Kishte lindur mes varfërisë së plotë në Liban, më 6 janar 1883. Tre gjëra përbënin besimin e tij: dashuria, paqja dhe mirëkuptimi mes njerëzve
Grigor JOVANI
Kur mbërriti në Amerikë, e sistemuan në konviktin provizor të një shkolle të posaçme për emigrantë. Me zor artikulonte disa fjalë anglisht. E thërrisnin “I ndyri”, ngaqë fytyra e tij ishte shumë e errët, sikur nuk e kishte larë kurrë. Veçse ra në sy tek mësuesit e tij për diçka tjetër: panë diçka krejt të veçantë te mënyra si shprehte mendimet e veta te hartimet dhe vizatimet e para, te mendimet që kishte për botën. Më vonë, kur e kishte mësuar mirë gjuhën e vendit ku kishte emigruar, u pa qartë se ky djalosh kishte një dhunti të madhe, të padiskutueshme, talentin letrar. Edhe ca dhe ky talent do të mrekullonte vendin e çudirave, Amerikën. Do të kapërcente në botën tej, për të mrekulluar edhe planetin.
***
Ishte vendosur fillimisht, bashkë me nënën dhe dy motrat më të vogla dhe një vëlla nga martesa e dytë e së ëmës, në South End të Bostonit. U përfshi në jetën e mërgatës së dytë më të madhe të siro-libanezëve në Amerikë. Gjatë betejave të para të mbijetesës në vendin ku u ngulën familjarisht, humbi njërën nga motrat dhe vëllain e vogël, nga tuberkulozi. Ca më vonë u amëshua dhe e ëma, goditur prej kancerit. Jeta e mësoi djaloshin të shkruante aso kohe: “Prej mundimeve janë ndërtuar shpirtrat më të fortë, karakteret më të shumtë janë të përzhitur prej plagëve.”
***
Kishte lindur mes varfërisë së plotë në Liban, më 6 janar 1883. Tre gjëra përbënin besimin e tij: dashuria, paqja dhe mirëkuptimi mes njerëzve. Iu mohuan fillimisht të tria. E shoqëroi kudo emri i tij: Kahlil Gibran, i cili u bë i njohur botërisht kryesisht pas botimit të librit “Profeti”. Pas botimit të parë të vitit 1923 do të shiste dhjetëra miliona kopje, duke e bërë poetin e tretë të të gjitha kohërave me shitjet më të mëdha, pas Shekspirit të famshëm dhe Laozit, poetit mitik kinez. U përkthye në 108 gjuhë të botës dhe u himnizua nga personalitete të tilla si John F. Kennedy, Indira Gandhi, Elvis Presley, John Lennon dhe David Bowie.
Ç’e bëri kaq të famshëm këtë libër? Padyshim, sinqeriteti, lufta pa kompromis me hipokrizinë dhe korrupsionin. Errësirës nuk mund t’i pëlqente kjo gjë. Librat e tij u dogjën publikisht në Bejrut, ndërsa kërcënimet me vdekje në Amerikë, prej qarqeve të obskurantizmit, u vunë sistematikisht në rend të ditës.
***
Ishte i vetmi nga fëmijët e familjes që kishte fatin të merrte edukim të rregullt arsimor. Motrat ishin të ndaluara të shkonin në shkollë – zakonet e Lindjes së Mesme nuk iu ndanë as në Amerikë. Edhe vështirësitë ekonomike luajtën rolin e tyre. Të pashkolla femrat e familjes, por e frymëzuan me vullnetin e tyre, veçanërisht e ëma. Fati e donte që t’i mbetej në jetë vetëm njëra, motra Marianë, e cila iu bë mbështetësja më e madhe. Punoi në një dyqan mode si qëndistare dhe bëri çmos të mos i mungonte gjë vëllait të saj. Por ajo që i ishte ravijëzuar më tepër në shpirtin e tij të vuajtur ishte e ëma. Do të shkruante për të: “Fjala më e bukur në buzët e njerëzimit është “Nëna” dhe ftesa më e bukur shpirtërore është ajo e sime ëme. Është një fjalë e mbushur plot dashuri dhe shpresë, një fjalë e ëmbël dhe fisnike, që del nga thellësia e shpirtit. Nëna është gjithçka – ngushëllimi ynë gjatë dëshpërimit, shpresa brenda mizerjes, forca jonë përpara dobësisë. Është burimi i dashurisë, i mëshirës, i simpatisë dhe i faljes.”
***
Më 1928-ën shëndeti filloi t’i rëndohej. Iu akomuluan shpejt mundimet dhe peripecitë e një jete tejet të vështirë. Mundimet e shpirtit ishte mësuar t’i duronte, ato të trupit jo. Tha se mund t’i fshihte pas alkoolit, ndonëse feja e të parëve ia ndalonte, por kur kishte pyetur ai për këto (!) Edhe në kohën e ndalimit të rreptë të pijeve në Amerikë, iu përkushtua pikërisht atyre.
Nëntorit të atij viti botoi librin tjetër të famshëm, “Jezui, biri i Njeriut”. Një vit më vonë e shtroi në krevat sëmundja e mëlçisë, mbase prej përdorimit të tepër të pijes së Djallit – alkoolit. Injoroi krejtësisht ndihmën e mjekëve. Ndoshta e kuptonte që nuk kishte kthim. U mundua të merrej prapë me letërsi, duke redaktuar krijime të vjetra. Përpjekje të dëshpëruara, që morën fund më 10 prill 1931. Ishte vetëm 48 vjeç.
***
Është sot një simbol i Amerikës. Se si shpresa fiton mbi pamundësinë, si e mira mposht të keqen. Si triumfon më në fund liria e njeriut. Si e mira mund të pushtojë botën. Jo si utopi, por si realitet i mundshëm.
Tek një poezi kushtuar emigrantëve të rinj, do të shkruajë:
“Mendoj se mund t’u thoni themeluesve të këtij kombi fisnik: Këtu jam! Një riosh. Një pemë e njomë. Rrënjët e së cilës u ç’rrënjosën kodrave të Libanit. Ndërkaq kam rrënjosur thellë këtu. Dhe do jem pemë pjellore…”
Do të shkruante, gjithashtu, tek “Profeti”, kryevepra që shëtiti dhe mahniti botën:
“Le të ekzistojnë hapësirat midis jush. Dhe le të vallëzojnë aty erërat e qiejve. Dashuroni njeri-tjetrin, por mos vini pranga dashurie: Le të jetë dashuria një det lëvizës midis brigjeve dhe shpirtrave tuaj. Mbushni filxhanët e njeri-tjetrit, por jo të pini nga i njëjti filxhan. Ndani bukën midis jush, por mos i jepni tjetrit gjithë simiten tuaj. Vallëzoni e këndoni bashkë, gëzoni, por i jepni lirinë vetvetes të jetë vetëm. Edhe kur tingujt e një lahute drithërohen nga e njëjta muzikë. Jepini zemrat tuaja, por jo njeri-tjetrit. Sepse vetëm dora e Jetës mund të nxehë zemrat tuaja. Dhe qëndroni bashkë, por jo shumë pranë midis jush. Sepse kolonat e kulteve lartohen vaças. Dhe lisi me selvinë nuk rriten në hijen e njeri-tjetrit.”
Nuk mund t’i shtoj gjë tjetër kësaj mrekullie, as të bëj komente. I ka thënë të gjitha, me mënyrën e tij hyjnore, “Profeti” vetë. Dhe “profet mbi profetin”, siç thotë populli, nuk mund të ketë.