Sa është e kulturuar ministria për kulturë. Në fakt, duhet shtruar pyetja: sa jemi të kulturuar, kur do të kulturohet shoqëria? Me politika kulturore që i shohim nëpër viset tona si dhe më gjerë, mjerisht, do të duhet një kohë e gjatë, atëherë kur politika do të bëhet “njësi mësimore” e kulturës! Deri atëherë, ia vlen të shtiremi se po bëjmë kulturë!
Nga Avni HALIMI
Sa është e kulturuar ministria për kulturë? Nuk shtrohet pyetja këtu për kulturën e punës që duhet ta ketë administrata e kësaj ministrie, por, sa kjo administratë e njeh kulturën! A e percepton kjo ministri kulturën si “pasqyrë e shpirt” të një populli, e trashëguar që kur di për vete populli! Institucionet, por edhe subjektet fizike, të cilët janë të përfshirë drejtpërdrejt në zhvillime të kulturës së një populli, në fakt, duhet të llogariten si “opozita më e pabindur” e një populli në raport me pushtetet politike. Krijuesit, artistët, kulturë-bërësit, janë ana tjetër e medaljes së një komuniteti të gjerë të angazhuar në bërjen e shtetit, në ruajtjen dhe në lartësimin e tij! Kjo kategori e shoqërisë, përgjatë historisë së njerëzimit, shpesh ka ditur të përplaset me pushtete dhe përplasjet e tilla kanë rezultuar fatale për mbretër e qeveri!
Pra, ministria e kulturës është “e shpikur” si dikaster për të qenë servis që përafron interesat e pushtetit politik me interesat e kulturës si “pushtet” më vete! Nuk është ky dikaster që t’ia rregullojë imazhin kulturor një qeverie, nuk është as për ta ushtruar një politikë të caktuar të pushtetit mbi artistë, krijues e kulturë-bërës! Pa dyshim, ministria e kulturës në kuadër të një qeverie popullore mbase është segmenti kontrollues i buxhetit të caktuar nga qeveria, të përcjellë mënyrën e shpenzimit të fondeve të dedikuar për projektet që i kanë kërkuar institucionet apo subjektet e ndryshëm fizik.
Nga ana tjetër, ministria për kulturë është paramenduar si “altoparlant” i shqetësimeve, i kërkesave, i interesave të artistëve dhe krijuesve; ministria e kulturës duhet të jetë “avokat” dhe t’i avokojë të gjitha shqetësimet kulturore në qeverinë e vet! Ministria e kulturës duhet të dijë edhe të reagojë, madje edhe të ankohet publikisht për politikat e gabuara apo të mangëta kulturore të qeverisë. Duhet të protestojë, apo, të paktën të jetë bartëse e reagimeve dhe protestave të krijuesve, artistëve si dhe komunitetit tjetër të angazhuar në fusha të ndryshme kulturore (muze, biblioteka, institucione të trashëgimisë kulturore etj.) Vetëm një situatë e tillë do të mund të dëshmonte se ministria e kulturës është e kulturuar. Prandaj, në mungesë të këtyre situatave, fare lehtë konstatohet se ministria e kulturës është, në fakt, dikaster i politizuar apo, për më keq, i partizuar.
Ministria e kulturës, e zhveshur nga petku politiko-partiak, do t’i evidentonte të gjitha nevojat e institucioneve kulturore, kostot vjetore të tyre, kërkesa e tyre, projektet e parapara për aktivitete dhe zhvillim kulturor. Gjithsesi, një segment shumë i rëndësishëm është edhe sektori civil, i cili, në të shumtën e rasteve vjen me alternativa të shumta kulturore, me aktivitete përtej atyre institucionale dhe, ministria e kulturës në tavolinën e qeverisë duhet të përplasë një “dosje” të paimagjinueshme për politikën dhe politikanët dhe, veç tjerash, duhet t’i sensibilizojë dhe t’i bindë t’i pranojnë kërkesë për kërkese (racionale, të arsyeshme) të shtruar nga komunitetet e ndryshëm të angazhuar në kulturë!
