Teatrot e shoqërive të civilizuar, sidomos teatrot privatë, kanë publikun e vet, të cilët kohën më të madhe të kohës së lirë e kalojnë pikërisht në teatrin e tyre!
Nga Avni HALIMI
Një prej organeve më të rëndësishme të teatrit, pa dyshim që është këshilli drejtues i teatrit! Në statutin e çdo institucioni nacional është i përcaktuar roli dhe përgjegjësia e këtij organi! Sado që nënvizohet se ky këshill është i pavarur, megjithatë, thellë brenda këshillit i fusin duart edhe ministria, por edhe partia! Deri më sot, për këtë kohë të pluralizmit, kemi vërejtur se anëtarë të këshillave drejtues propozohen dhe zgjidhen militantë partiakë, madje edhe përfaqësues nga ministria në këtë organ drejtues propozohen, po ashtu, nëpunës partiakë! Prandaj kemi edhe kaq shumë dështime e probleme nëpër teatrot tona kombëtare, të cilat më tepër ngjajnë në arenë “bodibilldingësh” partiakë, se sa në një skenë ku derdhet tërë afiniteti, profesionalizmi, kreativiteti dhe krijimi artistik i punëtorëve të teatrit (regjisori, aktori, muzicienti, kostumografi, skenografi dhe punëtorët e tjerë teknik).
Këshilli drejtues në rol të marionetës
Këshilli drejtues i teatrove publik, si organ i pavarur, duhet të mbikëqyrë punën e teatrit, të aprovojë politikat afatgjata të zhvillimit të teatrit dhe politikën artistike, si dhe të miratojë vendime dhe buxhetin vjetor të teatrit, në bazë të të cilit pastaj, miraton programin artistik vjetor! Natyrisht, kompetencë e këtij organi është edhe miratimi vjetor i llogarisë përfundimtare! Pa dyshim, një prej përgjegjësive profesionale të këtij organi është edhe zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm si dhe të udhëheqësit artistik! Në këtë organ duhet të propozohen njerëzit më elitar dhe më njohës të teatrit! Së këndejmi, a e di dikush në Maqedoninë e Veriut se cilët janë anëtarët e Këshillit drejtues të Teatrit Shqiptar në Shkup! Kur janë zgjedhur ata, kush i ka zgjedhur, a kanë raportuar ndonjëherë, ndonëse e kanë për obligim që të paktën një herë në vit t’i raportojnë Ministrisë për Kulturë! A kanë përgjegjësi juridike dhe, mbi të gjitha, kombëtare, këta anëtarë të këshillit drejtues (nëse ekziston dhe nëse funksionon)?
Nën kompetencën e këtij organi drejtues është edhe nisma disiplinore e deri në shkarkim të drejtorit të përgjithshëm! A është marrë dikush në përgjegjësi për këtë gjendje në të cilën gjendet këto tri dekadat e fundit Teatri Shqiptar i Shkupit! A është propozuar ndonjë zgjidhje, a e kanë kushtëzuar funksionimin e tyre me masat që i propozojnë, natyrisht, gjithnjë në të mirë të Teatrit, të aktorëve, të veprimtarisë teatrale kombëtare! Partia në pushtet nuk mund të jetë strehë e përhershme e dështimeve teatrale! Këshilli drejtues duhet të funksionojë nën logjikën përtej interesave partiake, që prek ekskluzivisht interesat kombëtare, sepse anëtarët e këshillit drejtues të teatrit duhet të jenë personalitete kombëtare, me autoritet dhe me përgatitje profesionale në fushën e teatrit. Kush më mirë se këta do t’i dinin punët e teatrit? Gjithsesi, jo militantët partiakë dhe as kuadrot politiko-partiakë! Këshilli drejtues lirshëm duhet të konstatojë për sukseset, për dështimet, për keqpërdorimet financiare nga menaxhuesit e teatrit. Ashtu siç ka të drejtë të ngrit iniciativë për shpërblim të personave që kanë ndikuar në ngritjen artistike dhe në sukseset e teatrit, ashtu duhet ta ketë edhe të drejtën e ndëshkimit, deri në ngritje të iniciativës për shkarkim të drejtorit të përgjithshëm apo të drejtorit artistik. Duhet të ngritë iniciativë edhe për anëtarët e trupit teatral që thyejnë disiplinë në punë, rregulla të teatrit, që refuzojnë respektimin e akteve normative, që sabotojnë punët drejtuese dhe artistike të teatrit!
