Mishel Vinok, historian i shquar francez
Mishel Vinoku (Michel Winock), u lind në vitin 1937 në Paris. Ky është fëmija më i vogël (sugari, siç thuhet) nga të pestët sa lindën nëna e tij Zhana dhe i ati Gastoni. Edhepse i lindur në Paris, Misheli, sipas të dhënave biografike që gjenden në librin e tij të kujtimeve, “Zhana dhe të afërmit e saj”, u rrit në “lagjen e kuqe” në Arkej (Arcueil). Kështu, pas shkollimit shumë të suksesshëm në gjimnazin Lakanal, merr maturën me notë shumë të lartë në filozofi. Më pastaj regjistrohet në Hypokhâgne dhe pa shkëputje nga puna ndjek studime me korrespondencë.
Pasi merr gradën doktor i shkencave të historisë, në vitin 1961, ai e nis karrierën në arsim, në një shkollë të mesme në Monpëlje për të vazhduar në gjimnazin Osh (Hoche) në Versaj dhe më pas në gjimnazin Lakanal në So (Sceaux). Pas reformave që bëri Edgar Fori (Edgar Faure) në vitin 1968, vit kur u hap edhe universiteti në Vensenë edhe Mishelit iu çelën dyert për në arsimin sipëror. Krahas kësaj Misheli me shumë dashuri e energji krijuese njëherazi u dha edhe në fushën e botimeve veçmas në botime revistashsiç janë revista Esprit (Fryma), Recherches (Kërkime), Historia (LʼHistoire), etj.Në shtëpinë botuese Seuil (Pragu), në vitin 1962, në fillim bëhet këshilltar pastaj më vonë edhe drejtor i botimeve letrare.
Në vitin 1979 në Universitetin e Sorbonës, në shkencat politike, zgjidhet asistent e më vonë edhe profesor, duke i kaluar shkallë-shkallshëm të gjitha gradat e parapara me ligjet gjegjëse. Duke qenë historian i rryer i specializuar për historinë e Republikës franceze si dhe atë të lëvizjeve intelektuale e politike, Misheli ka shkruar dhe botuar mbi pesëdhjetë vepra. Në mesin e veprave që patën më së shumti sukses e që autorit i sollën edhe çmime prestigjioze janë: “Shekulli i intelektualëve” në vitin 1997 në gjininë e esesë që ia solli çmimin “Medicis”; ” Zëri i lirisë” në vitin 2001 i shpërblyer me çmimin Gober të Akademisë franceze apo edhe ” Zonja de Staël” në vitin 2010 që u kurorëzua me çmimin Gonkur për biografi si gjini që Mishelit i fle fort në shpirt. Temat e trajtuara përfshinë fusha të ndryshme, kështu ato rroken me socializmin, antisemitizmin, nacionalizmin, lëvizjet e të djathtës ekstreme në Francë, etj.Në universitet Misheli ligjëron lëndë të ndryshme. Njëra ndër ato që më së shumti është shquar është Historia e ideve politike. Përmes një intervistë dhënë revistës ” Kronikat”, Misheli jep një historik të shkurtër, duke e portretizuar Zhan-Pol Sartrin, jetën, bëmat, veprimtarinë dhe veprat e tij. Vetvetiu shtrohet pyetja:Çka ka mbetur prej Sartrit sot?
Zhan-Pol Sartri vdiq dhe u varros në varrezat e Monparnasit më 19 prill 1980. Gjatë ceremonisë së varrimit, shkruajnë kronikat e kohës, një turmë e konsiderueshme prej më tepër se tridhjetë mijë vetash, vetvetiu, natyrshëm dhe në mënyrë fare të çiltër ishin mbledhur për të përcjellë trupin e pajetë të tij. Kortezhin e përmortshëm të këtij njeriu që e pati lëvizur e dinamizuar një periudhë të tërë të jetës intelektuale dhe politike franceze, dhe jo vetëm, që me të drejtë njohësit e mirëfilltë dhe studiuesit e kanë quajtur “Vitet e Sartrit”.
Kronikat:- Si pranohet sot vepra e Sartrit? Çka ka mbetur sot nga ajo?
