SHKRIMTARËT SHQIPTAR TË “LETËRSISË SË HUAJ”

Letërsia është shprehje e kombit dhe e gjuhës, jo e kufijve shtetërorë! Është tërësisht jokombëtare çdo përpjekje për ta kufizuar letërsinë shqiptare në kufijtë politikë të Shqipërisë

Nga Avni HALIMI

A konsiderohet sot e gjithë letërsia shqiptare si një trashëgimi e përbashkët kombëtare? Janë disa qarqe fort të diskutueshme që vegjetojnë në “Shqipërinë londineze”, të cilët sillen si recidivistë: e kanë shumë qejf që të venë monopol mbi përkatësinë etnike të letërsisë dhe, përgjithësisht, të kulturës, duke u munduar ta ringjallin epokën e regjimit enverist, atë epokë kur letërsia dhe arti shqiptar që krijoheshin përtej kufijve të shtetit socialist shqiptar, ishte letërsi dhe arti “i huaj”! Madje, për ta kamufluar këtë recidivë, këta qarqe po sillen kështu sepse po bazohen në logjikën e mbrapshtë “një shtet – një letërsi”! Kjo, sipas tyre, për faktin se letërsia, arti, shkrimtarët dhe artistët e ndryshëm që frymojnë dhe krijojnë në një kontekst tjetër politik, përtej Shqipërisë, janë “të huaj”!

Kruzhoqet masakrues të letërsisë shqiptare

Regjimi i Enver Hoxhës e kishte mbyllur Shqipërinë nga bota dhe, veç të tjerash, edhe kontaktet me shqiptarët e Kosovës, me ata të viseve të tjera etnike por edhe me ata të diasporës, sepse ishin të rrezikshëm dhe vlerësoheshin si armiqësorë në raport me vlerat komuniste shqiptare. Natyrisht, një ndarje e tillë atëbotë përforconte idenë e ekzistencës së dy “hapësirave letrare” të ndara nga kufijtë politikë dhe ideologjikë, edhe pse kombëtarisht dhe gjuhësisht ishin të pandara.

Po sot? Krijuesit, kritikët, shkencëtarët e letërsisë dhe të gjuhës në Kosovë dhe në viset e tjera etnike jashtë Shtetit Amë, letërsinë e shqiptarëve që zhvillohet në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës, por dhe në diasporë, e konsiderojnë pjesë të pandashme të letërsisë kombëtare shqiptare. Ajo shkruhet në gjuhën shqipe dhe trajton tema që lidhen me kulturën, identitetin dhe historinë shqiptare. Kurse, fatkeqësisht, në Shqipëri po nxjerrin “syth” disa elementë recidivistë të cilët me lezet të madh po i vënë kufij gjeografikë letërsisë shqiptare! Këta kruzhoqe soc-realiste të kontaminuar përjetësisht me ideologjinë e regjimit enverist, organizojnë ngjarje të ndryshme në të cilat, veç të tjerash, me pompozitet shpallin “romanin më të mirë shqiptar”, “dramën shqiptare të vitit”, “përmbledhjen poetike shqiptare më të mirë”… dhe, këta “më të mirët” i kërkojnë vetëm brenda shkrimtarëve shqiptarë që veprojnë në suaza të kufijve politikë të Shqipërisë! Por, a është dramë shqiptare edhe ajo që krijohet në viset e tjera etnike dhe në diasporën shqiptare? A është roman shqiptar ai i shkruar nga një shkrimtar që jeton dhe vepron në diasporën tonë, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi e në Luginën e Preshevës? Këta shqiptarë të shpërndarë nëpër botë, a kanë në mesin e tyre poetë e tregimtarë apo këta gjenden ekskluzivisht në mesin e shkrimtarëve të Shqipërisë? Nëse dikur Shqipëria, për shkak të izolimit të saj gjatë periudhës komuniste, krijoi një perceptim të kufizuar për “letërsinë shqiptare,” duke e reduktuar atë vetëm tek ajo që prodhohej brenda territorit të Shqipërisë socialiste, çuditërisht, një pjesë e elitës kulturore akoma nuk po ia dalin që të shkëputen nga ky vizion provincial dhe, shih idiotizmin, edhe më tej parapëlqejnë ta shohin veten si “qendër e vetme legjitime” e kulturës kombëtare. Kjo dukuri antikombëtare bëhet edhe më e trishtë kur gëzon përkrahjen e heshtur nga institucionet përkatëse shtetërore shqiptare! Në mënyrë kategorike refuzohet “kosovarishtja” (sepse aty mund të ketë ndonjë “gegënishte” që kosovarët e fusin qëllimisht si bombë të kurdisur për të eksploduar atëherë kur nuk pritet), në mënyrë kategorike shkrimtarët shqiptarë të viseve etnike stigmatizohen si “shkronjësa provincialë” (mund të pranohen vetëm ata që promovohen dhe përkrahen jo nga shoqëria shqiptare por nga “Shoqëria e hapur”), në mënyrë kategorike shkrimtarët e diasporës perceptohen si bankomatë që gjithnjë duhet të jenë të karikuar me valuta! Duhet të nënvizohet fakti që për këto tri dekada e gjysmë asnjëherë nuk janë ndjerë kaq fuqishëm si në dekadën e fundit politikat për një centralizim kulturor, jo për të dirigjuar e kontrolluar jetën kulturore gjithëshqiptare, por për të censuruar, për të refuzuar, për të mohuar gjithçka shqiptare që krijohet jashtë kufijve të Shqipërisë.

