Dr. Rugova në kuadër të ideve estetike moderne, është përfaqësues tipik i estetikës ontologjike, kërkon përcaktimin e letërsisë me qenësi të fortë estetike, sepse zhvillimi i saj është funksional në vazhdimësinë historike dhe kulturore
Afrim REXHEPI
Në historinë e ideve estetike, vepra artistike dhe letrare është perceptuar e analizuar nga dy këndvështrime: e para, nga këndvështrimi i aktit estetik (aesthesis); e dyta, nga këndvështrimi i objektit estetik (aestheton). Nga këndvështrimi i parë, pra nga akti estetik, është kahjezuar estetika psikologjike (T. Lips. Folkelt etj.) dhe nga këndvështrimi i dytë, pra nga objekti estetik, është kahjezuar estetika fenomenologjiko – ontologjike (N. Hartman, R. Ingarden, I. Focht etj.) Në këtë kontekst, Dr. Ibrahim Rugova i takon estetikës fenomenologjiko – ontologjike, më saktë, estetikës ontologjike, që, sipas tij, i ka rrënjët te filozofia materialiste e Aristotelit, e shprehur përmes objektivit artistik që nxjerr në dukje ekzistuesen, esencialen. Në kohën e modernitetit, estetika ontologjike shënohet përmes objektit estetik dhe aktit estetik (mënyra e realizimit të objektit estetik), që së bashku prodhojnë efektin estetik. Estetika ontologjike e përcakton veprën letrare si ontos të veçuar e të veçantë që neve, si lexues, na lidh me një realitet më të thellë, kuptojmë thelbin e veprës letrare dhe lidhjen e esencës së kuptimit me ekzistencën tonë.
Idetë estetike në shekullin XX
Idetë estetike në shekullin XX janë të shumëllojshme dhe tejet të komplikuara: Neopozitivizmi në estetikën e shek. XX; Kritika e Re Anglo – Amerikane; Estetika fenomenologjiko – ontologjike; Strukturalizmi dhe Poststrukturalizmi etj. Pavarësisht faktit që janë paraqitur në pjesën e parë apo në pjesën e dytë të shek. XX, por edhe më herët, ato, ndonëse të komplikuara, njohin vazhdimësinë midis tyre. Reaksioni ndaj ideve estetike më të vjetra e ka mundësuar vazhdimësinë e ideve estetike të reja, idetë janë trans-historike, ato mbijetojnë për t’u shfaqur në kohë tjera si shtresa bazike të ideve të kohës. Në këtë kontekst, idetë estetike nuk i shfaqim si forma panoramike, por në forma panoramike të ndërveprimit e të ndërthurjeve të tyre. Fillimin e ndërthurjeve dhe ndërveprimit panoramik të ideve estetike, e fillojmë nga fillimi i shek. XX, nga estetika e shprehjes e Beneto Kroçes dhe idenë për autonominë e shprehjes artistike në leximin dhe problematizimin e nocionit shprehjesi term gnoseologjik nga Ivan Fohti. Sipas tij, shprehet ajo që është e jashtme, ajo që krijohet jashtë veprës së artit. Në këtë kontekst, ndërthuren idetë estetike të Haidegerit, i cili theksoi faktin që Kanti dhe estetika e tij filozofike për të bukurën, kanë përfunduar, është fuqizuar aspekti ontologjik i artit. “Arti është vetëvendosje e të vërtetës në vepër…Arti është formë në të cilën zbulohet qenia e qenësimi” – definonte Heidegeri. Sipas estetikës psikologjike, objekti estetik (lexo vepra letrare), shpërbëhen në vetëdijen e subjektit (marrësit) dhe karakteristikat përmbajtësore dhe formale të objektit estetik nuk janë vlera në vete, por vlera që u jep marrësi gjatë aktit të perceptimit. Ne jemi ata që i bartin emocionet tona në objekt, kurse objekti nuk ekziston për vete, subjektivizohet, ekziston për ne. Estetika fenomenologjike – ontologjike, për dallim nga estetika psikologjike, nuk e subjektivizon objektin estetik, por gjykon mënyrën e ndikimit të objektit estetik te marrësi dhe qeniesimin e objektit estetik si fenomen, me strukturë autonome të brendshme dhe ndjesinë e jetës, e ndarë nga realiteti dhe vullneti.