Marrë parasysh këto kompetenca dhe përgjegjësi, marrë parasysh edhe një sërë dështimesh dhe tatëpjetash të Teatrit Shqiptar në Shkup, a mund të ngritët pyetja: kur u mblodh ky këshill drejtues dhe kur solli vendime, qoftë për të mirë qoftë për dështime! A e mori në përgjegjësi ndonjëherë të paktën një drejtues të Teatrit dhe të nxirrte në opinion dështimet dhe për pasojë, masat disiplinore kundër drejtuesve të Teatrit! Nëse mbrojtja e kuadrove partiakë qenka rregullativë e një partie, ku ngelë në rastin konkret përgjegjësia kombëtare e këshillit drejtues të një institucioni kombëtar?! Teatrot nuk janë “organe” partiake por janë institucione nacionale! Së këndejmi, nuk janë aspak më përgjegjës drejtuesit e teatrove sa janë këshillat drejtues, të cilët, ekskluzivisht janë për realizimin e politikave të teatrit që reflektojnë, ekskluzivisht interesa kombëtare! Fatkeqësisht, për momentin, këshilli drejtues i Teatrit Shqiptar në Shkup (që nuk njihet!) është në vazhdën e atyre organeve drejtuese që historikisht kanë pasur rolin e marionetës teatrale! Dhe, ky moment, ia zë të gjitha shtigje drejtorëve që përgjegjësinë ta ndajnë bashkë me këshillin drejtues, apo, për gjithçka, fajin dhe meritën t’ua lënë këshillave drejtues, të cilët, në fakt janë organet më të larta dhe më përgjegjëse të një teatri! Është padrejtësi që përgjegjësia të kërkohet vetëm prej drejtorit të emëruar nga këshilli drejtues! Përgjegjësi edhe më të madhe duhet të kenë anëtarët e këshillit drejtues, të cilët, nëse nuk janë të denjë, nuk duhet të pranojnë që të bëhen pjesëtarë të këtij këshilli drejtues. Sukseset e teatrit janë merita të aktorëve dhe të stafit artistik, dështimet e teatrit janë rezultat i pasivitetit dhe neglizhencë totale të këshillit drejtues!
Morali i heshtjes
Shtresat e elitës kulturore në Maqedoninë e Veriut gjithnjë e më shumë po fishken. Ato duan shpëtim dhe, shpëtimi i tyre është vetëm në themelimin e fondeve si institucione të pavarura (fondi i filmit, fondi i teatrit, fondi i librit apo qendra e librit, qendra e ansambleve, e filarmonisë, e operës etj), kurse ministria të merret ekskluzivisht me politika të larta kulturore, mbi të gjitha, humane. A do të ndodhte kjo venitje, sikur, për shembull, ministria e kulturës të ndante buxhet për “fondin e teatrit” ku do të konkurronin të gjithë teatrot dhe teatër-dashësit! Në botën artistike, pas shkrimtarëve numerikisht më të shumtë janë aktorët! Në botën perëndimore që moti kanë ndryshuar politikat teatrore! Meqë numri i aktorëve është në rritje e sipër, në rritje e sipër janë edhe teatrot të cilat, kryesisht dëshirojnë të funksionojnë si të pavarura! Në teatrot e sotshëm aktori është më i rëndësishëm se drejtori. Vetëm në Maqedoninë e Veriut teatrot funksionojnë për drejtorin. Madhështia e një teatri këtu matet me numrin e premierave dhe, sa më shumë premiera aq më i suksesshëm është drejtori! Funksioni i teatrit është tkurrur deri në shfaqje të premierës, pas kësaj, nuk është mëkat nëse teatri rri mbyllur për 7-8 muaj në vit! Teatri në fakt është punëtori e aktorit: sa më shumë të punojë aq më shumë do të fitojë! Nuk ka fitim më të madh për aktorin se sa të qenët e tij çdo net në dërrasat e skenës teatrore ku ai papushuar e kërkon veten, e realizon veten, e gjen përsosmërinë e vet prej aktori të mirëfilltë. Kurse kjo arrihet me përsëritje të shfaqjeve! Përsëritja e shfaqjeve mundëson që çdo aktor të jetë në punë, në detyrë! Teatrot maten me përsëritje të shfaqjeve dhe jo me premiera! Ndaj dhe teatrot duhet të kenë program dhe buxhet për përsëritje të shfaqjeve prej repertorit të krijuar brenda, bie fjala, pesë vjetëve. Premierat pasivizojnë një numër të madh aktorësh, i lënë pa punë, me nga dy-tri vjet e më shumë, ndërsa të papunët duhet të largohen nga organizata! Zaten këtu qëndron edhe morali i heshtjes së një numri shumë të madh të aktorëve, të cilët, tashmë totalisht kanë harruar se ç’do të thosh të aktrosh, të luash në dërrasat e skenës! Heshtin me shpresë se drejtorët partiakë do të kenë mirësinë që t’i angazhojnë në ndonjë premierë, kurse heshtin edhe nga frika se, si të margjinalizuar, nëse pak e ngrenë kokën, do të fluturojnë nga puna! Politika kulturore në Maqedoninë e Veriut po përjeton krizën më të madhe që ka përjetuar ndonjëherë! Arti dhe kultura janë partizuar deri në përmasa të banales, ndërsa artbërësit dhe kulturëdashësit nuk kanë asgjë të përbashkët me artin dhe kulturën nacionale. Edhe aktiviteti i tyre por edhe heshtja e tyre është në funksion të jetëgjatësisë së pushtetit politik i cili, këtë kontribut, ua shpërblen me ndonjë kockë të tharë. Sa mëkat, ë!
