SHKRIMTRËT E NDJEJNË PULSIN E KOHËS

Blerina Rogova Gaxha, poete dhe studiuese e letërsisë

Thasë është libër poetik i një rrëfimi shumë personal. E kam quajtur shpella e shpirtit, dhoma e qenies, mitra dhe varri, kthim te vetja, sepse ashtu u shkrua. Nëse poezia është vendi ku rrihet në paqe, shkrimi i tij qe për mua më shumë se vend paqeje, një ‘self therapy’, ‘self-healing’, në një kohë kur isha larg vetes, shumë larg

Shkëlzen HALIMI

Blerina Rogova Gaxha (1982) është poete dhe studiuese e letërsisë. Blerina është prezantuar në shumë festivale të letërsisë, duke e përfaqësuar denjësisht letërsinë tonë, si në Gjermani, Austri, Zvicër, Slloveni, Kroaci, Irlandë etj. Poezitë e saja janë përkthyer e botuar në disa gjuhë të huaja (gjermane, angleze, frënge, italiane, sllovene, kroate, greke, rumune, turke, boshnjake, maqedonase). Krijimtaria e saj është prezantuar në antologjinë e poezisë evropiane Europe Grand Tour, 2019. Ka botuar: Gorgonë (poezi, 2009, fitues i Çmimit Kombëtar për poezi, 2010); Kate (poezi, 2013); Format e prozës së Kadaresë (studim, 2015); Ajo vjen nga Lindja (poezi, 2016); Thasë (poezi,2020, botim i Armagedonit), për të cilin libër u vlerësua me Çmimin kombëtar për veprën më të mirë.Libri i saj i fundit “Vdekja në letërsinë moderne shqipe (Ndre Mjedja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli)”, të botuar nga Instituti Albanologjik, është shpërblyer me çmimin për veprën më të mirë në kritike letrare dhe eseistikë ‘Ibrahim Rugova’, të Ministrisë së kulturës, për vitin 2021.

HEJZA: Pse u përcaktuat ta shqyrtoni vdekjen në letërsinë moderne shqipe (Ndre Mjedja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli) dhe në ç’përfundim arritët?

BLERINA: Synimi im ishte trajtimi i njërës prej temave më filozofike në fushën e letërsisë, gjithnjë e motivuar në fuqinë e vdekjes si fenomen që gjeneron diskutime të pashtershme për esencat letrare. Kërkimi në këtë temë ka të bëjë me njohjen e vdekjes si diçka që na shpërfillet në jetën reale, dhe letërsia, duke ngritur pyetje për vdekjen, pyet për vetë esencën e qenies, ekzistencën a mosekzistencën e saj; kështu ajo na hapë udhë për t’iu afruar fenomenit të vdekjes dhe për ta imagjinuar atë nga perspektiva të ndryshme.

Në ç’përfundim arrita? Nëse i referohem vetëm asaj qëështë përmbyllur brenda kapakëve të librit, them se në veprat e autorëve që kam trajtuar do të njohim disa nga skenat më të bukura e më të ndjeshme të vdekjes në letërsinë shqipe: vdekjen e Lokes, vdekjen e Trinës, vdekjen e Nositit, vdekjen e Gjeniut, vdekjen e Tat Tanushit, të Xheladin Beut e vdekjen e Ago Jakupit. Këto krijesa letrare na japin ‘konfesionin’ e krijueseve rreth vdekjes, reflektimin, frymëzimin, por edhe interpretimin e misterit fundamental të ekzistencës, sipas mënyrës së Mjedjes, Poradecit e Kutelit, si autorë që mendojnë për vdekjen dhe jetojnë e shkruajnë për ne. Kjo letërsi, duke folur hapur për vdekjen, në mënyrë krejt autentike, në secilën vepër zbulon thellësinë filozofike të tekstit letrar. Përfundimisht, me këto modele të krijimit mbi vdekjen në letërsinë moderne shqipe, hyjmë në botën e madhe të letërsisë, aty ku njeriu dhe poezia e tij shndërrohet në shkrim të pasionit dhe të ‘misionit’ letrar, duke na hapë udhë të tjera për t’i njohur misteret e mëdha.

