SHTETI DHE IDENTITETI KULTUROR

Kultura nuk guxon të trajtohet si mundësi përfitimi, si obligim apo si një privilegj vetëm i një personi, vetëm i një institucioni apo vetëm i një segmenti kohor. Kultura është shtylla vertebrale e kombit. Për të qenë i lëvizshëm kombi duhet që t’i funksionojnë dhe t’i ketë të shëndosha të gjitha vertebrat e shtyllës së vet

Avni HALIMI

Për nga kuptimi politik, shteti është një organizatë e gjithanshme e cila disponon kapacitete dhe mekanizma të domosdoshëm për ta shtrirë sundimin politik mbi tërë shoqërinë. Për nga kuptimi gjeo-politik shteti është një territor me kufij të caktuar, i populluar nga popuj të caktuar që udhëhiqen nga një pushtet publik. Popullsia dhe territori janë dy elementet kyçe që e përbëjnë një shtet, sepse pa popullsi dhe pa territor nuk ka shtet. Ndërkaq pushteti është mjet për ta vënë në zbatim një politikë, një program qeveritar të caktuar mbi tërë shoqërinë e shtetit.

Në shtetet demokratike, në shtetet shumëpartiake, pushteti ushtrohet përmes institucioneve juridikisht të ngritura me vullnetin e gjithë shtetasve të cilët aderojnë nëpër parti të ndryshme. Partitë përfaqësojnë grupe përkatëse shoqërore ndërsa shteti përfaqëson zyrtarisht të gjithë qytetarët e vet.

Po në ç’masë dhe në ç’mënyrë i përfaqëson qytetarët shqiptarë Shteti i Maqedonisë së Veriut? Ose, cili është vullneti i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që të përfaqësohen nga ky shtet?

Këto janë dy çështje kruciale të cilat, po qe se do të analizoheshin objektivisht, jo vetëm që do të na sillnin te konstatimi i pamohueshëm se, ky shtet akoma është me një pushtet etnocentrik dhe antishqiptar por dhe, nga ana tjetër, do t’i demisionojë edhe partitë prej të cilave përfaqësohen shqiptarët. Maqedonia e Veriut akoma nuk ka vullnet të shëndoshë për t’i përfaqësuar shqiptarët brenda, ndërsa jashtë shtetit, përfaqëson fund e krye vetëm popullin maqedonas. Kultura shqiptare e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut nuk mund të prezantohet përmes këtij shteti. Në këtë aspekt Maqedonia është shtet që përjashton shqiptarët, ndërsa partitë e tyre vetëpërjashtohen nga ky mision. Nuk përjashtohen si numër, por si kulturë!

Mentaliteti popullor dhe kultura

Në shoqëritë post-industriale dhe post-moderniste të disa shteteve perëndimore (Italia, Franca, Gjermania, Spanja, Polonia e disa të tjera, madje edhe Turqia) kishte vite që ishte kryer një studim i detajuar mbi nevojën për konsumim kulturor, mbi shijen kulturore, mbi stilet dhe, përgjithësisht mbi trendet e reja kulturore, sepse institucionet përkatëse të këtyre shteteve gjithnjë e më shumë po bindeshin se teknologjitë si dhe kahet e reja shoqërore po impononin politika të reja kulturore. Këtij procesi studimor iu nënshtrua edhe Serbia dhe Maqedonia e Veriut, si dy nga shtetet më traumatike të dala nga dekomponimet e fundit të ish-federatës jugosllave. Studimi me titull “Nevojat kulturore, shprehitë dhe shija e qytetarëve të Serbisë dhe të Maqedonisë” do të realizohet përmes një mega-ankete e cila do të kryhet gjatë muajve tetor-dhjetor të vitit 2005 (ndërsa fill pas një viti, më 2006-n, do të hidhen hapat e para në projektimin e identitetit të ri kulturor maqedonas si dhe në eksperimentimin e ngjizjes së një identiteti të ri kombëtar në amzën e antikitetit). Projekti në fjalë u financua nga European Cultural Fondation ndërsa u realizua nga Këshilli për iniciativë qytetare nga Nishi, Qendra e artit bashkëkohor nga Shkupi si dhe Qendra për bashkëpunim ballkanik “Loja” nga Tetova. Qëllimi i këtij studimi ishte që t’u dilet në ndihmë të gjithë atyre që merren me krijimin e politikave kulturore si në nivelin shtetëror ashtu edhe në atë rajonal apo edhe të qyteteve. Gjithashtu, studimi i dedikohet edhe atyre që i formojnë politikat zhvillimore dhe artistike nëpër institucionet kulturore. Dhe, e zezë në të bardhë thuhet: “ky studim i dedikohet në veçanti avancimit të bashkëpunimit të gjithanshëm të Serbisë dhe Maqedonisë”!

