SHTYJENI PORTËN PA FRIKË

(Anisa Markarian, 15 DITË PRILLI)

Alma ZENELLARI

Nisur nga një kureshtje a joshje e emrit, vendosa të lexoj ditëprillet e Anisa Markariani-t, gruan me origjinë armene, mjeken, aktoren dhe skenaristen, e tani shkrimtaren, që merr përsipër të na rrëfejë nëpërmjet prozës së saj, tragjizmin tronditës të atij realiteti tronditës, rrëqethës, që jetuan mijëra shqiptarë brenda një territori të kufizuar e të kontrolluar nga diktatura.

15 DITË PRILLI të hirnosura, që më bën të mos heq dorë nga leximi e për t’i shkuar gjer në fund atyre historive, që më kanë tronditur gjer në asht.15 DITË PRILLI, një roman akuzë ku në çdo faqe ndihet rebelimi dhe pasthirrma e fuqishme e një gruaje “Unë akuzoj”…Një libër akuzë ndaj një sistemi të egër, ndaj një kohe të pakohë, që deformonte vetëdijshëm dhe linte pa ëndrra, pa shpresë një popull të tërë. Një popull, të cilin e çuan drejt humnerës, drejt humbjes së dinjitetit, kasta poshtëruese, e frikshme e njerëzve tru-deformuar. Kjo kastë e përligjur keqpërdori në mënyrën më brutale pushtetin e vet pervers vetëm e vetëm për ta shformuar, për ta shfarosur kujtesën e kombit.

Një libër ku personazhet nuk klithin, por ulërijnë për lirinë e vrarë, për mendimin e cunguar, për jetën që ndërpritej në mes nga shkaqe absurde. 15 DITË PRILLI janë ditë plot tension ku historitë njerëzore na përthithin dhe na bëjnë të ndihemi të befasuar, pse jo edhe të përlotemi. Ndaj jo më kot autorja na fton me delikatesë “shtyjeni portën pa frikë”. Sepse të mos kesh frikë, kjo është pikë-fillesa për të kërkuar dhe depërtuar tek e panjohura.

15 DITË PRILLI është një roman brenda së cilit autorja ka ngjizur dhe mpleksur disa jetë, disa fate me dritëhije dhe mjegull, pa ngjyra të plota, në një terren të akullt në qytetin bunker. Histori rrëqethëse, ku jeta rrëshqet në një fije të padukshme peri, poshtë është ferri. Duke lexuar është e vështirë të mos e përthyesh fletën dhe të vazhdosh leximin.

Dera është hapur tanimë. Historitë e hirta presin të shpërfaqen me tërë peshën e rëndë emocionale.E, pavarësisht kësaj, nuk ndalesh duke shfletuar me etje, duke ndjerë si thyhet shpirti njerëzor, delikat e i brishtë i atyre njerëzve, që natyra u ka falur dhuntinë e të qenit shpresë-ndezës, emancipues, apo thjesht qytetarë me mendime të mençura.

Fatkeqësisht sistemi i keqpërdori, i keqtrajtoi në mënyrën më absurde, duke i hedhur në flakët e një ferri ku demonët prisnin me padurim viktimën e radhës. Në flakët e atij ferri, që mesa duket nuk ngopej duke gëlltitur ndjenjat, mendimet, emocionet, shpirtin dhe rininë e atyre djemve e vajzave, të cilët edhe në skutat më të errëta të unit, nuk kanë paramenduar dhe nuk kanë dashur kurrsesi të shkelin mbi Atdheun.

Anisa Markarian na sjell çuditërisht një roman atipik bazuar në vëzhgime dhe përjetime reale dramatike, therrëse. Na servir me dhimbje një roman këmbanë, që ka nisur të bjerë mbi kujtesën njerëzore. Kjo kujtesë, – thotë ajo, – është tabani i fortë ku çdo njeri duhet të hedh hapat për të përparuar.

Ajo kumton qartë e dhimbshëm përmes përshkrimeve danteske, se një popull që humb aftësinë për t’u rebeluar, herët a vonë përfundon i skllavëruar.Duke lexuar këtë libër të vjen ndërmend thënia brilante e shkrimtarit Bertolt Breht: “nëse harrojmë, atëherë historia e dhunës dhe e krimit do të përsëritet më forcërisht, më egërsisht.Ndaj nuk duhet të harrojmë”.

Këto 15 ditë prilli, të ngërthejnë, të zaptojnë ndërgjegjen duke të lënë pa frymë. Heronjtë që deri dje kanë heshtur, tani trokasin brenda shpirtit, trokasin dhe duan të dalin në sipërfaqen e asaj errësire të pandriçuar të vetëdijes sonë, gati të hipnotizuar e të rraskapitur për më tepër se 45 vjet.

Ata gjallojnë duke na zgjuar dhe duke dashur që ndërgjegjja jonë të reagojë fort pas çdo traume, pas çdo krimi e dhimbje të fshehur, të paartikuluar me zë të lartë. Por të përjetuar pa as më të voglin dyshim, nga ata që guxuan të denoncojnë spontanisht të vërtetat e një sistemi monstër. Duke përballuar me forcë ato tërmete të vogla, ato tërmete të mëdha që i shkaktonte mbitoka. Romani sado i dhimbshëm në rrëfimin e ngjarjeve, me paraqitjen e njëpasnjëshme të personazheve, të jep mundësinë t’u afrohesh, të mësosh prej tyre, të vuash, të tronditesh dhe të meditosh thellë. Disa prej tyre kanë fatin t’i duam, t’i çmojmë për guximin që fshehin, për mënyrën sesi e shohin jetën, duke shkelur në terrene të panjohura deri në ato momente kur vet jeta e tyre, merr një kthesë të çuditshme, rrëzohet e shembet çdo gjë dhe kapërcen të paimagjinueshmen.

