SUKSESI ËSHTË UDHËTIM I VAZHDUESHËM PËR NË STACION…

Kalpna Singh-Chitnis, poete dhe regjisore indiano -amerikane

Kalpna Singh-Chitnis: Jam tepër e lidhur me rrënjët e mia dhe përpiqem të ruaj një ekuilibër shpirtëror midis Indisë dhe Shteteve të Bashkuara. E vizitoj Indinë një herë në disa vjet, gjë që më lejon të ushqej lidhjen me atdheun tim. Në një farë kuptimi, çdo ditë unë ndihem sikur jetoj njëkohësisht në Indi e në SHBA. Thelbi i ekzistencës sime është në Indi, ndërsa prania fizike në Amerikë. E konsideroj veten me fat që jetoj më të mirën e të dy botëve

Intervistoi: IRMA KURTI

Kalpna Singh-Chitnis është një poete, shkrimtare, regjisore dhe aktore indiano-amerikane e vlerësuar me shumë çmime; e nominuar gjithashtu për çmimin Pushcart. Ajo është kryeredaktore e Revistës Life and Legends dhe Redaktore për Përkthimin në Revistën Letrare IHRAF në Nju Jork. Ka botuar pesë libra me poezi dhe veprat e saj janë botuar në revista të rëndësishme letrare si World Literature Today, Columbia Journal, California Quarterly, Indian Literature, Silk Routes Project (Universiteti i Iowa-s), Life in Quarantine (Universiteti Stanford), etj. Është nominuar për “Honor of Yeast Litteraire” nga revista Levure Litterarie në Paris, Francë në vitin 2015.  Kalpna Singh-Chitnis është vlerësuar gjithashtu nga zyra e senatores së shtetit të Kalifornisë Mimi Walters, nga ish-kryebashkiaku i Irvines, Steven Choi si dhe nga Dhoma e Tregtisë për veprat e saj cilësore dhe kontributin që ka dhënë në Komunitet. Librat e saj janë përkthyer në spanjisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, shqip, çekisht, arabisht, nepalisht, etj., si dhe janë botuar në antologji në mbarë botën. Ish-docente e shkencave politike, Kalpna Singh-Chitnis është diplomuar për regji në Akademinë e Filmit në Nju Jork dhe punon si regjisore e pavarur në Hollywood.

Ju jeni poete, shkrimtare dhe regjisore. Cili nga këto pasione ka lindur fillimisht?

Mendoj se dashuria për poezinë ishte brenda meje. Gjatë adoleshencës zbulova pasionin për aktrimin dhe regjinë. Në fillim, drejtova shfaqje skenike dhe aktrova në produksione teatrale në vendin tim të lindjes Bihar dhe në Mumbai. Kam punuar edhe si stiliste në fushën e modës. Pasi erdha në SHBA, ndoqa Akademinë e Filmit në Nju Jork dhe u diplomova në regji. Megjithatë, në Hollivud, u përqendrova kryesisht në aktrimin në filmat e mi.

Si ndahet jeta juaj mes Indisë, vendit të origjinës dhe Shteteve të Bashkuara?

Jam tepër e lidhur me rrënjët e mia dhe përpiqem të ruaj një ekuilibër shpirtëror midis Indisë dhe Shteteve të Bashkuara. E vizitoj Indinë një herë në disa vjet, gjë që më lejon të ushqej lidhjen me atdheun tim. Në një farë kuptimi, çdo ditë unë ndihem sikur jetoj njëkohësisht në Indi e në SHBA. Thelbi i ekzistencës sime është në Indi, ndërsa prania fizike në Amerikë. E konsideroj veten me fat që jetoj më të mirën e të dy botëve. Megjithatë, ndjej gjithnjë mall për atdheun, pasi pjesa më e madhe familjarëve, të afërmve dhe miqve të mi jetojnë ende në Indi. Më mungon të jem pjesë e bisedave në gjuhën time, të shkruaj në gjuhën amtare, të vishem me rroba tradicionale indiane dhe të festoj eventet kulturore dhe festat me njerëzit e mi.

Filmi “Pema” është bazuar në poezinë tuaj me të njëjtin titull dhe ka fituar çmime të rëndësishme. E konsideroni veten një autore të suksesshme?

