“SHKUPI”, NJË HISTORI E NDRITSHME

Ardian Limani – Anton Pançev, “Bullgarët dhe serbët në artikujt e gazetës ‘Shkupi’ (1911-1912)”, botoi nga Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi”, Shkup, 2023

Besnik EMINI

Doli nga shtypi libri “Bullgarët dhe serbët në artikujt e gazetës ‘Shkupi’ (1911-1912)” i autorëve Ardian Limani dhe Anton Pançev, i botuar nga Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi”. Libri është botuar në tre gjuhë (shqip, maqedonisht dhe anglisht) dhe bënë anëlizë të shkrimeve të botuara në gazetën “Shkupi” botuar gjatë viteve 1911-1912 në Shkup. 

Botimi i artikujve të gazetës shqiptare “Shkupi” përgjatë viteve 1911-1912 e që flasin për bullgarët dhe serbët, përbën kontribut të rëndësishëm për të kuptuar më mirë ecurinë e zhvillimeve politike në Vilajetin e Kosovës, në shtetet fqinje, si Bullgaria, Serbia, por edhe në Perandorinë Osmane, e cila ishte në ditët e saj të fundit. Në kontekstin historik autorët i kanë dhënë edhe rrethanat politike ku u zhvillua dhe u rrit shtypi shqiptar pas vitit 1908 në territorin e Maqedonisë së Veriut. Së këndejmi, përmenden gazeta me peshë si “Bashkimi i Kombit”, “Kalendari Afërdita”, “Drita” të gjitha këto që botoheshin në Manastir.

Opusin publicistik më të rëndësishëm në këtë kohë e dha padyshim publicisti Jashar Erebara, i cili ishte një erudit dhe patriot shqiptar. Ky, sipas autorëve, nisi botimin e gazetës “Shkupi” më 1911. Për të kuptuar më mirë rolin e Jashar Erebarës, autorët janë kujdesur që të japin të dhëna interesante për jetën dhe veprën e tij ndër vite. Në të mund të shihet veprimtaria e tij publicistike më e hershme, duke filluar nga fundi i shekullit XIX, pastaj nga vitet 1901-1906 në Beograd me nxjerrjen e gazetës “Albanija” etj.

Autorët konstatojnë se u zgjodh Shkupi si kryeqendër e Vilajetit të Kosovës, që të themelohet kjo gazetë më 1911 pikërisht në vlugun e zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe ashpërsimit të rrethanave politike nga fqinjët. Gazeta mbuloi tema të ndryshme dhe redaksia e saj u përkujdes që të trajtoheshin çështje shoqërore dhe politike për kohën.  Erebara, sipas autorëve, ishte ideatori kryesor që të hartohet edhe abetarja, e njohur me emrin “Abetarja e Kumanovës”, e cila në fakt ishte një shtojcë në gazetën “Shkupi”. Synimi kryesor ishte përhapja e shkrimit shqip në mesin e shqiptarëve dhe jetësimi i vendimeve të Kongresit të Manastirit.

Kontaktet ndërmjet shqiptarëve, bullgarëve dhe serbëve në Maqedoni gjatë sundimit osman dhe pas tij, por edhe në kontekst më të gjerë, kanë nxjerrë në pah shumë dëshmi dhe dokumente autentike shqiptare për karakterin etnik të Maqedonisë. Ndërmjet historiografisë bullgare, serbe dhe asaj shqiptare mund të ketë debate për përqindjen e etnive të ndryshme, për përbërjen etnike të disa zonave në këto troje, por nuk ka asnjë dallim në lidhje me karakteristikat etnike dhe për identitetin e popullsisë. Shtypi shqiptar në Maqedoni gjatë sundimit osman ka publikuar shumë materiale të lidhura edhe me politikën e Mbretërisë Bullgare, si edhe me jetën e përgjithshme të bullgarëve. Ndërmjet gazetave shqiptare më me famë në Maqedoni, edhe pse me një jetë relativisht të shkurtër, ka qenë gazeta “Shkupi”. Në këtë gazetë ishin publikuar shumë vështrime për bullgarët dhe serbët në Maqedoni, por edhe për politikën e Bullgarisë dhe të Serbisë kundrejt Perandorisë Osmane dhe ndaj shqiptarëve.

Redaktor i kësaj gazete, rilindësi shqiptar, Jashar Erebara, ka pasur përgatitje shumë të mirë intelektuale dhe ka qenë njohës tepër i madh i politikës së asaj kohe. Për këto arsye dhe që të kuptojmë më mirë artikujt e gazetës “Shkupi”, duhet të jemi në dijeni për situatën e përgjithshme gjeopolitike në kohën e botimit të gazetës. Duhet të kihet parasysh se gazeta “Shkupi” ishte botuar në një kohë vendimtare për Ballkanin, për kauzën kombëtare shqiptare. Në dekadën e parë të shek. XX ka pasur ide të ndryshme për zhvillimin e bashkëpunimit shqiptaro-bullgar në fushën politike dhe për luftë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane. Mundësitë e veprimit të përbashkët shqiptaro-bullgar për çlirimin e Maqedonisë dhe të Shqipërisë ishte shqyrtuar nga faktorët vendimmarrës në Sofje pas Revolucionit Xhonturk, por pa rezultate strategjike për arsye të ndryshme.