HEJZA: Cila është veçantia e vëllimit të fundit poetik “Thasë”, për të cilën Ju kenë thënë se me të sikur e keni rigjetur veten?

BLERINA: Nuk mund ta përcaktoj unë se çfarë e bën të veçantë ose jo librin Thasë. Në aspektin vizuel e bën dizajni me ilustrimet autoriale, ballina e punuar vetë me dorë, zonat gri mes cikleve, përkushtimi dhe dëshira që gjithçka të jetë në një sintezë artistike. Besoj se këto detaje ia shtojnë koloritin semantik, por mbase edhe mund të lexohen si subvariante të shkrimit.

Thasë është libër poetik i një rrëfimi shumë personal. E kam quajtur shpella e shpirtit, dhoma e qenies, mitra dhe varri, kthim te vetja, sepse ashtu u shkrua. Nëse poezia është vendi ku rrihet në paqe, shkrimi i tij qe për mua më shumë se vend paqeje, një ‘self therapy’, ‘self-healing’, në një kohë kur isha larg vetes, shumë larg. Një përpjekje për ta thënë qenësoren, dhimbjen e njeriut dhe ringritjen nga errësira.

HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?

BLERINA: Zanafilla është e njëjtë. Letërsinë e bëjnë autorët e veçantë. Por, shoqëritë shqiptare kanë kaluar kohë të gjatë nëpër kaos. Kryqëzimi i madh i kohërave: lufta, paqja, politika në fillim të viteve 1990 e deri sot në Kosovë; rënia e diktaturës në fillim të 90’tave dhe ndërrimi i sistemeve politike e ideologjike në Shqipëri, tranzicioni që akoma s’ka përfunduar, ka prodhuar një sërë fenomenesh socio-kulturore. Kryqëzimet e bartën efektin e vet edhe në letërsi. Shkrimtarët e ndjejnë pulsin e kohës, të ndryshimit apo të mosndryshimit, të asaj çfarë solli jeta apo të asaj çfarë i mungon kësaj jete. Pavarësisht kompleksitetit të pyetjes suaj dhe pavarësisht pëlqimit ose jo të konceptit të “brezave letrar”, ka dhe mund të ketë autorë që kanë shije të përafërta dhe topika të ngjashme. Dekadave të fundit kemi hasur një letërsi shqipe të ngarkuar me veprimin e traumës historike, siç është topika e post-diktaturës në Shqipëri dhe topika e pasluftës apo lufta dhe trauma e saj në letërsinë shqipe që shkruhet në Kosovë. Madje, kemi shkrimtarë, kryesisht poetë, që erdhën pas këtyre kryqëzimeve në shoqëritë shqiptare, në veprën e të cilëve hasim elemente shumë të ngjashme me të ashtuquajturën gjeneratë e humbur, asaj gjenerate që ëndërroi shumë për lirinë individuale dhe lirinë nacionale, për ta pranuar më pas drejtpërdrejtë disfatën dhe naivitetin e aspiratës së vet si aspiratë e një gjenerate.

HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?

BLERINA: Në kohët moderne, kritika letrare ka nxjerrë statusin e saj si misionare, si një guidë e domosdoshme për letërsinë. Një mision i tillë, duke dashur të përhapë të vërtetën për letërsinë, shpesh e godet mendimin letrar dhe i bën shërbim të keq letërsisë. Prandaj, do të më pëlqente të kishte një qasje të kritikës letrare si provokuese e mendimit dhe e bashkëbisedimit letrar, dhe kuptohet, një kritikë e nivelit profesionist, e shkruar me njerëzillëk e ndershmëri dhe jo një kritikë që shkruhet sipas interesave individuale.

HEJZA: Sipas Jush, jeta letrare e shqiptarëve sot është më e pasur se dikur apo më e varfër?

BLERINA: As ka qenë e pasur dikur, as nuk është e pasur sot.

