(Në 35 vite jetë artistike interpretoi më shumë se 100 role 30 prej të cilave në kinema)
Nga Leonard VEIZI
Vdekja e tij ishte tragjike, por përditshmëria në të gjallë kishte aq shumë intensitet, ndërsa jetonte jetën e vet dhe atë të personazheve të tij…
…Në rrugët e Tiranës ai dukej po aq fisnik e madhështor sa dhe imazhi i doktor Borovës apo i dhaskal Todrit të cilat i pat “gdhendur” me aq mjeshtëri. Por në kujtesën time të hershme qenien e tij prej artisti e kam fiksuar me një llullë në gojë po aq sa dhe profesor Mirushi tek “Dora e ngrohtë”, e pak flokë të gjata sa më kujtonte daj Vranën tek “Yjet e netëve të gjata”. Ndërsa po aq imazhi i tij hijerëndë të linte mbresën e një burri të fortë, ashtu si dhe i mahnitshmi Jaho Labi, që luhej nga i njëjti njeri, nën të njëjtën lëkurë. Dhe padyshim nëse do të përmendet emri i tij si aktor, ai do të lidhej rrufeshëm me atë të Ismail Qemalit, personazhit historik që i dha aq shumë vërtetësi në një interpretim të jashtëzakonshëm. Por jo më pak qenësia e tij aktruese lidhet menjëherë me një tjetër personazh emblematik gjithashtu, me atë të gjeneralit të “ushtrisë së vdekur”, të cilit i dha aq shumë elegancë:
-“Vërtet je kaq e lehtë Beti, apo më duket mua kështu nga lumturia. Sa e lehtë që je ti Beti… Ndërsa tani ti je vetë më i lehti i njerëzve në botë, 3-4 kg, jo më shumë”.
Ky ishte Sandër Prosi… Dhe vazhdon të jetë, gjithashtu… Sepse ka mbetur në memorien kolektive dhe në pelikulën e filmit.
Si aktor brilant që interpretoi në skenën e teatrit shqiptar dhe në sheshxhirime, ai do të linte pas një mori personazhesh të cilët vazhdojmë t’i kemi në ekran. Statistikat thotë se ka interpretuar më shumë se 100 role. Galeria e personazheve të tij është e thellë dhe e gjatë. Por përsëri kjo mbetet një statistikë. Sepse në realitet do t’i mjaftonte vetëm një prej tyre me të cilin do të identifikohej. Dhe për këtë mund t’i mjaftonte Sefedini:
-“O popull sa shumë gjëra bëhen nën emrin tënd, biles edhe naltmadhnija flet nën emrin tënd…”
Ndërsa ai ka shumë më tepër se kaq.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se u lind në Shkodër më 6 janar 1920. Familja e tij u shpërngul drejt Tiranës kur qe 14 vjeç. Në vitin 1938, pas mbarimit të gjimnazit, përfitoi një bursë, për të studiuar në një nga universitetet e Vjenës. Për dy vite studioi stomatologji dhe pas pushtimit italian të Shqipërisë bursa iu ndërpre. Në vitet 1942-‘43, maturantët e gjimnazit shtetëror të Tiranës, ku midis të cilëve ishte dhe aktori Naim Frashëri, vunë në skenë dramën “Vilhelm Tel”. Për këtë ata kërkuan ndihmën e shokëve të tyre më të rritur, që kishin mbaruar të njëjtën shkollë, Sandër Prosit dhe Prokop Mimës.
Më 1947 fiton konkursin pranë Teatrit Popullor. Prej këtej filloi veprimtaria e tij artistike.
Për herë të parë luante në vitin 1948 tek komedia “Prefekti” të Besim Levonjës. Më pas do të vazhdonte në teatër me role tek “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Hamleti”, “Fytyra e dytë”, “Doktori pacient”, “Otello”, “Makbethi”, “Epoka para gjyqit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Familja e peshkatarit”, “Çatia e të gjithëve”, “Revizori”, “14 vjeç dhëndër”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Rrënjët e thella”, “Xhaxha Vanja” etj.
Krijoi dhjetëra role në veprat e autorëve shqiptarë si Andon Zako Çajupi, Kol Jakova, Besim Levonja, Loni Papa, Ismail Kadare, Teodor Laço, Ruzhdi Pulaha, Dritëro Agolli, Dhimitër Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj. Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role që kanë hyrë në fondin e artë të kinematografisë shqiptare.
Pas vitit 1961, ku interpretoi në filmin “Debatik”, rolet i takojnë kinematografisë me: “Detyrë e posaçme”, “Vitet e para”, “Horizonte të hapura”…
-“Aspirinë?! Hajd ta marrësh në bigë”, – do të ishte një nga batutat e tij në rolin e kapitenin të bigës lundruese.
Dhe Sandër Prosi do të vazhdonte me filmat e tjerë: “Plagë të vjetra”, “Guximtarët”, “Gjurma”, “I teti në Bronz”, “Mëngjese lufte”, “Yjet e netëve të gjata”, “Shtigje lufte”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Në fillim të verës”…
-“Ik or tutje, breshkave u dhamë ne ujë, më njëzetën. Dhe ç’ujë pa, tërë detin… Do hosten bualli, jo pickima pleshti.”
Ky ishte Jaho Labi. Por më pas do të vinin rolet e tjera për të në filmat: “Përballimi”, “Fijet që priten”, “Njeriu me top”, “Gjeneral Gramafoni”, “Udha e shkronjave”, “Yje mbi Drin”, “Vajzat me kordele të kuqe”…
-“E ka fajin 7 prilli o Resul. Mos e harro dhe Selam Musanë me shokë.”
Dhe ky ishte Safeti, babai i Dhuratës.
Odiseja e filmave do të vazhdonte me: “Plumba perandorit”, “Plaku dhe hasmi”, “Qortimet e vjeshtës”, “Nëntori i dytë”, “Dora e ngrohtë”, “Kush vdes në këmbë”…
-“Afrohu dele e perëndisë, afrohu. Ke qenë në Kostur ti Sofi? Do ti them babait të të marrë me vete kur të që ti lutesh Shën Mërisë të të plotësojë çdo dëshirë”
Ndërsa ky ishte dhespoti që shkishëroi Petro Nini Luarasin e gjuhës shqipe.
Pikërisht e gjithë kjo galeri rolesh, përvoja e 35 viteve jetë artistike, në krijimin e më shumë se 100 personazheve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, krijuan dhe shkollën shqiptare të aktrimit.
Miqtë e kolegët e tij janë shprehur se Sandri ndihej në një lloj persekutimi, ndoshta për shkak të goditjes që iu bënë shumë intelektualëve që kishin studiuar në perëndim. Punonte nën presion. Disa nga rolet që i dhanë e impresionuan negativisht, por kishte dhe njerëz të tjerë që nuk ia donin të mirën dhe ndikonin keq në jetën e tij. Të gjitha këto probleme psikike iu rënduan.
Kështu më 25 mars 1985, Sandër Prosi vetëvritet, ndërsa ishte tek hotel Vollga në Durrës, me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur”, të regjisorit Muharrem Fejzo.
Për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit skenik e kinematografik Sandër Prosi është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera. Në 25-vjetorin e vdekjes, Presidenti i Republikës nderoi Sandër Prosin me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Në 24 shkurt 2017, Sandër Prosi u nderua me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” pas vdekjes.