SIRENAT NË APOLLONI

Një tjetër figurë që trajtohet dhe që është shumë e përhapur në kapitelet e kishave të Europës Perëndimore është dhe ai i sirenës

E veçanta në territorin e Shqipërisë është se sirenat paraqiten me flokë të shkurtra. Ndoshta kjo ka të bëjë me faktin se sirenat trajtoheshin si një figurë femërore epshndjellëse, ndërsa këtu autori ka dashur të tregojë dënimin e gruas që ka kryer mëkat, pasi në mesjetë gratë të cilat akuzoheshin për kryerjen e mëkatit të epshit u priteshin flokët. Kujtojmë se në vendet e tjera është paraqitur një model tjetër sirene me flokë të gjata por dënimi i saj simbolizohej me anë të gjarpërinjve që sulmonin gjinjtë e saj. Fakti që sirena e Apollonisë nuk është në vendosje ballore por e paraqitur në profil tregon se ky kapitel është i shek. XII, dhe është ripërdorur.  Gjithashtu, në kapitelin tjetër të kishës është paraqitur një çift të cilët janë trajtuar në mënyrë shtazore. Figura e mashkullit paraqitet sipër femrës dhe ka të ngjarë të tregojë mentalitetin e banorëve mesjetar për seksin.

Në muret e jashtme të Manastirit gjenden blloqe gurësh në të cilët skaliten skena të shumta. Në një prej tyre shohim të paraqitura figura të shumta njerëzish dhe kafshësh së bashku. Dy prej figurave njerëzore kanë në kokën e tyre kapele dhe brirë ndërsa mbajnë peshë një figure të tretë mashkullore i cili ka në kokë një kurorë. Këto figura ndoshta simbolizojnë hebrenjtë si ndjekës të antikrishtit dhe si tradhtarë të Krishtit të cilët blasfemonin me figurën e tij. Gjithashtu një tjetër figurë po më të njëjtin bllok ka hipur në një gomar ndërsa një tjetër, duke kryer marrëdhënie me kafshë. Të gjitha këto tregojnë për mentalitetin që ekzistonte në Mesjetë për hebrenjtë, për akuzat që u atribuoheshin atyre dhe hamendësimet për incest dhe zoofili. Ndërmjet figurave me karakter erotik kemi dhe skulptura, të cilat gjenden afër tyre, por nuk janë nën kontekstin erotik, p.sh. ajo e një çifti me trup zogu që për nga pamja duken aristokratë. Këta ndoshta simbolizojnë tempullarët, urdhër i cili u themelua për mbrojtjen e pelegrinëve në Tokën e Shenjtë. Urdhri shumë shpejt arriti të shndërrohej në një organizatë të fuqishme dhe ndoshta sekreti i fuqisë së tyre i dedikohej sepse ata përvetësuan sekrete të misticizmit mysliman. Për këtë urdhri u akuzua për bashkëpunim me armikun, imoralitet dhe pavarësisht akuzave që u detyruan të pranojnë nga inkuizitorët, nuk ka dyshim se mes anëtarëve të urdhrit kishte diferencë moshe dhe kohëzgjatjeje në urdhër dhe anëtari më i ri duhej t’i nënshtrohej dëshirave të atij më të vjetër.

Një tjetër fakt me interes është se në territorin tonë nuk kemi ndeshur ende të trajtuara në skulpturë figurat e akrobatëve apo dhe figura të tjera të trajtuara në mënyrë magafalike në mesjetë. Kjo ndoshta nga fakti se në vendin tonë gërmimet arkeologjike janë të përqendruara kryesisht në monumentet e Antikitetit të Vonë dhe shumë pak në ato mesjetare. Shpresojmë në të ardhmen të kemi më shumë gërmime dhe në këtë fushë dhe njëkohësisht më shumë përgjigje. Duke e trajtuar në periudha të ndryshme, erotizmi ka marrë trajta të ndryshme. Erotizëm në art vërejmë që në prehistori me figurinat antropomorfe me paraqitje të hapur të anatomisë trupore dhe pjesët gjinore të trupit të ekzagjeruar. Të ashtuquajturat venuse, të cilat datojnë në Paleolitin e Lartë gjejnë një përhapje të gjerë nga Europa perëndimore deri në Siberi dhe në gjithë këtë hapësirë janë trajtuar pothuajse më të njëjtën mënyrë. Paleoliti ka shumë tregues të paktë të paraqitjes së figurës mashkullore dëshmues i pozitës inferiore të mashkullit.

Në neolit dhe në periudhën e bronzit kemi vazhdimësi të paraqitjes së femrës në figurinat antropomorfe por kemi dhe paraqitjen e mashkullit i cili tashmë në shoqërinë neolitike kishte përforcuar pozitat e tij. Ndërsa në bronzin e mesëm figurinat antropomorfe bëhen më të rralla derisa në periudhën e hekurit nuk kemi më dëshmi të tyre. Në periudhën antike arti merr impulse të reja. Në Greqinë e lashtë kemi të bëjmë me erotizëm të nënkuptuar pasi statujat të cilat prej së shumti paraqesin shëmbëlltyra në dukje të realizuara në mënyrë natyraliste shoqërohen nga një numër i madh mitesh, vargjesh poetësh dhe legjendash të cilat i fusin personazhet e statujave në një kontekst erotik. Gjithashtu, atributet dhe sjelljet që u jepeshin perëndive simbolizonin dhe dëshirat e vërteta të shoqërisë athinase. Kryesisht në periudhën klasike të artit grek kemi trajtimin e disa prej perëndive në mënyrë erotike dhe këto janë figura e Afërditës, e Dionisit, e Hermesit e Panit dhe e Priapit.  Dhe në territorin tonë në periudhën antike gjenden figura të shumta falike në të cilat paraqitet hyu i pjellorisë e trajtuar si figure megafalike

Në periudhën romake erotizmi del hapur dhe krahas skulpturave dhe pikturave të realizuara me realizëm ka dhe të tjera të cilat janë trajtuar në mënyrë megafalike. Shembull i kësaj janë afresket e Pompeit dhe veçanërisht të Lupanares, të cilat pasqyrojnë skena epshi të realizuara me qëllim qoftë informues për shërbimet që ofronin, qoftë për të rritur ndjenjën e kënaqësisë tek klientët.  Në periudhën e Mesjetës arti zhvillohet kryesisht në gjirin e Kishës. Impulset dhe shembujt e artit mesjetar u morën nga periudhat e mëparshme, nga shembujt e artit greko-romak dhe u trajtuan nga artistët romaneskë në mënyrë megafalike. Arti mesjetar ishte art didaktik dhe si i tillë synonte t’u tregonte banorëve mesjetar se ata ishin përgjegjës të veprimeve të tyre dhe se në bazë të këtyre veprimeve do të gjykoheshin. Erotizmin në Mesjetë e gjejmë të skalitur në muret dhe në kapitelet e kishave më të mëdha të Europës perëndimore ndërsa në territorin tone përfaqësuese është Kisha e Manastirit në Apolloni.

Leave a Reply

Your email address will not be published.