Nga kjo anketë gjithëpërfshirëse, të kryer në çdo cep të Serbisë e të Maqedonisë, dolën një mori të dhënash shumë të vlefshme për sa i përket asaj se çka dëshirojnë më tepër nga lëmi i kulturës qytetarët e Serbisë dhe të Maqedonisë së Veriut, çka punojnë në këtë drejtim, çka dinë nga lëmi i kulturës, sa shpenzojnë qoftë kohë qoftë nga buxheti familjar për kulturë, dhe çfarë mjeti apo prodhimi kulturor posedojnë. Të dhëna tepër inkurajuese ishin sidomos ato që flisnin për perceptimin kulturor të qytetarëve serbë e maqedonas (mbi leximin e librave, dëgjimin e muzikës, vizitë koncerteve, kinemave, galerive, muzeumeve etj.) si dhe të dhënat që flisnin për produksionin kulturore (sa merren me art qoftë në mënyrë amatore apo profesionale, me cilin lloj të artit merren dhe cili është hobi i tyre). Këto të dhëna mundësuan piketimin dhe diferencimin e katër grupeve (publik pasiv, aktiv, i detyrueshëm dhe jo-publik) nga publiku i teatrit, nga ai i koncerteve, i artit pamor, nga kino-publiku si dhe nga publiku letrar. Veç kësaj u bë edhe identifikimi i grupit kreativ dhe ai jokreativ në fushën e produksionit kulturor. Dhe fare në fund, nga këto të dhëna diferencuese dhe identifikuese u arrit edhe tipologjizimi i shijeve kulturore: shija folklorike, urbane, konvencionale dhe shija elitiste. Por sa kishin bërë këta dy shtete për ta mprehur sidomos shijen e fundit – për të krijuar apo për të ruajtur ndonjë bërthamë të elitës kulturore?

Identiteti i fiksuar

Në korpusin e teorive mbi kulturën, mjaft interesante është edhe ajo teori që mbështetet në “shtetin e mirëqenies”. Të dhënat e këtij studimi flasin se aplikimi i kësaj teorie, ndonëse në mënyrë tinzare, mjaft qartë haset në Maqedoninë e Veriut. Si duket ky “shtet i mirëqenies” dhe çka ju ofron qytetarëve të vet? Veprimet e mekanzimave të shtetit të mirëqenies bëhen kryekëput në funksion të përforcimit të lidhjes në mes të konsumimit kulturor dhe përkatësisë etnike-shoqërore, ndërkohë që, nevoja për nivelizimin e konsumimit material-kulturor i detyron përkatësit e grupeve të tjera etnike të gjejnë dhe të ndajnë burime financiare për aktivitetet e veta kulturore. Kësisoj përforcohet teza se shteti i mirëqenies dhe mekanizmat e tij mundësojnë më tepër liri individuale ndaj dhe “i motivon” të gjithë shqiptarët që të merren me kulturë por ama paraprakisht të gjejnë dhe të sigurojnë burime financiare. Sot, në kuadër të Ministrisë maqedonase për kulturë “funksionon” edhe e ashtuquajtura Drejtori për zhvillim dhe avancim të kulturave të bashkësive të ndryshme etnike që jetojnë në Maqedoni. Kjo drejtori është absolutisht pa kurrfarë kompetencash dhe, rrjedhimisht, pa kurrfarë buxheti. Përfaqësuesit e grupeve etnike në kuadër të kësaj Drejtorie obligohen që të gjejnë financa nëse dëshirojnë që të zhvillojnë aktivitete kulturore.

Maqedonia aplikon politikën kulturore që del nga kjo teori pikërisht për faktin se “shteti i mirëqenies” konceptohet si promotor i barazisë dhe si dekomponues i ndasive klasore, etnike-shoqërore. Por, duke i pasur parasysh proceset historike, ngjarjet shoqërore dhe ndodhitë politike, a mund të flitet për një funksionim të vërtetë të shtetit të mirëqenies në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut? Absolutisht që jo, sepse ky lloj shteti është karakteristikë e shteteve dhe shoqërive post-industriale e post-moderne. Fatkeqësisht, të dy shtetet skajshmërisht të traumatizuara nga shpartallimi i ish-Jugosllavisë, u kthyen në kohën para-industriale, me shikim drej mesjetës në vend se të përpiqen guximshëm të ngjiten në Olimpin e modernes. Dhe, në vend se t’i humanizojnë shoqëritë e veta këta dy shtete, i zhytën në përforcimin e identitetit të tyre kolektiv tradicionalisht të fiksuar: serbët si popull biblik, maqedonasit si popull antik.

