SHTËPIA E SËMURË

Libri SHTËPIA E SËMURË hapet me poezinë moto Kështjella, që i përmbledh të gjitha objektivat që i synon shkrimtari: shkrimin e ri, protestën krijuese, qëndrimin ironizues ndaj realitetit

Nehasa SOPAJ

Poeti Teki Dërvishi, i cili në krijimtarinë e tij do të bëjë me gisht kah e keqja (morale, shoqërore, kombëtare e sociale), i cili në të gjitha llojet letrare, poezi, prozë e dramë, do ta reflektojë kohën dhe hapësirën konkrete dhe i cili në veprat e tij do të theksojë për herë të parë sintagmën këtë libër do ta shkruaj përsëri, sikur na bën me dije se njeriu për jetë të vet s’bën asgjë tjetër, pos që e shkruan vetëm një libër të tij të vetëm, librin e jetës së tij. Kjo sintagmë metaforike, duke nisur prej librit SHTËPIA E SËMURË e deri në krijimet e tij më të reja, do të përsëritet si koncept si në poezi e roman, ashtu edhe në dramat poetike, kjo me synim që në të gjitha këto lloje letrare, në fakt, t’i nënshtrohet një sistemi sinkretik të përpunimit artistik, përmes të cilit do ta shprehë besnikërisht botën e brendshme të njeriut, duke e ngërthyer atë në të, pra raportet e heroit të tij lirik me rrethin dhe botën rreth tij. Këtë metaforë letrare, do ta ndërtojë me sukses në të tri llojet letrare, por në të tri këto lloje letrare të botës së gjerë krijuese te ai do të prijë liriku mbi epikun dhe dramatikun, një fah origjinal i tij, që duket sheshit se dominon mbi llojet e tjera. Këtë e dësh­mon si në librat me poezi lirike, ashtu edhe në romanet dhe dramat poetike – dramat me natyrë thjesht lirike dhe romanet me elemente të theksuara të lirizmit. Një mori elementesh gjuhësore, gjenealogjisht, e dëshmojnë burimësinë e thjeshtë lirike të mbarë krijimtarisë krijuese. Ato tregojnë se fjala e tij letrare, për nga natyra, është thjesht lirike, kurse lirika është lirikë e pastër, një dell purolirik. Bota e tij letrare, koncepti për letërsinë dhe botëkuptimi i tij i përgjithshëm gnoseologjik për botën dhe jetën, është fah i lindur i artistit.

Libri SHTËPIA E SËMURË hapet me poezinë moto Kështjella, që i përmbledh të gjitha objektivat që i synon shkrimtari: shkrimin e ri, protestën krijuese, qëndrimin ironizues ndaj realitetit, metaforën konkrete –shtëpinë e sëmurë, që mund ta marrësh si të duash, qoftë Jugosllavinë e vitit 1978, vendin dhe kohën e “lumturisë” së “vëllazërim-bashkimit”, ku socializmi titist mugullonte me “mirëqenie”, “pacifizëm” dhe “lumturi” (lexo saktë: shtypje, dhunë, padrejtësi ndaj shqiptarëve, borxhe prej më shumë se 20 milionë markash gjermane Perëndimit, që vonë do të paguhen me zhbërje të shtetit nga faqja e dheut si kreaturë artificiale), qoftë Kosovën me zërin protestues të poetit, që nuk e do “atin e dheun”, që d.m.th. nëntekstet, të cilat lexuesi mund t’i marrë me drojë, për shkak se gjithçka aty shqiptohet me ironi, alegori dhe sarkazëm, por që koagulohet me protestë, herë të hapur e herë të mbyllur. Të mos harrojmë se është koha e censurës, një kohë kur krijuesit përpiqen ta krijojnë lirinë e munguar me anë të shkrimeve “të vështira” (I. Rugova), një kohë kur frymohej brenda ngushticave të manovrimit të atyre vakumeve dhe të atyre ngricave të mendimit, kur rrallë jepej mundësia që njerëzit ta thonë atë që realisht e mendonin.

Këtu, në poezinë moto Kështjella, poeti flet i deprimuar dhe i irrituar totalisht nga e keqja që atij i vjen nga jashtë, nga një prej dhomave të shtëpisë së sëmurë dhe që është mbledhur si një shpirt që do të dalë jashtë vetvetes, sepse atij i ka dalë majë hunde të jetuarit e këtillë. Prandaj ai zbret në pathos, në shkallët e një realiteti skajshmërisht të hidhur. Këtu flet një shpirt njeriu pa ekuivoke, duke iu drejtuar Perëndisë që ta shpëtojë nga kjo odë e shtëpisë së sëmurë, ku ai gjendet pa dëshirën e tij e duke këlthitur me zë të lartë: “unë nuk e dua atin e dheun”. Teksti duhet kuptuar figurativisht – porosia e autorit duhen lexuar me kuptimin çfarë është standardi i përgjithshëm ontologjik dhe gnoseologjik i një kulture lexueshmërie, që të mund të kuptohen lehtë aludimet e poetit me një tekst me nëntekst të mbyllur. Pra, figurat duhet kuptuar ashtu si i përdor autori, në mënyrë që teksti të receptohet drejt. Brenda 23 vargjeve, poezia mëton të jetë sa poezi moto, poezi gesllo, poezi odë, po kaq edhe poezi himni e shpirtit njerëzor, që aspiron lirinë, një klithmë për liri që del nga kaosi i shpirtit të ndezur nga ankthi ku gjendet dhe prej nga dëshiron të dalë në sferat e gjera pa shtrëngesa, në fushat e lira pa kufizime.

KËSHTJELLA

Perëndi

Ti po më do shumë

Kaq shumë sa duhet vetëm martiri

Kurse unë jam një qen me zgjebe, një mace e zezë

Vetëm sipër qafës nuk kam plagë që qelbet

Pse më detyron të të frymoj

Mos më mundo!