Shikuar nga këndi i interesave të artistëve dhe krijuesve, për sa u tha më sipër, tingëllon bukur e mirë! Por, megjithatë, promotori i një qëndrimi të prerë të ministrisë për kulturë, duhet të jenë vetë artistët e krijuesit! Deri më sot, nuk është dëgjuar të ketë ndodhur ndonjë rast që flet për rebelimin e krijuesve dhe artistëve kundër modelit politiko-partiak të ministrive të kulturës që i kemi pasur! E kemi pasur të kundërtën! Ministria e kulturës është përdorur si “kërbaç” me të cilën qeveritë e ndryshme i kanë mbajtur të disiplinuar kulturë-bërësit, mbi të cilët, është ushtruar politika akulturore e qeverive, të cilët, çuditërisht buxhetin e ndarë për kulturë e llogarisin si veprimin më të padëshiruar që shkakton një kosto “të panevojshme”! Reagime artistësh e krijuesish gjithnjë ka pasur për buxhet të vogël, për financime qesharake të projekteve, për kalim të pak projekteve dhe, asnjëherë nuk ka pasur për politika të gabuara kulturore, të varfra, tendencioze apo edhe diskriminuese. Ndaj reagimeve banale, qeveritë kanë ditur të përgjigjen banalisht dhe, në të tilla “banalitete” gjithnjë ka pësuar kultura! Këtu dhe bije poshtë pyetja e shtruar qysh në fillim: sa është e kulturuar ministria për kulturë. Në fakt, duhet shtruar pyetja: sa jemi të kulturuar, kur do të kulturohet shoqëria? Me politika kulturore që i shohim nëpër viset tona si dhe më gjerë, mjerisht, do të duhet një kohë e gjatë, atëherë kur politika do të bëhet “njësi mësimore” e kulturës! Deri atëherë, ia vlen të shtiremi se po bëjmë kulturë!
Politika nacionale për diversitet kulturor
Për rreth dyzet vite me radhë shqiptarët zhvilluan kulturë bazuar në ideologjinë komuniste, kurse shqiptarët jashtë atdheut e në viset e tyre etnike patën fatin të përjetojnë edhe diskriminimin kulturor si rrjedhojë e qëndrimeve getoizuese kundër shqiptarëve vlerat shpirtërore e kulturore të të cilëve i konceptonin si motiv të sigurt për “shovinizëm dhe separatizëm”!
Në Shqipëri e Kosovë, edhe më tej kultura zhvillohet nën prizmin e përkatësisë politike, pa ndonjë platformë “të shenjtë” mbi të cilën do të ngrihej një politikë e përhershme kulturore së cilës do t’i nënshtrohej çdo pushtet e çdo qeveri!
Në shtetet e tjera ku jeton në masë të konsiderueshme bashkësia etnike shqiptare, politikat kulturore shtetërore janë gati po ato të sistemit komunist e me elemente të aparthejdit! Nëpër organizata të larta të BE-së janë miratuar një sërë rezolutash kundër diskriminimit kulturor e kundër lirive dhe të drejtave të njeriut, por edhe rezoluta që i kanë dënuar këto diskriminime dhe shkelje të të drjtave të përgjithshme nga ideologjitë diktatoriale. Ka miratuar edhe shteti shqiptar, edhe Kosova por, sa këto rezoluta shtetërore kanë ndihmuar në dekomunistizimin e kulturës shqiptare! Cili është raporti i pushtetit karshi intelektualëve të kyçur nëpër parti që i bëjnë karshillëk pushtetit?! Cili është qëndrimi i pushtetit ndaj Akademive, ndaj institucioneve arkeologjike, antropologjike, ndaj institucioneve nacionale që kultivojnë veprimtari të ndryshme artistike! Mbase sot nuk e përjetojnë atë izolim e “përndjekje shtrigash”, por, diferencimin ideo-politik gjithësesi që e vuajnë deri në heshtje totale dhe në heqje dorë nga veprimtaritë intelektuale! Për fatet e identitetit kulturor si dhe të zhvillimeve kulturore vendosin artistët e krijuesit, arkeologët e artistët e veprimtarive skeniko-muzikor, dhe nuk duhet të vendos pushteti! Kultura të njëjtin fat komunist po e përjeton edhe në Kosovë ndonëse nuk e ka presionin e diskriminimit nga okupatori i dikurshëm!