Këto kanë qenë rrethanat gjeopolitike dhe rajonale në vigjilje të Luftës së Parë Ballkanike dhe që kanë ndikuar mbi artikujt e publikuar në gazetën “Shkupi”. Atdhetarët shqiptarë, si Jashar Erebara, ishin të vetëdijshëm për këto probleme dhe nyja të pazgjidhshme ndërmjet shteteve ballkanike dhe midis nacionalizmave të popujve të rajonit. Jashar Erebara i kishte kuptuar shumë mirë këto “lojëra gjeopolitike” dhe i kishte kritikuar me të drejtë për dëmin që do të sillnin për interesat e shqiptarëve.

Lexuesit i bën përshtypje se në shkrimet e tij Jashar Erebara kishte treguar aftësi të jashtëzakonshme analitike dhe kishte bërë parashikime të sakta për marrëdhëniet ndërmjet shteteve ballkanike. Këto parashikime burojnë edhe nga fakti se autori ka qenë shumë mirë i informuar për ngjarjet politike në Ballkan, si edhe për politikën e Fuqive të Mëdha ndaj gadishullit. Lajmet e publikuara në gazetën “Shkupi”, shpesh kanë qenë të shoqëruara me komente të shkurtra, por të sakta. Edhe nga këto komente shihen edhe sot aftësitë analizuese të autorit të tyre. Lajmet, komentet dhe analizat mbi çështjet politike të përditshme kanë qenë me theks mbi pasojat strategjike që do të sillnin. Pikërisht në këto analiza mund të shihet largpamësia e autorit të tyre, i cili i kishte veçuar elementet dhe pasojat strategjike në gjoja ndodhi të përditshme. Bën përshtypje fakti se redaktori i gazetës “Shkupi” kishte përdorur shumë informata nga gazeta të tjera – osmane, bullgare, serbe, evropiane. Kjo qasje e kishte zgjeruar jo vetëm këndvështrimin e gazetës, por edhe tregon sa i informuar ka qenë redaktori dhe sa thellë ishte zhytur në politikën rajonale dhe evropiane.

Artikujt në “Shkupi” paralajmërojnë për rrezikun nga propaganda serbe, që kishte për qëllim shpërndarjen e urrejtjes ndaj popujve fqinjë dhe që kishte “argumentuar në mënyrë shkencore” pretendimet e Serbisë për dominim dhe për spastrim etnik ndaj “të tjerëve”.  Jashar Erebara kuptonte shumë mirë se “propaganda e armatosur serbe” në Maqedoni ka pasur karakter të jashtëm dhe ishte mbështetur nga elemente të ardhura nga Serbia ose nga mercenarë, të rekrutuar nga popullata vendëse. Kjo politikë e Serbisë do t’i sillte masakra të shumta dhe shtypje të vazhdueshme popullatës së Maqedonisë, pa dallime etnike.

Artikujt e gazetës “Shkupi” tregojnë edhe ekzistimin e një këndvështrimi realist mbi politikën e Fuqive të Mëdha. Jashar Erebara e kuptonte shumë mirë realitetin e hidhur të politikës evropiane, ku të drejtat etnike të popujve më të vegjël po flijoheshin pa asnjë fije turpi nga diplomacitë e shteteve të fuqishme për hir të interesave të tyre. “Shkupi” i kishte ndjekur dhe i kishte analizuar me kujdes interesat e këtyre shteteve, si edhe përplasjet ndërmjet tyre në Ballkan. Gazeta “Shkupi” ka qenë ndër gazetat më të mira shqiptare, edhe pse me jetë të shkurtër. Kjo gazetë i kishte vazhduar traditat e shkëlqyeshme të shtypit shqiptar që në kapërcyellin e shekullit XІX dhe në dekadat e para të shek. XX kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për kauzën kombëtare shqiptare në të gjitha aspektet e saj. Artikujt e gazetës “Shkupi” nuk e kanë humbur rëndësinë e tyre, madje edhe më shumë se 110 vjet pas mbylljes së këtij organi të shtypit shqiptar. Hulumtuesit shqiptar, por edhe të gjithë lexuesit që kanë interes për zhvillimet historike në Ballkan, do të gjejnë në këto publikime lajme, komente dhe analiza objektive që do ta ndihmojnë kuptimin e ngjarjeve në vigjilje të Luftërave Ballkanike.

Gazeta “Shkupi”, si edhe jeta dhe veprimtaria e redaktorit të saj, Jashar Erebara, meritojnë edhe hulumtime të tjera me qëllim që të ndriçohen në thellësi kontributet e atdhetarit të madh për kauzën kombëtare shqiptare. Për këto arsye, studimin për gazetën “Shkupi” dhe për veprimtarinë e Jashar Erebarës, meriton hulumtim të thellë. Hulumtime të tilla sjellin para publikut të gjerë jo vetëm faqe të rëndësishme nga historia e Ballkanit, por hedhin dritë edhe mbi rrugët e bashkëpunimit ndërmjet popujve tanë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.