SULEJMAN KRASNIQI, SHKRIMTARI QË I BESOI HISTORISË

Ndonëse ishte i prirë drejt letërsisë për të rritur, shkrimtari Krasniqi nuk i harroi edhe fëmijët. Për ta shkroi romanin “Pushka top, Bajram Curri!” (Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1982) dhe “Rapsodia e Kosovës” (roman në vargje për të rinj; Klubi letrar “Fan Noli”, Prizren 1999)

Xhahid BUSHATI

Shkrimtarin e shquar dhe të talentuar Sulejman Krasniqi (Hoçë e Vogël, 07.12.1937 – Tiranë, 16.07.2011), studiuesit tanë, opusin e veprës që na ka lënë e na ka bekuar, e kanë krahas me shkrimtarin frances Honore dë Balzak. Krahasimi është i gjetur dhe Mjeshtri i letrave Krasniqi e meriton një lavdi të tillë.

Duke parë rrugëtimin e tij letrar, veçoritë, tipologjitë romanore, perceptimet prej shkrimtari-historian me dramat e historisë nëpër vite e dekada; mendoj që kjo marrëdhënie e përkushtim e ka zanafillën atje në vendlindje, te fëmijëria e tij, atje në Hoçë të Vogël, në afërsi të Rahovecit, ku u ushqye së pari me dashurinë për dheun, historinë, shqiptarizmin dhe shqipen e dashtun. Më pas vijnë Prizreni dhe Krusha e Madhe, ku adoleshenca e tij u kulturua e njëkohësisht fillesat e angazhimit patriotik e kombëtar nisi t’i çelnin si lule vjollca që lajmërojnë pranverën në zemër e në shpirt. Kësaj çështjeje të shenjtë shqiptare do t’i jepte besën dhe e mbajti besën, ku në vitet e mëvonshme i pasqyroi me besnikëri e realizëm në temën e tij të metodës krijuese, siç ishte tema historike, e cila u bë krye-tema e rrugëtimit të tij letrar në letrat shqipe, duke u bërë autor i suksesshëm i më shumë se 20 veprave letrare, kryesisht në gjininë e prozës së gjatë dhe të dramës. Ndonëse ishte i prirë drejt letërsisë për të rritur, shkrimtari Krasniqi nuk i harroi edhe fëmijët. Për ta shkroi romanin “Pushka top, Bajram Curri!” (Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1982) dhe “Rapsodia e Kosovës” (roman në vargje për të rinj; Klubi letrar “Fan Noli”, Prizren 1999).

Romani “Pushka top, Bajram Çurri!” ka gjetur pasqyrim të herëpashershëm në studimet e shkrimtarit Astrit Bishqemit. Gjithashtu, nga kërkimet e mia, kam gjetur një shkrim përkujtimor me titull “Në Shqipëri si i arratisur…” i gazetares Admirina Peçi, Gazeta Shqiptare, 10 prill 2011, gjithashtu edhe më 17 korrik 2011. Nuk e di pse një vëmendje kaq e pakët?! Realisht këtë dukuri e mendoj edhe sot e kësaj dite… Sipas meje, Sulejman Krasniqi qe një nga të rrallët autorë në letërsinë shqipe që mrekullisht trajtoi me guxim krijues e më sukses temën historike. Ai me një kompetencë shkencore prej historiani të ditur bëri trajtesa ngjarjesh (shpesh delikate, të diskutueshme me problematikat përkatëse në kohë dhe hapësirë të zërit shqiptar). Përmes këtyre rrjedhave, shpesh të dallgëzuara e shpesh idhnake ndërtoi kompozicionet e veprave dhe u dha udhë personazhe duke i skalitur më së miri. Shkrimtari, gjithashtu, njohu toponimi vendesh, malesh, krojesh, fshatrash, qytetesh… etj., që shpesh koha i ka fshirë diku me dashje e diku pa dashje. Kërkoi pa u ndalur, njohu dhe zbuloi të vërtetat shpesh të fjetura apo të pluhurosura, i ndërthuri në krijimtarinë me vërtetësi e art. Njohu, gjithashtu, kode etike dhe estetike të shenjave të historisë, të psikologjisë së personazheve; njohu arkiva, bëma ngjarjesh e drama shpesh të harruara. Artisti me zërin shqip kishte ardhur t’i zgjonte e t’i përjetësonte. Gjithashtu shkrimtari kishte dhe një bagazh të madh gjuhësor, frazeologjik e stilistik… Ai ishte një Fjalor më vete. Mund të them edhe elemente të tjera të procesit krijues të shkrimtarit… Për këtë arsye mendoj se studimet letrare i kanë borxh shkrimtarit e veprave të tij për ta studiuar më në thellësi e për të qenë më analitikë.

Romani “Pushka top, Bajram Curri!” Në vetvete, romanet historike, nuk janë edhe aq të lehtë për t’u trajtuar, aq më shumë kur flasim tek u drejtohen moshës së fëmijëve. Por, shkrimtari aq mirë njohu temën historike, edhe më mirë njohu botën, psikikën e kësaj moshe. Kjo është arsyeja që romani është interesant dhe përherë zgjon kureshtje. Gjatë leximit të tekstit, po evidentoj disa veçori të romanit, veçori që e bëjnë të dallueshëm e të suksesshëm, si: – Në qendër është figura e Bajram Currit, jeta e tij prej lindjes deri në vdekje. E dhënë në mënyrë kronologjike.; – Ndriçimi i Heroit jepet përmes bëmave, luftërave, fitoreve dhe humbjeve.; – Është konceptuar dhe strukturuar përmes 12 kapitujve dhe një numri të madh personazhesh.; – Ngjarjet zhvillohen në vetën e parë, shquhen për nivel të lartë artistik e përmes një stili konciz.; – Krijimi është i mbushur me ngjarje interesante, të riprodhuara artistikisht, duke u mbështetur në fakte autentike, në fëmijërinë dhe rininë e Bajram Currit.

Një tipar, mes shumë tipareve të romanit, është edhe ai i legjendarizmit të Heroit. Autori, jo vetëm është i kujdesshëm ndaj këtij perceptimi, por e ka realizuar në mënyrë mjeshtërore. Elementi i parë është KOHA, në të cilën lindi, jetoi, luftoi dhe fitoi pavdekësinë Bajram Curri. Koha e pranishme në veprimtarinë e Heroit e bën atë sa real aq dhe legjendar. Autori ka preferuar ta ndërtojë Heroin përmes këtyre dy raporteve si një model që të kujton Eposin historik. Kjo i ka dhënë veprës në tërësinë e saj fantazinë dhe njëkohësisht te lexuesi i moshës ka kultivuar përfytyrime reale të heroit në përmasat e legjendës. Vetë legjenda bazohet në detaje të jetës së Heroit, diku jetësore e diku të trillit artistik. Kështu autori i dha Bajram Currit  frymë lirie e frymë jete, bindshëm se është duke folur në fund të fundit për një personazh në thelb real. Për këtë dimension vlerash, nuk kemi sesi të mos e nderojmë shkrimtarin Sulejman Krasniqi për gjurmën e pashlyeshme që la në emër të Epokës së Shqiptarizmës. E kjo ndodh te Shkrimtarët e vërtetë.

(Shkodër, prill, 2024)

Leave a Reply

Your email address will not be published.