SHKRIRJA E ARGUMENTIT DHE FIKSIONIT NË VEPËR ARTISTIKE

Agron Tufa “Tenxherja”, “Koha ditore”, Prishtinë, 2011 

Ismet ALIU

Në letërsi kemi vepra, të cilat përkundër zhurmës mediatike nuk i qëndrojnë kohës, pra harrohen, por nga ana tjetër kemi edhe vepra të cilat nuk e humbasin aktualitetin, por përkundrazi, gradualisht udhëtojnë në shtigje të gjata të shpalimit të vlerave të mirëfillta artistike. Kemi bindjen se në grupin e dytë, pra në grupin e veprave që sa vije e u rritet vlera ideoestetike bën pjesë edhe romani “Tenxherja” i Tufës.

Agron Tufa është autor i një morie veprash në fushën e poezisë, prozës, eseistikës, e përkthimit të veprave nga fusha e letërsisë artistike. Kujtoj se veprat më përfaqësuese nga opusi krijues i tij janë romanet “Mërkuna e zezë” dhe “Tenxherja”. I pari ka si temë mitin nga koha e largët e matriarkatit, ndërkaq i dyti mbijetesën e individit e më gjerë nën makinerinë e dhëmbëve të mprehtë të ingranazheve të periudhës së totalitarizmit.

Shqyrtimin dhe përimtimin e veprës e nisim nga titulli i romanit “Tenxherja”. Në shikim të parë, kur ende s’je futur brenda fortifikatës së tekstit romanor, thua ç’titull i padenjë ky, por pas leximit të vëmendshëm të veprës, kupton se as që mund të titullohej ndryshe, ngaqë tenxherja është jo sall mjet kuzhine, por është simbolika, “relikti” dhe vetë historia që në vete ngërthen një episod tragjik të kohës së pakohë të totalitarizmit. Tenxherja në fakt është shkaku i cili në vazhdimësi do ta prodhojë pasojën. Protagonistët ballafaqohen me pasojën, ndërkaq shkaku shfaqet më vonë dhe kështu teksti romanor gjithmonë ndërtohet mbi veprimet shkak- pasojë dhe si derivat i kësaj janë ndërmarrjet absurde të pushtetit.

Romani “Tenxherja” është sagë e udhëtimit të një familjeje të shënjuar që gjëllin nëpër errësirën e pashpresë, ku personi i shënjuar nuk do të shlyejë “mëkatet” vetë, por me tërë familjen, përmes burgosje, linçimit e rrënimit politik, psiko-social e fizik.

Vepra të kësaj natyre ka gjithandej në letërsinë shqipe, të cilat kryesisht janë prodhuar si publicistikë, memoare, biografi, por fare pak si tekste artistike romanore të mirëfillta. Shtrohet pyetja, pse ngjan kështu? Është një rrezik shumë i madh që brumi, materiali i veprës që përimton një sagë të tillë të rrëshqasë nga të folurit artistik në një të folur të rëndomtë, madje diletantesk dhe kështu vepra të mos të zgjojë interesimin e lexuesit dhe të mos shënojë vlera letrare. Mjeshtëria e Agron Tufës bën që një materie e tillë e romanizuar me mjeshtri, jo vetëm të prodhojë një vepër artistike, por ajo të bëhet vepër tejet e rëndësishme si art dhe shenjim i një kohe traumatike.

