SARTR DHE NOBELI

WEB JEANNE - INI SUN

Sartri i shpjegoi opinionit botëror se vendimi i tij nuk ishte thjesht një “lëvizje impulsive”. Fakti që nuk pranoi “Nobelin” erdhi nga zakoni i tij i jetës për të refuzuar të gjitha nderimet zyrtare

Grigor JOVANI

Nuk di  të ketë ndonjë çmim tjetër në botë, që të ketë pjellur një begati të tillë mosmarrëveshjesh, dyshimesh dhe kundërshtimesh. Dhe të mendosh se ka një jetëgjatësi relativisht të shkurtër, për përmasat e tij, njëqind e ca vite. Për herë të parë u akordua në fillim të shekullit të kaluar (1901). Çdo vit dhe një histori më vete. Dhe do të duhej nga një Agatha Kristi për çdonjërin prej tyre, për të përshkruar pasionet, intrigat, dyshimet dhe parashikimet në lidhje me të kurorëzuarin e mundshëm. Ndërkaq, asnjë vit tjetër nuk ishte kaq interesant se sa 1964-a, viti kur një filozof dhe shkrimtar frëng , Zhan Pol Sartri, zbuloi se ishte ndër kandidatët kryesorë për ta fituar. 

Kush ishte Sartri në atë kohë? Po ta ndeshje në rrugë dhe të mos e njihje atë burrë të shkurtër dhe rondokop, me syze të trasha dhe me një grua si ai që e shoqëronte kudo e kurdoherë, do ta merrje për ndonjë nëpunës banke apo bashkie. Në të vërtetë, dallonte shumë nga të zakonshmit. Romancier, dramaturg, skenarist, kritik letërsie dhe veprimtar i njohur shoqëror, Sartri ishte njëri nga protagonistët më të rëndësishëm të filozofisë frënge të shek. 20-të, të atij vendi që pas grekëve të lashtë kishte nxjerrë filozofët më mendjendritur të botës. Jo më kot konsiderohej turbina kryesore e “hidrocentralit filozofik” francez të periudhës së para dhe pas luftës së dytë botërore, nismëtari dhe forca lëvizëse pas ekzistencializmit.

Kur filluan të dendësoheshin të dhënat se ai do të ishte fitimtari i kursës për “Nobelin” e atij viti, Sartri nuk humbi kohë. I shkroi menjëherë Akademisë Suedeze, për t’u deklaruar prerazi se e tërhiqte me të gjitha zyrtarizmat e duhura kandidaturën e tij. Duke injoruar faktin se nuk mund të bëhej asnjë tratativë midis Akademisë dhe kandidatëve (as që ishte dashur të ndodhte kjo gjer atëherë), Sartri ishte i vendosur në kërkesën e tij. Por muret e heshtura të Akademisë Mbretërore nuk dëgjonin nga ai vesh. Përfundimisht “Nobeli” i 1964-ës iu akordua Zhan Pol Sartrit më 22 tetor të atij viti, për veprën e tij që ishte “e pasur në ide, me shpirt lirie dhe kërkimi të së vërtetës”.

I zemëruar, Sartri refuzoi të udhëtojë në Stokholm, për të marrë në dorëzim statujëzën e artë të Çmimit më të rëndësishëm letrar të botës. Mbretit suedez i mbeti ftesa dhe statujëza në dorë… Për Sartrin rëndësi primare dhe vendimtare kishte mendimi i tij. Nuk mund të dilte kundër vetes, por njëkohësisht respektonte opinionin, i cili shprehej nëpërmjet punës fisnike të shtypit demokratik. Nëpërmjet tij, kryesisht atij suedez, sqaroi arsyet e këtij refuzimi.

Sartri i shpjegoi opinionit botëror se vendimi i tij nuk ishte thjesht një “lëvizje impulsive”. Fakti që nuk pranoi “Nobelin” erdhi nga zakoni i tij i jetës për të refuzuar të gjitha nderimet zyrtare. Është e njohur ndodhija gjatë luftës, më 1939, kur Sartri shërbeu në ushtrinë franceze si meteorolog, para se të arrestohej nga ushtria gjermane më 1940. Kaloi nëntë muaj si rob lufte dhe më 1945, kur shteti francez i akordoi një dekoratë të lartë për shërbimet e tij patriotike në luftë – “Legjionin e Nderit” (Légion d’ honneur) – refuzoi ta marrë në dozim. “Kam bërë thjesht detyrën!”, deklaroi atëherë.

Këtë praktikë e vazhdoi gjatë gjithë jetës, ngaqë konsideronte çdo nderim, një vartësi prej atij që e jepte. Dhe ai, mbi çdo gjë, dëshironte të ishte i lirë dhe i pavarur. Veç kësaj, kishte bindjen se shkëmbimi i dijeve dhe kulturës midis Perëndimit dhe Lindjes duhej të bëhej midis njerëzve, pa ndërhyrjen e institucioneve.

Në rastin e “Nobelit”, Sartr deklaroi: “Shkrimtari duhet të refuzojë të shndërrojë veten në vegël, edhe kur kjo ndodh në rrethanat më të ndershme, si në rastin tonë. […] Ky refuzim është natyrisht një qëndrim krejtësisht i imi dhe nuk përmban asnjë kritikë për ata që e kanë marrë këtë çmim…”

Leave a Reply

Your email address will not be published.