Diskriminimet kulturore në mënyrë kaq klasike si te ne mund të hasen vetëm në politikat e egra nacionaliste e raciste. Kjo politikë në ditët e sotme botën e civilizuar do ta tmerronte deri në palcë. Atëherë, pse nuk ka dhe nuk shprehet asnjë shqetësim për këtë diskriminim kulturor antishqiptar nga vëzhgues e diplomatë perëndimorë që veprojnë te ne, sidomos nga ata faktorë që janë mburojë dhe përkrahës të denjë të diversitetit kulturor
Nga Avni HALIMI
Në Komisionin parlamentar për kulturë, më vitin 2010, shpesh u loz loja e njëjtë politike “me një të rame dy të vrame”! Së fundmi, shumica etnike parlamentare maqedonase përfitoi pikë politike te ndërkombëtarët ndërsa sërish e provokoi nervozizmin te shqiptarët duke ua nxjerrë në shesh mosnjohuritë mbi mënyrën e zhvillimit dhe avancimit të jetës kulturore në vend. Komisioni në fjalë, veç të tjerash miratoi edhe shënimin e disa përvjetorëve me rëndësi historike e kulturore për shqiptarët e vendit. Jo po na u deshtën nëntë manifestime të tilla, jo po mjaftojnë vetëm pesë, jo po u shpreh diskriminimi kulturor kundër shqiptarëve, jo po partia shqiptare në pushtet paskësh arritur që me këto pesë shënime ta ndërrojë karakterin e shtetit të Maqedonisë prej shtetit monokulturor në atë shumëkulturor!
Këto batuta edhe një herë dëshmuan për diletantizmin kulturor të deputetëve shqiptarë! Disa ditë më vonë, do të pasojnë titujt e shkrimeve si dhe deklaratat e deputetëve shqiptarë në Parlament se, Ministria e Kulturës nuk i përfill vendimet e Parlamentit për sa i përket shënimit të përvjetorëve historike e kulturore shqiptare. Nëse nuk përkrahen edhe kësaj radhe këto vendime të Parlamentit të Maqedonisë atëherë ashiqare paskemi të bëjmë me diskriminim kulturor që po e ushtruaka kjo Ministri kundër shqiptarëve të Maqedonisë! Po a do të bie poshtë ky konstatim i pamohueshem nëse financohen këta pesë përvjetorë? Mjerim e turp!
Parlamenti nuk është ojq
Deputetet shqiptarë assesi të kuptojnë se kjo me këto shënime përvjetorësh është vetëm një bllof i ulët dhe asgjë tjetër! Sepse, Parlamenti nuk është organizatë joqeveritare që merret me të tilla aktivitete, sepse Parlamenti nuk aplikon dhe nuk konkurron në asnjë sektor të Ministrisë së Kulturës, sepse Parlamenti çdo vit një muaj më parë miraton buxhetin vjetor të Qeverisë, rrjedhimisht edhe atë të Ministrisë së Kulturës buxhet ky që hartohet në bazë të projekteve, programeve të subjekteve të ndryshme por edhe në bazë të prioriteteve nacionale të kësaj Ministrie, sepse Parlamenti miraton Ligjin për shpenzim të buxhetit dhe, tek pas një muajve, si rëndomë, debaton për shënime historike e për aktivitete nacionale kulturore. Deputetët shqiptarë duhet të dinë se ky Komision parlamentar ka obligim që të përcjellë zbatimin e programit nacional të Ministrisë së Kulturës dhe jo të aplikojë me projekte në këtë Ministri. Përvjetorët shqiptarë asnjëherë nuk konsiderohen si aktivitete që përfshihen në strategjinë për kulturë nacionale, ndaj dhe qeveria nuk reagon me buxhet shtesë për aktivitete të tilla “të paparashikueshme”! Kurse Ministria e Kulturës vazhdimisht përgjigjet se “askush nuk mund t’i imponojë aktivitete e projekte për të cilat paraprakisht nuk janë ndarë buxhet nga ana e komisioneve që me muaj punojnë për programin nacional të Ministrisë”. Deputetët shqiptarë duhet t’i japin fund lojës e cila nga deputetët maqedonas shfrytëzohet sa për t’i dëshmuar aftësitë e tyre manipulative.
“Pjetër Bogdani” (nën këtë emër ishte ngritur iniciativa për themelimin e Institucionit për trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve– Shkup) është Institucioni më i thirrur për të vlerësuar se cilët përvjetorë do të mund të shënoheshin, se cilat aktivitete nacionale do të mund të organizoheshin në sferën e kulturës. Natyrisht, edhe asociacionet e ndryshme kulturore, ansamblet, edhe shoqatat historike, edhe fakultetet, edhe universitete, edhe komuna dhe katunde, të gjithë mund të organizojnë përvjetorë përkatës, aktivitete kulturore, promovime e tubime shkencore, madje pa marrë leje dhe pa pritur miratime as nga Parlamenti dhe as nga asnjë institucion tjetër shtetëror. Ndërsa financimi i tyre sigurohet ose me donacione, ose me sponsorime, ose nga buxheti shtetëror. Por, për të përfituar nga ky buxhet paraprakisht duhet të aplikohet dhe të konkurrohet në konkursin për programin nacional, në rastin konkret, të Ministrisë së Kulturës. Kurse për t’i shtyrë ato projekte përpara këtu duhet të këmbëngulin anëtarët shqiptarë nëpër komisionet e Ministrisë së Kulturës.
