SHKRIMTARI

Shkrimtari duhet ta dijë po ashtu se Ballkani dhe shoqëritë shqiptare brenda tij duhet domosdo të qeverisen nga njerëzit e padobishëm, nga debilët, dhe nga njerëzit e llojit të kënetave

Shazim MEHMETI

Tashmë, shkrimtarin nuk duhet vrojtuar nga mrekullitë dhe mençuritë që i shkruan. Shkrimtarin duhet vrojtuar nga budallallëqet që i shkruan.
Shkrimtari, tashmë, duhet të jetë i lig dhe jo i njerëzishëm. Shkrimtari nuk guxon të ndjejë. Ai duhet të shkruajë nga pandjesia, nga plasticiteti butak. Çastet e ligështimit ndjesor duhet të jenë të huaja për shkrimtarin. Aktualiteti e kërkon që shkrimtari të jetë i ushqyer e i motivuar ligësisht dhe egërsisht.
Shkrimtari nuk duhet të shkruajë për njeriun e vogël, për njeriun e përvuajtur, për skamnorin e lënë e të harruar nga sistemi. Shkrimtari nuk duhet të shkruajë për jetimët e harruar nga shoqëria sistemore ose nga shteti, madje as për jetimët e të flijuarve për komb e për atdhe. Shkrimtari duhet t’i lëvdojë e t’ju bëjë qejf pandalur oligarkëve politike dhe elitave financiare.
Shkrimtari duhet të jetë një pulaxhi i mirë. Kokëulur duhet të rrijë gjithëherë dhe me xhepat mbushur, dhe gjithnjë të ketë qëndrim gatitu para padronëve të politikës e padronëve të parave.
Shkrimtari duhet ta dijë mirë se gjatë gjithë jetës së jetëve, luftërat janë bërë, jo për lirinë e fukarenjve, por për paratë dhe për gratë. Ai duhet ta dijë mirë se edhe sot e kësaj dite, luftërat bëhen vetëm për para dhe për gra. Një shkrimtar i mirë një luftë të tillë duhet ta proklamojë si luftë për liri nacionale dhe si luftë për moralin politik. Njësoj si baballarët e rremë të kombit që robërinë e modifikuar e proklamojnë si liri dhe si barabarësi.
Shkrimtari duhet ta dijë se letërsia është morali anadollak e anarkist, dhe kulti i kallaballëkut dhe i baltës duhet të jetë edhe kult i tij.
Shkrimtari duhet ta dijë po ashtu se Ballkani dhe shoqëritë shqiptare brenda tij duhet domosdo të qeverisen nga njerëzit e padobishëm, nga debilët, dhe nga njerëzit e llojit të kënetave. Ai e ka të domosdoshme të shkruajë lavde për ta, domethënë për kënetat, dhe t’i shajë, në veprën e tij, ajrin e pastër malor dhe lumenjtë e kulluar. Aktualiteti e kërkon një gjë të tillë, dhe shkrimtari e ka hak lavdërimin e kënetës dhe të baltës, dhe sharjen e bilbilave të malit. Shkrimtari e ka hak lavdërimin e malarjes kënetore, dhe jo shëndetin e mirë ndjesor.
Madje, madje, shkrimtari duhet t’i këndojë baltës dhe të pretendojë të bëhet edhe vetë baltë.
Misioni i shkrimtarit nuk është goditja e padrejtësisë, nuk është shenjëzimi i së keqes, as nuk është bërja me gisht kah hedhurinat. Misioni i shkrimtarit është heshtja freatike, e ngjashme me heshtjen e ujërave nëntokësorë. Ose edhe më mirë: misioni i shkrimtarit është të shkruajë himne për hedhurinat dhe për llumin politik.
Në shpirtin e shkrimtarit duhet te funksionojë mekanizmi i dënimit të së mirës, dhe mekanizmi i lavdërimit të së keqes. Shkrimtari duhet të jetë purrolesh(a)tuk ose purrolopënjar. Ai domosdo duhet të jetë qind për qind dash, në jo edhe mëzat. Ai duhet domosdo të ketë ngjashmëri mentale me tokësorët e llojit toksik e qeverisës kënetar.
Mendoj po ashtu se zanati i shkrimtarisë duhet të jetë prodhim i veglës, dhe shkrimtari duhet të jetë vegël sistemore. Aktualisht, ai duhet të jetë i ngjashëm me shkrimtarët vegla të komunizmit. Ai duhet domosdo të sillet e të përngjasojë me shumë shkrimtarë që janë zhvilluar në komunizëm duke thurur himne për partitë dhe për baballarët e tyre ideologjikë e mentalë. Shkrimtari, aktualisht, duhet të vazhdojë me krijimin e letërsisë baritore dhe socrealiste, natyrisht duke pasur kujdes maksimal për parabishtin e saj “post”.
Shkrimtaria është punë serioze dhe shkrimtarët që s’janë të tillë duhen dënuar.
Prandaj, plumbbbb!!!!….

Leave a Reply

Your email address will not be published.