Unë nuk e mas suksesin vetëm duke u bazuar tek vlerësimet dhe çmimet. Ndonëse filmi “Pema”, realizuar mbi poezinë time me të njëjtin titull, ka marrë vlerësime dhe çmime të rëndësishme, nuk e konsideroj këtë si përcaktuesin e vetëm të suksesit tim si autore dhe regjizore. Edhe filmi me metrazh të gjatë “Mirupafshim miku im”, filmi i shkurtër “Vajza me theks” si dhe përmbledhjet e mia poetike janë vlerësuar me çmime. Libri i fundit “Letra dashurie Ukrainës nga Uyava” (River Paw Press), u emërua finalist në “Çmimet Ndërkombëtare për Librin” 2023, prezantuar në Festivalin Amerikan të Librit. Gjithashtu, Antologjia “Luledielli: Poezi për Ukrainën mbi Luftën, Rezistencën, Shpresën dhe Paqen”, e kuruar dhe redaktuar nga unë, është përzgjedhur në listën e ngushtë për  çmimet “National Indie Excellence®”, 2023. Ndihem mirënjohëse për Çmimin Bihar Rajbhasha, që më është dhënë nga qeveria e Biharit, në Indi për përmbledhjen e parë poetike të botuar në Hindi në 1983, Çmimin Global të Ekselencës Rajiv Gandhi për kontributet e mia në film dhe letërsi, si dhe Bihar Shri. Poezitë nga përmbledhja e pestë poetike “Shpirt i zhveshur”, janë vlerësuar me Çmimin letrar Naji Naaman 2017 dhe filmi me poezi “Lumi i këngëve” është përfshirë në kapsulat kohore të Kodit Hënor, me misionet e NASA-s në hënë në vitet 2023 dhe 2024. Ndërsa akti i të shkruarit së një poezie, botimi i një libri, bërja e një filmi dhe marrja e vlerësimeve për to është sigurisht kënaqësi, suksesi i vërtetë qëndron në ndikimin që kanë këto te të tjerët. Aspirata ime si shkrimtare dhe kineaste është të krijoj një lidhje me lexuesit, audiencën dhe veten. Kur librat e mi lexohen, filmat e mi shikohen dhe njerëzit e gjejnë veten tek ta, e konsideroj këtë një sukses. Suksesi për mua është udhëtim i vazhdueshëm pa një stacion mbërritjeje.

Sa orë në ditë i dedikoni të shkruarit?

Nuk kam kohë të paracaktuar për të shkruar. Të shkruarit poezi për mua është një akt spontan. Megjithatë, kohën e lirë ia dedikoj prozës dhe skenarëve të filmit. Ndonjëherë, shkruaj disa ditë rresht. Por shpesh tërhiqem për t’u zbavitur me lexim, gatim, kopshtari, meditim, përkujdesje për kafshën shtëpijake dhe duke kaluar kohë në natyrë. Kjo është e rëndësishme për mua, pasi fitoj një perspektivë të re sa herë që kthehem në tavolinën e punës.

Mund të na thoni diçka më shumë për librin e fundit: “Letra dashurie Ukrainës nga Uyava?”

“Letra dashurie Ukrainës nga Uyava” është një përmbledhje me gjashtëdhjetë e tetë poezi të kohës së luftës për dashurinë kushtuar Ukrainës dhe mbrojtësve të saj që luftojnë për lirinë në luftën ruso-ukrainase. Përmbledhja është përkthyer gjithashtu në gjuhën ukrainase, me titullin “Любовні листи до України від Уяви”, nga Volodymyr Tymchuk, poet, përkthyes dhe nënkolonel në Forcat e Armatosura të Ukrainës. Përkthimi i lejon lexuesve ukrainas të përjetojnë ndjenjat e thella për Ukrainën të përcjella në veprën origjinale. Një aspekt i rëndësishëm i këtij libri është afati kohor në të cilin u krijua. E gjithë vepra e përbërë nga poezitë origjinale si dhe përkthimi i tyre, u shkrua kryesisht në kohë reale, e përfunduar brenda një harku prej vetëm tetë javësh. Kjo nxjerr në pah urgjencën dhe emocionin e papërpunuar që përshkon poezitë, duke kapur thelbin e konfliktit aktual dhe ndikimin e tij në zemrat e njerëzve. Poezitë në këtë përmbledhje shërbejnë si ura; ato synojnë të krijojnë lidhje në zemrat e lexuesve, duke u mundësuar atyre që të simpatizojnë betejat dhe aspiratat e Ukrainës. Duke shfaqur dëshirën për dashuri, paqe dhe liri që rreh në zemrën e Ukrainës, libri kërkon të ofrojë një kuptim më të thellë të gjendjes së vështirë të vendit dhe të ndriçojë shpirtin e qëndrueshëm të tij.

Ka shumë interes për të lexuar këtë libër. Kjo ndodh sepse poezitë kanë të bëjnë me konfliktin aktual të armatosur Rusi-Ukrainë? Çfarë e bën të veçantë këtë vepër?

Në fakt, një nga arsyet e interesit të fortë për “Letra dashurie Ukrainës nga Uyava” është lidhja e tij me konfliktin aktual të armatosur Rusi-Ukrainë. Poezitë japin gjithashtu një këndvështrim të veçantë për dashurinë, duke theksuar rëndësinë e saj gjatë kohës së luftës për vetë ata që përballen me katastrofën e saj.

Çfarë mesazhi dëshironi të përcillni tek lexuesit?

Do të doja t’i inkurajoja lexuesit të marrin një kopje të librit “Letra dashurie Ukrainës nga Uyava”, ta lexojnë atë dhe të flasin për të në mënyrë që të ndërgjegjësohen sa më shumë njerëz mbi gjendjen e rëndë të Ukrainës. Për më tepër, i ftoj lexuesit të mbështesin Ukrainën dhe kauzat e saj, kudo që të jenë, qoftë përmes donacioneve, mbrojtjes së të drejtave të Ukrainës, ose angazhimit në aktivitete që tregojnë solidaritetin tonë me Ukrainën që lufton për të mbrojtur lirinë e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.