“Tenxherja” është tekst romanor artistikisht i fuqishëm që në brendi bart peshën e një dokumenti artistik tronditës socio-politik, sagës së ekzistencës së një familjeje të përndjekur. Autori tërë ngjarjen na e rrëfen përmes narratorit të gjithëdijshëm që në vepër është edhe karakter (Behari) dhe njëkohësisht vrojtues, veprues në ngjarjet, elementet që e ndërtojnë esencën e tematike të teksturës. Autori rrallëherë paraqitet nga ndonjë pozicion vrojtimi si narrator, pra gjithë barrën e bart personazhi. Narratori rrëfen kryesisht në vetën e parë njëjës dhe në vetën e tretë. I gjithë rrëfimi është linear, me përjashtim të fillimit dhe ndërfutjeve të memoareve, të cilat vinë nga retrospektiva (kujtimet nga burgosja e babait të Filipit). Pritja, ankthi i pritjes së dënimit, ankthi i pritjes së daljes nga burgu janë dy skaje brenda të cilave zhgërryhet frika, dhembja e pasiguria dhe palëvizshmëria e kohës. Me që në sistemin totalitar dalja gjallë nga burgu nuk është kurrë e sigurt, pavarësisht peshës së aktakuzës, atëherë pritja është një pafundësi kohe, dalja një çast lumturie që mund të mos zgjasë shumë, si në rastin e familjes së Filipit.

“Tenxheja” është roman modern dhe jo vetëm ky roman, por gjithë krijimtaria e Agron Tufës i takon rrymës së modernizmit. Megjithatë aty-këtu hasim elemente postmoderne. Një element që është dendur i pranishëm edhe në veprat tjera romanore është citati. Teksti romanor i Tufës tek “Tenxherja” qëndron mbi fushën e faktit, një argument i cili bëhet artistik me ngjyrimet fiksionale me fjalinë e fuqishme polidimensionale si këtu: “…arrita në kohë ta gëlltis në kapërcyell hënën e madhe të asaj nate gushti. Ndjeva si kthehej praptazi disku i saj i verdhë, si kridhej në thellësi sërish të zinte vendin e vetë në atë qiell të vjetruar përballë bodrumeve të mi. Le të dyshonin se e fshihja, por ama nuk do ta nxirrja jashtë “ (f.36.)

Tufa inkuadron momente e situata fiksionale dhe e fuqizon tekstin artistikisht. Përmes inkuadrimit të personazheve si Nëna e vogël me Mefistofelin. Këtu kemi dy figura: Firuzja e njohur edhe si Nëna e Vogël dhe dhia e saj Mefistofeli. Mefistofeli është djalli që si emërtim është huazuar nga “Fausti” i Gëtte-s. Këtu kemi të bëjmë me personazh episodik e periferik në shikim të parë, por personazhi këtu është mistik, bart mesazh e ide dhe veprën e fuqizon me koloritin bipolaritetit fiksional që shkrihet brenda reales. Vetë Mefistofeli (dhia e Firuzes), pa të cilën nuk lëvizë dot personazhi, veprimin, idenë dhe mesazhin e bën mistik. Shkrimtari e zbret në botën reale Firauzen kur lexuesi mëson se ajo është bashkëpunëtore e sigurimit. Ajo është shoqëruesja e djallit. As Mefistofeli as ajo nuk jetojnë e veprojnë pa njëri-tjetrin. Këtu fuqishëm na shfaqet fenomeni i absurdit, me që plaka e shushatur, rreckamane e djallëzore i shërbyeka sigurimit të shtetit. Një personazh tjetër, tejet periferik, “plaka xhuxhe dhe topalle, Zemrika kockëdalë” (f.61) është pasqyrim i reales me irealen. Personazhi është real por veprimet janë joracionale.

Filipi përmes rrëfimit lidhur me ngjarjen ku në qendër ka Zemrikën e pashpirt, çliron fantazinë e tij, dhe i lodhur nga realja e ankthshme do të ikë në irealen e vetëkrijuar përmes gënjeshtrës. Autori e ka të qartë se nuk ka tekst artistik pa fiksion dhe së këndejmi ndërton veprën e cila të rrëmben edhe si dokument artistik edhe si tekst i fuqishëm fiksional. Të dyja këto të kombinuara kënaqin shijen estetike të lexuesit.