Në vazhdën e ndërthurjeve të ideve estetike, gjykojmë estetikën fenomenologjike – ontologjike të Uilijem Konradit, Nikollai Hartmanit, Roman Ingardenit dhe Ivan Fohtit. Fillimet e estetikës fenomenologjike – ontologjike, i gjejmë te shkrimet e analizat estetike të Konradit, i cili i kahjezon ato drejt natyrës dhe qeniesimit të objektit estetik. Për shembull, objekti estetik i artit muzikor, ka një shtresë, bërthamën tingullore akustike, edhe kur vibron, nuk e humb identitetin e të qenët objekt estetik, qëndron në qeniesinë e vet. Përkundër psikologjistëve dhe relativizmit estetik, sipas Konradit, vepra artistike e posedon qeniesinë e vet, lëndën e vet ideale, me dimension trans-historik. Ajo që intrigon estetikën fenomenologjike të Konradit, është ç’ështja e objektit intencional estetik që ekziston në vete dhe për veten, pa pasur nevojë ta funksionalizojë perceptimin. Nga pozicioni i estetikës fenomenologjike, një përpjekje të komunikimit me veprën artistike, e bëri Konradi, i cili përcaktoi idenë që estetika duhet të analizon strukturën e objektit përmes kënaqësive estetike. Estetika nuk mund ta kahjëzojë rrugën e vet, pa një bazë të fortë ontologjike, është ky definimi i Hartmanit në ligjëratat e tij të përmbledhura, me titull Estetika (1953). Vepra artistike dhe vepra letrare është shpirt i objektivuar dhe ekziston mbi një shtresë reale, është i “ndarë” në dy shtresa të ndërlidhura që përbëjnë strukturën e brendshme: shtresa e parë reale apo fizike dhe shtresa e dytë ireale apo metafizike. Shtresat, në ndërthurjen midis tyre, krijojnë shpirtin e objektivuar apo objektin estetik. Pra, vepra artistike dhe letrare është objektivim i një përmbajtje shpirtërore në një objekt estetik. Tendenca e tij ishte që të lidh dy paradigmat estetike: fenomenologjinë dhe ontologjinë, edhe pse është i dukshëm fakti që estetika ontologjike është më e thellë në përcaktimet teorike të veprës artistike dhe letrare. Nxënësi i Edmund Huserlit, Roman Ingardeni, në historinë e ideve estetike cilësohet si projektuesi i kualiteteve metafizike në veprën letrare artistike. Tendenca e tij ishte domethënëse në aspektin e analizës së fenomeneve artistike, fillimi nga pika e idealit të estetikës fenomenologjike, nga “fenomeni i pastër”. Përmes metodës së reduktimit fenomenologjik, të refuzojmë të gjithë atë që na pengon në njohjen e estetikes, në formën e saj të pastër, sepse objekti estetik është objekt intencional, i strukturuar përmes katër shtresave (shtresa materiale, shtresa kuptimore, shtresa e të shfaqurit dhe rrëfimi – shtresa më e mistershme e veprës letrare artistike) dhe i mjafton vetënjohja. Pra, jo njohje gnoseologjike, por njohje ontologjike, që del nga shtresat e strukturës intencionale si vlerë estetike.
Estetika e R. Ingardenit, sugjeron në faktin që integrimi i plotë i shtresave brenda veprës letrare, harmonizimi polifonik i tyre, krijon veprën letrare si realitet estetik apo si qeniesi estetike. Në ndërthurjen e ideve estetike ontologjike, theksohet estetika ontologjike e Ivan Fohtit. Sipas tij, forma dhe struktura e objektit estetik krijojnë estetikën formale, objektivitetin estetik që përcaktohet përmes disa planeve: material – fizik, realitet – rrëfim dhe shpirtëror – metafizik. Estetika ontologjike e Fohtit, tregon në faktin që forma i paraprin ekzistencës së objektit estetik, është esencialiste. Ajo që intrigon estetikën ontologjike të tij, është realizmi gnoseologjik, fakti që format estetike janë objektive, ato nuk vështrohen a gjykohen nga subjektiviteti estetik. Fohti ishte i mendimit që metafizikat e specializuara sot po zhbëhen në sisteme njohëse fizike e pozitive, gjithnjë sipas tij, është koha që ontologjia e artit të kalojë në ontologjinë universale dhe nga aty të definohet qenia artistike, thjesht kërkonte përafrimin metafizik të identitetin të materies dhe shpirtit.