Kultura shtyllë vertebrale e kombit

Shoqëritë e shëndosha fuqinë e vet dhe potencialin kombëtar nuk e mbështesin vetëm në llojet e kapitaleve të cilat i definon shkenca e ekonomisë, por mbi të gjitha, në kapitalin kulturor. Një shoqëri pa kapital kulturor gjason në një klan mafioz me kapital të fuqishëm material e financiar të cilën e siguron nga nëntoka dhe nga ekonomia e zezë. Kapitali kulturor është gjymtyrët dhe fuqia e identitetit kulturor. Ky kapital përfshinë objektet kulturore, të mirat kulturore: librat, pikturat, instrumentet…) si dhe institucionet që bartin kualifikime akademike.  Por kur ky kapital ekziston dhe nuk shfrytëzohet, nuk konsumohet, nuk vizitohet, nuk mbikëqyret, atëherë shoqëria është në përballje e sipër me disa probleme mjaft brengosëse: nuk funksionon si duhet aparati shtetëror, identiteti kombëtar është në udhëkryq, identiteti kulturor është në dilema të mëdha e historike.

Rezultatet përfundimtare të këtij studimi sollën deri te një konstatim tepër shokues për një shoqëri që mëton të krahasohet me shoqëritë post-moderne. Mbi 75% nga të anketuarit për aktivitet kulturor konsiderojnë dëgjimin e muzikës folklorike ndërsa po kjo përqindje si vlerë kulturore kombëtare e koncepton turbo-folkun. Rreth 7% prej tyre kanë blerë një libër në vit, 4% prej tyre frekuentojnë teatrot dhe një përqindje shpërfillëse vizitojnë galeritë. Mbi 75% e të anketuarve maqedonas kanë deklaruar se nuk kanë lexuar asnjë libër brenda një viti.

Për t’i zbutur këto probleme, pushteti i krijuar disa muaj pas përfundimit të këtij studimi, politikat e veta kulturore i orientoi pikërisht në drejtim të zbutjes dhe të tejkalimit të këtyre problemeve. Përmes turbo-gjurmimeve arkeologjike u lëshua në ngritje të një identiteti të ri kombëtar, përmes kant-autorëve dhe këngëtarëve zbavitës nisi t’i animojë të rinjtë me shpresë se do të largohen nga turbo-folklori, nisi të derdhë miliona euro në drejtim të botimeve, të aktiviteteve muziko-skenike. Skajshmërisht e instrumentalizuan vdekjen e një këngëtari argëtues (Toshe Proevski) dhe duke e shtrembëruar profilin e tij profesional, e ngritën në një “shenjtor” të kulturës maqedonase vetëm e vetëm t’ju krijojnë një “idhull” të rinjve maqedonas, të cilët, duke iu kthyer muzikës maqedonase do të hiqnin dorë nga konsumimi i turbo-folkut serbo-maqedonas.

Leximi është bazë e krijimit të shprehive të gjëra kulturore. Shprehia e leximit krijohet që në ciklet e ulta shkollore. Për ta përmirësuar imazhin e popullit lexues, përdorën një nga vlerat më të mëdha kombëtare të kohës së sotme, kardiokirurgun me famë botërore, doktor Zhan Mitrevin. Doktori në fjalë shkroi një libër për fëmijë me titullin Rrëfimet popullore maqedonase mbi Aleksandrin e Madh. Botimi i këtij libri me një tirazh marramendës për kushtet e sotshme u financua nga Ministria e Kulturës, siç u financua edhe përkthimi dhe botimi i tij në gjuhën angleze dhe ruse. Këtë libër do të mund ta përpilonte çdo shkronjës mesatar por, politikat kulturore maqedonase e zgjodhën pikërisht këtë “brend kombëtar” pasi që është i dashur dhe i respektuar prej të gjitha shtresave shoqërore maqedonase, thjesht, është krenaria kombëtare maqedonase, ndaj dhe ndikimi tek të rinjtë për lexim do të ishte më i madh. Fatkeqësisht, situata aktuale e librit dhe e konsumimit të tij flet se, përpjekjet e këtilla qeveritare jo vetëm që janë të kota porse edhe shume naive. Sepse, shprehitë nuk krijohen vetëm nga një faktor dhe aty për aty. Shprehitë kulturore janë rezultat i një procesi të gjerë, gjithëpërfshirës, profesional dhe që sajojnë pikat kyç të programit afatgjatë kombëtar. Kultura nuk guxon të trajtohet si shteg përfitimi, si obligim apo si një privilegj vetëm i një personi, vetëm i një institucioni apo vetëm i një segmenti kohor. Kultura është shtylla vertebrale e kombit. Për të qenë i lëvizshëm kombi duhet që t’i funksionojnë dhe t’i ketë të shëndosha të gjitha vertebrat e shtyllës së vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.