SKULPTURAT PREJ FJALE TË NJË POETI TE NJOHUR

(Rreth librit poetik “Skulpturat ujore” të Ruzhdi Golës)

Agim BAJRAMI

Sa herë që lexoj poezi nga Ruzhdi Gole, provoj një lëbyrje sysh dhe një hutim të përkohshëm, që vjen jo vetëm nga drita e vargjeve, por edhe nga shumëllojshmëria e figurave dhe formave artistike që lëvizin ritmikisht brenda tyre. Ndryshe nga shumë poetë të tjerë bashkëkohorë, poezia e tij dallon për shumësinë e përfytyrimeve dhe fantazisë, situatave të ndezura emocionale, por edhe për mënyrat se si autori arrin t’i lakojë poetikisht emrat e objekteve dhe njerëzve gjatë procesit të tij ligjërimor. Që nga libri i tij i parë, shkruar në postdiktaturë e gjer më tash, etja dhe dëshira e autorit për t’u identifikuar vetëm nëpërmjet gjuhës së tij të veçantë dhe unit të tij, ka qenë konstante dhe pa luhatje. Kjo, pasi poezia qe krijohet prej tij, nuk lind nga postdremitja ose “thërrimet e shushatura të natës”, por nga habitate të ndezura kujtese, ku kullat e natës, siç thotë një varg i  tij, bien në fyt të një lugine. Është një përfytyrim poetik që lind nga sarkazma, për ata që për t’u dukur drojë pa drojë, bëjnë gjoja sikur jetojnë.

Produkt i heshtjeve ulëritëse, larg nga trajtat fiktive, nga figurat dhe simbolikat e lexueshme, poezia e Ruzhdi Goles të përgatit që në krye të herës se si duhet të sillesh dhe të komunikosh me fjalën e zgjedhur dhe frutat që dalin prej saj, me magjinë e figurave stilistike dhe estetikën e magjisë së krijuar prej tyre, në momentin e leximit. Sintaksa e poezisë se këtij poeti janë andrallat, përrallat e rrugës, gulçet nga krisja dhe kolla, tortura, jetimët, njollat. Duke lëvizur nëpër një truall ku “marramendja mbush përralla rruge dhe morfologji copash gazi guaske”, ajo tashmë e ka konsoliduar profilin e saj si poezi me një theks modern, me prirje drejt thellësive të unit. Nëse do të shpreheshim metaforikisht, esencialja e kësaj poezie është revoltë ndaj sintaksës dhe morfologjisë së gjuhës rutinore dhe adhurimi ndaj fjalës së zgjedhur, karakteri polisemantik i së cilës, fton dhe zhbën kuptime të tjera, që mund të jenë edhe më të rëndësishme se ato të parat. Ky është një tipar thelbësor, që e thekson fort edhe poeti i njohur vlonjat, Hyqmet Meçaj. Golja është një autor që lojën me fjalën dhe frazën ka kohë që e ka kthyer në art. Është në natyrën e tij, që përpara se t’i japë asaj funksionet artistike, ta rrotullojë atë në kënde dhe pozicione të ndryshme, jo vetëm për ta mbushur me më shumë dritë, por edhe për ta lidhur atë sa më mirë me receptorët e tij ndjesorë dhe të pa cak.  Ky është shkaku që sa herë lexojmë poezi prej tij, ajo lëshon në ajër një tingull dhe një akustikë të veçantë, të ngjashme me tingujt e zërit. Herë e buzëqëshur dhe herë e menduar, në vartësi të rrethanave dhe gjendjeve shpirtërore, poezia e Ruzhdiut vazhdon të spikasë dhe bashkëbisedojë me natyrshmëri me lexuesin, jo me theks populist, por me metaforat që dalin nga flegrat e Erës, me krahasimet tronditëse, me gjuhën shpotitëse dhe simbolikat e ngjashme me skulpturat ujore:

Një pemëtore libri, tej t’mugtit, skllavit e strucit thellë, përciptazi

Marre kthjellët me pikësimet frymëmarrje

Libër endacak, vocërrak pemësh

Me pikësimet frymëmarrje sot në pemëtore libri

Ju tutje harresë, t’mugtin t’gjithin do ta vilni

Duket se nëpërmjet zbulimit të rrënjëve të fjalës dhe marrëdhënieve të saj me trungun amë, autori ka synim të evidentojë edhe thellësitë e ndjesive dhe  identitetit të vetes, të shkuarën e largët dhe të ardhmen e afërt:

Gojtaria shprazet, gojohet gojemërie

Hapi un i ndjeshëm, Logu i përndritur

Dikujt si ndjell, as monologun e hijes

Në trupin më të lashtë, më të ri, gojtaria

Duke qenë një poezi refleksive, spontane dhe e drejtpërdrejtë, relievi i saj të afron vazhdimisht pamje, gjendje dhe konfigurime të vërteta dhe pa retush. Si e tillë ajo fluturon, bie, ngrihet dhe teshtin bashkë me poetin, duke u udhëhequr gjithmonë nga ëndrra:

Ca teshtima tufani ranë në shpat

Fluturimi ynë me ndonjë levere gjahu

Trastën e vet mbushi Arb, aty pari

Pëllumbi i ledheve lë një zarf

Si udhëtarë të palodhur të viseve të paeksploruara, poeti dhe zëdhënësja e tij shkelin pa ngurrim mbi hartat e përgjysmuara dhe liritë e mrrolura të Ballkanit, duke i ngjitur gjer edhe tek shkrepnajat me ngjyra dëbore të Himalajës, të etur të grumbullojë sa me shumë lëndë poetike dhe estetike bukurish virgjine:

Vranësirat me ligamente të këputuna, bredhin asgjë

Nënë e at diku struket,

rrëmujës nxi vrami, djeg tra

Një hap në diell, dy hijesh

Retë atje lart plot karfica,

Kanë mbledh flokët më shpejt të ndillen

Sikur janë lindur me prehjen shpirtërore

Në shumë krijime të kësaj natyre, realiteti dhe fantazia ngatërrohen aq shumë me njëri tjetrin, sa është e vështire t’i dallosh se ku fillon njeri dhe ku mbaron tjetri. Kësaj mund t’i shtohet edhe ekspresiviteti i ngjyrave dhe larmia e simbolikave të një figuracioni të çuditshëm dhe çarmatosës. Në poezitë më të mira të këtij libri, autori synon jo të pasqyrojë, por të shpërfaqë origjinën e formave të së padukshmes qe jeton brenda nesh si dhe enigmat që i rrethojnë ato. Pavarësisht se pamja fillestare e tyre këmbëngul se janë thjeshtë penelata çastesh të hedhura me ngut, nga mbirendjet, fuqia abstraguese dhe vështrimi vertikal mbi to, janë përherë të niveleve të larta:

Marsi ndez në ca shuaj hesht vogla nga shkëmbi bluar

Gjithçka gurgull tek rropullitë

Kreshta ngjall gjak garuar

Digat, disqet e duhitë

Mjafton ta lexosh këtë poezi gjer në fund, për të kuptuar aftësitë përshkruese të autorit dhe forcën e imagjinatës që e karakterizon. Enumeracioni ndjesor, në një amplitudë gjithnjë e në ngjitje dhe një marramendje e lehtë që të pushton, nuk shkaktohet vetëm nga sfilata e rrallë e pamjeve njëra më e bukur se tjetra të natyrës, por edhe nga përplasja e qëllimtë me njëra tjetrën e bashkëtingëlloreve të fillimit, të cilat falë këtij veprimi e shndërrojnë veten në muzikë:

Metrika sot ngroh shpirtin pa më rënë në qafë

Në kafenenë e ditës varen ca zinxhirët të argjendtë

Duke çarë para shpesh rrjedhim mbrapsht

Tek pikasim veshprerë ndonjë vorbull

Përthith valse voreje, ndonjë vorbull

Duke i hedhur një sy më të vëmendshëm krijimtarisë se këtij autori, të bën përshtypje relievi i larmishëm i figurave dhe shprehjeve frazeologjike, dykuptimshmëria dhe simetria e vargut ne raport me mendimin. Zhvendosja e herëpashershme e fokusit të dritës, krijimi i kontrasteve e rigjallëron peizazhin e fjetur poetik dhe shkakton të njëjtin proces rizgjimi edhe tek imagjinata e lexuesit. Përsa i përket inventarit të fjalëve të reja të krijuara në librat e tij, mund të themi pa rezervë, se me to mund te plotësohet një fjalor i tërë gjuhësor. Kjo, ngaqë fjalori i gjertanishëm me të cilin operon poeti, duket i paaftë të shpërfaq siç duhet imazhet dhe pamjet e pasura të muzës së tij të pasur. Duke qenë zëdhënësja më e zellshme e poetit dhe duke lindur nga shikimi sy më sy me bukuritë tragjike të arealit shqiptar, kjo poezi tronditëse dhe metaforike, priret më së shumti nga thellësia dhe nënteksti i thellë, prandaj kërkon një farë përqendrimi dhe një kohë të veçantë leximi:

Mbrëmja përtyp gjuhë oraresh

Gjiu i gurit plas thithkat aty

Çdo gjendje shpesh zhvesh këmishën

Era zhvesh sandalet

Edhe pse shëtit me zogjtë dhe me erënm dhe prek ndonjëherë edhe thellësitë e deteve, kjo poezi mbetet e thjeshtë, njerëzore dhe me këmbë ne tokë. Një vend te konsiderueshme zënë në këtë libër edhe refleksionet e ndjera dhe plot ngjyra malli për detin e Vlorës dhe Durrësit, vendlindjen e tij të shenjte dhe njerëzit e thjeshtë të ditëve tona. Fati i individit në gjykimin e autorit konceptohet si një send misterioz, i mbyllur në një zarf, me mëngjese të varfër e te mbështjellë me shkronja dale boje. Për poezinë e Ruzhdi Golës ka shumë për të thënë, por i mbetem besnik konstatimit tim që me tepër se varg, ajo është dhe mbetet një barometër gjendjesh shpirtërore të tij, si dhe një ftesë e përhershme që ai i bën vetes për të eksploruar viset e bukurive te sotme dhe të nesërme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.