Babai i Filipit, i burgosur politik, nga burgu (burgje që quheshin kampe pune) ka një “relikt”: tenxheren. Në tenxhere është gdhendur një emër: “Ai (Pavllo Çatis) ka qenë një ndër miqtë e babait të të pandehurit, gjatë kohës kur këta kryenin dënimin në burgun e Spaçit. Ai ishte një rebel, që ngriti krye në revoltën armiqësore të Spaçit, në majin e vitit 1973”.(f. 137) Pronari i tenxheres është pushkatuar në protestën e të burgosurve… Meqë edhe babai i Filipit është ushqyer në të, e ka pranuar si të vetmin kujtim nga personi i pushkatuar. Ndërsa ai e kujtonte Kohen në kampet e punës, ngjarjet në burgun e Spaçit si retrospektivë, ia behu pasoja, pastaj më vonë u kuptua shkaku. Aktakuza absurde e cila do ta shpjerë 10 vjet në burg Filipin. Edhe këtu shfaqet pritja si ankth dhe torturë. Pritet disa muaj dhe pikërisht kur Filipi kishte mbushur 18 vite, po atë ditë, dënohet. Në përgatitjen e aktakuzës , dresimin e dëshmitarëve dhe aktin e ankthshëm të pritjes pasqyrohet fytyra e pushtetit diktatorial totalitar. Filipi pas kundërshtimit të aktakuzës me fakte e kupton se nuk mund të shpëtojë nga ky absurd, meqë këta (gjyqtarët e prokurorët) paguhen për t’i vrarë shpresën njeriu që e damkosin si armik të popullit edhe kur s’është i tillë. Autori pozicionohet në krahun opozitar, pra madhëron individin dhe kolektivitetin që rropatet për mbijetesë shpirtërore, fizike e socio-politike. Këtë ia mundëson vetë materia, një retrospektivë e errët, në të cilën njerëzit nuk do të ktheheshin me asnjë kusht.

Në romanin “Tenxherja” emrat e personazheve bartin mesazh, veprim, shënjojnë një çështje, mesazh, figurë a ide. Shembuj: Fisnik Blana. Fjala blana që në këtë rast është mbiemër, paraqet plagën e Fisnikut nga burgu, dhembjen që është gdhendur, që është bërë Blanë, një plagë e njeriut të mirë me emrin Fisnik dhe kështu krijohet figura kontrastit. Figurativisht do të thoshim mbi dritë bie errësira. Edhe te disa protagonistë tjerë emrat shënjojnë kuptime jo vetëm të emërtimit, por më shumë se kaq. Gjatë thurjes së teksturës romanore te “Tenxherja”, autori ndërton tekst të ngjeshur, rrëfim të qetë e të dhembshëm përmes narratives, monologut, monologut të dialogizuar dhe më pak dialogut deri te pika kulmore e arritjes së qëllimit parësor që është ideoestetik. Dialogë të fuqishme që veprës i japin gradacion, kolorit dramaciteti kemi te kapitulli i XXII (f. 85-88). Ndërkaq vlen të përmendet se autori e ndërton tekstin me mjete shprehëse figurative. Pikërisht në këtë kapitull kemi dendur të pranishme figurën poetike të ironisë. Shembull:

“ – A e ke dyfletëshin ku të ka skicuar Filipi rrugën?” 

“ – Jo, për fat të keq, shoku hetues. M’u desh ta përdorja në nevojtore për letër higjienike…  

Vërehet se në shumë vepra të Tufës si te “Dueli”, “Gurit të varrit ia rrëfej”, “Mërkuna e zezë” etj., barrën e veprimit e të mesazhit të temës e bartin adoleshentët. Edhe te romani “Tenxherja” ndodhë e njëjta gjë. Romani përmbyllet me burgosjen e Filipit. Prindërit janë aty, por nuk mund të mbrojnë krijesën e vet të pafajshme. Ata duhet të presin (të pafuqishëm për ta ndryshuar rrjedhën e këtij absurdi) në atë fushë të shkretë zhgënjimi e pashprese lirimin e të birit, që mbase edhe mund të ndodhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.