Programi nacional për kulturë pa kulturë shqiptare
Moskalimi i projekteve shqiptare, apo kalimi i tyre në numër minimum gjithsesi që është një diskriminim kulturor ndaj shqiptarëve, i cili po ushtrohet në mënyrë permanente dhe tepër ortodokse! Pa dyshim që diskriminimet kulturore në mënyrë kaq klasike si te ne mund të hasen vetëm në politika të egra nacionaliste e raciste. Kjo politikë në ditët e sotme botën e civilizuar do ta tmerronte deri në palcë, atëherë, pse nuk ka dhe nuk shprehet asnjë shqetësim për këtë diskriminim nga vëzhgues e diplomatë perëndimorë që veprojnë te ne, sidomos nga ata faktorë që janë mburojë dhe përkrahës të denjë të diversitetit kulturor! Nuk ka shqetësime nga “faktorët monitorues” sepse nuk ka ankesa seriozë nga “shqiptarët” në pushtetin aktual, të cilët, gjithnjë e më shumë po mburren se ia kanë dalë që Maqedoninë e Veriut ta shndërrojmë në shtet multietnik e multikulturor! Shoqatat dhe individët e ndryshëm shqiptarë vazhdimisht ankohen dhe reagojnë për moskalim të projekteve “kombëtare”! Eliminimi i diskriminimit kulturor ndaj një etnie duhet të jetë brengë dhe punë e subjektit politik që participon në pushtet dhe jo e një shtëpie botuese apo i një asociacioni minor e entuziast. Diskriminimi kulturor duhet të parandalohet që në strategjitë politike që fshihen nëpër programet nacionale!
Ministresha e Kulturës, Elizabeta Kançevska Milevska, me t’u emëruar në këtë post lëshoi një letër qarkore deri te të gjithë institucionet kulturorë të vendit që janë shfrytëzues të buxhetit shtetëror, prej të cilëve kërkoi që sa më parë të përgjigjen me shkrim për prioritetet kulturore në periudhën e ardhshme katërvjeçare 2011-2015. Nëse një i huaj e lexon me kujdes program nacional për kulturë do të mrekullohet nga gatishmëria e kësaj Ministrie për të investuar në avancimin dhe në ruajtjen e diversitetit kulturor në vend. Në atë program ka plotë teori, plot përkushtime për mbrojtjen dhe avancimin e vlerave kulturore të bashkësive të tjera etnike! Në botën e civilizuar ministritë përkatëse përkujdesen për institucionet nacionale, ndërsa asociacionet kulturore dhe organizatat jofitimprurëse përkujdesen që të sigurojnë sa më shumë donacione dhe përkrahje për projektet kulturore!
Aktualisht, në Maqedoni funksionojnë rreth 120 institucione kulturore shfrytëzues të buxhetit! Prej tyre nja 5 a 6 janë që menaxhohen nga drejtorë shqiptarë. Është shumë e arsyetueshme që këta drejtorë të shtrojnë më shumë prioritete dhe të kërkojnë më shumë për t’u avancuar vlerat kulturore të shqiptarëve të këtushëm. Por, që në start do të cungohen e masakrohen ato prioritete shqiptare. Ky program nacional me këta prioritete kulturore pastaj shtrihet në kuadrin e planit pesëvjeçar që paraqitet si strategji nacionale e qeverisë së vendit. Edhe nga kjo strategji faktorët ndërkombëtarë mbesin gojëhapur! Aty do të hasen plotë teori për angazhimin e qeverisë për avancim dhe përkrahje të çdo kulture në çdo cep të vendit, për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, për përkujdesje të veçantë për artistë e kulturologë të vendit, për ruajtjen me xhelozi të vlerave të mirëfillta kulturore…
Në të mirë të kësaj propagande antishqiptare do të jenë edhe prononcimet e politikanëve tanë të papërgjegjshëm që për t’i ruajtur përfitimet nga të qenët në pushtet do të deklarojnë se, situata e përgjithshme e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është shumë e mirë ndaj të gjithë duhet të angazhohemi në zgjidhjen e konteksteve ndërkombëtare të shtetit për euro-integrimet që e presin!
“Mirëkuptimet” e kulturës maqedonase
Këta politikanë dhe subjektet e tyre partiake, duke qenë të kënaqur me financimin e dy-tre librave, me financimin e dy-tre shfaqjeve teatrale, me financimin e dy-tre koncerteve amatore, nuk çanë kokë për atë se çka po i ndodhë Institutit për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, si u dëbua nga selia e vet, në Kurshumlihan, fare nuk u skuqën nga prezantimi promovues i dhjetëra asociacioneve kulturore maqedonase, i artistëve maqedonas, nga mbajtja e qindra ditëve kulturore ekskluzivisht maqedonase nëpër botë që u organizuan përgjatë viteve 2010-2011!
A e kuptuan ndonjëherë politikanët shqiptarë se si u plotësua Pyetësori për implementimin e Konventës së UNESKO-s e vitit 2005! Në asnjë raport, në asnjë pyetësor, në asnjë program e strategji të pushtetit maqedonas nuk flitet për kulturën shqiptare në këtë hapësirë. Gjithandej prezantohet, propagandohet dhe nënvizohet se këtu frymon vetëm kultura maqedonase e cila ka “mirëkuptim” për përpëlitjet e kulturave të bashkësive të tjera etnike margjinale!
Kur të kihen parasysh të gjitha këto fakte – kush mund të jetë ai sagllam njeri që mund të vlerësojë se, mosshënim i një date të rëndësishme shqiptare nuk duhet të na zmbrapsë nga angazhimi kombëtar për ta zgjidhur çështjen e flamurit, pastaj të emrit, pastaj të konteksteve kulturo-historike me bullgarët etj. “Shqiptarët” e Parlamentit të Maqedonisë prioritet kishin këta probleme, ndërsa maqedonasit e Gruevskit e të Zajevit kishin për prioritet ngulfatjen e çdo kulture tjetër në të mirë të kulturës së tyre që do t’ua zgjidhë çështjen e shtetit komb!