SËMUNDJET QË PREKIN SHKRIMTARET

Filmat në fjalë janë një simbolikë e shumë statistikave, intervistave dhe rrëfimeve individuale të kryeredaktorëve, redaktorëve, profesorëve, të cilët tregojnë se shkrimtaret gra përballen me sfida të shumëfishta gjatë rrugëtimit të tyre

Nada DOSTI

Njëra quhet Valeria tjetra Rakela, të dyja spanjolle. Njëra jeton në Madrid, tjetra në Barcelonë, dhe të dyja janë gra noveliste. Të dyja vuajnë nga sëmundje të zakonshme që i prekin shkrimtarët, veçanërisht gratë.

E para vuan nga sindroma e mashtruesit (impostorsyndrome). Teksa përpiqet të shkruajë novelën e saj të parë, dhe duke e gjetur veten nën presionin për t’ia dorëzuar shtëpisë botuese draftin e parë të librit, ajo goditet nga fenomeni që njihet si bllokimi i një shkrimtari. Gjendje e cila kaplon çdo lloj shkrimtari të ri ose të vjetër, qoftë në moshë qoftë në përvojë, ka të bëjë me një bllokim të krijimtarisë në atë lloj niveli sa duket sikur asgjë nuk e frymëzon më, dhe pavarësisht çdo përpjekje për të zhgarravitur ndonjë fjalë, letra (ose faqja e wordit) mbetet bosh. Të hequrit dorë nga një punë e mërzitshme, e cila nuk i fal lumturi, kthehet në një nga shkaqet që Valeria të rifitojë frymëzimin, dhe duke ndërruar stil dhe mënyrë të rrëfyeri, arrin të shërohet dhe nga sëmundja vetëdiagnostikuese e sindromës së mashtruesit, duke arritur që jo vetëm të publikojë novelën e parë, por që të korrë aq shumë sukses, saqë shtëpia botuese arrin ta joshë me propozimin e një bashkëpunimi të ri. Kur arrin ta shohë librin e saj në duar të lexuesve të ndryshëm në përditshmërinë që e rrethon dhe ftesa për të folur në një universitet për rrugëtimin e saj deri te botimi i librit, janë ndër skenat që flasin për ëndrrën më të madhe të një shkrimtari.

E dyta, Rakela pra, vuan nga pasiguria ose kompleksi i vetëbesimit të ulët që e ndalon atë për të ndarë shkrimet e saja me të tjerët. Filmi hapet me një skenë, e cila tregon shumë për natyrën e saj si shkrimtare e re dhe e ndrojtur: një kolege rrëmben fletën e saj të shukur dhe lexon pa zë, ndërsa profesori e pyet nëse dëshiron ta lexojë me zë, duke e ndarë shkrimin e saj me të tjerët, ajo heziton, duke thënë: “Nuk është asgjë”.

“Të rrëfesh një ngjarja nuk mjafton vetëm të dish të shkruash, por duhet të jesh e pajisur edhe me guximin për ta rrëfyer atë”, shprehet ajo.

Rakela është një studente e gjuhës dhe letërsisë, e cila herë pas here hutohet nga sfidat e moshës, përsëri arrin të përfundojë novelën e saj të parë, e megjithatë goditet nga pasiguria dhe mungesa e besimit te vetja. Pavarësisht se profesoresha e saj e letërsisë i propozon që ta dërgojë dosjen e saj një shtëpie botuese, duke përdorur atë vetë si referencë, Rakela nuk arrin ta shtypë butonin “Dërgo”. Në vend të saj, këtë e bën një mik i ngushtë dhe ia dërgon dosjen shtëpisë botuese dhe propozimi për botim pranohet me sukses.

Filmat në fjalë janë një simbolikë e shumë statistikave, intervistave dhe rrëfimeve individuale të kryeredaktorëve, redaktorëve, profesorë të shkrimtarisë, të cilët tregojnë se shkrimtaret gra përballen me sfida të shumëfishta gjatë rrugëtimit të tyre. Shumica prej tyre nuk kanë të bëjnë vetëm me faktin se nuk merren seriozisht apo nuk vlerësohen mjaftueshëm aq sa dhe meshkujt shkrimtarë, por edhe me faktin se paragjykime të shumta dhe një sistem i tërë ka bërë që të kenë më pak besim tek vetja, por mbi të gjitha të pajisen me një mungesë guximi, i cili i pengon ato të përparojnë në rrugëtimin e tyre si shkrimtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.