Mishel Vinok:- Në veprën e Sartrit mund të dallojmë tre aspekte veçuese, edhepse ato janë ndarje të papërshkueshme: Sartri filozof, Sartri shkrimtar dhe Sartri “politik”. Nuk është filozofia e Sartrit e vetmja gjë që ka mbetur sot si vlera më e shquar nga vepra e tij, e cila edhepse nuk studiohet gjithaq nëpër universitete në Francë, ajo ndërkaq zë hapësira studimi jashtë Francës, veçmas në ShBA, në Belgjikë dhe në Gjermani. Për këtë ftohje a dalaqejfi ndoshta do të duhej kërkuar shpjegime në vetë faktin që Sartri, duke mos pasur karrierë universitare, pra edhe nuk mund tʼi përkiste asnjë shkolle legjitimimi të karrierës në këtë fushë. Kjo gjë është për të shprehur keqardhje, meqë sigurisht që ka ende shumë gjëra për të marrë e për të nxënë aty e sidomos në veprën “Qenia dhe hiçi”, që është vepra me shumë origjinalitet, bartëse copëzash ndodhish e bëmash letrare, një monument i rëndësishëm që ia vlen të vizitohet. E të njëjtës rëndësie është edhe vepra “Kritika e mendjes dialektike” që paraqet vështirësi për tʼu lexuar, ambientimi i të cilës kërkon njohje më të përgjithësuar të Sartrit, me një fjalë lypset të pajtohen gjërat me një përpjekje shpresëhumbur, por të madhërishme si dy terme historike të papajtueshme, siç janë liria dhe kolektivizimi. Historia në mënyrë gjithëpërfshirëse ka treguar se socializmi real ishte ndërtuar kundër lirisë së njerëzve. Andaj ky libër i vëllimshëm sot më nuk përllogaritet ndër arsyet e këtij dështimi. Vetëm gjenerata e gjashtëdhjetë e pesëvjeçarëve ka ruajtur vërtetë kujtimin e koncepteve sartriane, edhepse këto më nuk kanë rrjedhë të përhershme.
Kronikat:- Çka ka mbetur sot nga Sartri shkrimtar?
Mishel Vinoku:- Sartri shkrimtar është sa novelist po aq edhe romansier e shkrimtar pjesësh teatrore. Në këtë laryshi ka edhe shumë gjëra që hidhen apo edhe sosh të papërfunduara. Teatri veçmas është shumë i pabarabartë dhe shpesh lidhet me rrethana gjegjëse. Sidoqoftë, dy pjesë mbeten megjithatë të veçanta: “Me dyer të mbyllura” dhe “Lavirja e respektuar”. Për mua, kryevepër e Sartrit shkrimtar është vepra “Fjalët”, një libër i shkruar mrekullueshëm e mjeshtërisht prej një shkrimtari madhor. Nga ana tjetër romanet “Neveria”, “Muri” dhe mbi të gjitha “Rrugët e lirisë”, roman ky me një natyralizëm që në kohën kur u botua bëri bujë, janë vepra që sot ende të bëjnë për vete. Në veprën e fundit shkrimtari flet për kohën e tij duke rrokur çështje e mëdha, të cilat prekin njëherazi edhe ekzistencën edhe politikën. Këtu shihet pritja nga lufta ku njerëzit e flashkët mrekullohen nga poshtërsitë e veta. “Fletoret nga lufta e çuditshme” si vepër na grish ta shoqërojmë Sartrin në front me shokët e tij të pafat, të ndajmë me atë vetë vizionin për luftën që e urrente, por që më pastaj e tumirte. Këtu do të përmendim edhe veprën “Situatat”, në të cilën ai është vetë dëshmitarë i madh i kohës dhe thur e qëndis kështu me talent e ndjenja portretet e mrekullueshme të Zhidit (Gide), Kamysë (Camus), Merlo-Pontysë (Merleau-Ponty) e të Nizanit (Nizan). Edhe përkundër përmbysjes së kierarkisë Sartër/Bovuar, të cilën e hasim sot si arsye e arsyetim i feminizmit, pioniere e kësaj fushe e që autores së veprës “Gjinia tjetër” i pranohet borxhi, megjithatë në sytë e mi mbetet e dukshme dhe e shquar se shkrimtari i madh është vetë Sartri.