Hierarki e rreme mes krijuesish

Nuk mund t’i mbyllim sytë edhe para një dukurie tjetër: para tendencës për monopolizimin e vlerësimit letrar. Një pjesë e qarqeve intelektuale shqiptare shumë të diskutueshme, veçanërisht ato që janë të lidhura me institucionet shtetërore apo mediatike në Shqipëri, synojnë të ruajnë një pozicion monopolist për të përcaktuar “kanonet” e letërsisë shqiptare, me qëllim për ta ruajtur “pastërtinë” e kësaj letërsie. Për pasojë do të kemi “antologji” që kanë përjashtuar krijuesit nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës! Këto antologji, këto përzgjedhje se kush është “poezi shqiptare” e kush është “roman shqiptar,” kush di të shkruajë lirika të dashurisë e kush poezi folklorike, nuk vijnë nga sharlatanë apo nga pseudo-krijues që krijojnë për inate e për shkak të djallëzive me të cilat janë gatuar që në djep, por vijnë pikërisht nga ata servilë që vdesin për të pranuar urdhra nga aparati shtetëror që harton politika kulturore centralizuese dhe përjashtuese që e refuzojnë brumin që gatuhet jashtë magjes së “regjimit”! Për këtë element kulturor antikombëtar, përfshirja e letërsisë së krijuar jashtë Shqipërisë do të minonte këtë “monopol,” sepse do të duhej të pranonin një diversitet që nuk e kontrollojnë dot. Pretendimi se letërsia më e vlefshme krijohet vetëm brenda Shqipërisë në fakt vetëm sa e deformon realitetin dhe krijon terren për një hierarki të rreme mes krijuesve.

Letërsia është produkt i një kombi

Këta “kruzhoqe kulturore” sikur më lehtë e kanë që me qasje paternaliste ta kamuflojnë padijen dhe qëndrimin indiferent ndaj letërsisë shqiptare jashtë kufijve. Në fakt, ata nuk e njohin dhe nuk i qasen studimit të thelluar të letërsisë shqiptare që krijohet jashtë Shqipërisë, sepse është “e huaj,” madje shumë “e pështirë”! Në fakt, është vetëm një e vërtetë: këta kruzhoqe nuk e kanë lexuar, nuk e kanë pranuar dhe nuk e kanë integruar këtë letërsi në diskursin e tyre. Qeveritë shqiptare si dhe kuvendet e përbashkëta do të mund të llogariteshin me identitet të pastër kombëtar vetëm kur do të dëgjohet prej tyre se thellësisht angazhohen për prishjen e kufijve gjeografikë mbi letërsinë shqiptare që dikush në mënyrë aq naive po mundohet t’i ngrejë e t’i çelikosë. Letërsia është shprehje e kombit dhe e gjuhës, jo e kufijve shtetërorë! Është tërësisht jokombëtare çdo përpjekje për ta kufizuar letërsinë shqiptare në kufijtë politikë të Shqipërisë. Krijimtaria dhe letërsia janë produkt i një kombi dhe një gjuhe të përbashkët, që përfshin shqiptarët kudo që jetojnë. Një roman i shkruar nga një autor shqiptar në Prishtinë, Tetovë, Ulqin, Lugano apo Nju Jork mbetet një pjesë integrale e letërsisë shqiptare, sepse përdor gjuhën shqipe dhe trajton përvoja të lidhura me identitetin dhe kulturën shqiptare. Ndërsa sa i përket organizimit të konkurseve letrare që po organizohen nga disa “qarqe letrare” në Shqipëri, e ku nuk po përfshihen shkrimtarë nga diaspora dhe viset e tjera etnike, kjo po ndodh pikërisht për faktin se qarqet e tilla po ndihen më komode në kufizimin e pjesëmarrjes së shkrimtarëve nga Shqipëria me qëllim për të shmangur konkurrencën nga krijuesit jashtë kufijve. Për të tillët është e tmerrshme, madje e papërceptueshme, që një çmim letrar të shkojë në duart e një shkrimtari shqiptar që krijon “letërsi të huaj”!