Identiteti kulturor i shqiptarëve të viseve etnike edhe pas tri dekadave demokraci, edhe më tej shikohet nga i njëjti prizëm diskriminues dhe nga të njëjtat aparthejd-politika! Shoqëria serbe, malazeze dhe maqedonase, nuk kanë punuar fare në çrrënjosjen e urrejtje etnike kundër çdo vlere shqiptare. Angazhimi shtetëror i tyre në zhvillimin e multikulturalizmit si dhe në ruajtjen e diversiteteve kulturore konsiston vetëm në faktin që për shqiptarët mjafton që frymojnë shqip dhe që, identitetin kulturor të tyre e shprehin brenda mureve të shtëpisë. Asnjëherë nuk u trajtuan si viktimë kolektive e komunizmit etnik serb, malazezë e maqedonas, asnjëherë nuk iu kërkua shqiptarëve falje kolektive dhe asnjëherë nuk u stimuluan kolektivisht serbët, malazezët e maqedonasit për t’u njoftuar sa më masovikisht me kulturën shqiptare si një prej kulturave më të vjetra në rajon e më gjerë; në shenjë pendimi për tërë atë diskriminim dhe urrejtje që e kanë kultivuar kundër kulturës shqiptare, është dashur që ta mësojnë, të paktën, si lëndë fakultative, me qëllim që ta kenë sa më të lehtë dhe etnikisht më të pranueshëm institucionalizimin e jetës kulturore shqiptare.
Asnjë qeveri në Mal të Zi, në Serbi e në Maqedoninë e Veriut nuk insistuan që të krijojnë buxhet special për institucionalizimin e kulturës shqiptare dhe, kësisoj të dëshmojnë se janë shtet model për ruajtjen dhe kultivimin e diversitetit kulturor. Ligjet e natyrës nuk mund të përvetësohen e të përktheheshin si ligje shtetërore. Prezenca e etnitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, në Serbi e Mal të Zi nuk është vullnet i qeverive të këtyre shteteve por është ligj i natyrës. Aktivitetet private kulturore, aktivitetet kulturore të zhvilluara me ndihma e me sponsor nga firmat private nuk janë angazhime shtetërore për diversitet kulturor. Majorizimi etnik-kulturor nuk është asgjë tjetër përveçse recidiv i komunizmit.
Edhe për faktorin ndërkombëtar kjo hipokrizi duhet të jetë brengosëse, sepse, këta shtete, në emër të “multikulturalizmit” dhe “diversitetit kulturor” përfitojnë para të majme. Ndërkombëtarët duhet ta studiojnë mirë realitetin e sotëm e të kuptojnë se, përse shqiptarët, populli me kulturë më të lashtë në rajon, ka ngelur shekuj mbrapa, nuk e ka të institucionalizuar kulturën, nuk e ka platformën kombëtare për një identitet kulturor të respektueshëm prej të gjithëve! Pse shqiptarët e viseve etnike nuk kanë arkeologë, antropologë, regjisorë filmi, pse universitetet e tyre nuk kanë fakultete kulturologjike, restaurues, konservues etj! Nëse dikur “moti” këtë diskriminim e ushtruan në emër të ideologjisë komuniste dhe në emër të luftës kundër “shovinizmit dhe separatizmit” të kulturuar, sot çfarë po ndodhë? Në emër të çkafit jeta kulturore shqiptare është e po atij niveli të periudhës komuniste, nëse jo edhe më keq! Kultura shqiptare sa më parë dhe në të gjitha dimensionet duhet të institucionalizohet kurse politikat kulturore duhet urgjentisht të dekomunistizohen. Shqipëria dhe Kosova, si shtete shqiptare, nëse nuk kanë kapacitete për ta hartuar platformën gjithëkombëtare për përforcimin dhe zhvillimin e identitetit kulturor, le të angazhojnë ekspertë ndërkombëtarë dhe le të konsolidojnë komunitet të fuqishëm lobistësh për të ndikuar te shtetet post-komuniste (ku jetojnë në masë të konsiderueshme shqiptarët) që pa hezitim të heqin dorë nga diskriminimi kulturor duke e institucionalizuar sa më masovikisht kulturën shqiptare nëpër shtetet përkatëse.
Diskriminimi demokratik edhe më i rëndë se ai komunist
Si zhvilloheshin kulturalisht shqiptarët e Maqedonisë së Veriut pas Luftës së Dytë Botërore e deri në shpërbërje të ish-Jugosllavisë? Cila ishte pozita e tyre kulturore? Cili ishte qëndrimi i politikës zyrtare ndaj kulturës shqiptare? Cilat ishin politikat kulturore dhe sa ato politika i preknin interesat kulturore të shqiptarëve?