HEJZA: Në trend sot janë “antologjitë”. Sipas disa të dhënave, në këto 30 vjetët e fundit, në të gjitha hapësirat shqiptarë janë sajuar, përpiluar e botuar me qindra e qindra antologji. Pse po ndodh ky fenomen, fatkeqësisht, i shëmtuar?

BLERINA: Me sa kam njohuri dhe miq jashtë hapësirave shqiptare, i njëjti trend po ndiqet pak a shumëedhe në disa vende të tjera. Ka kërkesa të shumta për një, dy, tri poezi për botime në antologji, e pak për përkthimin e veprës me poezi të një autori. Duket se është e lehtë, një shkrimtar apo një botues që ka miq shkrimtarë/poetë, vë në krye të antologjisë një shkrimtar, fton disa shkrimtarë që ai njeh ose i njohin dhe kështu gatuhet një antologji, e cila me raste di të jetë e bukur, por di të jetë edhe një mish mash poetik.

HEJZA: E bukura, e përkryera, harmonia! Cila është qasja shqiptare ndaj këtyre kategorive filozofike! I pëlqejmë, bëjmë pas tyre, por si sillemi me to?

BLERINA: Di vetëm se na pëlqen të bëjmë filozofin çdo ditë në tavolinat e kafenesë.

HEJZA: A mund të flasim për ngjizjen e evropianizimit të kulturës shqiptare sidomos me politikat paksa më liberale në fushën e artit gjatë periudhës së Mbretit Zog në Shqipëri dhe, shumë më vonë në viset e ngela jashtë shtetit amë. Në çfarë niveli e kemi sot evropianizimin e kulturës shqiptare dhe, në cilat segmente të kulturës mund të haset me qartë ky evropianizim?

BLERINA: Filmime temë luftën duket se ka depërtuar mirë, edhe letërsia, ajo me temë luftën, ka gjetur dhe vazhdon të gjejë një rrugë. E kaluara, arti që trajton të kaluarën e në veçanti luftën 1998-99 ka ngjallur e vazhdon të ngjallë interes te publiku joshqiptar. Pavarësisht pse jemi një vend i vogël dhe sillemi në një rreth kulture të vogël, kemi artistë të jashtëzakonshëm që krijojnë vepra të bukura, të cilat do të mund t’i ndanim me kulturat tjera. Por, kjo është një punë qënuk mund të bëhet vetëm individualisht, pa e pasur një krahë të fortë institucional.

HEJZA: Ju keni marrë pjesë nëpër festivale të ndryshme poetike në Evropë. Cili është dallimi mes këtyre festivaleve dhe ato që organizohen në hapësirat shqiptare.

BLERINA: E bukura është se edhe te ne, me këtë i referohem Prishtinës, kanë nisur të mbahen më shumë festivale të letërsisë, disa janë në fillim e ndonjë tjetër tashmë ka një traditë.

Dallimi kryesor mund të jetë konceptimi i një festivali, meqë ai nuk nënkupton vetëm leximet autoriale, por edhe afrimin e autorëve me njeri-tjetrin, afrimin me lexuesin, botuesit, etj, mbase ju mungon interaktiviteti e jo rrallë edhe serioziteti. Sigurisht se festivalet e letërsisë do të ishin më të bukur nëse organizatorët do të ishin më seriozë, më të guximshëm e me vizion të qartë, më shumë punë e përkushtim, por esenciale është edhe që këto organizime financiarisht të përkrahen më shumë.

HEJZA: Është një fakt i pamohueshëm. Sot, ambientin ton letrar e karakterizojnë “kruzhoqet” letrare, provincializmi, amatorizmi, abuzimi, papërgjegjësia e kështu me radhë. Pse ndodh kjo dhe kur do të pasojë reagimi institucional për ta kthyer këtë ambient në binaret e vërteta?

BLERINA: Nuk besoj dhe nuk pres në një reagim institucional për ta kthyer ambientin tonë letrar në binar. As që do të ndodhë dhe gjërat mund të bëhen akoma më të tmerrshme. Uroj vetëm që njeriu jonë të vetëdijesohet, ta çmoj e ta respektoj atë që ka vlerë, të mësohet të mos paragjykojë, të mos shkelë, të mos injorojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.