Mjetet e informimit në Shqipërinë e Enver Hoxhës luajtën një rol të rëndësishëm në formimin dhe orientimin e kulturës, rinisë dhe sportit, duke i përdorur ato si mjete të fuqishme propagandistike për të konsoliduar regjimin komunist dhe për të ndihmuar në krijimin e një shoqërie socialiste të kontrolluar
Nga Avni HALIMI
Në Shqipërinë e periudhës socialiste, mjetet e informimit – si radio, televizioni, shtypi por dhe literatura – u përdorën si mjete kryesore të propagandës për të promovuar kulturën, rininë dhe sportin në frymën e socializmit. Këto mjete nuk ishin thjesht kanale informacioni, por edhe instrumente të fuqishme për të krijuar dhe formuar një kulturë kolektive, të orientuar nga ideologjia komuniste, dhe për të ruajtur kontrollin mbi mendimin dhe sjelljen e popullatës. Kjo strategji i jepte shumë rëndësi ndikimit të masave dhe mbështetjes për regjimin. Ndaj, jo rastësisht, në fillim të viteve ’90-të, në anketën e zhvilluar nga “Zëri i Rinisë”, në pyetjen drejtuar qytetarëve “Çka jeni ju”, mbi 90% ishin deklaruar komunistë dhe përqindja tjetër fare e papërfillshme ishin deklaruar shqiptar! Pra, shihet qartë se synimi për të krijuar një “komb ideologjik” tashmë ishte përmbushur!
Filtrat ideologjike të regjimit
Edhe kultura në Shqipërinë e Enver Hoxhës ishte e ngushtë e lidhur me ideologjinë e socializmit, dhe mjetet e informimit luanin një rol kyç në këtë proces. Kinemaja, libri, arti dhe muzika kishin funksionin e “armëve” të ideologjisë që formonin mendimin dhe sjelljen e popullit. Radio Tirana dhe Televizioni Shqiptar ishin kanale kryesore që transmetonin mesazhe të partisë dhe të qeverisë, duke promovuar kulturën socialistë si dhe figura të rëndësishme të këtij sektori. Ajo çka shfaqej në ekranin e televizionit ose që dëgjohej në radio ishte gjithmonë e filtruar nga regjimi, për të ruajtur një imazh të përsosur të jetës sociale dhe kulturore që shoqëronte idealet e socializmit. Këto transmetime shpesh ishin të mbushura me filma, dokumentarë dhe shfaqje që glorifikonin luftën antifashiste, arritjet e regjimit dhe vlerat e socializmit. Gazetat si Zëri i Popullit dhe Bashkimi dhe revista si Shkolla e Re, Pionieri, Fatosi etj. ishin të mbushura me artikuj që promovonin idenë e punës dhe angazhimit kolektiv. Artikujt për kulturën dhe artin ishin gjithashtu të kontrolluar, duke pasqyruar atë që regjimi konsideronte të pranueshëm, për të forcuar ideologjinë e punës dhe për t’i treguar popullit se si duhej të zhvillohej kultura në Shqipëri.
Krijuesit e artit dhe kulturës ishin nën ndikimin e rreptë të shtetit. Ata ishin të obliguar të ndjekin linjat ideologjike të partisë, dhe shumë prej tyre ishin të mbështetur nga regjimi për t’i shërbyer propagandës. Po ashtu, mjetet e informimit promovonin figura të njohura të kulturës si shkrimtarët, kompozitorët dhe piktorët që i shërbenin doktrinës socialiste. Të gjithë ata krijues gjeni të kombit, në sfera të ndryshme, të cilët me kohë kishin refuzuar socializmin si ideologji që synon degjenerimin e vlerave të përgjithshme të kombit shqiptar, ata ishin shpallur “armiq të kombit” dhe kundër tyre pa mëshirë hidhej gurë e baltë dhe kontributi i tyre i madh kombëtar vlerësohej si “aktivitet kolaboraionist”, apo si “tradhti ndaj atdheut socialist”! Ky ishte qëndrimi ndaj Gjergj Fishtës, Martin Camajt, Arshi Pipës etj. Këto mjete informimi kishin gjithashtu funksionin e kontrollit social. Ato ndikuan në mënyrën se si qytetarët shqiptarë mendonin, duke i orientuar ata drejt ideve dhe vlerave që përputheshin me normat e socializmit. Përmes informacioneve të kontrolluara, regjimi i Enver Hoxhës u mundësua të krijonte një shoqëri të homogjenizuar, ku rinia, kultura dhe sporti ishin të ndërthurura me kërkesat ideologjike të sistemit.