Kronikat:-Çka mbetet sot nga animet dhe angazhimet politike të Sartrit?
Mishel Vinoku:- Në politikë, Sartri shpesh e ka gabuar rrugën. Rejmon Aroni (Raymond Aron) për të thoshte se ai ishte një moralist i bjerrë në xhunglën politike. Sot do të thuhej se ai nuk kishte kokë politike. Ai vonë u brengos për politikën. Në vitin 1936, ai nuk pati votuar ndërsa demonstratat e Frontit popullor i ka kundruar nga trotuari. Pra, universi i tij është thellësisht individualist. Në periudhën e paraluftës ai ka treguar papjekuri politike. Kur në vitin 1933 në Berlin e merr vendin e punës së Rejmon Aronit, ai do studiojë Hyserlin dhe Hajdegerin. Mirëpo, duke qenë dëshmitar i nxjerrjes së dekreteve të para naziste, ai nuk është prekur. Çdo gjë ka ndryshuar me fillimin e luftës. Me tʼu kthyer nga stalagu (kampi i nënoficerëve dhe ushtarëve të zënë robër nga nazistët, përkth.)në vitin 1941 ai hap një farë klubi diskutimesh, duke formuar kështu grupin Socializëm dhe Liri.Penda e tij bëhet dëshmitar i frymës së tij të rezistencës. Pjesa teatrore “Mizat” (Les Mouches) që u luajt në teatrin Cité (teatri Sarah Bernhardt i arijanizuar) që e mbështeti Komiteti kombëtar i shkrimtarëve mbetet të konsiderohet megjithatë pjesë teatrore e Rezistencës. Artikujt e tij në revistën “Letrat franceze” (Les lettres françaises) e më vonë edhe në “Beteja” (Combat), veçmas gjatë ditëve pas çlirimit të Parisit, forcojnë statusin e tij prej shkrimtari të Rezistencës, gjë që atij ia solli ftesën për në ShBA ku ai do të shpalos gjerë e gjatë këtë rol. Tani e tutje ai e konsideron veten shkrimtar i angazhuar. Si teoricien i letërsisë në veprën “Çështë letërsia?”, ai shkrimtarit i vë përgjegjësi të mëdha ndoshta si rrjedhojë e një përplotësimi që lidhet me të kaluarën e tij. Mirëpo, tani më ai nuk do të ndryshojë. Në vlugun e luftës për angazhim politik nga tetori i vitit 1945 pafundësisht do të lëshohet tërësisht në aventurë me revistën “Kohërat moderne”(Les Temps modernes), revistë kjo e angazhimit politik dhe intelektual.
Kronikat:-Pra, tash e tutje ai do të jetë i angazhuar rreth çështjes së komunizmit, qendër e një numri të madh intelektualësh të asaj periudhe ku do të zhvillohet edhe angazhimi i tij…
Mishel Vinok:- Çështë e vërteta, shumë intelektualë tani bëhen anëtarë të Partisë komuniste e cila mbledh 30% të votave. Sartri shkalafitet e kaçanduket. Duke qenë partizan i një socializmi i cili nuk e tjetërson lirinë, ai refuzon rreshtimin pas njërit apo bllokut tjetër, atij komunist apo kapitalist. Kështu, në vitin 1952 lufta e Koresë e futë atë të rrëshqas dhe të aderoj në komunizëm. Ai bëhet “bashkudhëtar”i Partisë, veprimin e së cilës ai e konsideron të patjetërsueshëm për tʼi dhënë një vetëdijesim klasor proletariatit në anën e të cilit u reshtua. Ai qëndron në Bashkimin Sovjetik ku si duket mpleks çështjen me një farë makiavelizmi here-herë vajtues e të dhimbshëm. Viti 1956 është viti i të gjitha zhgënjimeve kur gjatë kongresit XX të Partisë komuniste, Hrushçovi akuzon tmerret e stalinizmit. Do të duhej të pritej ngulfatja e revoltës hungareze që zhgënjimi të përplotësohej tërësisht. Sidoqoftë, Sartri do të ketë ende simpati ndaj partisë, por jo edhe i lidhur si anëtar, për ndonjë dhjetë vjet. Si bashkudhëtar Sartri ka qenë një i munduri rendit të parë. Në këtë periudhë kohore angazhimi i tij në luftën antikolonialiste nuk demantohet. Ai e kundërshton luftën në Algjeri dhe dëshmi për këtë është firmosja e Manifestit të 121 –ëve si dhe paraqitja e tij si mbrojtës publik i rrjetit Xhonson. Nga viti 1968, kur merr një ripërtëritje, kur sërish ndihet më i ri, ai kthehet nga maoistët. Që taniai nuk është në pararojë dhe jeton e përjeton episode qesharake si ai kur i drejtohet masës së punëtorëve të Bijankurit (paralagje e Parisit-përkth.) në këmbë mbi një tinar. Kjo është edhe teposhtëza e angazhimit tij.