Estetika objektive – ontologjike
Ndërthurja e teorive ontologjike, apo rrjetëzimi i tyre, në idetë estetike shqiptare, shënohet me idetë estetike të Dr. Ibrahim Rugovës. Në fakt, përzgjedhja e tij estetike është përcaktimi i artit si fenomen i objektivuar ontologjik. “Me afirmimin e refuzimit estetik ne nuk kërkojmë absolutizimin e letërsisë, artit, po vetëm për të forcuar një argument të arsyeshëm mbi vlerën e letërsisë dhe funksionin e saj si qenësi e jo si letërsi në funksion”. (Rugova, 2005: 16)
Përforcimi i vlerës së letërsisë dhe artit si qenësi e jo si funksion, përcaktimi i letërsisë dhe artit si differencia specifica, shënon faktin që në rrjetëzimin e ideve estetike, I. Rugova përfaqëson estetikën ontologjike, e filluar nga Aristoteli dhe e vazhduar në shek. XX, kryesisht nga idetë estetike të N. Hartmanit, R. Ingardenit dhe I. Fohtit. Duke i njohur mirë përfaqësuesit e estetikës fenomenologjike – ontologjike, Dr. Rugova estetikën ontologjike si askush më parë në estetikës shqiptare, e funksionalizoi në definimin e veprës letrare si qenësi estetike që realizohet përmes refuzimit estetik. Në fakt, estetika ontologjike lidhet e krijohet nga ontologjia. Definicioni i Hegelit “Arti është ide e shprehur përmes shqisave”, është esenca e estetikës ontologjike. Në këtë kontekst, estetika ontologjike nuk është vetëm shkencë për artin, por edhe shkencë për qenien e botës. Që nga Aristoteli, e në vazhdimësi me Hegelin e të tjerë, estetika përcaktohet si ontologjike, sepse qenia e artit krijohet mbi një rrafsh ontologjik. Sipas estetikës ontologjike, arti e vetëvendos të vërtetën në vepër që nuk është subjektive, por objektive dhe kjo është “pasojë” e kërkimit të të bukurës në objektet reale. Arti është formë në të cilën zbulohet qenia e qeniesimi, esenca e Qenies, kurse e bukura është mënyra e ekzistimit të të vërtetës së brendshme – objekti intencional. Sipas estetikës ontologjike të Rugovës, vepra letrare e artistike është qenie në vete, me ontos të përcaktuar, që tejkalon autorin, sepse është trans-historike dhe me përforcimin e saj ontologjik e me qeniesinë e saj estetike, në kohëra të ndryshme, refuzon fenomene shoqërore. Kemi parasysh letërsinë shqipe, diferencimin e saj si objekt estetik, si qenie e qeniesi estetike e jo ideologjike. Dr. Rugova gjykoi faktin që mossuksesi i estetikës qëndron në një rrafsh të gabuar, sepse përcaktohet si fenomen subjektiv, një formë e përjetimit psikik. Përkundër këtij fakti, Dr. Rugova në idetë estetike shqiptare, si askush më parë, përforcoi bindjen e objektivimit ontologjik si formë, përmes së cilës zbulohet qenia dhe qeniesimi dhe e bukura që reflekton mënyrën e ekzistimit të të vërtetës. Refuzimi estetik i Dr. Rugovës, qeniesimi estetik është i kuptueshëm pasi karakteri ideal i artit nuk qëndron tek idetë, por në natyrën e bukur e të madhërishme të saj që reflekton marrësin, me magjinë e vet, e tërheq atë në përjetimin e trashëgimisë shpirtërore nacionale, diku të humbur në kohë, falë qeniesimit estetik, të rizbuluar e kurrë të harruar.
Sipas Dr. Rugovës, teoria e autonomisë së letërsisë “bazën e ka në teorinë mbi kullën e fildishtë të simbolizmit”, ku poeti veçohet nga jeta dhe vetëvendos realitetin e shndërruar në objekt intencional estetik me mjetet letrare shprehëse. Pra, refuzimi estetik, përmes qenies dhe qeniesisë estetike, i kundërvihet imponimit, e refuzon imponimin që vjen nga politika e shoqëria.