“Dora e hekurt” e socializmit shqiptar
Sipas planit tematik të organeve të shtypit, radiotelevizionit dhe shtëpive botuese lidhur me propagandën për Kosovën, në shtypin e Ministrisë së Arsim-Kulturës si: në “Mësuesi”, “Sporti Popullor”, Revista “Pionieri”, “Fatosi”, Gazeta “Zëri i Rinisë” si dhe Revista “Shkenca dhe jeta”, ishin planifikuar të botoheshin një sërë shkrimesh propagandistike që idealizonin përpjekjet e pareshtura të patriotëve të zgjedhur e që i jepni peshë ideologjisë socialiste si dhe të patriotëve që ishin munduar ta bënin Shqipërinë por që kishin dështuar derisa nuk erdhi “dora e hekurt e socializmit shqiptar”! Nëpër këtë shtyp të këtij dikasteri qeveritar socialist propozoheshin të botohen shkrime për mësuesin dëshmor Xhevdet Doda, Luftulla Prishtina (ose Hoxhë Kadriu, 1878-1925), Niman Ferizi, Ibrahim Fehmiu, Ferid Imami, për heroin e popullit Emin Duraku, Selim Morina, Ibrahim Kolçi, Isuf Puka, Lush Noca, Murat Muhaxhiri, Man Osa, pastaj shkrime mbi “Problemet e drejtshkrimit në Kosovë “, për punën patriotike të mësuesve kosovarë për mësimin e gjuhës shqipe, Hasan Prishtina, për 90 vjetorin e shkollës së parë shqipe në Prizren.
Pra, nuk informohet dhe nuk mësohet mbi shkollën e parë shqipe që daton që nga shekulli XVI, i njohur si “Kolegji i Shën Llukës” i themeluar me kërkesë të Vatikanit që në vitin 1584 në fshatin Stubll të Vitisë. Në vitin 1905, kjo shkollë filloi do të udhëhiqet nga mësuesi Dom Mikel Tarabulluzi, ndërsa në vitin 1906, sipas shënimeve të kohës, numri i nxënësve në këtë shkollë kishte arritur në 42, prej tyre 25 djem dhe 17 vajza. Në lëmin e sportit propaganda për Kosovën do të zhvillohet duke botuar shkrime mbi “Traditën e sportit në Kosovë”, “Traditat në zhvillimin e lojërave popullore në krahina të ndryshme në Kosovë”, “traditat dhe zhvillimi i hipizmit”, “Festat popullore dhe dasmat që shoqërohen edhe me lojëra popullore”, “Për rininë kosovare që ruan me dashuri traditat kombëtare në lloje të ndryshme sporti” etj. Pra, nuk kemi asnjë shkrim mbi portretet dhe figurat e sportistëve shqiptarë të Kosovës dhe të trevave të tjera të viseve etnike që po bënin namin në garat si vendore ashtu edhe ndërkombëtare!
Në revistën “Pionieri” sugjerohet që të botohen shkrime të ndryshme nëpërmjet të të cilëve “pionierët shqiptarë do të njihen me udhëheqësit kosovarë të kryengritjeve e të betejave popullore për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të kombit, si: Iljaz Pashë Dibra, Shuaip Spahiu, Mustafa Tetova, Haxhi Zeka, Mehmet Baci, Mehmet Gjyli, Jakup Ferri, Hajdar Dushi, Emin Duraku, Vëllezërit Boshnjaku, Shemsi Kërveshi etj. Natyrisht, regjimi i Enver Hoxhës kontrollonte rreptësishtë informacionin dhe historinë, duke u munduar të manipulojë dhe të shndërrojë në mit vetëm ata që e shërbenin ideologjinë e tij. Kjo përfshinte një seleksionim të figurave historike dhe heronjve kombëtarë, duke eliminuar ose mënjanuar nga narrativi historik ata që nuk përputheshin me vizionin ideologjik të socializmit dhe që konsideroheshin si “armiq të klasës”. Këta trima kombëtarë ishin figura që luftuan për pavarësinë dhe dinjitetin e Shqipërisë, por që nuk u pranuan dhe nuk u nderuan në Shqipërinë e Enver Hoxhës për shkak të lidhjeve të tyre me forcën e huaj, ideologjinë nacionaliste ose luftën kundër regjimit komunist, si bie fjala Shaban Polluzha me luftëtarët e tij, Hoxhë Idriz Gjilani, Hoxha Kelmendi e shumë figura të tjerë të NDSH-së, Ballin Kombëtar e të Legalitetit të cilët, ndonëse kishin mbështetje nga Fuqitë e Mëdha të kohës, u përjashtuan nga narrativi komunist, sepse regjimi i Hoxhës i shihte ata si një kërcënim të drejtpërdrejtë për pushtetin e tij.