Po a mund t’i kapet filli letërsisë shqiptare pa letërsinë e krijuar nga shkrimtarët shqiptarë të diasporës? Buzuku, De Rada, Naim Frashëri, Zef Serembe, Fan Noli, Martin Cama, Arshi Pipa, Faik Konica, Ernest Koliqi, Esad Mekuli, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Nehas Sopaj, Shkëlzen Halimi, Basri Çapriqi, Qerim Arifi, si dhe një duzinë emrash krijuesish të rinj shumë të fuqishëm nga diaspora, padyshim janë ndër shtyllat kryesore të letërsisë shqiptare. Së bashku me atë që krijohet në Shqipëri, ata përbëjnë tërësinë e përjetshme të letërsisë sonë si një trup i pandarë i kulturës dhe shpirtit kombëtar shqiptar. Narrativa e “qendrës kulturore” ideologjike duhet të shthuret sa më parë dhe të çrrënjoset mentaliteti provincial, i cili vazhdon të jetë i pranishëm edhe sot, duke u shprehur përmes formave të konkurseve të mbyllura, vlerësimeve të kufizuara dhe “vulosjes” së kërkimit të talentit vetëm brenda kufijve shtetërorë. Një roman i shkruar në Prishtinë, një poezi e krijuar në Tetovë apo një dramë e shkruar në diasporë janë pjesë organike e asaj që quajmë letërsi shqiptare. Për ta ndarë atë në pjesë gjeografike, ideologjike apo politike, na duhet të mohojmë një të vërtetë thelbësore: gjuha shqipe dhe kultura shqiptare janë shtylla të pandara të një identiteti unik kombëtar.

Kruzhoqet letrare segregacioniste duhet të ngulfaten

Vazhdimi i praktikave të ndarjes artificiale të letërsisë shqiptare dëmton thellë jo vetëm unitetin kulturor, por edhe zhvillimin e vetë letërsisë si disiplinë. Për pasojë, po ndodh izolimi dhe mohimi i zërave të rëndësishëm letrarë! Shkrimtarët shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës së Preshevës apo diasporës, gjithnjë e më shumë po anashkalohen, pavarësisht kontributit të tyre madhor në letërsinë kombëtare. Këto “kruzhoqe letrare” segregacioniste po e varfërojnë gjithë peizazhin letrar shqiptar. Përjashtimi nga konkurset kombëtare, mungesa e vëmendjes mediatike dhe mungesa e përfaqësimit institucional po krijojnë një atmosferë ku shkrimtarët jashtë Shqipërisë po ndihen të përjashtuar dhe të pavlerësuar. Nuk mund të jenë eventualisht përfaqësues të shqiptarëve përtej Shqipërisë ata “shkrimtarë” që bëjnë qoka apo që vetëfinancojnë krijimet e tyre në Shqipëri. Për këta, si dhe për “kruzhoqet letrare” segregacioniste, por edhe për heshtjen ndaj krijimtarisë letrare që lind jashtë kufijve administrativë të Shtetit Amë, faj të madh duhet të mbajë edhe kritika jonë profesionale, e cila për momentin ka rënë në një gjumë letargjik. Një Zot e di se kur dhe si do të zgjohet! Deri atëherë – minjtë do të bëjnë dasmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.