SADRI AHMETI, NË GOLI OTOK E SPAÇ

Në vitin1963, kur ndodhesha me punë në Berat, kam shkruar poemën për Goli Otokun, ku u torturuan në mënyrë çnjerëzore dhjetëra mijëra njerëz të pesëmbëdhjetë kombësive. Ata që kishin ngritur këtë kamp të tmerrshëm, donin të përtërinin kampet famëkëqija të nazizmit, ashtu siç u përpoqën dhe në tërë format e politikës me gjithë sloganet e lustrën që mundoheshin t’i jepnin fasadës së jashtme. Njerëzit që vuajtën dhe lënguan në Goli Otok, unë i kam parë me sy, që kur isha çunak, në trevat e vendlindjes sime. Ata ishin kufoma të gjalla memece, që mund t’i shihje në çdo fshat e qytet të Jugosllavisë. Endeshin si të topitur e zemërvrarë nëpër rrugë dhe mua më dukej, se përmes syve e fytyrës së tyre lexoja si nëpër faqet e një gazete tërë jetën e tyre të pashkruar. U mësova t’i lexoja këto sy e këto fytyra. Përfytyrimi i tyre më ndiqte kudo, zgjuar dhe në gjumë. Në Shqipëri, ku erdha më gëzim, se kisha shpëtuar nga thonjtë e ferrit titist, përjetova me dhimbje pothuaj të njëjtin realitet. Më vonë, m’u desh të vuaja dhe nëpër galeritë dhe qelitë e ftohta e të tmerrshme të Spaçit. Të tëra këto, më shtynë të shkruaja këtë poemë. Ishte një jetë e tërë, që kërkonte të futej nëpër faqet e vargjet e saj dhe mua m’u desh të vrisja mendjen, se në ç’forma e në çfarë struktura vargëzimi duhej derdhur e gjithë kjo lëndë e bollshme e dhimbshme dhe tragjike, që e përjetoja me vite thellë vetes, e cila s’më linte as edhe një çast të qetë.

P.S.

Poeti Sadri Ahmeti (1939 – 2010) pas viteve 1990 botoi “Një e qeshur harbon nëpër errësirë”, “Masakra e Tivarit”, “Ajsbergu i preludit të katastrofës”, “Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok”, “Tek lahem në dritën e hënës” etj. Është vlerësuar me çmimin “Onufri” në vitin 1994 nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe Ministria e Kulturës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.