Gjithë vëmendja duhet të derdhet në shprehi, nëse ajo nuk duhet të hedhë në erë njeriun, gjithë shprehitë duhet të shkatërrohen nga vëmendja, nëse ato nuk duhet ta paralizojnë njeriun
Walter BENJAMIN
Në krye të të gjitha vetive, thoshte Gëte-ja, qëndron mendja. Megjithatë, këtë vend të parë ajo e ndan me shprehinë e cila, këtë klasifikim, e diskuton që prej ditës së parë. Gjithë vëmendja duhet të derdhet në shprehi, nëse ajo nuk duhet të hedhë në erë njeriun, gjithë shprehitë duhet të shkatërrohen nga vëmendja, nëse ato nuk duhet ta paralizojnë njeriun. Pikasja dhe shprehia, motivimi dhe çmotivimi janë malet dhe luginat e dallgëzimeve në detin e shpirtit.
Por ky det ka gjithashtu bunacat e veta. Që njëra prej tyre, e cila përqendrohet krejtësisht mbi një mendim sfilitës, mbi një dhimbje dhe efektet e saj, e cila po ashtu mund të bjerë prè e zhurmës më të vogël, e një murmurime, e fluturimit të një insekti që nuk do ta pikaste mbase edhe veshi më i mprehtë, kjo është jashtë çdo dyshimi. Shpirti, thuhet, ndikohet më lehtë po të jetë i përqendruar. Por a nuk është shprehia pikërisht ky përgjim, jo fundi, por më tepër shpalosja e skajme e vëmendjes, çasti kur ajo e lë të dalë nga prehri i saj? Zëzërima e mërmërima janë pragu, dhe shpirti e ka kapërcyer atë pa u vënë re. A thua se ai nuk do të kthehet më në botën e zakonshme, ai jeton tani në një të re, ku dhimbja është… e tij.
Vëmendja e dhimbja janë plotësuese. Por edhe shprehia ka një plotësuese, pragun e së cilës ne e kapërcejmë në gjumë. Sepse çfarë realizohet brenda nesh në gjumë, është një pikasje e re dhe e padëgjuar, e cila shkëputet nga prehri i shprehisë. Përjetimet e jetës së përditshme, ligjërimet bajate, precipitimet që na mbeten në sy, pulsimi i gjakut tonë, gjithë kjo e papikasur më përpara, përbën – të shtrembëruar e tepër të konturuar – lëndën e ëndrrës. Në ëndrra nuk ka habi dhe në dhimbje nuk ka harresë, sepse të dyja mbartin në vetvete të kundërtat e tyre, siç shtrihen bashkë në bunacë kreshta dhe lugu i dallgës.