Gjatë periudhës komuniste, si gjithandej nëpër ish-Jugosllavi, edhe në Maqedoni shqiptarët kaluan nëpër një proces të tmerrshëm diskriminues. Përjetuan presione të papërballueshme politike dhe për pasojë u detyruan të shpërngulen mijëra familje shqiptare fillimisht nëpër viset turke e pastaj edhe nëpër shumë qendra evropiane. Krahas këtyre represalieve, sistemit jugosllav i duhej edhe propagimi i “bashkim-vëllazërimit” i cili ruhej dhe kalitej përmes ventilimeve kulturore amatoreske të rezervuar për “kombësitë”, term ky i shpikur për bashkësitë etnike të cilat sistemi jugosllav nuk i llogariste për komb. Kombësitë llogariteshin si elementë që e pasuronin diversitetin kulturor të republikës ku banonin. Pra, kultura e një republike ishte e pasur edhe për një kulturë tjetër që i përkiste një kombësie që nuk mund të llogariste në shtetëformësim. Kultura e republikës, apo e popullit shtetëformues, avancohej, stimulohej, subvencionohej, me politika, me plane zhvillimi e me buxhet shtetëror e republikan, ndërsa kultura e kombësive “ruhej e konservuar”, mbahej ashtu siç ishte që në hapat e para të formimit të shtetit jugosllav. Kjo në planin e politikës federale, ndërsa në planet e politikave republikane situata ishte edhe më e mjerueshme. Racizmi kulturor dukej si në ditë me diell! Diskriminimi federativ u jepte leje republikave për hartime dhe zbatime të politikave edhe më diskriminuese kulturore.
Kapacitetet intelektuale e krijuese të shqiptarëve të Maqedonisë së atëhershme ishin të pakta dhe gjithnjë të survejuara nga “syri i zgjuar” që kishte për detyrë kapjen e nacionalistëve dhe shovinistëve shqiptarë. Pra, censura, autocensura dhe “syri i zgjuar”, elemente këto të pushtetit të egër diktatorial, ndikonin në vetëpërmbajtje intelektuale dhe, për pasojë, në jetën skajshmërisht të varfër kulturore. Pushteti totalitar kishte edhe një mjet tjetër, i cili duke u llogaritur më tepër si atraksion kulturor, shtonte rehatinë e vet politike duke e trashur “bashkim-vëllazërimin”. Për të gjitha kombësitë në rrafshin kulturor stimulonte themelimin e shoqërive kulturo-artistike, prej të cilëve kërkonte repertor që do ta pasqyronte diversitetin kulturo-folklorik të kombësive. Këtë politikë zyrtare ishte e detyruar të zbatonte edhe SHKA “Ibe Palikuqi”dhe “Emin Duraku” nga Shkupi, “Xheladin Zeqiri” nga Tetova, “Bajram Shabani” nga Kumanova, e ndonjë tjetër të nivelit skajshmërish amatoresk. Asnjë nga këto shoqëri kulturo-artistike shqiptare nuk mund të organizonte program kulturo-artistik për shqiptarët e këtushëm pa marrë leje nga policia e vendit. Fillimisht dorëzohej i tërë repertori i përkthyer dhe i shpjeguar në gjuhën maqedonase dhe tek pastaj, nëse kalonte “gijotinën” e përshtatshmërisë ideo-politike, nëse repertori ngërthente edhe pikë artistike nga kombësitë e tjera, qoftë këngë apo valle, sigurohej leja për ndonjë koncert amatoresk. Dhe kjo ishte e tërë jeta kulturore shqiptare në Maqedoni e dikurshme, nivelin e të cilës e ngriste paksa në profesionalizëm vetëm trupa teatrore e shqiptarëve që funksiononte në kuadër të Teatrit të kombësive në Shkup.
Sot në Maqedoninë e Veriut është edhe më keq! Nëse dikur kulturën shqiptare në këtë shtet e ngulfaste sistemi politik, sot këtë e bën kombi maqedonas. Diskriminimi dhe mohimi i kulturës shqiptare sot për sot është jo vetëm strategji apo program por, obligim dhe detyrë kombëtare maqedonase, e mbështetur në korniza të ndryshme ligjore.
Kryeministri maqedonas, me rastin e përgatitjeve për ndryshime kushtetutare, sapo tha: “Nuk e kemi prioritet heqjen e 20%, prioritet e kemi futjen e 3500 bullgarëve në Kushtetutë.” Kultura shqiptare, gjuha shqiptare, edhe më tej do të ngelin si gjuhë dhe kulturë e popullit që është 20 për qind në numrin e përgjithshëm të popullsisë së Maqedonisë së Veriut! Për 3500 bullgarë mund të shkatërrohet edhe shteti, kurse termi “shqiptar” assesi nuk guxon të bëhet kategori kushtutare! Ky është diskriminim demokratik, kurse në komunizëm shqiptarët, të paktën theksoheshin si pasuri e diversitetit shoqëror e kulturor!