A kemi publik teatri
Publiku i çdo teatri përbehet nga shtresa të ndryshme: teatërdashësit që janë në numër shumë të, vogël, kjo jo se nuk ka individë që e duan teatrin por, nuk ia dalin në jenë shumicë për shkak të shtresave të tjera që përbëjnë publikun: familjarët, miqtë e shokët e aktorëve, miqtë, studentët, nxënësit e regjisorëve, administrata që me urdhër të një funksionari detyrohet të “vizatohet” në teatër si dhe funksionarët partiakë që mund të jenë miq të menaxherëve të teatrove, të regjisorit e të aktorëve. Teatrot e shoqërive të civilizuar, sidomos teatrot privatë, kanë publikun e vet, të cilët kohën më të madhe të kohës së lirë e kalojnë pikërisht në teatrin e tyre! Nëpër ato teatro organizohen debate mbi teatrin ku përfshihet publiku, ligjërata mbi shkollën të cilën e ndjek teatri i tyre, takime e biseda me artistë në funksion të profesionit të aktrimit, angazhime konkrete për shtimin e publikut, për shtimin e buxhetit të teatrit të tyre duke konsumuar kafe e pije freskuese ekskluzivisht nga kafe-bari i teatrit të tyre.
Fatkeqësisht, teatrot tona kanë ngelur pa publik! Publiku shqiptar që ishte mësuar ta frekuentojë teatrin kombëtar në Tiranë, që tashmë nuk ekziston, e ka të vështirë të ndjek shfaqje nëpër teatrot e improvizuara! Në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, publiku “ka humbur” pikërisht për shkak të “tejngopjes” me premiera të drejtuesve të teatrove, të cilët trishtohen po t’u shkojë mendja që të organizojnë edhe nja 10, 20, 30-50 përsëritje të shfaqjeve! Shfaqjet kanë nisur të jepen vetëm për një publik “ekskluziv”, të zgjedhur (!), i përbërë nga administratorë, funksionarë e militantë partiakë, të cilët, më me qejf do ta shikonin një tv-film-limonadë se sa një shfaqe teatrale! Madje ky publik fare nuk e njeh regjisorin, fare nuk njeh se ç’shkollë të regjisë zhvillon teatri-shfaqa, nuk i njohin e nuk ua dinë emrat aktorëve; ky publik nuk di asgjë për dramaturgun, ky publik nuk di të t’i numërojë tre dramaturgë kombëtarë, nuk di t’i numërojë dy regjisorë shqiptarë të vendit!
Ky publik nuk di “t’i gjuajë” gabimet eventuale të regjisorit, të aktorëve, nuk di ta kapë e ta zbërthejë mesazhin e shfaqjes, mesazhin e tekstit, nuk di ta çmojë angazhimin shpirtëror e fizik të aktorëve nuk di të debatojë mbi lojën, mbi konceptet regjisoriale, mbi përshtshmërinë e gardërobës me kohën dhe vendin e ngjarjes që zhvillohet në skenën e teatrit. Nuk di sepse nuk kemi kontribuar në ngritjen e “publikut profesional” të teatrit! Futbolli e ka një publik të tillë! Deri diku (në përmasa të amatorizmit diletantesk) e ka edhe filmi! Teatri ynë nuk ka publik!
Fatkeqësisht, është punuar shumë mbrapsht që teatrot tona të ngelin pa publik! Publik nuk është ajo turmë njerëzish që mrizojnë nën terrin e sallës së teatrit gjatë shfaqjes! Publik është ai që shkon për të parë shfaqen dhe jo për t’u parë në shfaqe! Publik është ai që shkon edhe një-dy-tri herë të tjera për ta riparë shfaqjen, për t’i kuptuar detajet që e mundojnë ngaqë nuk ia ka dalë t’i kuptojë në përcjelljen e parë apo të dytë të shfaqjes. Publik është ai që të nesërmen e shfaqjes ulet në klubin e artistëve, në kafe-barin e teatrit dhe diskuton mbi shfaqen, e përuron regjisorin, aktorin, kërkon të dijë më shumë për mënyrën e lojës, për ngritjen e zërit vend e pavend nëpër situata të caktuara, për mizanskenën e varfër apo të stërngarkuar, për muzikën, për dritat… Teatri nuk është red bull që ta bëjë me krah pushtetin! Teatri është oponencë e pushtetit dhe e opozitës. Teatri është pushtet më vete, me “militantë” të vetë që nuk gjenden në asnjë pushtet e në asnjë organizim tjetër! Teatrot tanë kanë ngelur pa atë “publikun militant” të vetin, prandaj ngjasojnë në Han të Mahmut Pashës ku hynë e dalin turlifarë mahluku! Sa keq, sa situatë e vajtueshme!