Shkrime të letrarizuara mbi ngjarjet historike
Regjimi komunist i Enver Hoxhës ishte i njohur për manipulimin e kujtesës kombëtare, për të kontrolluar dhe formësuar historinë sipas interesave të tij. Për këtë arsye, shumë heronj dhe figura të rëndësishme që kishin luftuar për pavarësinë e Shqipërisë dhe kundër komunizmit u fshinë, u injoruan dhe u paraqitën si “armiq të popullit”. Përmes një propagande të fuqishme dhe një kontrolli të rreptë mbi mediat dhe sistemin edukativ, regjimi arriti të krijonte një histori alternative, që përmbante vetëm ata që e mbështesnin sistemin komunist dhe që ishin të gatshëm ta shërbenin atë. Regjimi i Enver Hoxhës përpiqej ta kontrollonte kujtesën kolektive, duke e formësuar historinë sipas nevojave të tij politike dhe ideologjike. Kjo bëri që shumë figura të rëndësishme, të cilat përfaqësonin një Shqipëri tjetër, një Shqipëri më të lirë dhe më të hapur, të mbeteshin të fshira nga tregimi zyrtar dhe, si të tillë, të papërfshirë në asnjë njësi informative e mësimore. Veç kësaj, ky regjim ishte thellësisht i angazhuar edhe në krijimin e një kolektivi i cili do të dinte e do të zhvillohej vetëm nga ajo me të cilën do ta ushqente regjimi. Shtresa më e njomë e shoqërisë, Fatosët, sipas këtij “Plani tematik”, do të mund të lexonin shkrime në revistën e tyre “Fatosi” e të njoftoheshin për Kosovën përmes: “Këngë popullore për të vegjlit”, “Lodra popullore për të vegjlit”, “Ninulla”, “Përralla popullore kosovare të përshtatura”, “Këngë të ndryshme historike, të përshtatura për moshën e lexuesve tanë”, “Anektoda historike (si p.sh për Azem Galicën, Mic Sokolin, Sef Kosharën etj.) Ndërsa, për fatosët sugjerohet që nga “letërsia kosovare” të publikohen krijime nga Qamil Batalli, Zenulla Halili, Rifat Kukaj, Rahman (Rahmi v.j.) Tuda, Shpresa Tuda, Mark Krasniqi, Refat (Rifat Kukaj v.j) Kukaj, Vehbi Kikaj, Nuhi Vinca, por jo edhe nga Rexhep Hoxha apo Mehmedali Hoxha, të cilin regjimi jugosllav vazhdimisht e mbante nën llupën e vet.
Rinia shqiptare, përmes organit të vet “Zëri i Rinisë” do të lexonte shkrime që do të “trajtonin ngjarje historike si dhe figura të shquara patriotike revolucionare”, si dhe do të njiheshin me “disa nga vlerat historike e letrare të vendeve që janë dëshmitarë të luftërave e ngjarjeve të rëndësishme për popullin tonë. Kësisoj, rinia do të informohej mbi Kongresin e Manastirit dhe alfabeti shqip”, “Shqiptarët dhe beteja e Kosovës, 1389”, “Fillimi i luftës për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë”, pastaj për figurat si: Hajdar Dushi, Mstafa Bakiu, Shote dhe Azem Galica. Përmes shkrimeve të letrarizuar do të mësojnë për Shtëpinë ku u mblodh Lidhja Shqiptare e Prizrenit, për vendin ku u zhvillua Beteja e Kaçanikut, reportazhe nga vende të ndryshme historike (për reportazhet do të shfrytëzohen njerëzit që kanë shkuar në Kosovë) etj. Kurse në Revistën “Shkenca dhe jeta”, sugjerohen materiale të ndryshme, si: “Banesa popullore kosovare” nga Ali Muka, “Shtjefën Gjeçovi – etnografi i parë shqiptar”, nga Rrok Zojsi, “Reliefi gjeografik – fauna dhe flora e fushës së Kosovës” nga Mevlan Kabo, “Mendimet e Hasan Prishtinës për shkollën shqipe”, nga Shefik Osmani, “Zbulimet arkeologjike në rrafshin e Dukagjinit”, nga Çesk Prendi, “Artizanati popullor në Kosovë, “Rezultatet e ekspeditave tona dhe të Kosovës për folklorin, etnografinë, gjuhësinë, demografinë etj.”, Studimi i Mark Krasniqit mbi Kullat e Kosovës.
