Nëse për simbolin shumica e studiuesve pajtohen se simbolizuesi dhe i simbolizuari nuk janë e njëjta gjë, nuk përngjajnë dhe analogjia shmanget maksimalisht, për metaforën, gjithashtu pajtohen se ajo ndërtohet mbi parimin e analogjisë
Basri ÇAPRIQI
Simboli dhe metafora, gjatë epokave, nga studiues të ndryshëm herë janë trajtuar si figura të të njëjtit burim e herë janë dalluar për shkallën e tyre të analogjisë. Lemetri ka insistuar në qëndrimin se simboli është një “sistem i pandërprerë i metaforave”.
Ky mendim është rimarrë herë pas here nga studiues të orientimeve të ndryshme, po më vonë simboli dhe metafora trajtohen si dy figura që dallojnë për disa elemente thelbësore. Eko ndjek qëndrimin që simboli dhe metafora dallojnë për shkak të dimensionit enciklopedik që na servon njëra (metafora) dhe refuzimit që i bën korpusit enciklopedik tjetra (simboli). Eko konstaton: “Metafora pasuron njohjen tonë të enciklopedisë, sepse të shtyn të zbulosh cilësi të reja të entitetit në lojë…Ekziston një kodeks, preciz, nuk ka hapësirë për interpretim… që domethënë e vetmja gjë”. Nëse për simbolin shumica e studiuesve, ku më shumë e ku më pak, pajtohen se simbolizuesi dhe i simbolizuari nuk janë e njëjta gjë, nuk përngjajnë dhe analogjia shmanget maksimalisht, për metaforën, gjithashtu pajtohen se ajo ndërtohet mbi parimin e analogjisë. Simboli nxit interpretim dhe asnjëherë nuk lejohet njohja precize e objektit, apo thjesht, nuk dihet se çka është, kurse metafora edhe kur krahason objekte tejet të largëta, megjithatë i nënshtrohet një interpretimi me objekt saktësisht të përcaktuar.
Esenca e metaforës qëndron në devijimin e strukturës gjuhësore të fjalëpërfjaltë në një konstrukt të rremë, në stilin të thuash një gjë të mendosh një gjë tjetër. “Pikërisht kjo “e pavërtetë” dhe e “pakuptimtë” është e rëndësishme; pa këtë nuk do të kishim metaforë po vetëm konstatim të fjalëpërfjalshëm”. Kjo është esenciale për metaforën sepse ndryshe do të kishim një thënie demotuese. Edhe për Ekon, raporti që ka figura ndaj gjuhës së nivelit të parë e cila përcjell të vërtetën, është element me rëndësi që dallon simbolin nga metafora. “Tropi (metafora) nuk mund të merret në aspektin literar pa dhunuar maksimën që i referohet diskursit që thotë të vërtetën… Simboli përkundrazi, mund të merret si mënyrë literare pa rrënuar marrëdhëniet e komunikimit”. Metafora, rëndom është trajtuar si përngjasim i dy objekteve me karakteristika të njëjta apo të përafërta, por surrealistët përmbysën edhe këtë maksimë, duke mbështetur doktrinën e vet pikërisht mbi krahasimin e objekteve me cilësi të ndryshme. Surrealistët përmbysën teorinë e metaforës si akt i vënies në pozita krahasuese të objekteve me rrezatim asociativ të afërt. Fjalët e Andre Bretonit janë: “Të krahasohen dy objekte, për nga karakteri të largëta nga njëri-tjetri sa më shumë të jetë e mundur, apo që me çfarëdo mënyre të afrohen në mënyrë të papritur dhe ngulmuese – kjo mbetet detyra më e lartë që mund të gjakojë poezia”. Metafora, megjithatë përbëhet nga dy gjymtyrë, një kryesore dhe një sekondare që krahasohen mes vete, apo që vihen në pozita analogjike me njëra tjetrën në bazë të disa elementeve të cilat mund t’i njohim dhe mund t’i identifikojmë drejt. Aktiviteti i simbolit është i dyanshëm, sa deshifron aq krijon. Ai është i padefinueshëm, mbetet i fshehur për ne dhe nxit interpretim të pakufishëm.