Dikur për dashurinë shkruanin poetët, ndërsa poeteshat në erotikë shfaqeshin thuajse si murgesha, ngaqë i ndruheshin opinionit
Fatbardh AMURSI
Lexo sa të duash libra, shih filma po aq, ndodh që personazhet të fshihen nga kujtesa, ndërsa çunat dhe gocat e lagjes së vjetër mbeten për gjithë jetën, sikurse abetarja krahasuar me librat që do të bjerë rasti të shfletosh ndër vite. I mbaj mend të gjithë dhe me askënd nuk më ndodhi të isha i zemëruar, sikurse do ngjiste me shoqëritë e mëvonshme. Shkak të kthehesha në “motin e shkuar”, u bë fotoja e nënës së Shpresa Dhimës, Kristina, e cila i gëzohej librit të vajzës së saj. Këtij gëzimi po i bashkohem dhe unë me këtë shkrim. Çupën e lagjes së vjetër, pas shumë vitesh, do e shihja të postonte në facebook poezi, shpesh të vlerësuar me çmime dhe certifikata nderi, së cilës i shtoheshin vazhdimisht miqtë. (Krahas Shpresës janë nderuar me certifikata dhe çmime autorë lushnjarë, si: Kujtim Hajdari, Bujana Xhindoli, Elona Tabaku, etj.)
Dikur për dashurinë shkruanin poetët, ndërsa poeteshat në erotikë shfaqeshin thuajse si murgesha, ngaqë i ndruheshin opinionit, që në provincë dozat e ndotjes me konservatorizëm i ka ku e ku më të larta nga metropolet. Ndërsa sot raportet kanë ndryshuar. Janë poeteshat, që, s`i fshehin asgjë shpirtit, ndërsa poetët më së shumti kamuflohen. Sot shumë prej poeteshave shkruajnë nga kryeqytetet e botës, llogariteni si favor këtë, por, ndodh që ato në provincë të jenë edhe më kurajoze, sikurse dëshmon dhe ky varg i njërës prej tyre: “Mbas fjalës bymehem, derdhem, përmbytem”. (Lexoja këto ditë një shkrim të Kristo Mërtirit: “80-vjeçarja libohovite që shkruan për dashurinë” apo në Chicago promovohet libri i Mirela Kaninit “Për pak dashuri”.) Tek poeteshat e dashurisë renditet dhe Shpresa Dhima. Në poezinë e saj has vetëm një hero lirik, më së shumti i shfaqur si imazh dhe me raste, një trupëzim pasionesh, të cilit ajo i përkushtohet deri në pagjumësi. (Nëse në rini ai shfaqet si një “princ i kaltër”, tani duket si i zhveshur nga titujt e fisnikërisë.) Më shumë se sa i pranishëm, për të ndarë çaste erotike me të, ai është i munguar. Pikërisht ky “i munguar” mban gjallë shpirtin e saj, duke mos rënë në platonizëm. Në këto raporte ndodh, që në vargje të ketë më shumë ikje se sa pritje, ku, pritja, rezulton të jetë më torturuese nga brengosja e ikjes. Në librin “Autobiografia e popullit në vargje” Kadare vë re këtë paradoks tek e shkuara: “Nëse në jetë dashuria ishte e ndaluar në këngët popullore ajo ishte e pranishme.” Kjo prani e dashurisë në poezi, në kohën e sotme krijon kontrast me realitetin, ngaqë tek e përditshmja pragmatiste, mirëmëngjesi me interes, dashuria sa vjen e zbehet, për më tepër që realiteti është i mbarsur me urrejtje, hakmarrje, konflikte, tinzarllëqe. Njerëzit po dashurohen vetëm nëpër libra, si një nevojë për të kompensuar mungesën e saj tek e përditshmja.) Kështu që erotika më shumë se sa dashuri shfaqet si pakënaqësi. Edhe tek Shpresa, si tek vjershëtoret e tjera: dashuria shihet si vuajtje, brengosje, “ti je loti im”, ku ndjenja e pritjes, sfumohet nga ajo e ikjes. Heroina pret, që ta zgjojnë agimeve, mes puthjeve dhe lotëve. “Pret një fjalë, një dritare çelur”-varg i saj. Tek një lule sheh fytyrën e tij, nga që kalorësi ikën në drejtim të paditur. “Trokitjet e kalit zënë afrohen,/Por, për çudi asnjë nuk kalëron”-varg i Shpresës, sepse mungon kalorësi. Dashuria ka humbur fshehtësinë, sikurse e thotë Lasgushi: “Një dashuri-një fshehtësi/Më e fshehur se sa fshehtësia”. Video-përgjimet po kthehen në mjete shantazhi. Kur këmba e njeriut shkeli në Hënë, ajo e humbi romantizmin. Vazhdimisht ndjen trokitje hapash, ngaqë rri e pagjumë dhe do të flerë në sytë e tij, që ndoshta në ato çaste është duke gërhitur. “Kush vargun e saj s`e lexoi/Kush me atë varg s`u dashurua.”-shkruan në poezinë me titull “Poetes së dashurisë”, sikurse e cilëson dhe redaktorja e librit në parathënien përkushtuese. Ndoshta kjo është arsyeja që librin e titullon” “Dhuratë vetes për ditëlindje”. “Unë të kam dhënë dhurata, Ofeli?”-e pyet Hamleti, “Po, Imzot, duke m`i shoqëruar me fjalë aq të bukura, sa m`i bëre ato dhe më të shtrenjta!”-Por, Hamletit mendja i punonte si e si të merrte hakun e babait dhe jo si t`i jepte dashuri Ofelisë. Edhe pse të një lagjeje me Shpresën, tani na ndajnë kontinente dhe oqeane. Unë në Amerikë dhe Shpresa në Itali. Kishte dëshirë t`ma dhuronte librin, që, në fakt, më parë: ia kishte dhuruar vetës. Qëlloi të isha në vendlindje, kështu që ia shkurtova rrugën librit për të ardhur tek unë. A mund ta lija unë të zemëruar, gocën e lagjes, duke prishur rregullin e miqësisë të brezit tim?