Mungesa e diskursit për ngjarjet nacionaliste e patriotike të shqiptarëve në Kosovë e në viset etnike
Pra, PLANI TEMATIK I ORGANEVE TË SHTYPIT, RADIOTELEVIZIONIT DHE SHTËPIVE BOTUESE LIDHUR ME PROPAGANDËN PËR KOSOVËN, u hartua dhe propozua më vitin 1979! Dhjetë vite më parë kishin ndodhur demonstratat e vitit 1968 të cilat do të vlerësohen si zgjim i madh kombëtar për shqiptarët e Kosovës që nuk do të përgjumen më deri në realizim të aspiratave të tyre kombëtare. Gjithashtu, Kosova, pas Luftës së Dytë Botërore, u përfshi në projektin jugosllav të federatës socialiste, ku popujt teorikisht barazoheshin në frymën e vëllazërisë dhe unitetit. Por për shqiptarët e Kosovës, realiteti ishte krejtësisht i ndryshëm. Pavarësisht retorikës zyrtare të “vëllazërimit,” shqiptarët e Kosovës vazhdonin të përballeshin me diskriminim sistematik, margjinalizim ekonomik dhe shkelje të të drejtave themelore. Veç kësaj, këtu është edhe periudha ë e trishtë e shqiptarëve të Kosovës, dëbimi masovik i tyre nga trojet e veta gjatë aksionit të mbledhjes së armëve të zhvilluar nga Rankoviqi. Fatkeqësisht, në Shqipërinë komuniste, këto ngjarje nuk u reflektuan kurrë në diskursin publik apo në historiografinë zyrtare. Përse ndodhi kjo?
Viti 1968 shënoi një moment vendimtar për shqiptarët e Kosovës. Pas valës së protestave studentore në të gjithë botën dhe situatës së ngjashme në Jugosllavi, studentët dhe populli i Kosovës organizuan protesta të mëdha duke kërkuar barazi të plotë, status të republikës për Kosovën dhe respektim të të drejtave të tyre kombëtare. Kërkesat e tyre përfshinin: 1. Njohjen e të drejtave kombëtare dhe kulturore, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe në administratë dhe arsim; 2. Statusin e Republikës për Kosovën, për të pasur më shumë autonomi brenda federatës jugosllave. 3. Përmirësimin e kushteve ekonomike, duke ndaluar shfrytëzimin ekonomik dhe margjinalizimin e shqiptarëve. Protestat u shtypën nga autoritetet jugosllave, por ato shënuan një pikë kthese, duke ndezur, siç thamë më sipër, një vetëdije të re kombëtare dhe duke hapur një periudhë të gjatë rezistence dhe kërkese për barazi.
Në Shqipërinë komuniste, ngjarjet e vitit 1968 dhe zhvillimet që pasuan në Kosovë u përshëndetën në heshtje, pa ndonjë mbulim të gjerë mediatik apo përkujtim në organet e propagandës. Ky qëndrim nuk ishte një gabim i rastësishëm, por një politikë e qëllimshme e regjimit të Enver Hoxhës sepse ai kishte frikë nga ngritja e nacionalizmit të papërmbajtur në Shqipëri dhe në Kosovë, pasi kjo mund të sfidonte stabilitetin e regjimit të tij. Nacionalizmi i vërtetë, i bazuar në kërkesat për të drejta kombëtare dhe identitet kulturor, konsiderohej një kërcënim për ideologjinë socialiste, e cila duhej të ishte parësore ndaj ndjenjave kombëtare. Çdo lajm që vinte nga jashtë duhej të filtrohej dhe të përshtatej me narrativën e regjimit. Ngjarjet e vitit 1968 në Kosovë nuk përputheshin me retorikën zyrtare të “vëllazërisë socialiste” dhe nuk ishin të lehta për t’u manipuluar. Kjo bëri që shkrimet për protestat dhe zhvillimet nacionaliste në Kosovë të censuroheshin ose të minimizoheshin në diskursin publik. Mungesa e një diskursi të hapur për ngjarjet nacionaliste dhe patriotike në Kosovë gjatë periudhës socialiste ka pasur pasoja të thella në historiografinë dhe kulturën kombëtare shqiptare. Për shumë vite, ngjarjet e rëndësishme kombëtare nuk u analizuan dhe nuk u përkujtuan siç duhet. Kjo ka krijuar një boshllëk në kujtesën kolektive të shqiptarëve, duke lënë pas një narrativë të pjesshme dhe të manipuluar të rezistencës kosovare.
Pas rënies së komunizmit, këto ngjarje do të rivlerësohen dhe do të bëhen pjesë e një narrative më të gjerë të qëndresës kombëtare shqiptare, por mungesa e diskutimit gjatë periudhës komuniste e ka bërë të vështirë për historinë të kuptojë plotësisht kompleksitetin dhe intensitetin e rezistencës në Kosovë. Një tjetër pasojë ka qenë fragmentimi i identitetit kombëtar, pasi regjimi i Hoxhës kontribuoi në krijimin e një ndarjeje artificiale midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, një ndarje që edhe sot po ndikon në marrëdhëniet dhe perceptimet e ndërsjella.