Ndërsa të tjerë personazhe na lëndojnë me perversitetin e tyre. Ata nuk njohin as besë, as ligje, as rregulla. Sepse i vendosin dhe i shkelin vet sipas oreksit, duke futur në kurthin e sajesave, intrigave jetën e njerëzve të pafajshëm. Njerëz, që jetojnë midis reales dhe ireales, me histori dhe tradhti miqsh dhe armiqsh. Njerëz që duan të zbulojnë të vërtetat e pathëna, por që fatkeqësisht në këtë qytet bunker (vet Shqipëria ishte e bunkerizuar dhe martirizuar), të vërtetat manipulohen, fshihen, pse jo varrosen qëllimshëm për të skllavëruar dhe poshtëruar kujtesën kolektive të popullit, e cila domosdoshmërisht duhet të ndizet nga kujtesa e individëve që dinë ”të guxojnë”.

Është tronditëse të zbulosh se poet si Vilsoni, se student si Ida, apo shkrimtarë si Vlad Krela besojnë në aspirata të larta dhe nuk mund ta pranojnë atë që zbulojnë. E vërteta që zbulojnë, guximi për të rendur drejt tyre, është sa tronditës, sa zhgënjyes. Është prekja e vet realitetit absurd dhe rënia pingulthi në pellgun e djallit. E megjithatë Markariani ka meritën ta paraqesë këtë jetë me të gjitha poret, me të gjitha shqisat duke ngritur skena sa reale aq dhe fantazmagorike. Sepse, me sa duket kjo përballje duhet të na bëjë të kuptojmë se realitetet e zymta me humnera të thikta vdekjeprurëse, nuk mund të përballohen pa ëndërrimet, pa ato fluturimet fluide onirike, të avullta. Pa një tango të fjolltë e të shpenguar. Pa ato, njeriu do ta kishte vështirë mbijetesën.

Por, Markariani ka meritën ta ngjyrosë, ta ledhatojë gjuhën amtare, duke na e sjellë të pasur, shumë të pasur. Çuditërisht në çdo përshkrim ajo na ndriçon me fjalë të reja ose, siç i quajmë neologjizma që janë një kompozim i bukur gjuhësor,çka do të thotë se gjuha jonë ka një vlerë të jashtëzakonshme, bukuri dhe madhështi që duhen shfrytëzuar. Është një burim i pashtershëm që të ngazëllen. Veç kësaj rrëfimtarja e servir gjithë historinë njerëzore të qytetit bunker me një humor sa fin aq dhe meditativ me sekuenca të zgjuara. Ky stil humori të bën jo vetëm të buzëqeshësh, por po aq të hidhërohesh dhe të meditosh përgjegjshmërisht. Në faqet e këtij libri nëse lexon me kujdes dhe kupton shpirtin e autores, do të kapësh padyshim edhe merakun, pikëpyetjet dhe shqetësimin e dukshëm të saj, nëse vërtetë ky komb, këta njerëz do të zgjohen duke luftuar të keqen dhe shëmbëlltyrën e saj. A thua vërtetë do të rebelohen dhe do të hyjnë në një epokë të re mendimi apo do të vazhdojnë të mbeten fatkeq të vetsugjestionuar pas një kauze shkatërrimtare terroresh dhe përndjekjesh.

Cilët janë realisht Vladi, Ida, Bulëza, Teo, Zizi, Torrezi, Vilsoni, Maksi, i përndrituri pallëlarë e shtatvigan etj etj emra, po djelmoshat pa jetë, po vet Urthi?Edhe i dimë, e megjithatë na mjafton personifikimi i tyre për një të vërtetë të madhe të pazbëshme. Ata janë aty të ngërthyer fort pas çdo faqe libri, frymojnë, rebelohen, aktrojnë, tradhtojnë, trazojnë e shpërfaqen me tërë vitalitetin e tyre. Për të na thënë mijëra herë “mos hesht”. Mos hesht kur e vërteta mbytet, përdhoset, gjakoset.Mos hezito ta mbrosh edhe nëse të duhet “të mos jesh”. Bëje për veten, për fëmijët, që kurrë ata të mos vijnë në këtë jetë të mbarsur nga frika dhe terrori. Por, të vijnë në këtë jetë të ngjizur nga dashuri të thjeshta të blatuara me bukuri shpirtrash. Duke i dhënë asaj portretin e tyre, plot dritë, ngjyra, plot fantazi dhe shpresë.

Nëse deri tani e kisha njohur Anisa Markarian si aktore dhe mjeke që rrezaton mirësi dhe fisnikëri qytetare, tani kam kurajën të them se ajo është edhe një shkrimtare e aftë, e mençur për të na servirur histori tronditëse, por të çmuara njerëzore nën fokusin e një drite të kthjellët e të qashtër, me tërë koloritin gjuhësor. Rrëfime ende të paeksploruara, ende të parrëfyera.

E gatshme për të na thënë sërish “shtyjeni portën pa frikë” …

Leave a Reply

Your email address will not be published.