Të ishe diçka që mund të të prek me dorë

Unë do të kisha djegur

I ngjaj muzgut të Ulan Batorit…

…bishtit të miut, xhenazes së gjallë

Protesta ime është tepri e bishtit të këputur

Të zhapinit kur përpëlitet

Më urre një herë si Poen

Të ndjej si zgjohet balsam i një Baudelaire – i të ri

Gjuhën po e hedh si pluhurin mbi bar

Më theri me singi në zemër Ivan Grozni

Katër shekuj më parë

Më le të dal e të ik nga kjo dhomë e sëmurë e Kështjellës

Në një paqenësi tjetër më jetëso, në trajtë kafshe, pa gjuhë

Me fjalët e mia, mua të vetmin, mos më helmo!

Dua të dal nga kjo odë e sëmurë

Dua të ik… dua të ik…

Unë nuk e dua atin e dheun!

Shkurtimisht dhe tekstualisht, nga ky shkrim ligjërim/rrëfim i vetës së parë, që flet me zë të lartë, e mësojmë këtë kallëzim: ti, Perëndi, mirë që po më do mua shumë, kaq sa duhet vetëm një martir, por unë s’e meritoj këtë të mirë tënden, sepse unë jam vetëm një qen me zgjebe, një mace e zezë etj., andaj si po më do mua kur unë nuk të dua ty?; andaj krejt çka mund të bëj tash unë është vetëm të të djeg ty (po të kisha mundësi, kuptohet); vështromë pakëz më mirë dhe do të bindesh se unë i ngjaj muzgut të Ulan Batorit, bishtit të këputur të zhapinit, xhenazes së gjallë; prandaj ç’po të duhem unë ty kur unë s’jam për t’u dashur, por për t’u urryer? Kështu, ti më mirë e ke të më urresh, më urre si Poen (E. A. Po, poeti më i dashur i autorit) për shembull, prandaj më lejo të ndjej si zgjohet balsami i Baudelaire-it të ri në mua, se mua kahmot më ka ther singia e Ivan Groznit; po pra, unë po dua të dal nga kjo dhomë e sëmurë e Kështjellës, prandaj në një paqenësi tjetër më jetëso, në trajtë kafshe pa gjuhë, sepse: protesta ime është tepri e bishtit të këputur / të zhapinit kur përpëlitet.

Pas gjithë këtij rrëfimi të lirë timin, që i ngjet një maksime a paradoksi të shqiptuar si ironi e thellë, vargu i fundit i kësaj poezie të ngarkuar me dykuptimësi, aludime, ironi dhe sarkazëm, sikur e shpjegon gjendjen e ankthit e të kaosit të brendisë së heroit lirik: unë nuk e dua atin e dheun. Ky varg me dy metafora të mëdha (Ati, Dheu) sikur mëton t’i shpjegojë gjakimet e alternativave të kuptimeve të ndryshme që mblidhen në një kuptim të vetëm si më lart. Ky është leximi i parë, i lirë, i poezisë që brenda vetes i ka përfshirë tërësitë semantike të figurave narrative, të cilat janë transparente për receptim nga lexuesi. Për një interpretim të saktë të aludimeve të kësaj poezie, pastër lirike e kontekstuale, lus lexuesin për ta mikrolexuar saktë dhe pa hipoteka poezinë edhe një herë, ashtu siç ka dalë në libër, për t’u bindur se vargun e fundit – unë nuk e dua atin e dheun, figurat simbole, at e dhe, duhen lexuar me germa të mëdha, pra At e Dhe, që ta kemi sa më të qartë peshën e fjalëve të theksuara si figura, për çka e ka fjalën autori.

Duke e lexuar këtë poezi, por edhe poezitë e tjera të librit Shtëpia e sëmurë, lexuesi fiton përshtypjen për natyrën e saj si poezi eksperimentale, thellësisht ironike, dhe me një alegori të dukshme e të qëllimshme, me një dritësim të një vërtete, që në kohën kur qe botuar, më shumë se e guximshme, paraqitet tepër e kulturuar, që d.m.th. se ky tip poezie brenda vetes i kishte gërshetuar të gjitha përvojat e lexueshmërisë dhe të angazhimit letrar të autorit, aq sa kishte ndikuar edhe në emancipimin e vargut shqip, duke e bashkërenduar atë në piedestalin e shkallës më bashkëkohore jashtë shqipes. Poezia ka një repertor figurash që flasin për matje me të arriturat fundore të kohës në arenën ballkanike, por edhe europiane: kultura e fjalës dhe e mendimit me të tjerët duhen baraspeshuar që mesazhi poetik i saj të kuptohet saktë dhe pa gabim. Pak është të thuhet se kjo poezi është tip i poezisë së protestës (e cilësuar ashtu që atëherë në kohën kur qe botuar), pra poezi e një angazhimi të moderuar. Ajo, në të vërtetë, është një poezi tipike postmoderne, thënë me gjuhën e kohës sonë, kur edhe ajo kishte lindur. Pra, poezitë e këtij libri janë ironi e kohës që e lamë pas, pasqyrë besnike që e portretizon profilin e shkrimtarit disident, i cili arrin ta thotë atë që e mendon, qoftë edhe kur i kishte ndjekësit prapa, censurëkuqë e bredharakë, që vërtiteshin si hije të zeza.

Poezia moto Kështjella, brenda rrëfimit të saj, i ka “djegat” e shpirtit në majë të thërrimeve brendapërbrenda vetes – të thuhet e vërteta në konditat kur ajo duket e pamundur të thuhet: Perëndi… unë nuk e dua Atin e Dheun. A ka më qartë se kjo protestë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.