krijuesi, artisti do të ndjekë shijet e turmës, ai shpejt do të vdesë si artist. Artisti i vërtetë krijon shije të holla dhe të epërme artistike te bashkëkohësit e tij, krahas veprës, krijon edhe shijuesin apo lexuesin e saj.

Në përgjithësi artistët e shquar kurrë nuk janë kuptuar dhe shijuar nga bashkëkohësit e tyre. Piktori i madh Vinsent van Gog shiti vetëm një vepër në gjallje të tij me çmimin qesharak prej katërqind frangash. Sot veprat e tij shiten në dhjetëra apo qindra milionëdollarë për njësi.

Pamja e krijuar nga doktor Tratori është tejet e zymtë, por që i shëmbëllen tragjikisht tablosë së botës së njëmendët të kohës së sotme. Rrafshimi i shijeve estetike, njëjtësimi i modelit të të ushqyerit, të veshurit, mënyrës së të jetuarit, operacionet plastike duke vrarë fytyrat e krijuara nga Zoti, duke krijuar dy tre fytyra në modë dhe duke zhdukur miliona fytyra të bukura, janë pamje të shekullit XXI. Ajo që është edhe më tragjike, është rrafshimi i mendimit, krijimi i modeleve klishe të të menduarit, janë vdekja jo artistike, por reale e njerëzimit të sotëm. Leximi i këtij teksti është tronditës. Arti i nyjëtimin të tekstit i pazakontë, punë mjeshtri. Tregimi në fund të tij ka një dialog-epilog domethënës:

– Po ti, atëherë? – e pyes i tërbuar. Si ka mundësi që nuk flet për veten?

– Unë? – tund kokën doktori. – edhe unë, natyrisht. I vdekur. Prej shumë vitesh. si të rezistoja në një qytet si ky yni? Kufomë edhe unë. Veç më ka mbetur një…spirale. Nga kryeneçësia profesionale, mbase… një spirale nga ku mundem të shoh, – përfundon doktori dhe dialogu në këtë tregim.

Tregime si ky i Dino Buxatit, krahas kënaqësisë estetike, na ndihmojnë të njohim veten dhe të tjerët, na ndihmojnë që, edhe me shpirt ndër dhëmbë, të ruajmë njeriun te vetja në një botë që sa vjen e çnjerëzohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.