Kronikat: – Çʼimazh të “Sartrit njeri” historiani mund të paraqes?
Mishel Vinok:-Ky mund të jetë imazhi i një njeriu, sharmi i të cilit kaptonte kalërueshëm përtej rrethit të të afërmeve të vet, imazhi i një njeriu me prestigjin e mendimit që shndërronte kapërcyeshëm ndjesitë e dukjes fizike, imazhi i njeriut që nuk e pranonte shoqërinë në të cilën jetonte dhe në të cilën kishte drojë të bëhej bashkëfajtor…Një njeri me zemërgjerësi me themel të cilën Zhan Ko (Jean Cau) e njohu dhe e pranoi në veprën “Skica kujtimesh” me një qasje të lehtë me të rinjtë si antipode të komedisë sociale. Sartri kur nuk e pranonte kompromisin fakt që atë e bëri të jetë shumë pakëz politik në përmasën kur dihet se politika sʼështë gjë tjetër veç se një zinxhir kompromisesh. Qëndrimi i tij ngriste më tepër moral se politikë. Ai e thoshte të Mirën dhe të Keqen. Ai ishte mishërim i një diçkaje shumë të thellë: traditës së refuzimit e të revoltës. Vetëm në një çështje ai nuk ka qenë manisheist (koncept sipas manisheizmit religjion misionar rival i krishterimit deri në Mesjetë që influencoi bogomilët dhe katarët.-perkth.) në çështjen e Lindjes së afërt. Si autor i veprës “Refleksione mbi çështjen hebreje”, ai është ndierë me empati të dyfishtë si me izraelitët ashtu edhe me palestinezët. Ky ka qenë mishërim i situatës tragjike dhe ka pasur mirëkuptim për të dyja palët, andaj është pozicionuar me justifikime herë për njërën herë për palën tjetër, siç qe rasti me atentatin e Lojërave olimpike të Munihut apo marrja në mbrojtjeje e izraelitëve, e cila ia solli titullin doktor nderi në Universitetin e Jerusalemit (i vetmi nderim që ka lejuar tʼi bëhet) në vitin 1976. Bilanci përfundimtar i këtij intelektuali në refuzim të përhershëm e i cili i ka parë njerëzit tʼi flaknin iluzionet të cilat edhe vetë i gjakonte, është më tepër negativ. Me talentin dhe fuqinë e tij Sartri ka mundur të jetë Viktor Hygo i shekullit të XX. Mirëpo, siç dihet, Viktor Hygoi vdiq si ngadhënjyes, pasi e pa të lindet e themelohet një Republikë që ai e quante dhe e konsideronte sipas dëshirave të tija, ndërsa Sartri do të jetë më tepër një farë kronisti gjenial i të pamundshmes. Turma që qe e pranishme gjatë varrimit të tij të improvizuar, vetvetiu, i përkulej me nderim jo një profeti të madh, po një refuzuesi të madh. Dështimi i tij si i këtillë na mëson me rrezatim drite për epokën e tij.
(Përktheu nga frëngjishtja dhe përshtati për shtyp: Xhevat Halili)