“Refuzimi estetik realizohet në formë të drejtpërdrejtë me mjete letrare që njihen prej kohësh, siç janë satira, sarkazmi, grotesku apo ironia e angazhimi në kohën moderne, e në formë tjetër fundamentale realizohet, kur letërsia me vetë praninë e realitetit në vete dhe të realitetit të vet refuzon imponimin”. (Rugova, 2005: 17) Pra, gjithnjë sipas Dr. Rugovës, imponimi vjen nga politika e cila përjashtohet përmes refuzimit estetik, sepse shoqëria dhe fenomenet shoqërore siç është edhe politika, nuk mund të krijojnë artin e vet, sepse arti është trans-historik, është i tejkohshëm dhe realizohet përmes refuzimit estetik. Një kundërshtim i tipit estetika – politika, e përcaktonte Platoni në veprën Shteti, ku përmes kategorisë së mimesisit, artin e definonte si të padobishëm, Mesjeta e zhvillonte tipin e letërsisë që e përçonte ideologjinë religjioze. Renesanca e ngriti në kult artin. Kundërshtimet midis estetikës dhe politikës vazhduan edhe me simbolizmin, por edhe në shekullin XX, ku arti filloi të funksionalizohet sipas ideve, e jo sipas refuzimit estetik. Pikërisht, zhvillimi i raportit kundërthënës estetika – politika, përmes estetikës ontologjike në kuptimin që i jep Rugova, zhvilloi teorinë e diferencimit të letërsisë, në kontekst edhe të letërsisë shqiptare, si qenësi estetike e jo si qenësi politike e ideologjike. Vlen të theksohet fakti që në përcaktimin teorik të Dr. Rugovës, në pjesën e raportit estetika – politika, veprat letrare nga tradita e letërsisë shqipe, që kishin qenësi të thellë estetike ndikonin në rrjedhën e sistemit politko – shoqëror jo vetëm të kohës, por edhe të kohëve të tjera, kurse veprat letrare me qenësi të dobët estetike, kishin ndikim të dobët në rrjedhat politiko – shoqërore të kohës, por jo edhe të kohërave të tjera.
“Qenësia estetike është fryt i karakterit të lirë e të gjerë të letërsisë dhe garanci për veprimin më të madh dhe jetën më të gjatë të një vepre. Për shembull, ndikimi i veprimit praktik i De Radës do të ishte më i vogël në opinionin e Rilindjes kombëtare, sikur vepra e tij të mos kishte qenësi të thellë estetike, apo ndikimi i Naim Frashërit. Por ndikimi i tyre, me qenësinë e tyre, është i pranishëm edhe sot në kontekste dhe në momente të ndryshme. Shkrimtarët e tjerë të Rilindjes, të cilët në veprat e tyre e patën qenësinë estetike më të dobët, ishin aktualë, po kishin ndikim më të vogël, e edhe për kohët e mëpastajme mbeten vetëm si dëshmi veprimi brenda aktualitetit të një kohe”. (Rugova, 2005: 26)
Përfundim
Dr. Rugova në kuadër të ideve estetike moderne, është përfaqësues tipik i estetikës ontologjike, kërkon përcaktimin e letërsisë me qenësi të fortë estetike, sepse zhvillimi i saj është funksional në vazhdimësinë historike dhe kulturore. Rugova me qenësinë estetike apo teorinë letrare të refuzimit estetik është i ndikuar nga idetë estetike të Hegelit, dhe faktit që koha e dobësimit dhe zhbërjes së artit e të veprës letrare, është intensifikuar gjatë shek. XX. Është një diskurs teorik i estetit Roxher Scruton i cili theksoi faktin që arti bashkëkohor po e humb qenësinë estetike me atë edhe të bukurën. Ai beson në estetikën objektive, në faktin që e bukura është e vërtetë objektive dhe jo e vërtetë subjektive e cila ekziston vetëm për syrin e marrësit. E bukura është vlerë reale dhe universale, thellë e rrënjosur në natyrën tonë racionale.
“Vlerat shpirtërore sot janë zëvendësuar me vlerat materiale. Arti modern është shndërruar në investim. Arti para shek. XX, kishte strukturë të qëndrueshme estetike, kishte thellësi, bukuri, humanitet, krijonte efektin e thellë të ngritjes shpirtërore” (Scrutton, 2011: XIII). Dr. Ibrahim Rugova,në Historinë e ideve estetike shqiptare, kërkon përforcimin e estetikës ontologjike, në kontekst përforcimin e letërsisë shqipe si sistem autonom, në vazhdimësinë e kohës, me një qenësi të fortë estetike, përmes interobjektivitetit (objekti intencional + objekti marrësi) të qenësohet dhe ngritet njeriu në dimensionet e të bukurës, lirisë dhe humanizmit.